20 vjet bashkëpunim zvicerano-shqiptar për decentralizimin dhe forcimin e qeverisjes vendore
Ministria e Brendshme dhe Ambasada e Zvicrës theksuan rezultatet dhe sfidat në decentralizim gjatë një aktiviteti që shënoi 20 vite bashkëpunim në këtë fushë
Në një aktivitet të përbashkët midis Ministrisë së Brendshme dhe Ambasadës së Zvicrës, u prezantuan disa shembuj të rezultateve në procesin e decentralizimit, si pjesë e 20 vjetorit të bashkëpunimit zvicerano-shqiptar për thellimin e decentralizimit dhe forcimit të qeverisjes vendore.
“Kemi një fokus të madh te financat vendore dhe këtu përfitoj nga rasti të falënderoj sërish qeverinë zvicerane dhe Ambasadën e Zvicrës për projektin që i ofron Ministrisë së Financave për financat vendore, por me të cilin ne bashkëpunojmë”, tha Zv. Ministrja e Brendshme, Romina Kuko. “Kemi diskutuar gjerësisht për shtyrjen e planit të veprimit për strategjinë e decentralizimit, dhe jemi përpjekur që këtë plan në fakt të mos e kemi thjesht një dokument në letër por ta kemi një guidë, i cili na udhëzon për kohën afatshkurtër por gjithashtu edhe për proceset afatgjata. Në grupin tematik të decentralizimit kemi rënë dakort që të kemi një plan për vitin 2021, plan ku kemi përfshirë edhe partnerët tanë”, shtoi Zv. Ministrja Kuko.
“Kur kryhet në një mënyrë koherente dhe përmbledhëse, decentralizimi do të thotë të ndash pushtetin politik midsi niveleve qendrore dhe vendore, dhe të delegosh kompetencat si dhe burimet financiare tek bashkitë. Decentralizimi sjell shërbime më të mira për qytetarët dhe për sektorin privat, dhe në përgjithësi, ai sjell më shumë prosperitet për një vend. Dhe: decentralizimi kontribuon ndjeshëm tek prioriteti i rëndësishëm i reformës së administratës publike, për të cilën është rënë dakord midis Shqipërisë dhe BE-së”, that Ambasadori zviceran Adrian Maître.
Tre shembuj nga decentralizimi në veprim u prezantuan, përfshirë ngritjen e Zyrave me Një Ndalesë në Shkodër dhe Lezhë, shërbimet e kujdesit social në Lushnje, dhe rinovimi i furnizimit me ujë në Lezhë.
“Fillesa jonë në lidhje me Zyrat me Një Ndalesë – me mbështetjen tuaj sigurisht – ishte që qytetari të jetë sa më afër pushtetit vendor. Ishin tre komponentë themelorë ne vitin 2010-2011: qeverisje vendore për qytatarët, transparencë dhe llogaridhënie, dhe shërbime sa më afër dhe sa më të shpejta për qytetarin”, that Petrit Marku, ish kryetar i njësisë vendore Kallmet, Lezhë.
Mbi 40 pjesëmarrës iu bashkuan aktivitetit përmes Zoom dhe diskutuan për veprimet e mëtejshmë që nevojiten me qëllim që decentralizimi të jetë më efektiv. Publikimi i cili përmbledh 20 vite të mbështetjes zvicerane në decentralizim mund të gjendet tek: https://www.eda.admin.ch/countries/albania/sq/home/bashkepunimi/publikimet.html
Zvicra ka asistuar Shqipërinë për mbi 20 vite në përpjekjet për të konsoliduar demokracinë vendore dhe çuarjen përpara të procesit të decentralizimit të pushtetit nga qeveria qendrore tek ajo vendore./albspirit.com