Albspirit

Media/News/Publishing

Joe Biden inaugurohet sot President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Uashington, 20 janar 2021 – Amerikanët e mirëpresin sot në Shtëpinë e Bardhë, presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, demokratin Joe Biden.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, si edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris, do të betohen në Kapitol, në Uashington.

Ceremonia nis në orën 11.15 të kohës lokale, kurse betimi i Bidenit pritet të bëhet rreth orës 18.00.

Për shkak të sulmeve të dhunshme ndaj Kapitolitm dy javë më parë, ceremonia do të zhvillohet nën masa të forrta të sigurisë. Ajo do të sigurihet nga më se 25.000 anëtarë të Gardës Kombëtare.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, në ceremoni nuk do të ketë pjesëmarrje masive. Do të mungojë turmat e zakonshme prej qindra mijëra pjesëmarrësve që shtrihen nga Kapitoli e tutje përgjatë shëtitores kombëtare. Në vend të tyre, një det me 200 mijë flamuj të Shteteve të Bashkuara, përfaqësojnë ata që nuk mund të marrin pjesë.

Në ceremoni do të marrin pjesë ish-presidentët e SHBA-së, Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton, si edhe nënpresidenti actual Mike Pense.

Para marrjes së detyrës, zoti Biden ka dhënë një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballuar me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.

“Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb”, ka thënë zoti Biden të martën vonë,.

Ai, bashkë më zonjën Harris e udhëhoqën një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur. Rreth 400 drita u ndezën rreth Pishinës Reflektuese.

Biden është zotuar se menjëherë pasi të jetë betuar do të nisë punën.

“Nuk kemi asnjë sekondë për të humbur, kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb”, ka theksuar ai.

Zoti Biden, bashkë me bashkëshorten e tij, Jil,l dhe zonjën Kamala Harris e bashkëshortin e saj, Doug Emhoff, e kanë filluar ditën në një shërbesë kishtare në Katedralen e Shën Mateut, në Uashington.

Presidenti në largim, Donald Trump, së bashku me zonjën e parë, Melania, kanë dalë nga Shtëpia e Bardhë, pak minuta pas orës 08:00, sipas kohës lokale.

“Kanë qenë katër vjet të pabesueshëm. Kemi arritur aq shumë së bashku”, ka thënë Trump, pak minuta pasi ka dalë nga Shtëpia e Bardhë.

“Ajo që kemi bërë, ka qenë e mahnitshme me të gjitha standardet”, ka thënë ai dhe ka lavdëruar ndryshimet në ushtrinë amerikane, krijimin e vaksinës kundër koronavirusit, e të tjera.

Melania Trump ka thënë se të qenët zonjë e parë ka qenë “nderi i jetës së saj”.

Donald Trump është nisur me helikopterin “Marine One“ drejt bazës ushtarake “Joint Base Andrews“, në Merillend.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti në largim, Donald Trump, i ka lënë një letër pasardhësit të tij, Joe Biden.

Zëvendësi i sekretarit për media, Judd Deere, refuzoi të zbulojë se çfarë i ka shkruar Trump Bidenit, duke u thirrur në privatësinë e komunikimit midis dy presidentëve, shkruan AP.

Trump kishte paralajmëruar qysh më herët se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Kjo është hera e parë në 152 vjet që presidenti në largim nuk merr pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur.

Trump nuk e ka pranuar kurrë humbjen ndaj Bidenit. Ai ka bërë pretendime të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Please follow and like us: