Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: LARGOHET NGA JETA BARDI I FUNDIT, LEFTER ÇIPA!

“O shokë, vdeksha nga kënga./.Vdeksha dhe prapë u ngrefsha,/Shokët në këngë i gjetsha…”. Kështu këndonte i pavdekshmi Lefter Çipa, bardi ynë i fundit, nga Ballkoni Pilur, që për këdo udhëtarë ngjan si i “varur në retë e qiellit”! Dhe ikën edhe ai, trashëgimtari i Neço Mukos në këngët e arta të Polifonisë, duke na brengosur të gjithëve sa jemi, familjen mbi Himarë, me dy poetë trashëguar (të birin, Aleksandrin e nipin), si edhe me blegërimat e “Bejkës së Bardhë” që e la e iku…
15 vite më parë, mora rrugën enkas që nga Athina, për t’i marë një intervistë ish-studentit tim poet, për revistën e Grigor Jovanit “Pegasi” që e botonim në Shqipëri, pas një jehone të bujshme të tij nëpër festivale kombëtare e ndërkombëtare të këngës polifonike, ku ai njihej si krijues e arkitekt i saj, si shpirti i vet këngës. Qe një takim i përmallshëm, aq më tepër se mbartja në shpirtin e memorjen time edhe dhjetra-qindra vargje poetike brilante, pikuar ngaa malli e mjalti i këngës! E do të takohehim aty ku mali puthej me detit, në Himarë, me gotat e rakisë përpara, me njeriun që e kishte në buzë edhe fjalën poetike, edhe këngën, edhe lëngun e Dionisit, pa e hequr kurrë kostumin dhe kollaren, edhe kur shtrëngonte vapa! Elegant në këngë e vjersha, elegante edhe në veshjen e tij, me sqimë.
– Erdha të të gjej,-i them, – me ‘flatrat’ e këngës tënde, i dashur Lefter, që ti i ke ujdisur me kaq merak dhe talent. Je brenda një thesari..
– Thesari është në popull, – më ndërpret Lefteri aty për aty, – po ‘e pikon’ artisti. Se rri pa gjumë, i zgjuar. Me penën majëpikuar..
– Po ti, si bir i natyrës,-i them unë, – na e rikrijon natyrën, e bën më të bukur. Ti vetë i ke quajtur këngët e tua “Këngët e Akroqeranit”. Ato lindën vetëm këtu, ku Mali i Vetëtimave zbret thikë mbi detin më të thellë e më të bukur që ka bota.
– Kënga, – ma rrëmbeu fillin Lefteri, – është gjithmonë në përgjim. E nuhate, e kape, e bëre. Ndërsa polifonia është këngë e perëndive të lashta. Është krejt e veçantë, si ai kori i tragjedive të antikitetit grek, bile edhe më i hershëm. Një këngë që mbetet përherë e virgjër, që nuk pranon ‘të martohet. Mos u habitë i dashuri im! Sepse nuk pranon as daulle, as klarinetë. Aty treten zërat e shpirtit njerëzor. Vetëm fyelli mund t’i afrohet. Dhe ky shpirt njerëzor duhet të jetë në harmoni me zërat e zogjve. Amanetet, kënga polifonike i përcjell me zogjtë që fluturojnë nga qielli në qiell. Askush më mirë se zogjtë, nuk mund të ndjejnë dhe të përcjellin shpirtin e njeriut.
– Sikundër përcollën shpirtin e Neço Mukës,-shtova unë,- dhimbjen e tij… Apo jo?
– Lëre, mos e nga. Neçoja merrej me shpirtin. Kur jetonte ai, në vitet tridhjetë, kishte më shumë dhimbje dhe më pak zogj shtegtarë. Thonë se atëherë “qante dhe deti”. Ndaj u bë vetë zog dhe vajti gjer në Paris, për ta hedhur polifoninë e mrekullueshme të këtyre anëve, “këngën e zogjve”, nëpër pllaka gramofoni “PATHE”. Ja ku e ke Shkëmbin e Thepisur. Aty priste “Vajza e valëve” të dashurin, gruaja burrin dhe nëna djalin. Pikonin lotët mbi det. Po ç’t’i bënte dhimbja dhimbjes? Dhimbjet ishin të njëjta, brenda dhe jashtë detit. Tani “Brigjet në Himarë/Qajnë me ulërimë” për Neço Mukon, – thotë Lefteri, me patetikën e vet të thjeshtë e të ëmbël.- Dëgjo edhe këtë vjershën time: “Se ti Neço ishe/ Det dhe mal me erë…/ Kthehu ku ti leve,/ Tek shkrove me penë!/ O bilbil pranvere,/ Këngët Bregut mbenë…” Dhe refreni i gjithëkohshëm, që del nga goja e bilbiltë e Lefterit: “O djalosh, bilbil i majit,/ Mos ia fal këngën varrit!”. “Thonë se as varri nuk i gjendet”, – e ndërpres unë.
“Ia gjeta unë varrin, – gati klithi ai. – Pranë një lisi të moçëm, në varrezat e poshtme. S’ka as tre vjet që e kam vërtetuar edhe me ndihmën e fisit të tij, sidomos të tezes. Kjo varrezë e vjetër u braktis më 37-tën dhe poeti mbeti atje, nën krahët e lisit. Më pas, ky lis i madh u pre, nga njerëz të papërgjegjshëm. Kështu mbeti aty “Ëngjëlli i Bregut”. Kur t’i bëhet rivarrimi tek varrezat e reja, do t’i vë këtë epitaf, që e shkrova vetë: “Këtu prehet poeti, FENIKSI I HIMARËS”.-” Mos vallë, Lefter Çipa, si poet e këngëtar mori dritë nga drita e tij?” -” Diku kam shkruar këtë varg: “… seç kam një dritë mbi supe”. Dhe, pak më poshtë: “… rob i këngës u bëra”. Dritën e parë të poezisë e të këngës ma dhanë prindërit e mi, që të dy poetë dhe filozofë popullorë. Nga ata kam lerë dhe prej atyre kam ngjarë edhe në vjershërime. Para tyre ndodh që e humbas edhe kujtesën… Neçoja është ëngjëlli im frymëzues. Por edhe Nase Beni nga Vunoi. Vetëm se këtë zjarrin e shpirtit e kam nga Piluri e nga Mali i Vetëtimave, që e pata mbi kokë tërë jetën. Atje është Tempulli i Zeusit. Prej atij mali të lartë, sipas Homerit, Zeusi lëshonte vetëtima. Homeri që ishte pellazg dhe i dinte më mirë këto punë, si poet i poetëve, na e vërteton një gjë të tillë. Ndaj prej andej rrjedh edhe zjarri, edhe ligjërimi i zogjve, edhe ligjërimi i këngëve. Unë s’jam gjë tjetër, veçse një bir i këngës polifonike…
Më duhej të lexoja librat që kishte shkruar Lefter Çipa, për ta njohur më mirë poetin, këngëtarin, valltarin, aktorin, dirigjentin, regjisorin dhe njeriun. Se ai i kishte vetiu tërë këto vlera. Si lexova tetë libra të tij me vjersha, balada e legjenda, më duhej të rikthehesha në Himarë përsëri, dy vjet më vonë. Librat e tij kishin shëtitur me mua nëpër Greqi, Shqipëri, në Maqedoni dhe Amerikë, për t’u rikthyer një ditë po në Himarë, nga i kisha marrë, tek krijuesi i tyre. Në këto libra unë pashë dhe ndjeva Lefterin e vërtetë, Lefterin që nuk e kisha njohur, njeriun e këtyre maleve të zhveshura, piluriotin me kërrabë dhe fustanellë, që i shkroi këto këngë me frymëzimin që i sjell natyra e ashpër por e bukur e këtyre anëve dhe njeriu bregdetas, i malit dhe i detit. Sepse rapsodi Lefter Çipa, me harmoninë e zërave që krijoi, me lirizmin e tij të ngrohtë, me tonet e gëzueshme të melodive rrok një horizont të paanë, prek zemra dhe zgjon mendime të thella. Ajo kënga e “Bejkës së Bardhë” qe një këngë e dalë nga shpirti i një poeti të dashuruar, ndaj dhe “ngjiti” gjithandej. Po aq sa i këndoi dashurisë, diti t’i këndojë edhe trimërisë, shpirtit patriotik të bashkëkombësve, vendlindjes dhe mbarë Atdheut. Ai e do dhe e imiton Çajupin, Lasgushin, Ali Asllanin, Dritëronë, por është e mbetet i mëveçëm, origjinal gjer në eshtrat e veta. Burimet folklorike pësojnë tek ai përthyerje estetike e lartësohen në nivele letrare, me vlera artistike. Lefter Çipa është një poet i ndjeshëm e i thellë, që cingris telat e shpirtit të kujtdo njeriu… Dhe kështu, më në fund, arrita të lexoj rreth dy mijë faqe me krijimtari poetike, duke e ndjerë tani veten të gatshëm, për të biseduar përsëri me Lefterin…
Para se të zbrisja në Himarë, në vitin 2008, më tha mendja të takoj në Tiranë të birin, Aleksandër Çipën. Kështu bëra. Ishte shumë i sjellshëm dhe me horizont intelektual. Njëkohësisht poet, diç më ndryshe nga i ati, me ekzigjenca ndaj vetes dhe ndaj poezisë së sotme.
U krenova para tij, duke i thënë se pata lexuar tetë librat e Lefterit, por mbeta i befasuar, kur ai më shpjegoi se kisha lexuar vetëm çerekun e tyre . Se 28 ishte numri i plotë i librave të tij. I them përsëri se e kam ndjerë veten të zhytur në ujërat e një lumi malor, burimi i të cilit qe Lefter Çipa dhe se, vetë Lefteri, do bënte mirë që “ujërat e tepërta” t’i mënjanonte nga rrjedha e pastër. Aleksandri u rrëfye i ndërgjegjshëm për këtë dhe se e kishte ndjerë domosdoshmërinë e një paraqitjeje të zgjedhur të veprës së atit të tij, së cilës i qe përkushtuar. E, me të vërtetë, përpara kompjuterit ai më lexoi disa poezi të rralla të Lefterit, fryt i një pjekurie të vonë, të cilat po ua lexoja dy miqve të mi (prof. dr. A. Kallullit e Josif Papagjonit). Ata u befasuan nga mençuria e poetit në përdorimin e metaforave, disa prej të cilave po i përmend më tej…
Magjia e këngës polifonike të merr me vete dhe të shpie gjer te krijuesi i saj, i cili vërtet e krijoi, por që vetëm një muzikolog i shquar do të mund ta studjonte gjer në rrënjën e saj, me tërë origjinalitetin, gamën, muzikalitetin e arkitekturën e saj, për ta zbërthyer e portretizuar si vepër unikale, të cilën UNESKO e vlerësoi madhërishëm, si një Institucion Kulturor më vete dhe e mori në mbrojtje ekskluzive. Sa më shumë që i afrohesha tani Himarës dhe Lefter Çipës, aq më shumë ndrojë ndjeja përpara arkitektit të isopolifonisë piluriote. Ashtu do të ndodhte.
Takimi im më i fundit me BARDIN E FUNDIT ishte mjaft i shkurtër, por tepër i përmallueshëm. “I nëmuri”, sikundër e quan e ëma e tij, qe zhdukur nga vendi i takimit dhe më duhej rishtazi ta kërkoja. Personat “bohemë” si Lefteri kanë trillet e tyre për t’u “zhdukur”. Më e mira e punëve ishte që të ecja, të ecja e t’i zija me radhë lokalet e Bregut. Aty nga fundi është “Bar Neno”, ku dallova Elenin, këngëtaren e grupit polifonik të Himarës. Isha me fat. Pas pak, ajo ma solli aty mikun tim, Lefterin, natyrisht paksa çakërqejf nga “lëngu dionisak”, që kishte shijuar… Me të më parë, ai u var në qafën time e nuk më shqitej. Pastaj porositi nga një raki dhe, krejt papritur, filloi të ligjërojë vargjet e veta: “Vashëzat nëpër ylber/ këndojnë këng’ e pijnë ver’…/ Pije, të shkoj poshtë farmaku/të të gjallërohet gjaku”.
Nisa ta pyes përsëri dhe ai mori një pamje të menduar, si të ishte një filozof. Dhe harruam të iknim deri sa na përfshiu nata e rranë mbi ne yjet e qiellit…
Unë ktheva sytë nga yjet, që mbushnin qiellin. Lefteri e kuptoi dhe recitoi i ekzaltuar: “Do t’i rrëmbej yjet,/ t’i shkoq në pëllëmbë”. M’u var përsëri në qafë, si të ishte një lavjerrës. E shtrëngova fort, me një ndjenjë dashurie të malluar dhe isha unë tani, që i recitova poezinë që i kishte kushtuar i biri, Aleksandër Çipa: “Ati im, bard i sotëm, pagan i fundit,/mos më prit, ende si dhe dje, mos me prit!/ Do të mungoj, se më duhet të vesh/lëkurën e jetës qëndisin ditët./O gjuhëpikuar,/pa kurorë, At i shenjtë!/Thotë nëna: – Burr’ i nëmur!/Dhe unë: – At i shenjtë!”…
I gjallë përjetë e nëpër kënge e vjersha të arta do të mbetesh LEFTER ÇIPA!
(Marrë me shkurtime nga revista “Pegasi”, nr. 6, viti 2009).
Please follow and like us: