Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: U shua Mishel Lako, muzikanti vlonjat “pe Korçe”

 

Eden Babani, Bruksel

 

Në vitet ’50-’60, jeta kulturore-artistike e Vlorës përjetoi një hop sasior e cilësor të panjohur përpara. Lufta i kishte lënë qytetit bregdetar, sikurse gjithë vendit, plagë që duheshin shëruar, të cilat, edhe pse gjetën një farë karari, nuk u mbyllën dot gjatë dy dhjetëvjeçarëve që e ndoqën. Nuk u mbyllën as më vonë, madje as deri ditën që dha shpirt diktatura komuniste.

Por jeta vazhdonte. Shfaqja e ndonjë turisti gjerman në rërën e ngrohtë të Plazhit të Vjetër ose në Ujin  e Ftohtë, “te gurrjet”, u kujtonte njerëzve se jeta nuk ishte vetëm luftë. As vetëm punë për të ribërë rrënojat e mbetura ose për të hedhur themele të reja mbi to. Jeta lakmonte gjithfarësoj: që nga dasmat e lindjet, deri te vdekjet, deri te skena e teatrit dhe e estradës.

Më 1952, lufta e klasave hodhi në Vlorë vëllain e madh të Mishelit, Xhimin, i cili la Korçën, për t’u punësuar në arsim fshatrave të Vlorës. Ishte periudha e ashpërsimit të terrorit komunist, çka solli edhe mjaft lëvizje demografike, të detyruara. Në Shqipëri po shfaqej dukuria e braktisjes së vendlindjes, për të fshehur kleçkat në biografi. Kjo dukuri që preku kryesisht familjet e deklasuara, u bë mënyra më e rëndomtë për të mbijetuar. Atë rrugë zgjodhi edhe Xhimi, djali i madh i tregtarit dhe ekonomistit korçar të shkollës franceze, Sotir Lako, cili përfundoi i mbytur baltovinave të Vloçishtit si i burgosur politik, më 1947.

Kalimthi, që të tregoj sa i rëndë ra drapri komunist mbi familjet me tradita të njohura atdhetare, ia vlen të shënoj se Sotir Lako ishte nipi i rilindësit Anastas Lakçe, i cili kishte hapur në Korçë të parën shkollë për djem.

Dora-dorës, Xhimi do të shpërngulte edhe të ëmën, zonjën Margaritë, nga familja e njohur korçare e Sugarëve, edhe të vëllain, Mishelin. Kështu që rasti fatlum më bashkoi edhe një herë në Vlorë me shokun tim të fëmijërisë, për të përthithur me një dendësi të pazakontë jetësore vitet më të mira të rinisë së parë.

Nuk do t’i harroj deri sa të kem frymë, mbrëmjet e mrekullueshme te Gurët, pranë Turizmit të Skelës, kur tingujt e fizarmonikës së Mishelit, mandolina e Daut Shtinos dhe zëri i tij prej tenori, nxirrnin nga kabinat marinarët e huaj të anijeve ankoruar në portin e Vlorës, të cilët duartrokisnin nga kuverta e mjetit lundrues, pa pasur mundësinë të na afroheshin.

Aq më mirë… Mirë për ata. Edhe ca më mirë për ne. Përndryshe… Po, ç’ pyet?! Të rinj ishim… Aguridhe!

 

* * *

Amator dhe autodidakt njëherësh, Misheli iu përkushtua një pune të shumëfishtë, sa në dobi të qytetit, aq edhe për arsimimin e vet. Me fizarmonikë në krahë, do ta gjeje në Klubin e Bashkimeve Profesionale ose në ndërmarrjet e ndryshme të Vlorës, duke u marrë me grupet artistike amatore. Prej andej, në mjediset e Pallatit të Kulturës ose të Estradës, në prova me orkestrinën e sapoformuar dhe me këngëtarët. Muzikanti i ri ishte njëherësh edhe instrumentist (fizarmonicist e pianist, si ta sillte hera), edhe drejtues orkestre. Mbrëmjeve, mbyllur në dhomën e vetme që autoritet komuniste i kishin caktuar familjes korçare të deklasuar në një shtëpi të lagjes Muradije, përgatitej për formimin e tij të mëtejshëm. Ndiqte me korrespondencë Institutin e Lartë të Arteve dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, për matematikë.

– Po matematikën ç’e do? – e pyeta një ditë, teksa më kërkoi disa leksione të algjebrës së lartë, që na e jepnin korçarët Pepi Pilika e Aleko Minga.

Asohere, ndiqja vitin e dytë, për matematikë-fizikë në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

– S’të mjafton muzika? – e ngacmova. – Matematikën nuk po e përballojmë dot ne, studentët e rregullt…

M’ u përgjigj gjithë gjallëri, me këmbë e me duar, siç vetëm ai dinte të fliste:

– Ta marrin vesh “këta” se fisnikëria s’ka vdekur. Kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë gjithnjë një kokë më lart.

Mirëpo, edhe se me korrespondencë, spiunët e intrigantët ia gjetën anën ta përjashtonin nga Instituti i Lartë i Arteve. U desh ndërhyrja e Mantho Balës, ish zëvendësministër i Arsimit dhe i Kulturës, i cili ia njihte dhe ia vlerësonte aftësitë, që muzikanti “vlonjat pe Korçe”, diplomuar një vit përpara për matematikë, të mbaronte Konservatorin, më 1962.

Ditën që mbrojti diplomën, një kompozitor i njohur, – autoritet i muzikës shqiptare të atyre viteve, njëherësh anëtar i komisionit shtetëror, – e ndoqi Mishelin në korridor dhe e përgëzoi. “Për mua dhe për gjithë komisionin, i tha faqe studentëve të tjerë që prisnin radhën e provimit, meriton notën pesë. Por komisioni vendosi të të japë katër, pasi… je student me korrespondencë!”

Ata që dëgjuan, thoshin se profesori i nderuar, ndërsa fliste me brengë në zemër përpara atij që kishte shkëlqyer në të gjitha provimet, vështronte përtokë, thua se po shlyente një faj. Po ç’të bënte! A mund të vlerësohej maksimalisht biri i “armikut”, ndërsa studentët e rregullt ishin bij të nomenklaturës komuniste?

 

* * *

Artdashësit vlonjatë e kanë dashur dhe e kanë nderuar muzikantin e tyre korçar që, bashkë me Themistokli Monen, drejtues i bandës dhe i korit të Shtëpisë së Kulturës, i dhanë qytetarinë partiturës muzikore në Vlorë. Misheli nuk u ndie kurrë i huaj mes vlonjatësh, as kur jetonte në një dhomë të vetme, veti i tretë, as kur e spiunonin atë dhe të shoqen, Dorothenë. Përkundrazi, u ndje qytetar i dyfishte: korçar, për nga prejardhja familjare, vlonjat për “dyzet kovat me ujë” që kishte pirë në qytetin bregdetar.

Por, a mund të shpëtonte djali “i armikut” pa u lagur prej rrebesheve të luftës së klasave, që herë reshtnin e herë ashpërsoheshin për të goditur me gjithë fuqinë e tyre të verbër?

Viti 1962 e bashkoi Mishelin me bukuroshen shkodrane, Dorothenë, bijën e Cin (Augustin) Serreqit, pushkatuar më 1948, pas një farse gjyqësore për Kryengritjen e Postribës, për çka viktima e pafajshme e fisit të njohur të Serreqëve as dinte, as pranoi gjë prej gjëje. Disa vjet pas martesës, Dorothesë iu qepën “gjeneralët e dosjeve”, të cilët gërmonin asohere nëpër biografi, kurse sot kanë guximin të na shohin në sy e të na qëndrojnë pranë, thua se gjithë sa ka ndodhur me ne ishin “ca gabime” që kalohen, siç dhimbja e kokës kalon me një aspirinë.

Dorothenë e përjashtuan nga arsimi. Familja e sapokrijuar nuk do të gjente më qetësi. E dëshpëruar, Dorothea s’reshti së përplasuri me shefat e kuadrit. Por pa dobi, edhe se të drejtën ia jepte përvoja si arsimtare e përkushtuar.

“Fajin” e gjyshërve, do ta vuante edhe brezi i dytë i familjeve të goditura. Fëmijët e çiftit Lako, Alfredi dhe Jola, do të mbanin damkën e të deklasuarve dhe nuk do të merrnin dot një të drejtë studimi për shkollë të lartë. Vetëm shembja e diktaturës komuniste do t’u hapte rrugë të zinin vendin që u takonte në shoqëri.

Pas viteve ’90, Alfredi realizoi dy diploma (bëmë baba, të të ngjaj!), një në Shqipëri, për inxhinieri hidraulike, dhe një në Francë, për probleme të mjedisit. Vajza, për veterinari.

Misheli doli në pension më 1990, pesë vjet mbasi kishte mbushur moshën e pensionit, duke i dhënë Vlorës edhe pesë vjet të tjerë kontribute në dobi të jetës kulturore. Deri që u shua, jetoi në Tiranë, duke gëzuar një pleqërie të qetë, por, fatkeqësisht, i tërhequr nga pasionet që e mbajtën gjallë një jetë të tërë, çka na vret në shpirt ne, shokët e tij, me të cilët ndau çaste të rënda, por edhe të gëzueshme, të papërsëritshme. Goditjen përfundimtare, e pësoi para katër vjetësh, kur Dorothea u vetëvra, si pasojë e depresionit që e ndoqi gjithë jetën.

Pushofshi në paqe, Mishel e Dorothe!

 

 

Please follow and like us: