Pirro Fotiadhi: In memoriam, aktori dhe regjizori, Andon Qesari!
ULET «SIPARI» PËR NJË FIGURË TË NDRITUR DHE PERSONALITET MODEST TË SKENËS DHE KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE.
Një prej aktorëve dhe regjisorëve të mirënjohur e të rëndësishëm të teatrit modern,një prej protagonistëve të skenës dhe ekranit, pedagogu dhe edukatori,njeriu që mishëronte figura dhe personazhe, regjisori që spikati me inteligjencën dhe modernizmin e tij, «Mjeshtri i Madh», Prof. Asc. Andon QESARI, ditën e djeshme, ndërroi jetë.
Requiem
Me dhimbje dhe pikëllim, mësuam lajmin e trishtuar të humbjes së tij të papritur.Një mik i shtrenjtë, misionari artist, artisti i frymëzuar që nuk kurseu asgjë për artin, protagonisti që me pasionin e imagjinatën e tij, me interpretimet mjeshtërore, me bukurinë dhe magjinë e fjalës së tij, me ngazëllim e mjeshtri, ndizte altarët e shndrritshëm në skenat e teatrit, nuk ndodhet pranë nesh. Heshturazi, ai vendosi të ndiqte rrugën e vetmuar dhe pa kthim, e cila do ta vendosë përsëri, në shpirtin dhe krahët e atyre që e lindën dhe i dhanë jetë.
Aktori dhe regjisori Andon Qesari, i përket asaj plejade aktorësh që ishin të mbrujtur me fatin, që të mund të ndërthurnin talentin e jashtëzakonshëm, me nivelin e lartë, me lojën cilësore duke interpretuar denjësisht një sërë rolesh dramatike dhe komike tepër të suksesshëm, prej repertorit teatror botëror por edhe atij shqiptar. Si edhe duke kontribuar njëherazi në ravijëzimin dhe portretizimin e një performancë tepër adhuruese, duke lënë kësisoj gjurmë të çmuara si një personalitet me vlera të shumëanshme universale.
Në momentet e trishta të largimit, vlerat reale dhe rëndësia e cilitdo individi në jetën tonë, natyrisht që matet dhe vlerësohet me kohën, me ndjesitë dhe perceptimin,se një pjesëz të vetë jetës tonë dhe kohës, një pjesë të vetvetes dhe gëzimit tonë, artisti i spikatur Andon Qesari e mbart në vetvete.
Sidoqoftë, këto aradha modeste, natyrisht që janë të pakta, të pamjaftueshme dhe krejt të paarritura, për të treguar madhështinë e kontributit dhe misionit tuaj.
Ndarja nga jeta e aktorit brilant, Andon Qesari, e një qenieje njerëzore sa të thjeshtë po aq rrezatuese edhe shembullore, e një bashkëqytetari aktiv e të përkushtuar, e një familjari model dhe bashkëshorti ideal, natyrisht që është një humbje e madhe.
Një humbje e pazëvendësueshme e një personaliteti dhe artisti që shkëlqeu me talentin, inteligjencën, mirësinë, modestinë, bujarinë dhe humorin e tij.
Gjithsesi duhet nënvizuar fakti se gjithë karriera e tij, e motivonte, e gëzonte dhe emociononte si një fëmijë, për reputacionin, për duartrokitjet, për vlerësimet inkurajuese që ai dëgjoi në jetën e tij. Por Andon Qesari ishte dhe do të mbetet simbioza e thjeshtësisë së papërsëritshme. Duke na lënë pas, një trashëgimi të vyer, që na bën të ndihemi krenarë.
Me dhimbje shpirtërore, me pikëllim, përcjellim sot duke shprehur lamtumirën tonë mirënjohëse, një personaliteti dhe figure që me aftësitë e tij, me dinjitet e përkushtim, për afro 5 dekada sistematikisht, la gjurmët e suksesit në rrjedhat e artit, në atë të skenës dhe kinematografisë. Gjurmë të pashlyeshme, për të cilat Andon Qesari do shërbejë si një një frymëzim jo vetëm për të sotmen, por edhe për gjeneratat e ardhshme të artistëve të skenës dhe ekranit.
Do ta kujtojmë figurën e Andon Qesarit, si një personalitet shpërthyes i cili ishte gjithmonë i pranishëm në mënyrë aktive në të gjitha të mëdhatë dhe të rëndësishme. energjia e tij e mirëfilltë, integriteti dhe ndjenja e tij e lartë e përgjegjësisë.
I shtrenjti dhe i paharruari miku ynë, Andon Qesari. Në këto momente të vështira, me mirënjohje dhe përulje, shprehim vlerësimin dhe falenderimet e përzemërta për gjithçka ofruat me zemërgjerësi dhe pasion, si për Teatrin Kombëtar, po ashtu edhe për filmin, si për startin e rrugëtimit të suksesshëm me standarte profesionale të Teatrit Dramatik të qytetit të Vlorës, po ashtu edhe në proceset e edukimit dhe formatimin e gjeneratave të reja të aktorëve.
Ndihem i sigurtë se edhe në Amëshimin e Paqtë tuajin në Parajsë, do të vazhdoni të krijoni me mënyrën tuaj unike, pasi shpirti juaj i shqetësuar, pasioni juaj, kurrsesi nuk mund të rehatohet.
Rrugëtimi jetësor dhe karriera artistike…
Aktori dhe regjisori Andon Qesari, erdhi në jetë, një ditë vere të 27 Qershorit të vitit 1942 në fshatin Qeparo të Himarës, në një familje intelektuale tepër të respektuar të Bregdetit, siç ishte familja e atit të tij, Minella Qesari. Pinjoll i një treve sa të dëgjuar aq edhe të tejlakmuar, jo vetëm për bukuritë e rralla natyrore,një trevë me njerëz liridashës dhe trima, njerëz të pasionuar pas dijes e tepër arsimdashës, me dëshira kulturëdashëse kozmopolite, me individë të civilizuar e përparimtarë.
Mësimet e para i merr në qytetin e Vlorës dhe në vijimësi ndjek shkollën e mesme pranë Politeknikumit të njohur «7 Nëntori» në Tiranë, të cilin e përfundon me sukses në vitin 1959. Me përfundimin e shkollës së mesme, Andon Qesari vendos të ndjekë rrugën e zhvillimit dhe kultivimit të pasionit të tij të jetës – Teatrin, duke konkurruar e filluar studimet në degën e aktrimit në Shkollën e Lartë të Dramës «Aleksandër Moisiu» (sot Akademia e Arteve) në Tiranë. Me përfundimin e studimeve të larta, në vitin 1966, diplomohet për Aktor në Shkollën e Lartë të Dramës «Aleksandër Moisiu».
Pas diplomimit emërohet si aktor dhe regjizor në teatrin profesionist «Petro Marko» të Vlorës, në këtë qytet me një bukuri të rrallë natyrore bregdetare e tepër artdashës, përmes klimës dhe profileve të aktorëve të teatrit si: Vangjel Panozaqi, Nazmi Bunjaku, Pirro Sava, Liza Laska, Astrit dhe Dudi Hasho, Myqerem Ferra, Vasillaq Godo, Evgjeni Shtrepi, Agim Shuka, Ali Roshi, Vasil Beqari, Kristo Shkurti, Vasil Beqari, Luan Toto, Qirjako Sava, Zyhdi Kapaj, Lavdie Bisha, Hatiqet Bendo, Efterpi Laçka, Ana Neko, Haxhire Myrto, Reshit Mehmeti, Orian Hajro etj
Realisht ishte me fat në atë periudhë kohore si qyteti i Vlorës, njëherazi edhe trupa profesioniste e teatrit, duke pasur si pjesëz të saj Andon Qesarin, i cili falë talentit të tij, starton me ëndrra e dëshira të mëdha në skenë, duke dëshmuar se kurrsesi nuk lipsen skenat gjigande të metropoleve të mëdha, për të spikatur e veçuar si artist. Ishte fatlume jeta artistike krijuese e këtij qyteti dhe gjithë artdashësit e teatrit, që nisi të gjallërohej e pasurohej artistikisht në vlera, duke sendërtuar shpërthimet e pasionit të fshehur artistik teatral, që mbisundonin djaloshin e talentuar Andon Qesari.
Në teatrin e qytetit të Vlorës, ai fillimisht interpreton si aktor dhe në vijimësi ngjit në skenë si regjizor shfaqjen e dramës «Shtëpia në bulevard» të Fadil Pacramit, e pas suksesit të kësaj, rishtas përgatit dhe ngjit në skenë komedinë «Revizori» të N. Gogolit, duke fituar një lloj përvoje regjisoriale e njëherazi dhe respektin dhe admirimin e spektatorëve të shumtë, duke skalitur e ravijëzuar profilin e tij artistik e duke pasuruar artistikisht dhe profesionalisht trupën e këtij teatri, në një lojë me nivel të lartë interpretimi e gjuhë shprehëse skenike. Paralelisht me angazhimet e tij në skenën e teatrit, shohim se në vitin 1967, Andon Qesari debuton në kinematografi,duke qenë pjesëmarrës në filmin «Ngadhënjim mbi vdekjen».
Pasi përmbushi me sukses e materializoi individualitetin ekzistencial aktorial, Andon Qesari kurrsesi nuk mund të shijonte qetësinë shpirtërore, por në kërkim të udhëve të reja, duke pasur si pikënisje konceptimin aktor-regjisor, asgjë nuk mund ta frenonte apo ndalte pasionin dhe guximin e një artisti ëndërrimtar, duke u fokusuar dhe përkushtuar në përsosmërinë e labirinteve të specializimit të artit regjisorial. Kësisoj në vitet 1971-1972, ai starton dhe përfundon me sukses pranë Insitutit të Larte të Arteve kursin e lartë për Regjisurë.
Me përfundimin e kurorëzimin si regjisor, në vitin 1972, Andon Qesari emërohet si pedagog i aktrimit e në vijimësi edhe i regjisurës, në Katedrën e Dramës në Insitutin e Larte të Arteve, ku me pasion, përkushtim,devotshmëri e seriozitet, kontribuoi për afro 4 dekada sistematikisht, në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj të aktoreve dhe regjisoreve të shkollës shqiptare.
Përpos kësaj, në vitin 1975 Andon Qesari, rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por tanimë në Teatrin Kombëtar dhe në vitin 1977 emërohet zyrtarisht pranë këtij institucioni si aktor i përhershëm.
Me moton e një artisti aktiv personalitet, me imazhin e tij shpërthyes, Andon Qesari, me lojën skenike dhe rolet e tij, ka fiksuar në memorjen e artdashësve, galerinë e roleve të suksesshme të tija, si roli i Vurnit tek drama «Luiza Miller» të Shilerit, ai i Qamil Beut tek «Epoka para gjyqit», Aleksi tek «Doktori pacient», të Luixhit tek «Tragjedia e Deas», të Zeusit tek «Prometeu », të At Kormilit tek «Monserati », të Kryetarit tek «Vizita e damës plakë», të Ksanthit tek «Ezopi», të Komisarit tek «Opertunesku», «Kapuleti», tek «Romeo e Zhulieta», të Berlingut tek «Vizita e inspektorit», atë të Kontit «Fernando Krafi më ka shkruar një letër», tek «Gomone» si edhe tek «Muzeu». Për këto interpretime të arritura dhe të spikatura, si në rolin e Besnikut tek drama «Shënomëni dhe mua», të Ruzhdi Pulahës, një interpretim me një performance shkëlqyese, Andon Qesari laurohet si fitues i Çmimit të Parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove në vitin 1974. Po ashtu edhe me rolin e goditur të Fenit në dramën «Furrnalta» të Ruzhdi Pulahës, një tjetër figurë e ndërtuar me një mjeshtëri krejt të veçantë individuale, duke sprovuar me sukses në fushën e vështirë të satirës politike, Andon Qesari laurohet me Çmimin e Parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove të vitit 1976.
Andon Qesari, si një figurë dhe një personalitet i padiskutueshëm i skenës së teatrit shqiptar, me etikën dhe profesionalizmin e tij origjinal, ofroi një impakt admirues edhe në interpretimet e roleve kinematografike, duke interpretuar me realizem dhe me mjeshtëri si tek filmi «Gjurma»-njëri prej oficerëve, «Kur zbardhi një ditë»-Ballisti i postobllokut, «Në fillim të verës» -Shefi i Policisë Sekrete Fashiste, «Pylli i lirisë» – Një nga dy ballistët, «Ata ishin katër»-Bilali – Komandanti i Shtabit Partizan, «Tela për violinë»-Doktor Kozmai, «Në emër të lirisë»-Syrjai, «Bota e padukshme» – Zv/Ministri, «Stolat në park»-Regjisori, «Kthimi i ushtrisë së vdekur»-Ministri i Luftës, «Inxhinieri i minierës» – Drejtori, «Dashuria e fundit»-Shefi i policisë, «Tingujt e harresës»etj.
Me një këndvështrim bashkëkohor regjisorial, duke konceptuar detajet roleve në optikën e këndvështrimit të spikatur, ai kontribuon në realizimet skenike të komedisë «Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo» 1983, shkruar nga vetë autori, në vijimësi të konceptimit krejt original të komedisë «Pallati 176» (1986) të Adelina Balashit (një ndër perlat e komedive shqiptare), «Nën dritat e skenës», «Në jetë» (1985), «Valsi i Titanikut» (1990), «Dua burrë» (në bashkëpunim me Alfred Bualotin) «8 persona plus» etj. Ashtu sikundër në vitin 2007, (gjithnjë së bashku në bashkëpunimin regjisorial me bashkëregjisorin Alfred Bualotin), mundësuan krijimin e një imazhi real dramatik të kohëve të dhunshme të fillim viteve pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, duke ngjitur me sukses dramën «Këmbanat e muzgut».
Përpos kësaj veprimtarie të gjithanshme artistike dhe krijuese, kontributi i Andon Qesarit shtrihet dhe rrezatohet edhe në autorësinë e një sërë artikujve kritikë, metodike dhe aspekteve më të gjera të natyrës estetike, rreth problemeve të teatrit shqiptar, të gjinisë së aktrimit, të regjizurës, portretet e disa aktorëve, ka dramatizuar për skenë dhe radio disa novela dhe romane nga ku mund të përmendim e veçojmë — «Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo» në vitin 1983.
Për gjithë kontributin dhe veprimtarinë e tij mësimdhënëse akademike disadekadëshe, si pedagog i Akademisë së Arteve, Andon Qesari mban titullin shkencor «Profesor i Asociuar».
Νë thelb, vetë jeta e «Mjeshtrit të Madh», Prof. Asc. Andon QESARI ravijëzohet dhe përbën një qëllim të vetëm, pasionin e pamasë të motivuar për teatrin.
Falë përvojës së vyer të akumuluar prej vitesh dhe dekadash, në vitin 2013, ai përgatiti librin mbi teatrin titulluar thjesht «Unë, ti dhe Teatri-Teatri dje, sot dhe nesër», ndër të paktët libra të përkushtuar për teatrin, e shkruar nga një aktor dhe regjisor teatri.
Për vlerat dhe për meritat e tij të shquara profesionale shumëvjecare, në skenën e teatrit dhe të kinematografisë shqiptare, Andon Qesari, është vlerësuar dhe lauruar me një sërë çmimesh. Ndërsa Presidenti i Republikës e ka nderuar me titullin «Artist i Merituar» dhe «Mjeshtër i Madh».
Νë thelb, vetë rrugëtimi jetësor i «Mjeshtrit të Madh», Prof. Asc. Andon QESARI ravijëzohet dhe përbën një qëllim të vetëm, pasionin e pamasë të motivuar për teatrin. Pa shumë bujë dhe zhurmë dhe në një mënyrë krejt të qetë, mundi të shpaloste e nxirrte në pah, gjithë atë thesar të vyer dhe burim të pashtershëm shpirtëror që ruante të akumuluar brenda vetëekzistencës së tij për teatrin, për skenën… duke krijuar një portret dhe figurë artistike profesionale tepër adhuruese duke lënë kësisoj gjurmë të çmuara si një personalitet me vlera të shumanëshme universale.
Në vend të epilogut….
Me një ndjesi të madh hidhërimi, me emocion, trishtim, respekt dhe mirënjohje, sot kumtojmë fjalët e lamtumirës, për njeriun dhe të mirëfilltin artistin protagonist, për pasionantin e vërtetë dhe misionarin e madh të artit dhe vetë jetës.
FALEMINDERIT për gjithçka na dhurove, sepse emri dhe figura juaj do të mbetet përjetësisht në mendimet dhe memorien tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi juaj. Ju ndrittë Shpirti në Parajsë!
Athinë, 14. 02. 2021./albspirit.com