Albspirit

Media/News/Publishing

Rezarta Koçi: Kush po i dhunon femrat në Shqipëri?

Viti 2020 është cilësuar si “Viti i Gruas”, vit në të cilin femrat duhet të fuqizohen më shumë, të mbështeten më shumë dhe të kërkojnë më shumë arritje dhe drejtësi-barazi gjinore, ndërkohë që në vendin tonë diskutojmë për dhunën ndaj femrës, gjë e cila është pak e turpshme dhe më bën të ndihem keq si femër, por është një fenomen i pashmangshëm. Fillimisht do doja të thoja që dhuna ndaj grave është një ndër shkeljet më të turpshme të të drejtave njerëzore e më pas të familjes në përgjithësi dhe të gruas në veçanti.

Shoqëria jonë, në këtë fenomen, nuk ka shumë dallim nga rajoni i Ballkanit, ku nga të dhënat statistikore rezulton që 56% e femrave shqiptare kanë pranuar që janë dhunuar njëherë nga partneri. Kjo shifër mund të ishte më e lartë nëse do kishim një sinqeritet të plotë ose mungesë të frikës dhe liri të fjalës, pasi tabu akoma tek ne është që të thuash që je dhunuar është turp! Jo, të thuash që je dhunuar dhe të denoncosh dhunuesin, të kërkosh mbrojtje, është një forcë që çdo femër duhet ta gjejë, për të mbrojtur veten e saj dhe mbi të gjitha familjen, pasi dhuna ka pasoja shumë të rënda duke ndikuar negativisht tek fëmijët që e shohin të ndodhë si fenomen dhe tek gjendja psikologjike e tyre.

Kur përmendim fjalën dhunë, nuk flasim vetem për dhunën fizike, por atë emocionale, ekonomike, psikologjike, seksuale, sjellje shtrënguese- kontrolluese, pra po flasim për dhunën në të gjithë dimensionet e saj ku kryesisht ushtrohet nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, partnerët, por edhe anëtarë të tjerë të familjes mund të marrin pjesë ose t’i mbështesin këto akte dhune, gjë e cila shpesh gjykohet si e arsyeshme nga popullata dhe e justifikueshme, dhe këtu dalim në një aspekt tjetër, në injorancën që na karakterizon duke pranuar veprime të tilla.

Nëse flasim për periudhën e pandemisë që po kalojmë, është fakt që rastet e dhunës, ashtu si rastet e divorceve janë shtuar. Kemi pasur raste kur njerëzit kanë humbur punën e tyre dhe si pasojë kanë pasur probleme ekonomike të shtuara, presion psikologjik dhe emocional, dhe kjo gjë ka çuar deri në dhunë ndaj familjes, kryesisht ndaj femrës. Karantina që kaluam ishte një nga periudhat më të vështira ekonomike, pasi ne nuk jemi mësuar me situata të tilla emergjente dhe kërkohej një menaxhim shumë i shpejtë dhe perfekt nga ana e shtetit, dhe patjetër që kjo ka ndikuar në shtimin e stresit, në ndarjen e shumë çifteve dhe në rritjen e numrit të femrave të dhunuara, jo vetëm në Shqipëri por në rajon e më gjërë.

Përsa i përket ligjeve, absolutisht që Shqipëria është një nga vendet me ligjet më të mira, problem mbetet zbatimi i këtyre ligjeve. Për dhunën ndaj gruas ka ligje të posacme, si përshembull “Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, në vitin 2018 ku përcaktohet qartë se çfarë është dhuna dhe masat mbrojtëse apo institucionet përgjegjëse. Ky ligj bazohet në parimet e sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave”, Konventën e Këshillit të Europës, “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” dhe në aktet e tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Ndërsa Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, përmban nenet dhe dënimet me kanosje dhunën apo veprat penale më të rënda.

Me ndryshimet e bëra në Kodin Penal në vitet 2012/2013 u shtuan rrethanat rënduese kur veprat penale kryhen: a. në kundërshtim me urdhrat e mbrojtjes; b. duke përfituar nga marrëdhëniet familjare; c. të shtyra nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, identitetin gjinor dhe/ose preferencën seksuale. Po ashtu, Kodi Penal u ndryshua duke pranuar “kanosjen” ose “veprimet e përsëritura” me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, sigurinë e një të afërmi ose sigurinë e një personi me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e jetesës.

Për vepra të tjera penale, si vrasja, vrasje të thjeshtë me pa paramendim, plagosje të rënda dhe të lehta parashikohen dënime më të rënda kur veprat penale janë kryer kundër një partneri, bashkëshorti apo pjesëtari të familjes. Megjithë dispozitat ligjore për ndjekjen penale dhe dënimin e ushtruesve të dhunës në familje, në Shqipëri ka një prirje të përhapur gjerësisht të “negociohet” ose “ndërmjetësohet” për rastet e dhunës në familje. Problemi për përdorimin e ndërmjetësimit në rastet e dhunës në familje është se ndërmjetësimi mbështetet tek parimi i barazisë së palëve, por në rastet e dhunës në familje dhe dhunës nga partneri intim nuk ka barazi të palëve sepse marrëdhënia nuk është as e balancuar, as e drejtë, dhe dhuna bazohet tek modelet e dominimit dhe kontrollit dhe varësinë e viktimës nga dhunuesi.

Kodi Penal përmban një numër nenesh që trajtojnë krimet seksuale, përfshirë marrëdhënien seksuale me dhunë dhe përdhunimin, ku jane nenet 100-108/a per marredheniet seksuale me force apo nen kercenim, ngcmime seksuale apo dhe vepra te turpshme ku denimet variojne nga 6 muaj deri ne 15 vite burgim.

Në sajë të Ligjit “Për ndihmë juridike falas” dhe ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale (korrik 2017) femrat e dhunuara kane te drejte te kerkojne ndihme juridike dhe ligjore falas, por sesa e zbatueshme eshte kjo mbetet ne pikepyetje, pasi sic e thashe dhe me lart ligjet jane shume te mira, problem mbetet zbatimi.

Shteti është i detyruar t’i mbrojë gratë nga dhuna e ushtruar, jo vetëm nga agjentë të shtetit, por edhe nga individë apo grupe private. Në bazë të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, shtetet duhet të ushtrojnë ‚due diligence’ për të siguruar të drejtat e grave për barazi, jetë, liri dhe siguri, dhe liri nga diskriminimi, tortura dhe trajtimet mizore, çnjerëzore dhe poshtëruese. Ato duhet të kenë politika dhe plane për përmbushjen e këtyre të drejtave, për mbrojtjen e njerëzve nga abuzimi me këto të drejta, dhe të sigurojnë zhdëmtim dhe kompensim për ata persona të drejtat e të cilëve janë dhunuar.

Qoftë nga ana ligjore, profesionale apo dhe sociale, personale, do i ofroja mbështetjen time të plote çdo femre që ka përjetuar një formë të dhunës apo po e përjeton diçka të tillë, sepse përveç se femra, jemi qenie humane dhe humanizmi vlen mbi gjithçka. T’i presh krahët një femre, t’i heqësh zërin për të folur, t’i mohosh të drejtën për të qenë e arritur, mbi të gjitha t’i mohosh të drejtën për të jetuar është gjëja më e ulët dhe më e patolerueshme! Vendi ynë është krijuar nga femra të forta, dhe ne të gjitha së bashku si femra të forta dhe me mbështetje ndaj njëra-tjetrës, do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe!

 

Kush është Rezarta Koçi

Rezarta Koçi ka lindur më 31.10.1981 në Tiranë. Ajo është diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës në degën “Punë sociale”. Më pas ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Justiniani I me rezultate të shkëlqyera. Krahas studimeve, znj. Koçi ka marrë pjesë në trajnime dhe aktivitete të shumta me fokus legjislacionin civil, të pronësisë, trashëgimisë, kontratave etj. Nga viti 2005 deri në vitin 2008 ka punuar si asistente e Zv.Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi. Më pas pranë Avokatutës së Përgjithshme të Shtetit në periudhën 2008 – 2009, si dhe inspektore e profesioneve të lira në Drejtorinë e Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë në periudhën 2011 – 2013. Prej vitit 2013 ushtron profesionin e noteres në zyrën e saj duke ofruar shërbime ligjore për korporatat më të mëdha shqiptare. Profesionalizmi, korrektësia dhe përkushtimi janë vlerat mbi të cilat ngrihet puna disa vjecare tashmë në fushën e noterisë. Prej Janar 2020, znj. Koçi është pedagoge e jashtme pranë Fakultetit Juridik, Universiteti Europian i Tiranës. Me një eksperiencë 15 vjeçare në fushën e drejtësisë, znj. Koçi është vlerësuar nga institucione vendase dhe të huaja si një ndër ekspertet më të mira në fushën e noterisë në Shqipëri.
Please follow and like us: