Albspirit

Media/News/Publishing

Philippe Delerm: Gllënjka e parë e birrës

Është e vetmja që ia vlen. Të tjerat, gjithnjë e më të gjata, gjithnjë e më bajate nuk të japin veçse një ntrashje të zbarët të gjuhës, ndjesinë e teprisë së shpërdorur. Asaj të fundit, mbase për shkak të zhgënjimit që po mbaron, i kthehet njëfarësoj këndella…
Po, gllënjka e parë! Gllënjkë? Fillon shumë më parë se të mbërrijë në grykë. E ndjen tashmë që në buzë atë ar shkumëzues, pastaj i vjen radha freskisë që shtohet nga bulëzat dhe ngadalë kënaqësia shtrihet në qiellzën që vishet me një hidhëti të zbutur.
Sa e gjatë duket gllënjka e parë! E pimë menjëherë me një etje gjoja të vetvetishme. Në të vërtetë gjithçka është paracaktuar: sasia, nuk është as e madhe dhe as më pak sa duhet, është aq sa kërkon një fillesë ideale; kënaqësia, e menjëhershme dhe përfundon me një psherëtimë, një kërcitje të gjuhës ose me heshtje, siç e do rasti, ndjenja tinëzare e një kënaqësie të pafund…
E në të njëjtën kohë e dimë si është puna. Çka është më e mira, e kemi marrë tashmë.
Ulim gotën, madje e shtyjmë pak tutje mbi kartonin katror. Shijojmë ngjyrën, mjaltë i rremë, diell i ftohtë. Nëpërmjet një rituali të mirëpeshuar e pa u ngutur duam të zotërojmë mrekullinë që në të njëjtën kohë ndodhi dhe iku. Me kënaqësi lexojmë në anë të qelqit emrin e saktë të birrës që kemi porositur. Por përmbajtësja dhe përmbajtja mund të pyesin a përgjigjen pafundësisht, veçse asgjë nuk do të shumëfishohet nga e para.
Do të donim të ruajmë sekretin e arit të kulluar dhe ta fshehim nëpër formula. Por para tavolinës së vogël të bardhë të stërpikur nga dielli, alkimisti i zhgënjyer vetëm sa arrin të ruajë disi pamjen e jashtme dhe rrëkëllen gjithnjë e më tepër birrë me gjithnjë e më pak ëndje.
Është një kënaqësi e hidhur: pimë për të harruar gllënjkën e parë.
Përktheu Dashnor Kokonozi
………..
Shënim
Gjithnjë më ka lënë përshtypje fakti se në bisedë me kolegë a të njohurit e mi në Francë, jo domosdoshmërisht të lidhur me letërsinë, mund të qëllojë të mos kenë shumë informacion për autorë të tjerë bashkëkohorë, por nuk më ka qëlluar ende që ndonjëri prej tyre të mos njohë Philippe Delerm dhe të mos ketë lexuar të paktën librin e tij La premièr gorgée de bière, nga ku është marrë edhe tregimi i mësipërm.
Vonë kam mësuar se ky vëllim është përkthyer në shqip nga E. Tupja.
Please follow and like us: