Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Blandit, nipit tim të shtrenjtë, një kartolinë shpirti për Vitin e Ri

Blandi, po mbyllet një vit shumë i vështirë… në zymtësinë dhe trishtimin e tij të solli zoti një dhuratë, një vëlla që ke dashur aq shumë gjat këtyre viteve. Bazeli ishte gjëja më  e bukur që lindi ne këtë fund viti. Gjyshi  po të  lë një kartolinë  që  ngjan si  një testament shpirtëror për ty dhe Bazelin. Njeriu  nuk shpëton dot nga vdekja, nga hallet e përditshme dhe  nga llafet e njerëzve… Disa fjalë është më mirë të thuhen herët.

Duke qenë shkrimtar, gazetar e publicist për katër dekada, duke gërmuar thellë në jetën e pëditshme po t`i them unë këto fjalë, sepse askush tjetër nuk do të t’i thotë.

Ajo çka është shkruar janë eksperiencat e mia personale që ndoshta do të të shpëtojnë nga shumë dhimbje shpirtërore të panevojshme.

Jeta është një film i xhiruar pa regjizor. Në themel të saj është dashuria  e cila është një monument i madh ndjenjash që mbrohet nga zemra e atij që të do dhe e do… Blandi im i shtrenjtë asnjëherë mos kërko për çdo gjë perfekten se perfektja  nuk ekziston. Mënyra më e mirë më e madhe për të ndriçuar jetën tënde janë librat. Ti e di, Blandi i dashur, se librat kanë ndryshuar mendjet dhe mendjet kanë ndryshuar botën…

Asnjëherë në jetën tënde nuk duhet të dështosh…

Por nga vjen dështimi

  1. Kur njeriu ankohet për çdo gjë.
  2. Kur qorton të tjerët për problemet që ke vetë.
  3. Kur nuk je mirënjohës; kjo e fundit është mëkati më i madh për njeriun.

Blandi, njerzit e mençur dhe të bukur si ty, i takon rastësisht, njerëzit e duhur përsëri si ty është fat të të takosh, por ruaju nga të këqinjtë se i gjen ngado… Kuptohet Blandi që do të jesh i rrethuar nga njerëz cmirëzinj, ziliqarë, nga të cilët do të jesh i kujdesshëm dhe kjo ndodh pasi ata nuk të arrijnë dot nivelin tënd, kur nuk kanë atë që ke ti dhe kur përpiqen të të kopjojnë, por nuk munden…

Mundoju që ta kurosh me delikatesë zilinë e shokëve që ke rrotull ashtu sic kuron gripin… Ti e pe kur nxore librin e par sa nga shokt e tu u bënë ziliqarë…

Blandi ruaje si të  shenjtë besimin që kanë njerëzit për ty. Nëse t’i thyen një gotë atë e ble në dyqan, por nëse thyen besimin që kanë njerëzit për ty nuk ka dyqan ku mund ta blesh. ”Blandi, ruaju nga një kategori njerëzish  që  nuk kanë mend, mend nuk duan dhe  mend shesin”…

Blandi e shikon që bota ka pak njerëz të mire; kjo është më e rëndë se sa një krizë ekonomike… Blandi, ti e di mirë që jeta e njeriut i ngjan një peme: rrënjët janë e kaluara, trungu e sotmja dhe lastarët e degëve janë  e ardhmja… Blandi, ti nxorrë një libër kur ishe 10 vjeç, vitin e kaluar, por jo për fëmijë, por për të rritur. Befasia ishte e madhe.

Mos pretendo në jetë që do të jesh gjithmonë i lumtur: lumturia i vjen dhe i ikën njeriut sikur e ke marrë me qera… Më shumë njeriu në  jetë provon çaste kënaqësie  se sa lumturi.

Edhe shokun e ngushtë duaje me masë edhe kundërshtarin  urreje me masë sepse  vjen një kohë  që nuk e kupton se kush është miku dhe kush është armiku… Për gjithçka në jetë vendos një standart asnjherë mos përdor ekstremet. Në çdo lloj marrëdhënie ka një vizë të kuqe që asnjëherë  nuk duhet ta shkelësh…  Blandi, ti përdor shpesh fjalën “Më fal“, mos e përdor shpesh atë fjalë duhet ta përdorësh kur ke bërë gabim… Mos ki shumë besim tek njerëzit se besimi i tepërt  dëmton shëndetin. Mos mbaj mëri karshi atyre që nuk janë të mirë me ty.

Askush nuk e ka për detyrë të të trajtojë ty mirë përveç familjes ku jeton çdo ditë  dhe gjyshërve.

Ata që janë të mirë me ty, trajtoji si thesar dhe ji falenderues… dhe duhet të jesh i kujdesshëm, sepse çdo njeri ka një arsye për çdo lëvizje që bën. Kur dikush sillet mirë me ty, nuk do të thotë se ai të do me të vërtetë. Duhet të jesh vigjilent, mos u ngut ta konsiderosh atë si shok të vërtetë.

Jeta është e shkurtër. Kur e harxhon jetën sot, nesër do të kuptosh që jeta  ikën. Sa më herët ta vlerësosh jetën, aq më shumë do ta shijosh atë.

Çfarëdo lloj dije që të marrësh, do të jetë arma jote në jetë. Vetëm me dije  duhet të luftosh  në jetë. Më mirë të bësh një punë të dobishme në jetë edhe pse mund të humbasish për momentin se sa një punë të keqe që mund të sigurojë lekë, por…   kjo është humnera… Mbaje parasysh se sado lekë të kesh lektë e xhepit prishen ato të mendjes ngelen.

Përgjegjësia ime është  të jem mbështetësi yt tërë jetën…

Ndero fjalën tënde, por mos prit që edhe të tjerët ta bëjnë këtë.

Mund të jesh i mirë me njerëzit, por mos prit që njerëzit të jenë të mirë me ty. Nëse nuk e kupton këtë, do të përballesh me telashe të pa nevojshme.

Unë nuk kam blerë asnjëherë  bileta llotarie  dhe nuk ka fituar asnjëherë diçka pa djersë… Kjo do të thotë që nëse do të bëhesh i pasur, duhet të punosh fort me dije dhe inteligjencën tënde që nuk të mungon, se vjen një  ditë që lekët e xhepit sado që të kesh ato prishen ndërsa te  medjes ngelen, mendja prodhon gjithmon lekë.

Pavarësisht sa kohë kam me ty, le ta vlerësojmë kohën që kemi sëbashku. Blandi, gjyshi të do më shumë se vetja im. Të premtoj se do të vij tek ty në çdo datëlindje  dhe çdo pushim do ta kalojmë bashkë këtu në Pogradec apo kudo që do të shkojmë sëbashku.  Ne bashkë kemi qenë në Paris, për ditëlindjen tënde, në Londër tek tezja, në Athinë, Maqedoni nga Ohri në Strugë, më pas në Manastir qindra herë etj… Edhe kur të jem atje lart  në qiell, gjyshi do të nis yje plot ndriçim nga kupa e qiellit të cilat do të jenë përqafime të hipotekuara në shpirtin tend nga zemra e gjyshit. Duaje vëllain tënd të vogël Bazelin, atë do ta kesh krah të djathtë në jetë.

Ji i bekuar! Ji i lumtur! Ki një jetë madhështore!

Nga gjyshi yt, Bardhi Berberi që të do ty Blandi dhe Bazelin ashtu  siç do zemra gjakun…

 

 

 

Please follow and like us: