Ilir Levonja: Njeriu i praruar
Tregim
E kishte ngritur lumturinë e tij me një thikë, një nga ato të kohës së Turqisë e cila kishte formën e një gjysmë hëne, dorezë sermi zbukuruar me gjethe dafine dhe ca yje në madhësi të ndryshme. Ky është gjyshi im Ali Majari, njeriu për të cilin bën fjalë historia që do rrëfej më poshtë. Thikën e pati gjetur bahçevani para pesëdhjetë vitesh të ngulur në trungun e një molle atje në fund. Dhe kushedi se sa vite të tjerë kishte aty pasi tehun e pati zënë buhavitja e trungut nga koha. Bahçevanit iu desh të hiqte disa bujashka të mëdha që të dilte thika. Çuditërisht sendet që përbëjnë prova nuk vdesin kollaj, i ruan rastësia. Ishim mbledhur për të festuar njëqind vjetorin e tij. Një shekull jetë dhe se si na dukej. Ishim një batalion me nipër e mbesa, kushurinj e të afërm, soji i tij. Silleshim në kopësht duke pirë verë dhe Cocacola, në hell sillej një dash merinoz, barkun ia kishin mbushur me foragjere. Fati i sojit tonë qe i lidhur ngushtë me fatin e kombit tonë, këtë e dinte mirë gjithë Myzqeja. Kështu që veç famës na tundonte edhe kanosja. Ishte kjo arsyeja që ajo thikë me pamje muzeale më ngjallte dyshime. Gjyshi vet asnjëherë nuk kishte dëshirë të fliste për atë kamë jeniçeri, megjithatë e ruante me një fanatizëm tipik provinciali. Sidoqoftë ka pamjen e një perëndie megjithëse është bërë një grusht, si të jetë një shuk leckash, sa mund ta kapësh me një dorë dhe ta kapësh e ta vërvisësh tutje. I tëri i bardhë, një e bardhë e praruar, tek floku dhe rrobat, mjekra, mëngët. Një ikonë e besimit të tij bektashian, por që ne të tjerët që i vinin nga pas as që donim t’ia dinim. Tashmë në krye të verandës dhe fisit i pëlqen vetëm të jap këshilla duke bërë krahasime për të vulosur fjalën e tij, me atë që morali është thelbi i gjithçkaje. Një radhe tregoi me dorë raftet e bibliotekës, muret e avllisë së lartë, shtëpinë kaba dhe tha:
-Ja soji ynë.
Mua më fliste për gratë, por edhe vëllezërit e tij më të vegjël me të cilët ishte ndarë para tetëdhjetëepesë viteve, me qëllimin e mirë të prindërve që ata të shkolloheshin në kryeqytetet e Europës. Vetëm ai qëndroi në Shqipëri ku edhe u regjistrua si një nga nxënësit e parë të Normales së Elbasanit, duke ndjekur më pas edhe vijën politike të mësuesit të tij Luigj Gurakuqi. Madje nuk u nda prej tij deri në ditën e shpalljes së Pavarsisë më 1912-tën prej Ismail Qemalit. Tre vëllezërit e tjerë shkuan fillimisht në Janinë, gjimanzin Zosimea, streha në modë e shqiptarëve për atë kohë. Pikërisht këtij fakti në Janinë qëndroi vëllai i dytë, i dukej se ishte në vendin e vet, dilte mbrëmjeve dhe takonte shoqërinë. Dy të tjerët përfunduan në Stamboll dhe në Grac të Austrisë, por asnjëri nuk u kthye më.
Në Kongresin kombëtar të Lushnjes qe në vijë të parë, por ujrat rrodhën ndryshe pas vrasjes së mësuesit të tij në Bari. Kështu që gjatë mbretërisë thuajse u zhduk me gjallje sa në sojin e Majarëve u mbajt zi dhe u nda kafe deri ditën e të dyzetave. Shtëpinë e madhe katana e mbuluan pemët dhe qosheve të hanin ferrishtat dhe hislla e egër. Të fundit u larguan pëllumbat dhe një qen race pastor që kishte ardhur nga Gjermania, iku pas një buqe në kohën e ndërzimit sa e habiti stërgjyshen time.
-Mos mbani asnjëherë qen mashkull, -thosh ajo. -Se buqja e parë që vjen ikën e të lë me shtëpi e katandi.
Vite më vonë dyert e shtëpisë u hapën rishtas, kthimi i Aliut i ngjante paqes së natyrës pas shiut. Sipas fqinjëve u kthye më i pasur se babai tregtar i çfarëdo lloj gjëje të gjallë. Paraja shkon tek paraja, thoshin njerëzit. Çfarë do bëj tek ne, do flasi me vete. Paraja do muhabet, prandaj shkon tek paraja. U hapën dyert e kanatet e të gjitha dritareve, erdhën dy bahçevanë që pastruan ferrat dhe hisllat, punuan bythët e pemëve, mbollën trëndafilë e mëllaga, barzilok e rozëmarinë. Gjithçka u dritësua dhe paraqitja enciklopedike e shtëpisë u shfaq e përndezur në rrethinë. Njerëzit bënin habi pasi i dinin mosmarrëveshjet e tij me mbretërinë. Si do të ishte e vërteta si njëra palë dhe tjetra kishin kuptuar se nuk ishte koha të merreshin me njëri-tjetrin. Gjyshi e dinte se mbretëria po i afrohej greminës, Italia e kishte në plan ta pushtonte. E mira e vendit ishte që të uleshin të gjithë bashkë, monarkistë, nacionalistë, social-demokratë, komunistë etj., por ishte vështirë t’i bashkoje. Në Shqipëri më lehtë mund të afrosh dy male se sa të bësh bashkë dy shqiptarë me mendje ndryshe. Megjithatë ai do tentonte. Nisur nga fakti se ai vinte nga Perëndimi, siç ndodh në provincë fqinjët ia bujtën njëri pas tjetrit. E pyesnin për shëndetin, ku kishte humbur aq kohë, se a ishin të vërteta ato që flitesh lart e poshtë në lidhje me Italinë. Të gjithë nuk e besonin dot që një vend investitor po i kanoste me pushtim. Aliu i sqaroi me qetësi dhe zell duke u treguar edhe vijën e tij të re politike, atë të proletariatit internacional, shkurt komunizmi. Nga njëra anë habiteshin pasi ai vinte nga Perëndimi jo nga Bashkimi Sovjetik, por e besonin, pasi pjekuria qe e përkryer dhe argumentat bindëse. Këto ndodhnin në dimrin e vitit 1937-të dhe Aliu ishte plot 42 vjeç. Megjithatë kishte nga gjindja edhe plot të tjerë që nuk e besonin, sillnin si argument se përse gruaja e tij me fëmijët qëndronte në Zvicër. Sqaronin njëri-tjetrin se fëmijët ndiqnin shkollën, pastaj mbase gruaja si e lindur dhe rritur në Zvicër, nuk do të vijë në Shqipëri. Po ajo vajzë shqiptari është, nuk është e huaj?! Ndërkaq ndërhynte një tjetër dhe thoshte, eh mor shokë është lindur e rritur atje sa do gjakut, Zvicrën njeh si vendin e vet, jo Shqipërinë. Kësisoj Aliu u bë qëndra e vëmendjes dhe një ditë e zhvendosi fushatën e tij nga shtëpia në kafenenë kryesore të qytetit. Në fillim shkoi mirë, ishte plot arsyetim, oratori dhe më e rëndësishmja, i qetë. Por nuk ishte e lehtë të kapërdihej nga një shpurë të papunësh, hamejsh dhe tek-tuk ndonjë zejtari që një i pasur si ai, të shkrinte djersën dhe gjakun e kurbetit për kauzën e tyre. Për më tepër një i sojit të Majarëve, këtë ia thanë edhe atij. Madje u ngrit dikush nga fundi i sallës dhe e gjuajti me shishen e birrës, e shau me prag shtëpie. Kërkush nuk e mendonte se Ali Majari nuk do i kthehej dhe t’i jepte një dru burrit në fjalë, mirëpo iu drejtua derës i qetë. Tek banaku i tha të zotit të kafenesë t’i qeraste të gjithë sa ishin aty se paguante ai.
-Edhe atij? -bëlbëzoi i zoti. E kishte fjalën për atë që e gjuajti me shishe.
-Atij dy të qerasura, nuk dua të largohet me barkun bosh, -ia ktheu ai. -Dhe dëgjo njofto monarkistët, nacionalistët, socialdemokratët etj., kë njeh ti, të vinë këtë të shtunë mbrëma në një debat vëllazëror.
Në rrugë ndihej dyfish i gëzuar, përshëndeti edhe atë që po ndizte fenerët e ndriçimit. Tjetri i buzëqeshi nga maja e shkallëve dhe e ndoqi për pak me sy Aliun, mendonte se kthimi i njërit prej pinjollëve të Majarëve do ndikonte në jetën e vendit. Kështu qëllon të ndodhi në provincë.
Mëngjesin e ditës tjetër u hap fjala se burri që i kishte gjuajtuar Aliut me shishe birre, u gjet i vrarë në një mezhdë kanali në periferi të qytetit. Hetimet e xhandarmërisë nuk nxorrën asgjë, në dy a tri opinone politike në gazetën lokale, e cilësonin si një soj burri që nuk merrej me çarje barku. Biles u ndanë edhe trakte ku thuhej se një punëtor vlen shumë për ata që i përkisnin internacionales, pasi punëtori ishte ushtari dhe ideollogu i ndryshimeve të mëdha. Klasa e punëtorëve ishte e ardhmja e kombit.
Një ditë takimi midis palëve u mundësua, ata që besonin në ndryshimet e mëdha ishin shumë. Kush e dinte se si do merrnin gjërat. Takimi ngjante me një zallamahi klubi province ku burrat afrohen për të provuar forcën e krahut, bërtasin, pinë raki. Dikush e ngre me fund për shëndetin e mbretit, një tjetër ia menderos madhërisë së tij, biles siç e kanë qejfin në provincë, me prag shtëpie. Këtu fillon dhe mbrapshtësia, zihen e rrihen, bërtasin. Nuk e kanë për gjë t’i çajnë barkun tjetrit, të futen në gjak.
Kur erdhi im gjysh e pa gjindjen me një vështrim qortues, kaq u desh dhe burrat u memecuan. I veshur gjysëm ushtarak me pantallonat model qillot në ngjyrë gri, xhaketë bojë ulliri me spaleta dhe xhepat pllakë tek gjoksi. Përpiqem ta përfytyroj dhe para syve më vjen portreti i liderit gjysmë ushtarak nga kampi socialist, përshembull Stalini. Veshja e tij ndodhet sot në muzeun historik të qytetit. Edhe disa sende të tija personale, si ora me qostek, koburja me mulli, çibuku. Por edhe ajo mbrëmje nuk solli asgjë të re veç faktit të daljes hapur se çfarë bindjesh kishte filani a fisteku, të paktën Ali Majari njohu për fytyre kundërshtarët. Ata që kundërshtonin më fortë ishin monarkistët dhe kjo ishte e kuptueshme, kishin pushtetin. Ata u larguan edhe të parët duke mbledhur supet dhe thënë se si ishte e mundur që të ofronte komunizmën si alternativë një intelektual perëndimor. Por ajo që kish parashikuar Aliu ndodhi, mbreti u largua nga Shqipëria dhe vendin e pushtoi Italia. Tashmë monarkistët nuk kishin gojë të flisnin. Dhe jo vetëm ata. Kësisoj të gjithë kundërshtarët u zhdukën nga faqja e dheut. E akuzuan rishtas, por ai ua ktheu:
-Faji u bë nuse dhe prapë askush nuk e mori për grua.
-Im zot Ali po qe se do na akuzojnë kështu gjithmonë unë po largohem që sot nga ty. Dhe nuk dua të më mbash mëri, -i tha një tregtar.
-Të gjitha janë përralla vëlla.
-Ashtu qoftë.
-Ja si thoni ju andej, -iu drejtua ai gjindjes në kafene. Mblidheshin aty çdo darke.
-Fjalë asgjë më shumë. I hapin ata që na kanë inat, -ia ktheu burrëria.
Nga maja e minaresë jehoi zëri i hoxhës, po falte namazin. Iu lut të madhit Allah që t’i afronte njerëzit pranë njëri-tjetrit, po jetonin një kohë të çmendur. Nga njëra po perëndonte feudalizmi monarkik nga ana tjetër po lindte bolshevizmi me luftën e klasave. Loja kishte marrë tempin e duhur, kush më pak e kush më shumë qe përfshirë në emocionet e saj. Qyteti ziente nga atmosfera italiane, për herë të parë u lidhën dritat elektrike, u asfaltuan deri rrugicat, u hap një kinema dhe zunë të shfaqeshin filma. U ndërtua një fushë futbolli me tribunë dhe shkallë. U hapën fabrika, kishte punë. Njerëzit pyesnin njëri-tjetrin në atë që, italianët ishin pushtues apo investues?
-Dhe ç’është pa, një maqineri që djeg naftë dhe bën dritë. Hajde italian hajde, -thoshte një nënpunës bashkie për gjeneratorët.
Këto i dogjën tim gjyshi Ali Majarit, sipas mendësisë së tij kështu si po vepronin italianët po i ulnin pushtetin. Duhej të investonte dhe ai, ndryshe njerëzit nuk do i shkonin më nga pas. Mblodhi rreth vetes një pari burrash dhe venduan të ngrenin në sheshin kryesor të qytetit monumentin e Skëndërbeut.
-Po përse monumentin tuaj Ali efendi? -pyeti dikush nga burrat. -Edhe ju trim i madhe jeni, po shkrini paranë për ne. Bujar dhe udhëheqës që mendon për ne. Çfarë ka më shumë Skënderbeu?
-Brezat që do vijnë Zejnullah. Ata do ngrenë monumentet tona. Kështu si po veprojmë ne me të parët tanë. Ashtu edhe ata me ne, -iu përgjigj gjyshi.
-E di, e di, ata që po rriten.
-Ndaj të rinjtë duhen mbajtur afër.
-Afër i kemi.
-Punëtorinë gjithashtu.
-Se puntoria një fishkëllimë do dhe i mbyt rrugët, Ali efendiu, mjafton një shenjë.
-Do e kenë edhe shenjën, do e kenë, sepse dushmanin që na ka pushtuar nuk do e durojmë gjatë. I huaji i huaj është more burra. Më mirë të vrasë i yti se sa i huaji.
-Ashtu është Ali bej.
-Do luftojmë burra, biles shumë shpejt, -tha gjysh Aliu dhe humbi në errësirën përjashta. Burrat ishin përhumbur në mendime. Nga kopshtijet ndihej ngazëllyese era e gjethit të ri. Dikush nga burrat propozoi të dilnin shëtitje nën dritat e rrugës kryesore. Dhe ashtu bën, dolën dy e nga dy e shëtitën deri vonë pa u drojtur prej ushtarëve italianë. Njëri prej tyre tha se u bënë edhe ne si perëndimi, shëtisim, bisedojmë.
Në një nga ato mbrëmje im gjysh vuri se një burrë i versës së tij po e priste tek porta e madhe. Qe i veshur shik, me kostum të errët dopiopet, në kokë mbante një republikë të bardhë me shirit të ziz përreth. Aliu u tha rojeve të mos shqetësoheshin se me zotërinë njihej prej kohësh.
-E paske rimëkëmbur shtëpinë, -i tha tjetri.
-Jo vetëm shtëpinë por edhe sojin, -ia ktheu Aliu dhe hapi krahun për t’i lënë mysafirit të kuptonte se si mik i takonte atij të futej në oborr i pari. Qëndruan një copë here të mirë aty në errësirë. Dikur ngritën zërat sa nuk ishte e vështirë të kuptoje se ziheshin. Rojet u vunë në siklet kur ata po shaheshin. Aliu u kërkoi të rrinin larg. Burrat u kacafytën deri sa u rrokullisën tatëpjetës së kopshtit. Rojat nxituan të afroheshin, por Aliu i shau rëndë. Vuri mysafirin poshtë dhe e bëri copë me thikë, e godiste sikur të kishte nën vete një bishë të egër dhe jo një njeri. Rojat u ngurosën për së gjalli. Aliu u ngrit dhe shkoi tek qoshku i kopshtit, u ul nën mollën e madhe dhe qau me dënesa si fëmijë. U tha dikur rojave ta çonin trupin në varrezë që atë çast, në gropën e parë që të gjenin hapur ta fusnin menjëherë. Thikën që mbante në dorë e nguli në trungun e mollës, pak sipër kokës, në një zgërbonjë kohe. Nga ajo mbrëmje nuk u pa më gjëkundi. U kthye vetëm pas shpalljes së republikës më 1946, plot me dekorata e privilegje. Por edhe me plot mistere rreth lavdisë së tij.
Tashmë ia arriti të bëhet edhe njëqind vjeç, në krye të verandës dhe sojit, i patrazuar aspak nga ndryshimet tona shoqërore.
Unë kam ide politike ndryshe nga të tiat. Megjithatë ai nuk debaton asnjëherë. Fjalët mezi i nxjerr. Si të më kishte lexuar mendjen, ma bëri me dorë që t’i afrohesha.
-Të jesh burrë i parë është zanat i vështirë, -më tha duke iu dridhur mjekra e bardhë. Nga kjo kuptova se e dinte për mua që drejtoja një forcë politike, një forcë që po përpiqej të demaskonte krimet dhe internimet nga lufta e ashpër e klasave për gati gjysëm shekulli. Veçse në ndryshim nga ai unë nuk e quaja zanat drejtimin, sado male me vështirësi të kishe mbi supe, thjesht e quaja përgjegjësi.
-Cili është fatkeqi që vrave mbrëmjen e vitit 1937-të? -e pyeta unë.
Nuk shprehu asnjë habi, nuk lëvizi asnjë muskul. Nuk e di përse kisha bindjen se njeriu për të cilin unë interesohesha, me siguri do kishte qënë ndonjë nga kundërshtarët e tij politik. E shoh edhe sot një marrëzi të tillë, gati të vrasim njëri-tjetrin.
-Im vëlla, i dyti, -tha ai në fije të zërit dhe qau.
I rrodhën lotët me furi sa nuk dinte ku të fshihte sytë. As njëqind vjet nuk i kishin mjaftuar të harronte dhimbjen e mëkatit.
___________
Lushnje (2000)
Please follow and like us: