Albspirit

Media/News/Publishing

LE TË RESPEKTOJMË TRADITËN: WELCOME MR. PRESIDENT!

NGA DALIP GRECA
Urimi i mirëseardhjes ka qenë traditë shekullore e Diellit (1909) dhe Vatrës (1912). Përmes letrave të urimit të kryetarëve të Vatrës dhe editorialeve të Diellit u është uruar mirëseardhja në Shtëpinë e Bardhë presidentëve të zgjedhur, pavarësisht se cila parti i kandidon. Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Gazeta DIELLI, në të shkuarën, përgjatë fushatave, nuk mbanin anë të njerës apo tjetrës parti politike, por përpiqeshin që t’i mbështesnin të dy kandidatët me qëllim që dyert e Washingtonit, ku ‘gatuhet’ politika botërore, të mbeten të hapura për çështjen shqiptare. Kur lindi Dielli më 1909 (por edhe kur lindi Vatra më 1912), president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte zgjedhur 52 vjeçari William Howard Taf i Partisë Republikane, i 27-ti në radhë, që ulej në karrigen presidenciale të Shtëpisë së Bardhë. Dielli shkroi mirë për presidentin dhe Vatra kur u regjistrua në shtet e informoi presidentin për lindjen e institucionit kombëtar të Shqiptarëve në SHBA.
Pasardhësi i republikanit Taf, presidenti i 28-të i SHBA, 58 vjeçari Woodrow Wilson, i kandiduar nga Partia Demokrate, padyshim mbetet një nga ikonat e shqiptarëve dhe mbrojtës i pavarësisë së humbur të shqiptarëve, ku Vatra ka meritën se ishte ndërlidhësja me presidentin që qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për dy mandate, 1913-1921. Vatra dhe të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës dhe e kanë e treguar ndër vite vlerësimin për figurën-ikonë presidenciale Woodrow Wilson. Ishte kryetari i Vatrës Faik Konica që më 1924 i kërkoi Parlamentit shqiptar që t’i vinte emrin e presidentit amerikan Woodrow Wilson portit detar të Shëngjinit në Lezhë, në shenjë nderimi. Këtë e saktëson një kronikë e gazetës Diellit e shtatorit 1930, që e mbart lajmin, ndërkohë që lajmin e përcolli dhe shtypi amerikan që në momentin kur ndodhi ngjarja. Revista amerikane TIMES kishte botuar me 5 gusht 1924 lajmin. Citoj: “Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri Woodrow Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”.
Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shumë i dashur për Kombin shqiptar. Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin Wilson “si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris”. Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Vendimtar për ndërhyrjen e Vatrës ishte Komiteti i miqve amerikanë të Shqipërisë, i krijuar nga Vatra, por në mënyrë të veçantë kontributi i drejtëpërdrejtë i Fan S Nolit, Kristo Dakos e Sevasti Qiriazit. Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e Vatrës, Noli ishte pjesë e peligrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i presidentit të Parë të Amerikës, George Washington. Në peligrinazh merrnin pjesë përfaqësues të kombeve të ndryshme në SHBA. Vatra dërgoi Nolin, bashkëthemeluesin e saj, udhëheqësin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA, për të përfaqësuar Shqipërinë. Duket se Noli ia doli që t’i përcillte presidentit mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë. Raporti i tij menjëherë pas takimit iu dha shpresë vatranëve, kryetarit të Vatrës Kolë Tromara dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha…”.
Marrëdhënie shumë të mira ka shënuar Vatra me presidentin e 40-të të Amerikës, republikanin Ronald Regan, me të cilin ka letërkëmbim, me presidentët Bush, babë e bir, si dhe me presidentin demokrat Clinton. Gjatë presidencës së demokratit Obama, nuk pati ndonjë shkëlqim të marrëdhënieve, ndërsa gjatë presidencës të republikanit Donald Trump, një pjesë e shqiptarëve të Amerikës, por edhe degë të Vatrës, si në Michigan dhe New York, Florida, u bënë mbështetës për një mandat të dytë të tij. Madje për të parën herë studiot e televizioneve të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, zhurmuan fort. Disa nga shqiptarët në SHBA i dhanë mbështetje të fuqishme presidentit Trump, qoftë për filozofinë dhe premtimet e sloganin e tij elektoral “make America great again-again”, por edhe platforma dhe premtimet për zgjidhjen e çështjes së ngrirë të Kosovës në marrdhëniet me Serbinë, jepnin shpresa.
Gjithsesi fushata ka mbaruar. Në Shtëpinë e Bartdhë është ulur presidenti i 46-të i Amerikës, fatmirsisht mbështetës i çështjes shqiptare dhe shumë i njohur për mbështetjen e Kosovës. Le t’i jemi mirënjohës përsa ka bërë dhe le të shpresojmë se gjatë mandatit të tij Kosova do të dale prej gjendjes së ngrirë.
Presidenti Biden u inagurua të mërkurën me 20 janar 2021 si presidenti i 46-të i SHBA. Ai u ul në karrigen e presidentit në moshën 78 vjeçare, më i vjetri në historinë presidenciale.
Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë përballë sfidave të shumta; atij i duhet të fitojë betejën me koronavirusin, të mbajë premtimet për vaksinën kundër Covid-19, të përballet me papunësinë, të ringrejë ekonominë e rrëzuar nga pandemia, por mbi të gjithë do t’i duhet që të gjejë vaksinën për të shëruar Amerikën nga virusi i egër i ndarjeve dhe përçarjeve të thella, nga pabarazia në rritje, plagët e racizmit etj. Në fjalimin e inaugurimit me 20 Janar premtoi se do të jetë president i të gjithë amerikanëve, por arritja e unitetit, siç e pohoi ai vetë, do të jetë tepër e vështirë, në mos i pamundur. Ai u përpoq që të hynte në zemrat e amerikanëve, madje dhe të kundërshtarëve politikë, tek u tha: “peshomëni mua dhe zemrën time. Nëse akoma nuk jeni dakord, ashtu qoftë! Kjo është demokracia. Kjo është Amerika. E drejta për të kundërshtuar paqësisht brenda kuadrit të republikës sonë është mbase forca më e madhe e këtij Kombi. Megjithatë më dëgjoni qartë: Mosmarrëveshja nuk duhet të çojë në përçarje”! Ai kërkoi më tepër respekt dhe dinjitet ndaj palëve: “Çdo mosmarrëveshje nuk duhet të jetë shkak për luftë totale. Ne mund ta trajtojmë njeri-tjetrin me dinjitet dhe respekt. Ne mund të bashkojmë forcat, të ndalojmë britmat dhe të ulim temperaturën… Pa unitet nuk ka paqe, vetëm hidhërime, tërbim. Pa progres, vetëm zemërim rraskapitës…”.
Vatra dëshiron ta shohë z. Biden president të gjithë amerikanëve, ashtu siç ai premtoi. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha, në vijim të traditës vatrane 109-vjeçare, i ka dërguar letrën e urimit presidentit. Ai ka vlerësuar kontributin e veçantë të z. Joseph Biden për shqiptarët, veçanërisht për Kosovën. Z. Berisha ka shprehur besimin se edhe në të ardhmen, gjatë mandatit të tij, Presidenti Biden dhe administrata që drejton, do të forcojnë marrëdhëniet midis vendeve tona, do të avancojnë proceset euro-atlantike, Integrimin Europian, finalizimin e njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës me kufijtë ekzistues, do të arrijnë ç’rrënjosjen e korrupsionit dhe rindërtimin e institucioneve të qëndrushme demokratike, etj…
Le të respektojmë traditën vatrane: Welcome Mr. President!
· Editorial i Gazetës Dielli, Janar 2021.
Please follow and like us: