Dielli nuk perëndon për ata që dinë ta jetojnë jetën
Eden Babani, Bruksel
Mëngjesi i së premtes 11 dhjetor më erdhi tepër i trishtuar. Pafundësisht i trishtuar. I zi sterrë. Ndërroi jetë Myrteza Bajraktari, një nga miqtë e mi më të mirë, padyshim më i miri këtu, në emigracion. E rrëmbeu flama e shekullit.
Kur një njeri shkon në amshim, thonë se i perëndoi dielli. Por jo. Dielli nuk perëndon për ata që dinë ta jetojnë jetën, sado e shkurtër a e gjatë qoftë. Gostivarasi Myrteza është njëri ndër ta. Ai pati fatkeqësinë ta pësonte dy herë për Çështjen Kombëtare, pa u penduar asnjëherë.
Nuk u pendua në rininë e hershme, më 1953, kur e arrestoi UDB-a jugosllave, në Shkup, si një nga themeluesit dhe drejtuesit e organizatës “Bashkimi”, që kishte në program Shqipërinë në kufijtë e saj etnikë dhe rezistencën kundër spastrimit etnik të trojeve tona. Nuk u pendua as në moshë të pjekur, më 1970, kur e arrestoi Sigurimi i Enver Hoxhës. Ishte diplomuar asohere për shkencat historike në Universitetin e Tiranës, kishte krijuar familje dhe ishte bërë me fëmijë. Por e atillë ishte koha. Myrtezai e kishte në ADN xanxën e atdhetarisë, teksa shqiptarët këtej e andej kufijve shqiptaro-shqiptarë përjetonin absurdin komunist, përjetonin pabesinë, kur vëllai, duke iu dorëzuar vëllait, binte nga shiu në breshër. Për ironi të fatit, të dyja burgimet, – në Idrizovë të Shkupit dhe në Spaç, Ballsh e Skrofotinë të Vlorës, – i vuajti si shqiptar, si nacionalist e antikomunist, si pinjoll i një familjeje atdhetare nga trojet e Shqipërisë Lindore. I vuajti sepse e donte Atdheun të lirë dhe sepse, si shqiptar, iu dorëzua besës shqiptare.
Prof. Dr. Kolë Tahiri, teksa përvijon momente kyçe të biografisë së Myrtezait nën titullin “Vështrim etno-psikologjiik i një karakteri shqiptar”, citon Faik Konicën: “Shqipërinë e krijuan idealistët e mëdhenj” dhe, nëse do të prishet, “këtë do ta bëjnë politikanët e këqij”. Padyshim, – vëren Kolë Tahiri, – midis atyre idealistëve të çështjes së bashkimit të trojeve etnike në një shtet të vetëm shqiptar, radhitet edhe gostivarasi, Myrteza Bajraktari.
* * *
Shtatë vjet më parë, Myrtezai mbushi të tetëdhjetat. Ishte gëzim i madh për të, për familjen, por edhe për ne, miqtë e tij. S’është e pakët të kesh përjetuar burgjet komuniste në Jugosllavi e në Shqipëri, të kesh marrë gjymtime fizike, t’u kesh mbijetuar dy infarkteve të zemrës së lodhur, duke bartur edhe një koleksion sëmundjesh, por t’i sfidosh ato, të kapërcesh përtej “moshës së tretë”.
Na mblodhi në një nga sallat e restoranteve “Kolmar”. Nuk ishin vetëm gëzimi e hareja lumë, as haja e pija ato çka nuk më shqiten nga mendja. Të tilla njeriu mund të kujtojë me qindra. E rrallë, ndoshta e papërsëritshme, ishte prania në atë gëzim e bashkatdhetarëve nga të gjitha trojet tona etnike. Jo më shumë se 30 – 40 vetë, por çuditërisht sikur i kishte qëmtuar njeri një e nga një. Që nga Gostivari, deri në, Suharekë, Gjilan e Pejë. Që nga Tropoja, Kukësi, Shkodra, Mirdita, Kurbini, Tirana, Elbasani, Devolli, Vlora, Gjirokastra, deri në Margëlliçin e Çamërisë Shqiptare…
Ç’ fat e bashkoi Ollgën, devolliten nga Hoçishti, me tiranasen Fatbardhë dhe me vlonjaten Tatianë ta dridhnin vallen popullore aq bukur, thua se ishin të një krahine, të një fisi? Ritmi i valles apo kënga e elbasanasit Lavdërim? Po Ninën e vogël, mbesën e gjyshit që festonte tetëdhjetëvjetorin e lindjes, ç’e bënte të luante si shtojzovalle në krahët e mama Elirës, të baba Durimit, të teze Arbanës a të dajë Bekimit? Fatet tona të përbashkëta, gjaku ynë shqiptar. Po. Ato na kanë afruar me njëri-tjetrin dhe na kanë mbajtur gjallë. Ato na kanë mbledhur e do ta na mbledhin gjithherë këtu, në emigracion, e kudo tjetër qofshim.
Edhe dhuratat e rastit bartnin simbolikën e tyre atdhetare. S’ më rrihet pa përmendur vetëm dy.
Kuksiani Ramiz kishte prurë nga Namyri një gravurë të vitit 1878, kushtuar Lidhjes së Prizrenit. Kurbinasi Gjon, një shishe raki, zier bash në vendlindjen e tij, në Kurbin.
Gravura i takonte atij që u bë sebep të mblidheshim. As që behej fjalë se mund të ndahej. Përkundrazi, rakia na takonte të gjithëve.
Kristal e pastër dhe me aromën e mrekullueshme të vreshtave tona, ajo nuk ishte pije alkoolike, por nepënthë perëndish, për njerëz që i mbledh e mira. Gjë e rrallë në mjediset e “Kolmar-it”, ku birra, vera e kuqe, rozë ose e bardhë, si edhe pijet e tjera freskuese, derdhen me rubinet dhe përfshihen në çmimin e ushqimit. Mirëpo aroma e vreshtave shqiptare e mbushi mjedisin plot e përplot, aq sa tërhoqi nuhatjen e të gjithëve, edhe të fotografit gjilanas, Asllanit, që i druhet rakisë për shkak të aparaturave dhe të timonit.
Dhe çudi… Sërish çudi. Një shishe, vërtet, ama doli e teproi për të gjithë terjaqinjtë.
Duhet të gjesh 32 fjalë për rakinë, siç thonë në Mirditë, – ma mblodhi Gjoni, – pa ta administrosh shishen e të fitosh të drejtën që ta shtrydhësh deri në pikën e fundit. I gjeta. Më ndihmoi vetë Myrtezai. Më ndihmoi kurbinasi tjetër, bashkëvuajtësi i Myrtezait, Lek Pervizi. Më ndihmoi tropojani Kolë Tahiri. Më ndihmoi kush mundi, kuksiani Duraku Duraku, vlonjati Ismet Selimaj e tjetri, e tjetri.
Megjithatë, s’ e shtrydha dot deri në fund rakinë Kurbinit, sado që gëzimi rridhte lumë e vallja sillej e përdridhej në atë goxha sallë. Ma rrëmbyen shishen nga dora.
* * *
Prej më shumë se dhjetë vjetësh, me Myrtezanë kemi jetuar në të njëjtin bllok pallatesh të komunës Ganshoren të Brukselit, as 200 letra larg njëri-tjetrit. Shiheshim shpesh. Më shpesh dëgjoheshim në telefon. “Myrteza, mirë?” “Mirë duhet me thanë”.
Gjatë javës, i kalonim disa orë të paradites së bashku duke pirë nga një kafe në qendrën tregtare Baziliks. Veç kur binte zilja e telefonit. “Eden, te stacioni i autobusit në orën…”. Ishte ndër të paktët miq e shokë që e thoshte emrin tim me theks parafundor, te e-ja e parë, ashtu si im atë që ma pati ngjitur.
Me kë do të rri tashti që Myrtezai s’është më? A do të kem shansin ndonjëherë ta dëgjoj emrin tim siç thuhet?
Më ke krijuar një zbrazësi në shpirt, i dashur Myrteza, që s’do të mbushet sa të kem jetë. Tashti e tutje, do të jetoj me ty vetëm përmes kujtimeve që nuk do të shuhen kurrë. Do të jetoj duke lexuar shkrimet e tua në shtypin shqiptar, veprën tënde pro e kundra rrymës, “Një vështrim tjetër i historisë”. Dhe të premtoj: Do të kaloj shpesh e më shpesh nga varreza e Ganshores, andej nga shëtisnim së bashku në pyllin e paanë Laerbeek-ut. Të qoftë dheu i lehtë, i dashur Myrteza! Qofsh i Parajsës!