Albspirit

Media/News/Publishing

Berisha dhe Basha, dy anë të së njëjtës medalje

Eden Babani, Bruksel

Shumë është folur për zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së. Jo po u katapultua nga hiçi drejt e në kupolën politike të partisë, jo po nuk e ka formatin politik të paraardhësit, jo po me formimin kulturor perëndimor (?!) nuk është aq agresiv sa e kërkon politikëbërja shqiptarçe, jo po kjo, jo po ajo… Të gjitha, huazime të pështira nga libri i propagandës rilindëse, motive politike të politikanëve-paterica, shpresa e vetme e klanit rilindës që të mbijetojë çalë-çalë në pushtet.

Ditët e fundit, që të heqë vëmendjen e shqiptarëve nga problemet e ditës, kryerilindësi po përpiqet të hedhë dyshime mbi të kaluarën e Bashës.

Kjo lojë e ndyrë politike në prag të zgjedhjeve bëhet me qëllim të dyfishtë. Nga njëra anë, të shpërndajë mjegull mbi UÇk-në dhe luftën çlirimtare në Kosovë, – “thikë pas shpine” e ka vlerësuar Dr. Berisha këtë akt tradhtie me përmasa mbarëkombëtare. – Nga ana tjetër, të hedhë ndonjë shuk balte mbi figurën e panjollë të liderit të opozitës me sajesa që i ofron spiunazhi serb përmes kanaleve të nëndheshme.

Tashmë është bërë e ditur botërisht se e ashtuquajtura “shtëpi e verdhë”, pas së cilës Rama është kapur si dredhkë, s’ka ekzistuar veçse në kokën e Carla del Ponte-s dhe të bashkatdhetarit të saj Dick Marty. Përndryshe, do të ishte pjesë e akuzave në procesin e sotëm të Hagës. E megjithatë, Kryeministri s’e ka për gjë ta fryjë sajesën si tullumbace, deri që një ditë t’i shpërthejë në surrat.

* * *

Që Lul Bashën e ka vlerësuar Dr. Berisha si një ndër të rinjtë më me vlera në radhët e PD-së, për këtë s’kam pasur ndonjëherë qoftë edhe më të voglin dyshim. Jo se ish-kryeministri ndikoi drejtpërdrejt në zgjedhje, pas dorëheqjes së tij më 2013. Fushata ishte e hapur edhe për Lulin, edhe e për të ndjerin Olldashi, ashtu sikundër për Topallin e Patozin ose për cilindo anëtar të PD-së. Por sepse, me nuhatjen e pagabueshme të një lideri të vërtetë politik, Dr. Berisha e pati provuar liderin e sotëm të PD-së në funksione kyçe të administratës shtetërore, pas një përvoje disavjeçare në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Shtator 2005 – prill 2007,  Ministër i Punëve Publike dhe i Komunikacioneve. Periudha e ndërtimit me sukses të Rrugës së Kombit.

Prill 2007 – shtator 2009, pas dorëheqjes së Besnik Mustafait, Ministër i Punëve të Jashtme. Koha kur për shtetasit shqiptarë u hoqën vizat.

Shtator 2009 – prill 2011, Ministër i Punëve të Brendshme. Përballja me sukses e dhunës së falangave kriminale të mbështetura nga PS-ja.

Korrik 2011- korrik 2015, Kryetar i më të madhes bashki të vendit, asaj të Tiranës. Katërvjeçari i suksesshëm kur, me gjithë kufizimet e fondeve financiare nga ana e Qeverisë Rama 1, përveç të tjerave, arriti ta sjellë në din gropën e madhe në Sheshin Skënderbe, të cilin e zhbëri përfundimisht pasardhësi, Veliaj.

Në politikën botërore, rrallë mund të gjenden raste të tilla të një përvoje shumëdimensionale politike të një lideri si kjo e Lul Bashës. Me rezerva, do të sillja atë të ish-Presidentit të Francës, Jacques Chirac (Zhak Shirak). Me rezerva, sepse Chirac ka pas lëvizur nga një kahe e politikës, në tjetrën, nën hijen e presidentëve ose kryeministrave gjithashtu të kaheve të ndryshme politike.

Basha, jo. Dhe kjo, – e përsëris, – falë nuhatjes së pagabueshme të Dr. Berishës.

* * *

Koha po vërteton edhe bindjen time të palëkundur se Berisha e Basha janë dy anë të së njëjtës medaljeje, të Medaljes së Artë PD.

Le të më quajnë militant të pandreqshëm. Le të më quajnë ëndërrimtar pa lidhje me realitetin. Le të më quajnë propagandist pa skrupuj. Le të më quajnë si të dëshirojnë. Të gjitha i hedh pas krahësh.

Kush e mohon se, ndërsa Luli qetë-qetë demaskon çdo hap të hedhur gabueshëm nga Rama gjatë dy mandateve të qeverisjes së tij, Dr. Berisha ia përplas kryerilindësit në fytyrë të vërtetën me anën e ndonjë “personazhi dixhital”?

A e mohon dot kush se, ndërsa logjika e fortë e Lulit bëhet barrierë e pakapërcyeshme për logjikën e mangët të Edit a për shfaqjet e tij groteske nëpër ekranet e televizorëve e takime të niveleve ndërkombëtare, Dr. Berisha e shpon si gjilpërë atje ku “Edvint” i djeg më shumë?

Për mua, gjetjet, – si njëra, si tjetra, – janë gjeniale, fatale për të ardhmen politike të Edi Ramës.

 

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­

Please follow and like us: