Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhosh Gaçe, personalitet i dijes etnologjike dhe albanologjike

Dëfrim Cani

Në disa personalitete të dijes ka gjithmonë vështirësi për të sjellë një plotësi të nevojshme dhe të saktë për shkakun e të gjendurit para një hapësire të madhe, me të cilën ata janë marrë gjatë gjithë veprimtarisë së tyre shkrimore. Është po kaq e vështirë dhe për një arsye tjetër, nevoja për të sjellë cilësisht dhe dinjitetshëm personalitetin shkencor, shkrimor dhe gjithpërfaqësues me çfarë ata e kanë krijuar profilin tyre albanologjik.

Kjo dilemë, mendoj se do të shqetësonte këdo, i cili do të kërkonte të paraqiste personalitetin, punën, aktivitetin dhe veprimtarinë kërkuese dhe shkrimore të prof. dr. Bardhosh Gaçes, njëri nga personalitetet e dijes shqiptare me interesa të gjera albanologjike, historike dhe bashkëkohore. Të gjurmosh jetën dhe veprimtarinë e prof. Bardhosh Gaçes nuk gabon të thuash se duhet të eksplorosh një bibliotekë, një hapësirë kohore rreth 50 vjeçare, që emri i tij shfaqet në shtypin dhe në letërsinë shqiptare, të duhet të eksplorosh Veriun e vendit, Jugun Kosovën dhe ish – Maqedoninë (trevat shqiptare atje), horën arbëreshe në Itali e gjetkë. Duhet të shfletosh shtypin, arkivat e Institutit të Kulturës Popullore, institucionet shkencore, kremtimet e shumta, konferenca shkencore për etnologjinë, folklorin, gjuhësinë dhe letërsinë, kontribute të tjera të natyrës historike etj. Një punë e tillë bëhet akoma më e vështirë kur cilësisht të duhet të shpalosësh personalitetin, akribinë shkencore me të cilën ai ka punuar dhe punon, të duhet të risjellësh në një marrëdhënie komunikuese idetë që ka shpalosur, mbulesat në kulturën popullore dhe letërsinë artistike, krijimtarinë letrare etj.

Profesor Bardhosh Gaçe ka njohur nga afër pjesën më të madhe të fshatrave, krahinave të Veriut dhe të Jugut, çfarë i ka krijuar mundësinë atij të krijojë një lidhje të thellë, miqësore, njohëse dhe komunikuese me tabanin popullor, kulturën, mënyrën e jetesës, konstitucionin shpirtëror, etnografinë dhe realitetin jetësor. Një ndihmesë të madhe në krijimin e një përvoje të madhe në punën dhe veprimtarinë e prof. Bardhosh Gaçes ka qenë interesi i hershëm i tij për kulturën dhe traditën popullore gjithë shqiptare, spikat dhe kontributi i tij madhor, nga terreni i gjurmimit të kësaj kulture, interpretimet shkencore që ai ka sjellë në këtë fushë, duke demonstruar një formim solid, të qartë dhe bashkëpunues për këtë fushë të dijes dhe veprimtarisë shkencore.

Në personalitetin e prof. Gaçes shquan një formim intelektual shkencor, social dhe kulturor i konsoliduar për arsyen e thjeshtë; ai ka një përulësi të fortë gati të shenjtë dhe hyjnore për krijimtarinë popullore, për këngën popullore, të cilën e sheh si një burim i pashtershëm dhe mjaft korrekt i mendësisë, kulturës, psikologjisë dhe etnopsikologjisë popullore, e cila është arshivuar para se këto pasuri të paçmueshme të shkruheshin apo të sendërtoheshin në libra. Lidhur me këtë perceptim, të cilin prof. Bardhosh Gaçe e ka si një lloj “amaneti” për këdo që ka dëshirë dhe vullnet për t’u marrë me këtë fushë të veprimtarisë kërkimore e shkencore, ai e quan një avantazh të madh se sa më shumë t’i afrojmë kulturës sonë burime të tilla, po kaq më shumë kultura shqiptare ruan dhe përforcon identitetin e saj. Parime të rëndësishme të kësaj natyre ruajnë vlera dhe skalisin personalitete të rëndësishme të kësaj fushe të dijes.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që spikat në marrëdhëniet që ai ka me kulturën popullore lidhet me burimin e kësaj kulture, e cila duhet të udhëheqë punën studimore dhe kërkimore. Profesor Bardhosh Gaçe ka arritur të prekë vatra të begata të kulturës popullore shqiptare, burimet  e këngës kreshnike, të polifonisë dhe të lirikës popullore shqiptare, duke qenë ekspeditist nga Instituti i Kulturës Popullore në trevat veriore, në Kosovë, trevat shqiptare në ish Maqedoni, në Jugun e Shqipërisë dhe në Horën Arbëreshe të Italisë., tek arvanitasit e Greqisë, te shqiptarët e Rumanisë, Ukrahinës, Polonisë, Malit të Zi e Kroacisë. Duke e parë këtë praktikë si burimin e parë të kulturës dhe të krijimit popullor, prof. Bardhosh Gaçe beson dhe ka një lidhje jashtëzakonisht korrekte dhe të vazhdueshme me të gjithë dashamirësit, bashkëpunëtorët që vijnë nga zonat e thella të vendit, në të cilat ruhen akoma thesare të çmuara të kësaj kulture, si një nga burimet fondamentale të identitetit kombëtar.

Në mjaft nga studimet e prof. Bardhosh Gaçes nga fusha etnologjisë dhe e folklorit, kryesisht nga trevat shqiptare jashtë trungut amë (Shqipërisë), studiuesi ka një qartësi të jashtëzakonshme, ku shquajnë evidentimi i tabanin kombëtar të kësaj kulture, si një trashëgimi që buron nga njësia etike dhe identiteti kombëtar, pa harruar dhe vënë në dukje dhe çështjet e tjera specifike të karakterit krahinor, siç ndodh gjithmonë në këto lloje studimesh dhe interpretimesh. Studimet dhe interpretimet krahasuese për kulturën, kryesisht baladën apo këngët kreshnike në trevat shqiptare nën- Maqedoni, marrin një rëndësi të madhe në çështjet e identitetit tonë kombëtar në kohën e kulturës globale, por dhe të kontekstit ballkanik.

Në këtë veprimtari të gjerë kërkimore e shkencore në fushën e albanologjisë, ai vlerëson edhe bashkëpunimin e ngushtë  me disa nga personalitetet e shquara të shkencës shqiptare si: Shaban Demiraj, Rrok Zojzi, Qemal Haxhihasani, Afërdita Onuzi, Agron Xhagolli, Dhimitër Shuteriqi, Nasho Jorgaqi, Beniamin Kruta, Ramazan Bogdani, Muin Çami, Emil Lafe, Rami Memushaj, Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Floresha Dado, Shaban SInani, por edhe Anton Çeta, Zymer Neziri, Sadri Fetiu (Prishtinë), Ziqirja Neziri e Hamit Xhaferi (Shkup), Bahri Brisku (Ulqin), Antonio Bellushi e Francesko Altimari (Kozenca), Aristidh Kolja (Athinë), Xhuzepe Gradilione (Romë), Aleksandër Zoto (Lion), Aleksandër Vovik (San Peterburg), Robert Elsie (Kanada) etj.

Një aspekt tjetër kontribuues i punës shkrimore dhe studimore e prof. Bardhosh Gaçes lidhet me interpretimet e shumta mbi letërsinë artistike, qoftë ajo tradicionale- klasike ajo e Rilindjes, por dhe ajo e vonë bashkëkohore dhe moderne. Duke qenë një studiues klasik, me një njohje të thellë të letërsisë së vjetër shqipe, kryesisht atë arbëreshe, të letërsisë së shkruar dhe botuar në Kosovë, por dhe të letërsisë moderne, profesor Gaçe, ka sjellë në mendimin letrar, eseistik, por dhe të kritikës një ridimensionim vlerash. Aftësia dhe vullneti për ta parë letërsinë artistike si të tillë, ka bërë që mendimi kritik i profesor Gaçes të kapërcejë handikapin e vështirë dhe gati kontradiktor që ishte si i tillë në mendimin kritik jashtë klisheve tradicionale që kërkonte letërsia pas vitit 1990. Krijimi artistik në fund të fundit është një moment dhe një akt personal, që krijuesi ia propozon lexuesit. Në këtë pikëpamje, përmes penës studimore dhe interpretimit vlerësues të saj, nga profesor Bardhosh Gaçe lexuesi shqiptar dhe studentët e filologjisë kanë marrë kontribute të shkruara prej tij për shkrimtarë dhe poetë, të cilët pas refuzimit të gjatë të rendit totalitarë, konteksteve kohore kanë pasur dhe kanë një kontribut të rëndësishëm për letërsinë shqiptare.

Jo pak shkrimtarë dhe poetë që sistemi totalitar i ka stigmatizuar, i ka hijezuar, madje dhe i ka ndaluar nisën të botoheshin pas vitit 1990, ata fituan qytetarinë e tyre, kryesisht prej mendjeve të hapura të mendimit kritik dhe të studiuesëve që letërsinë e shikojnë si të tillë, si një raport fondamental të krijuesit më veten, kohën, njerëzit dhe kulturën e vendit. Në interpretimet dhe rivlerësimet profesionale të profesor Bardhosh Gaçes kanë ardhur personalitetet të dijes letrare dhe të letërsisë si: Fishta, Koliqi, Camaj, Haxhiademi, Xhagjika, poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, Musine Kokalari, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Ali Asllani, Daut Gumeni, por dhe interpretimet dhe leximet tekstuale thellësisht dhe mbi koncepte korrekte të poezisë së Fatos Arapit, i cili ka qenë jo më pak interesant dhe problematik se poetë të tjerë të kritikuar apo të ndaluar. Këndvështrimet e profesor Bardhosh Gaçes mbi problematikën, metaforën, figurën, tekstin dhe kontekstin e poezisë së Arapit, mendoj se përbën një kontribut madho dhe të rëndësishëm në ridimensionimin e poetit dhe të nevojës për ta rilexuar atë.

Profesor Bardhosh Gaçe demonstron një natyrë skrupuloze në marrëdhëniet intelektuale dhe studimore që ai vendos me njerëzit e dijes, qoftë ajo historike, po ashtu dhe bashkëkohore. Duke pasur një natyrë të vazhdueshme absorbuese në leximin e librave dhe kontributeve shkencore të botuara dhe që botohen, prof. Gaçe leximet e tij i ka shoqëruar dhe i shoqëron me, mendim profesional dhe sugjerues apo me shkrime të mendimit kritik. Duke qenë një studiues korrekt dhe bashkëpunues, ai ka një mendim të mirë për raportin që një libër i botuar duhet të ketë me lexuesin. Mendimi kritik dhe recenca e bën leximin e një libri më të plotë dhe më valorizues. Në këtë aspekt, mjaft autorë kanë gjetur refleksionet për librat e tyre në interpretimet e vazhdueshme të profesor Bardhosh Gaçes.

Një aspekt tjetër i punës studimore dhe shkrimore të profesor Bardhsh Gaçes lidhet me studimet dhe punimet e nevojshme, profesionale mbi autorë të caktuar të traditës dhe të kohës, jo vetëm nga fusha e etnologjisë, folklorit dhe letërsisë, por dhe të gjuhësisë apo dialektologjisë, profileve të njohura të gjuhësisë shqiptare që nga Shaban Demiraj,  Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Idriz Ajeti, Xhovalin Shkurtaj, Rami Memushaj, Et’hem Likaj, Jul Variboba, Jeronim De Rada, Floresha Dado, Alfred Uçi, Francesko Selano, Mateo Mandala, Francesko Altimari, Shaban Sinani, Qemal Murati, Nexhip Merkuri, dhe shumë personalitete të tjera të fushës gjuhësore. Interpretimet, mbulesat dhe profilet e caktuara të këtyre fushave nën vështrimet e Prof. Gaçes kanë ndihmuar dhe ndihmojnë në komunikimin që studentët, pedagogët dhe lexuesit vendosin me këta autorë të rëndësishëm kryesisht të letërsisë dhe të gjuhës ku për probleme të caktuara vazhdon të ketë debate në rrethet e studiuesve dhe akademikëve.

Një ndihmesë të madhe dhe konkrete që prof. Bardhosh Gaçe ka sjellë dhe vijon të kontribuojë është edhe ajo e historisë sonë kombëtare. Ai ka treguar se historia ka një rol të madh në punën e folkloristit dhe etnologut, po ashtu dhe të gjuhëtarit apo dialektologut, të historisë së mendimit dhe të figurave emblematike kombëtare, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë së kombit. Në punimet e tij ka prerje dhe interpretime të rëndësishme për periudha të caktuara historike, qysh nga Moti i Madh i Skënderbeut e deri në kohët tona moderne.

Në studimet dhe shënimet e shumta të kësaj fushe prof. Gaçe përveç studimeve mbi personalitetet e caktuara të historisë së vendit, veçmas të Vlorës dhe krahinave të saj, ai njeh mirë dhe i ka afruar një bashkëpunim të rëndësishëm dhe historisë lidhur me periudhën e Pavarësisë, si një nga ngjarjet më madhore në të cilën pleksen qëndrime, figura madhore të vendit dhe bashkëpërkime jo vetëm nga brenda vendi, por dhe nga jashtë, nga njerëz, atdhetarë, patriotë, filozofë, diplomatë, perandori dhe shtete të njohura të kohës, ku shquan profili i atdhetarit  dhe mendjendriturit Ismail Qemali, i njohur ndryshe dhe si Plaku i Vlorës.

Po ashtu një vend të konsiderueshëm në studimet dhe interpretimet mbi historinë të prof. Bardhosh Gaçes zë dhe Lufta e Vlorës e vitit 1920, si njëra nga luftërat me peshë në historinë e popullit shqiptar, por dhe të popujve ballkanikë, pasi në qerthullin e saj kishte tendencë historike, ku ishin pleksur qëndrimet nacional – shoviniste ballkanike për copëtimin e trojeve shqiptare që nga Kongresi i Berlinit. Në Luftën e Vlorës, si një luftë me karakter kombëtar, ku kontributin më të madh e dhanë luftëtarët dhe populli i thjeshtë i Vlorës me krahinat e saj, shpreheshin qëndrimet e patriotëve shqiptarë ndaj Luftës së Parë Botërore, por dhe mbrohej. Pavarësia e vitit 1912, që kishte në vetvete shpëtimin e Shqipërisë nga aneksimi total i saj. Profesor Bardhosh Gaçe ka sjellë interpretime interesante, qëndrim studimorë historiografik në zbërthimin dhe idetë e eksponentëve të kësaj kohe, bashkëpunimin e gjerë që kjo luftë krijoi me të gjithë shqiptarët, mbështetjen që ajo pati nga shqiptarët dhe shumë shtete evropiane, SHBA-të etj.

Në kuadrin e studimeve mbi periudha të caktuara historike në punimet, shkrimet gjurmimet nëpër arkiva dhe punës prej monografisti të profesor Gaçes janë dhe qëmtimet e holla dhe interesante të periudhës 1878-1912, një periudhë e ngjeshur ku pleksen mendimi politik i Rilindjes shqiptare, mendimi kulturor dhe letrar, mbajtja e Lidhjes së Prizrenit, zgjimi i qëndrimit të palëkundur nga atdhetarët, patriotët dhe filozofët e çështjes kombëtare shqiptare mbi autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia. Kësaj hapësire komunikuese dhe shumë të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, ku spikat qëndrimi dhe i profesor Bardhosh Gaçes, janë dhe punime, aspekte analitike që Gaçe ka shprehur mbi Kosovën dhe Çamërinë, studime që marrin rëndësi në qëndrimet intelektuale dhe shkencore nga emra të dëgjuar të dijes shqiptare.

Profesor Bardhosh Gaçe është një model, një mjeshtër i punimeve me peshë dhe rëndësi mbi prurjet e figurave të rëndësishme të Vlorës dhe krahinave të saj, të cilët krijojnë një hapësirë dhe kumt për periudhën më të rëndësishme historike të Vlorës, por dhe të vendit, atë të Luftës së Vlorës siç janë Osman haxhiu, Memo Mete Brati, Hamza Isai, Brahim Selimi, Mehmet Selim Mallkeqi, Ibrahim Abdullai, Muço Deli dhe Beqir Velo. Monografitë e shkruara nga profesor Bardhosh Gaçe kanë brenda tyre një refleksion, fakte, ngjarje, data, bashkëpunime dhe dëshmi të një periudhe të lavdishme, atë të Luftës së Vlorës dhe të Pavarësisë, të Kongresit të Lushnjës dhe Revolucionit Demokratik të qershorit 1924, me ç’rast profesor Gaçe nuk ka shmangur dhe qëndrimin e tij.

Fryma e re dhe mbështetja në të vërteta të pakundërshtueshme që i përshkon monografitë e tij, kanë sjellë një qëndrim më bashkëpunues dhe një vlerësim korrekt që u duhen këtyre ngjarjeve historike, ku nuk shmanget uniteti i njohur i kohës kur ato ngjarje kanë ndodhur, ndryshe interpretimit të paravitit 1990, ku jo pak figura të njohura mund të shmangeshin nga këndvështrimi historik, siç dhe ka ndodhur.

Profesor Gaçe vlerëson se historisë ia kemi borxh të vërtetën. Ky parim madhor mbi historinë ka ndihmuar që monografitë e tij të jenë një dokument me vlerë dhe një kontribut shkrimor i çmuar për çështje të debatueshme që nga Pavarësia dhe më parë.

Shënimet e shkurtra mbi kontributin dhe personalitetin intelektual, shkencor, gjurmues dhe albanologjik që profesor Bardhosh Gaçe i ka afruar etnologjisë, folklorit, letërsisë, historisë dhe fushave të tjera të dijes nuk mund të sjellin një vlerësim të plotë për këto çështje. Ai mbetet një personalitet i çmuar, kontribuues dhe i rëndësishëm për ta zbuluar në vlerësime të tjera në të ardhmen.

 

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Mbi librin “Bektashinjtë shqiptarë” të Robert Elsiesë

 

Please follow and like us: