Kriza në Mesdhe: Kambana lufte, apo për paqe të qëndrueshme?!
PIRO AHMETAJ
I. Një lexim strategjik i peshës gjeopolitike të rajonit të detit Mesdheut:
Mesdheu përfshin 21 shtete (ilustruar në hartën bashkëlidhur), me një sipërfaqe rreth 2,5 milionë km2 dhe popullsi që po afrohet 500 milionë banorë. Disa nga vendet e Mesdheut janë anëtare të NATO-s, të iniciativave, si: Iniciativa e Stambollit (ICI), Dialogu i Mesdheut (MDI), si dhe organizata të tjera me bazë rajonale dhe globale.
Interesi i vazhdueshëm për këtë rajon e ka kthyer atë në qendër të aktiviteteve dhe me prezencë ushtarake në rritje jo vetëm të vendeve të rajonit, por dhe të NATO-s, BE-së, SHBA-së, Rusisë, Kinës. NATO prej vitit 2001, në mënyrë permanente mban prezencë detare, me operacionin “Active Endeavour”, në përgjigje për sulmet terroriste të 11 Shtatorit, sigurimin e rrugëkalimeve detare dhe parandalimin për përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe mbas 2016 në operacionin “Sea Guardian” në detin Egje, për menaxhimin e krizës së refugjatëve në këtë rajon.
Rusia nga ana e saj ka krijuar një instalim detar në Siri (e vetmja bazë detare jashtë kufijve të ish-BS), me një projekt ambicioz investimi në infrastrukturën portuale prej rreth 500 milionë dollarësh dhe akomodimin e deri në 11 luftanijeve, përfshi dhe ato nukleare, nëpërmjet të cilave aktualisht patrullon dhe monitoron Mesdheun Lindor.
Rivaliteti për hegjemoni në rajon, përpjekjet e Rusisë dhe vitet e fundit edhe të Kinës për t’u rifaktorizuar fort dhe për të vënë në provë kohezionin e NATO-s dhe BE-së, e kthen Mesdheun në një rajon me rëndësi strategjike, në të cilin, përfshi edhe pretendimet territoriale (border disputes) dhe ato të ndarjes së hapësirave detare (kryesisht për Zonat Ekskluzive Ekonomike), mund të riciklojnë dhe iniciojnë konflikte me efekte deri në nivel global.
II. Marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet që po tronditin paqen në Mesdhe:
Megjithë përpjekjet, veçanërisht stabiliteti në Mesdheun Lindor mbetet ende i brishtë. Thelbi janë mosmarrëveshjet greko–turke, që lidhen me ndarjen e zonave ekonomike detare (EEZ). Të dyja shtetet janë anëtare të NATO-s, megjithatë Aleanca e 30 vendeve nuk ka ende një mekanizëm për të ndaluar apo zgjidhur mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare.
Shqetësimi turk qëndron në faktin se, duke pasur vijën bregdetare më të gjatë në rajon, nuk mundet të lejojë që një sërë ishujsh grekë përballë këtij bregdeti të kenë të njëjtën peshë në ndarjen e hapësirave detare.
Kjo politikë tashmë mbështetet dhe nga doktrina turke “The Mavi Vatan” (Blue Homeland), iniciuar në 2006 dhe formalizuar në shkurt 2019 me stërvitjen detare me të njëjtin emër. Sipas kësaj doktrine, Turqia zotëron një hapësirë detare të barabartë me gjysmën e sipërfaqes tokësore të Turqisë e shtrirë në Detin e Zi, Egje dhe Mesdhe.
Greqia i refuzon pretendimet e Turqisë mbi ishujt e Egjeut dhe ka kërkuar që t’i zgjidhë nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare që në vitin 1974. Megjithatë, Greqia aktualisht ka ndërmarrë një fushatë diplomatike shumëplanëshe për nënshkrimin e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare me disa vende, Italinë, Egjiptin, Qipron, Shqipërinë etj. 7 muajt e fundit, hapësira detare e Mesdheut është acaruar nga 4 marrëveshje bazë delimitimi:
1. Marrëveshja Turqi–Libi: “Dominim nga Turqia i Mesdheut Lindor; si kërcënim ndaj sovranitetit detar të Greqisë, si dhe anashkalim i ambicieve dhe interesave të Francës, Italisë etj., në Mesdheun Lindor. Kjo marrëveshje e mirëkuptimit midis Turqisë dhe “Qeverisë së Mirëkuptimit të Libisë” është kundërshtuar nga qeveria e Libisë Lindore.
2. Marrëveshja Greqi–Itali: Kjo marrëveshje mund të konsiderohet se arriti dy qëllime. E para, ndau përfundimisht Zonën Ekonomike Ekskluzive midis dy vendeve dhe e dyta, paraqet një “Rivalitet ndaj marrëveshjes turko-libiane, si dhe ndaj dominimit absolut të Turqisë në Mesdheun Lindor me rezerva gazi dhe peshë gjeopolitike”.
3. Marrëveshja Izrael-Qipro-Greqi: Tri marrëveshjeve të mësipërme i shtohet dhe ajo e projektit SEAMED, si “Përpjekje për të rivalizuar dhe balancuar Turqinë = me Projektin SEAMED 6 miliardë Euro, i cili furnizon 10 % me gaz në Europë”.
4. Marrëveshja detare Egjipt-Greqi: “Si benzinë në zjarrin e mosmarrëveshjeve”! Ashtu si dhe ajo turko–libiane, kjo marrëveshje mbivendosi një hapësirë detare, çka e agravoi më tej situatën. Për Turqinë, sigurisht kjo marrëveshje është e pavlefshme, duke theksuar se: “Greqia dhe Egjipti nuk kanë asnjë kufi detar të ndërsjellë dhe se marrëveshja dhe zona e demarkuar në marrëveshje gjendet në shelfin kontinental të Turqisë”.
Situata e krijuar ka sjellë përplasje edhe brenda politikës, edhe mes vendeve. Kështu, ndërsa, Kryeministri grek Mitsotakis deklaroi se marrëveshja me Egjiptin është “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, e kontestoi, duke shtuar se me këtë hap “Greqia ka dobësuar fuqinë e saj të negocimit në të ardhmen me Shqipërinë dhe Turqinë”. Nga ana tjetër, edhe opozita egjiptiane e ka cilësuar këtë marrëveshje të pavlefshme, pasi besojnë se Egjipti ka humbur nga Zona Ekskluzive Ekonomike disa qindra miliarda dollarë.
Situata mbetet mjaft e acaruar dhe në rangun e diplomacisë ndërkombëtare. Athina po e “ngre fort zërin” dhe “nuk përjashton opsionin e një konfrontimi ushtarak, edhe nëse do mbeten vetëm në mbrojtje të sovranitetit detar të Greqisë”. Por kundërpërgjigjja vjen menjëherë nga ministri i Mbrojtjes së Turqisë: “E them me siguri matematikë, se Greqia nuk do të dëshironte të niste një luftë me Turqinë dhe kështu MM-së së Greqisë do t’i ketë rrëshqitur goja …’!
Gjithashtu, ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu, akuzon Francën se sillej si “gangstere”, duke paralajmëruar se çdo sulmuesi ndaj një anijeje turke do t’i duhet të “paguajë një çmim të lartë”. Megjithatë, Ankaraja nuk dëshiron që konflikti të përshkallëzohet, edhe pse për Turqinë, është Greqia që duhet të sillet “në mënyrë të arsyeshme”
Në terren, tonet rriten dhe incidentet janë kërcënuese, pasi një flotë turke e përbërë prej anijeve ushtarake dhe anije kërkimore po kryejnë kërkime për gaz në zonën detare mes Qipros dhe ishullit të Rodosit, për të cilin Greqia pretendon se i përket EEZ-së së saj.
Franca, e konsideruar si një “mike e vërtetë i Greqisë”, përkundër edhe “shqetësimit të USA”, ka përforcuar praninë e anijeve ushtarake, në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta në rajon!
Gjithsesi, Presidenti Erdogan ka deklaruar se mbetet i hapur për dialog, duke theksuar se anijet turke nuk kanë cenuar asnjë ligj ndërkombëtar dhe kërkimet do të vazhdojnë deri më 23 gusht.
Ndërsa, prej javësh me rritjen e tensioneve, Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje udhëheqësve të dy vendeve për të shmangur konflikte dhe të zhvillojnë dialogun.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, BE dhe SHBA janë shprehur vetëm për vetëpërmbajtje dhe dialog, por duket se BE do të jetë violina e parë për ta ndaluar përshkallëzimin e konfliktit mes Greqisë dhe Turqisë, edhe pse për momentin duket se nuk do të vendosë masa ndëshkuese.
Gjithsesi, lufta është opsioni i fundit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pasi historia na ka mësuar se nga përballjet e armatosura nuk ka fitimtarë, të gjithë dalin të humbur. Thënë ketë, besoj fort se mekanizmat diplomatikë do të prevalojnë dhe një strategji afatgjatë mes vendeve që ndajnë interesa të përbashkëta, në bashkëpunim dhe nën monitorimin e BE, NATO, SHBA, do të adresojnë burimet e mosmarrëveshjeve dhe duke i transformuar ato në oportunitete, në dobi të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qytetarëve dhe vendeve të rajonit!
III. Vlerësime strategjike mbi marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi: Ritheksoj se zhvillimet gjeopolitike dhe pesha e 4 marrëveshjeve të sipërcituara po ndiqet me shqetësim shtesë në të gjitha vendet e Mesdheut, si dhe SHBA, NATO, Rusi dhe jo vetëm.
Po me negociatat shqiptaro–greke çfarë po ndodh? Si mundet të lexohet deklarata e zotit Kotzias, se “Greqia ka dobësuar fuqinë e saj të negocimit në të ardhmen me Shqipërinë?!”
Lexuar kështu: “heshtja e qeverisë në ikje lexohet si kapitullim pa kushte ndaj interesave gjeopolitike të RSH”, pasi institucionet zyrtare kanë përgjegjësi kushtetuese të informojnë shqiptarët për impaktet e këtyre 4 marrëveshjeve ndaj interesave detare të RSH, si dhe mbi gjendjen dhe rezultatet e grupit negociator, problematikat dhe pritshmëritë e negociatave me Greqinë, përfshi trekëndëshin detar mes Greqisë–RSH-Italisë?!
E thënë me thjesht, përtej përqasjes propagandistike në 7 vjet, qeveria në ikje dhe institucionet përgjegjëse kanë dështuar për t’i dhënë zgjidhje delitimimit të ujërave detare me Greqinë.
Të mos keqkuptohemi, nuk po rekomandoj: “as t’i biem grekut, as t’i shpallim luftë Mesdheut”. Në të kundërt, besoj fort se dialogu konstruktiv, i bazuar në konventat ndërkombëtare dhe paqja e qëndrueshme mbetet jo vetëm opsioni i vetëm, por sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët.
Kështu, në planin afatshkurtër, në cilësinë e ish-këshilltarit, do t’i rekomandoja Presidentit të Republikës që, mbështetur në nenin 92/h të Kushtetutës, t’i kërkojë ministrit të Jashtëm (Ai dhe Kryeministër) “informacion shterues mbi vlerësimet e RSH mbi këtë situatë dhe 4 marrëveshjet e sipërcituara, si dhe gjendjen e ekipit zyrtar, problematikat dhe produktin e negociatave”.
Në planin afatmesëm, mbetem shpresëplotë se në programin e qeverisë 2021-2025, jo vetëm që kjo çështje do të vendoset si sfidë politike, por do t’i jepet zgjidhje përfundimtare delimitimit të ujërave detare me Greqinë, në mënyrë që asetet në këtë hapësirë të përdoren në dobi të mirëqenies së qytetarëve dhe shoqërisë së dy vendeve tona./panorama/