Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (6)

II. SHTETI DHE KOMBI AMERIKAN PËRKRAH SHQIPTARËVE NË DEKADAT E FUNDIT

  

 

  1. 25 dhjetor 1992/Paralajmërimi i presidentit amerikan Xhorxh Bush për presidentin serb Millosheviç

 

“Në rast të konfliktit në Kosovë, shkaktuar nga veprime të Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, shkruan Presidenti amerikan George Bush në letrën që i dërgoi Presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Milosheviq, më 25 dhjetor 1992.

“In the event of conflict in Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in Kosovo and in Serbia proper”, President George Bush said in a letter to Slobodan Milosevic, then Serbian President, on Dec. 25, 1992.

 

  1. 15 janar 1999/Masakra që tronditi botën perëndimore

 

Më 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës. Atë ditë në këtë fshat, 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Kjo ngjarje ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut. Kur Ëalker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.

Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

 

  1. Bill Klinton: Bombardimi i Beogradit në 24 Mars 1999

 

Fragment nga kujtimet e ish-Presidentit amerikan, Bill Klinton në librin “Jeta ime”, Botimet Dudaj, 2005.

 

…Problemet e 11 javëve të luftës ajrore, dorëzimi i Millosheviçit dhe përgatitja e hyrjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë. Kur erdhi koha për t’u kthyer, ne ishim duke hyrë në një luftë tjetër ballkanike. Këtë herë në Kosovë. Një vit më parë serbët kishin filluar një sulm kundër rrebelëve shqiptarë kosovarë duke vrarë shumë njerëz të pafajshëm; kishte fëmijë dhe gra që i kishin djegur në shtëpitë e tyre.

Raundi i fundit i agresionit serb kishte ndezur shkëndijen e një eksodi të ri refugjatësh dhe kishte shtuar dëshirën e shqiptarëve kosovarë për pavarësi. Vrasjet ishin shumë të ngjashme me ditët e para të luftës në Bosnjë, e cila ashtu si edhe Kosova ishte urë lidhese e ndarjes që ekzistonte mes muslimanëve europianë dhe të krishterëve serbë ortodoksë, një vijë ndarese përgjatë së cilës kishte pasur konflikte të herëpashershme prej gjashtëqind vjetësh.

Në vitin 1974 Tito i kishte dhënë autonomi Kosovës, duke i lejuar vetëqeverisje dhe kontroll mbi shkollat. Në vitin 1989 Millosheviçi i hoqi Kosovës të drejtën e autonomisë. Që prej kësaj kohe, tensioni kishte ardhur në rritje derisa shpërtheu më pas në vitin 1995 kur Bosnja arriti pavarësinë. Unë isha i vendosur për të mos lejuar që Kosova të bëhej një Bosnjë e dytë. Po kaq e vendosur ishte edhe Medlin. Në prill 1998 Kombet e Bashkuara kishin detyruar mbi serbët një embargo armësh. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kishin vendosur mbi ta një embargo ekonomike, pasi kishin dështuar t’i jepnin fund armiqësisë dhe nuk hynin në dialog me shqiptarët kosovarë.

Nga mesi i qershorit, për të bërë të mundur ndalimin e dhunës, NATO-ja kishte filluar të planifikonte një numër mundësish për ndërhyrje ushtarake. Teksa afrohej vera, Dik Hollbruk ishte kthyer në rajon për t’u përpjekur të gjente një zgjidhje diplomatike për këtë konflikt. Nga mesi i korrikut forcat serbe sulmonin sërish kosovarë të armatosur dhe të paarmatosur, duke filluar kështu një verë sulmesh që do të detyronte 300,000 të tjerë shqiptare kosovarë që të linin shtëpitë e tyre.

Vonë, në shtator Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara aprovoi një rezolutç tjetër, e cila kërkonte fundin e konfliktit dhe në fund të muajit në dërguam edhe një herë Hollbrukun në Beograd që të përpiqej të gjente gjuhën e arsyes me Millosheviçin.

Në 13 tetor NATO-ja kishte kërcënuar të sulmonte Serbinë brenda katër ditëve në rast se nuk respektoheshin rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Sulmet ajrore u shtynë kur u pa se 4 mijë oficerë të forcave speciale jugosllave ishin duke u tërhequr nga Kosova. Për pak kohë gjërat u përmirësuan, por në janar 1999 serbët filluan të vrisnin sërish kosovarë të pafajshëm dhe kështu sulmet ajrore dukeshin të pashmangshme.

Ne vendosëm të provonim diplomacinë edhe njëherë, por nuk kishim shumë optimizëm. Objektivat e palëve ishin shumë larg njëra-tjetrës. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja donin që Kosova të gëzonte autonominë politike që kishte pasur nën Kushtetutën Jugosllave ndërmjet viteve 1974 dhe 1989 derisa ua hoqi Millosheviçi si dhe dëshironim një forcë paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja që të garantonte paqen dhe sigurinë e civilëve kosovarë duke përfshirë këtu edhe minoritetin serb. Millosheviçi dëshironte ta mbante Kosovën nën kontroll dhe ishte kundër vendosjes atje të trupave të huaja ushtarake.

Shqiptarët kosovarë kërkonin pavarësi. Por ata ishin të ndarë edhe mes tyre. Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije ishte një burrë i butë, i dalluar për mbajtjen gjithmonë të një shalli rreth qafes. Unë isha i bindur që me të mund të arrinim një marrëveshje paqeje, por nuk isha aq i sigurt për faktorin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare Kosovare (UÇK) të drejtuar nga një i ri i quajtur Hashim Thaçi. UÇK-ja kërkonte pavarësi dhe besonte se mund të ndeshej dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë serbe.

Palët u takuan në Rambuje në Francë, më 6 shkurt 1999 për të rënë dakord mbi hollësitë e një marrëveshjeje, e cila do të rikthente autonominë, do të mbronte kosovarët nga shtypja me anë të një operacioni të drejtuar nga NATO-ja, do të ç’armatoste UÇK-në dhe do të lejonte ushtrinë serbe të vazhdonte të ruante kufirin. Madëlenë Albright dhe homologu i saj britanik, Robin Kuk ngulën këmbë agresivisht në favor të kësaj politike.

Pas një jave bisedimesh të koordinuara nga ambasadori amerikan Kris Hill dhe homologët e tij nga Bashkimi Europian dhe Rusia, Medlin dhe unë zbuluam se qëndrimi ynë kundërshtohej nga të dyja palët: serbët nuk donin të binin dakord për vendosjen në Kosovë të një force paqeruajtese të drejtuar nga NATO-ja dhe kosovarët nuk donin të binin dakord për të pranuar autonominë, në rast se nuk merrnin garanci për mbajtjen e nje referendumi ku do të vendosnin për pavarësinë. Dhe UÇK-ja nuk ishte e kënaqur që do t’i duhej të ç’armatosej, pjesërisht për arsye se ata nuk ishin të sigurt se mund të mbështeteshin në forcat e NATO-s për t’u siguruar mbrojtje.

Grupi ynë vendosi ta shkruante marrëveshjen në një formë të tillë që ta vononte mbajtjen e referendumit, por të mos e mohonte atë përfundimisht. Në 23 shkurt, shqiptarët kosovarë, përfshi këtu edhe Thaçin, e pranuan marrëveshjen në parim, u kthyen në shtëpi për t’ua treguar atë njerëzve të tyre dhe në mes të marsit udhëtuan për në Paris për të firmosur dokumentin e përfunduar. Serbët e bojkotuan ceremoninë, ndërkohë që 40 mijë trupa serbe ishin grumbulluar përreth Kosoves dhe Millosheviçi përsëriti se ai nuk do te lejonte kurrë vendosjen e trupave të huaja në tokën jugosllave. Unë e dërgova Dik Hollbruk për ta takuar atë për herë të fundit, por edhe Diku nuk mundi ta lëvizte nga vendi.

Në 23 mars, pasi Hollbruku largohet nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, me mbështetjen time të plotë, i kërkoi Gjeneralit Uesli Klark të fillonte sulmet ajrore. Në të njëjtën ditë, me shumicë votash 58 pro e 41 kundër Senati votoi për të mbështetur këtë veprim. Në fillim të muajit Dhoma e Përfaqësuesve kishte votuar 219 me 191 për të mbështetur dërgimin e trupave amerikane në Kosovë në rast se nënshkruhej marrëveshja e paqes…

Ndërsa shumica e Kongresit dhe të gjithe aleatët tanë në NATO mbështesnin sulmet ajrore, Rusia nuk ishte në të njëjtën linjë. Kryeministri Yevgeni Primakov ishte duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me Al Gore. Kur Al Gore e njoftoi se një sulm mbi Jugosllavinë ishte i mundshem, Primakov urdhëroi që aeroplani i tij të kthehej mbrapsht drejt Moskës.

Në datën 24 Mars 1999 unë iu drejtova popullit amerikan për t’i treguar se çfarë isha duke bërë dhe arsyet pse po ndërmerrja një akt të tillë. U shpjegova atyre se Millosheviçi u kishte zhvatur kosovarëve autonominë, duke u mohuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre dhe për t’u vetëqeverisur. Unë iu përshkrova atyre masakrat serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, 60 mijë vetëm në 5 javët e fundit dhe gjithsej një çerek milioni.

Më në fund unë kisha mundësi t’i vendosja ngjarjet aktuale në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte shpallur kundër Bosnjes dhe Kroacisë dhe në ndikimin shkatërrues të vrasjeve të tij mbi të ardhmen e Europës. Fushata e bombardimeve kishte tre qëllime: t’i tregonte Millosheviçit se ne e kishim seriozisht se do të ndalonim një rradhë tjetër të spastrimit etnik, se do të shmangnim një sulm akoma më të përgjakshëm kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë dhe se nëse Millosheviçi nuk do të dorëzohej se shpejti ne do të dëmtonim seriozisht kapacitetin ushtarak të Serbisë.

Atë natë filluan sulmet ajrore. Ato do të zgjasnin për 11 javë, ndërkohë që Millosheviçi vazhdonte të vriste shqiptarët e Kosovës dhe të dëbonte rreth një milion shqiptarë prej shtëpive të tyre. Bombat do të shkaktonin dëme të mëdha mbi infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë. Fatkeqësisht në disa raste ato do t’u shmangeshin koordinatave të përcaktuara dhe do të merrnin jetën e njerëzve që ne po përpiqeshim të mbronim. Disa njerëz arsyetonin se qëndrimi ynë do të kishte qenë më i justifikuar nëse do të kishim dërguar edhe trupa ushtarake nga toka.

Por me këtë argument kishte dy probleme. Së pari, derisa ushtarët të arrinin në pozicionet e tyre, të mjaftueshëm në numër dhe me mbështetjen e duhur, serbët do të shkaktonin një dëm shumë të madh. Së dyti, viktimat civile të një fushate ushtarake në tokë do të kishin qenë shumë herë më të mëdha sesa numri i viktimave si rezultat i bombave të pasakta. Unë nuk u bashkova dot me argumentin se duhej të ndiqja një kurs i cili do të merrte më shumë jetë amerikanësh, pa siguruar shumë bindshëm mundësinë e një fitoreje. Strategjia jonë shpesh do të dyshohej, por ajo kurrë nuk u braktis…

Në prill ndërsa ne kishim shtuar bombardimet në qytetin e Beogradit duke goditur Ministrinë e Brendshme, selinë e televizionit shtetëror serb, shtëpinë e Millosheviçit dhe ndërtesën e partisë së tij, konflikti në Kosovë u intensifikua. Ne gjithashtu shtuam jashtëzakonisht mbështetjen financiare dhe praninë me trupa ushtarake në shtetet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia për t’i ndihmuar ata të përballonin vrullin e madh të refugjatëve.

Nga fundi i muajit, kur Millosheviçi nuk ishte përkulur ende, nga dy drejtime njëkohesisht po vinin kundërshtime ndaj politikës sonë. Toni Bler dhe disa anëtarë të Kongresit mendonin se ishte koha për të dërguar trupa nga toka, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër dërgimit të trupave pa aprovimin paraprak të Kongresit. Unë besoja ende se fushata ajrore do të jepte rezultat dhe shpresoja se mund ta shmangnim dërgimin e trupave nga toka për arsye të ndryshme nga ajo e misionit paqeruajtës.

Në 14 prill i telefonova Boris Jelcinit për t’i kërkuar pjesëmarrje me trupa ushtarake në një forcë paqeruajtëse ashtu si edhe në Bosnje. Shpresoja se një prani rusedo të ndihmonte të mbronte minoritetin serb dhe mund t’i jepte Millosheviçit një mundësi për të shpëtuar fytyrën e tij për kundërshtimet ndaj vendosjes së trupave të huaja…

 

  1. Madlen Ollbrajt dhe Kosova e lirë

 

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt tha në Prishtinë se është shumë e rëndësishme që procesi demokratik në vend të vazhdojë dhe që populli të marrë pjesë në të. Ajo theksoi gjithashtu se të drejtat e pakicave duhet të respektohen, Kosova duhet të ketë mundësinë për të zënë vendin e duhur. Po në Kosovë të hënën u kremtua, dita e deklaratës së pavarësisë së SHBAh me një koncert në Prishtinë, ndërkohë që zyrtarët më të lartë vendas kanë rishprehur mirënjohjen për atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për Kosovën. Ish-Sekretarja amerikane e Stetit Madlen Ollbrajt mbërriti për një vizitë tre-ditore në Prishtinë, gjatë së cilës u takua me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë… Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, e cila drejton tani Institutin Demokratik Kombëtar, u tha gazetarëve në aeroport se do të kalojë kohë me miqtë e saj për të biseduar lidhur me gjendjen në Kosovë për t’u siguruar se ky proces shumë i rëndësishëm shkon përpara. Zonja Ollbrajt tha se ka punuar që ëndrra e popullit të Kosovës të bëhet e vërtetë. Është shumë e rëndësishme që procesi demokratik të vazhdojë dhe që populli të marrë pjesë, që të drejtat e pakicave të respektohen dhe kemi një mundësi që Kosova të marrë vendin e duhur, u shpreh ajo. “Jemi në gjysëm të gjithë kësaj, procesi i statusit të Kosovës dhe do të shohim. Për këtë do të flas me miqtë e mi”, tha zonja Ollbrajt. Gjithashtu të hënën në Kosovë u kremtua 4 korriku, dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Komandanti i sektorit të lindjes, gjenerali amerikan Uilliam Uejd, theksoi në kampin Bondstill në Kosovë se shpreson se parimet mbi të cilat mbështeten Shtetet e Bashkuara, do të shërbejnë si shembull, jo vetëm për popujt e Ballkanit, por për të gjithë popujt e botës. Gjenerali Uejd, i cili foli në një ceremoni theksoi se parimet e Deklaratës së Pavarësisë janë aktuale edhe sot për shumë pjesë të botës. “Le të bjerë kambana e lirisë në çdonjërin pavarësisht racën, ngjyrën ose përkatësinë etnike. Secili le ta shijojë jetën, lirinë dhe lumturinë”, tha ai.

Presidenti Rugova ka uruar presidentin amerikan Bush në këtë ditë, duke falenderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen për Kosovën. Presidenti Rugova theksoi se SHBA-të janë simbol i rëndësishëm për Kosovën dhe për shtetet e tjera të botës…

10 korrik 2005, Zëri i Amerikës.

 

  1. Madlin Olbrajt: Krenohem me ndihmën që i dhashë popullit të Kosovës

 

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madlin Olbrajt me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës është shprehur se pavarësisht se na ndan oqeani, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Sa herë më pyesin se cila është arritja ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës. Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit më të madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë euro-atlantike. Por, për shkak të dashurisë sime të veçantë për Kosovën, kam dëshirë të flaktë t’ju shoh se po përparoni dhe po zhvilloheni në mënyrë të duhur. Përvoja më ka mësuar se zhvillimi politik dhe ai ekonomik janë të pandashëm.

16.02.2018

 

  1. Kur gjenerali amerikan Uesli Klark drejtonte bombardimin e Beogradit

 

Në 24 mars 1999, Usley Clark, gjeneral amerikan dhe pjesë e NATO-s, do të jepte urdhrin për fillimin e bombardimeve në Jugosllavi. Ai besoi fuqishëm se një ndërhyrjee tillë do të ndikonte në uljen e fuqisë së Millosheviqit, pasi Serbia nuk pranonte Marrëveshjen e Rambujesë. Fushata e bombardimeve të NATO-s përfshinte 1000 avionë, disa prej Italisë e Gjermanisë dhe bazave të tyre ajrore dhe aeroplanmbajtëses “Rusvelt” që ishte stacionuar në Detin Adriatik. Të parët që sulmuan ishin Forcat Ajrore Spanjolle. Klark nisi karrierën e tij në 1962, kur u fut në Akademinë Ushtarake të SHBA në Nju Jork. Ai ka marrë Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa ka kaluar 34 vjet në Ushtrinë Amerikane. Fushata e bombardimeve përfundoi me 10 qershor 1999, me urdhrin e Havier Solanës, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO, pasi Millosheviçi ishte pajtuar me kushtet që i kishte vënë komuniteti ndërkombëtar dhe trupat jugosllave filluan tërheqjen nga Kosova.

 

  1. Bombardimet e NATO-s mbi Beogradin, 24 mars-1 qershor 1999

 

Kronikë e agjecisë shtetërore të Turqisë, Anadoli Axhans

Bombardimet ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) zgjatën nga 24 marsi deri më 1 qershor 1999. Kjo ishte ndërhyrja e dytë e rëndësishme e NATO-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë pas bombardimit të pozicioneve të forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës e Hercegovinë rreth Sarajevës dhe në pjesët e BeH-së që ishin nën pushtimin e forcave serbe në operacionin “Forca e Qëllimshme”, të vitit 1995.

Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova. Dëmet e shkaktuara gjatë bombardimit të RFJ-së u vlerësuan në rreth 30 miliardë dollarë ndërsa numri i saktë i viktimave nuk është publikuar, ndërkaq vlerësohet në mes 1.200 dhe 2.500 të vdekur dhe rreth 5.000 të plagosur.

Arsye e fillimit të bombardimit ishin pikërisht zhvillimet në Kosovë, ku që nga viti 1996 kur filluan përleshjet e para në mes forcave serbe dhe shqiptarëve. Bashkimi Evropian në mesin e vitit 1998 zgjeroi sanksionet ekonomike kundër Beogradit për shkak të ndërhyrjes serbe në Kosovë, duke vendosur ndalesën e fluturimeve komerciale të kompanive jugosllave në të gjitha 15 vendet anëtare sa numëronte asokohe BE-ja.

Presidenti i atëhershëm i RFJ-së, më pas i dënuari i Hagës, Sllobodan Millosheviç, u dakordua që të plotësojë pjesën më të madhe të kushteve të parashtruara nga fuqitë botërore për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë, duke potencuar se do të tërheq forcat e tij nga Kosova, siç tha ai, “vetëm pas ndërprerjes së terrorizmit”. Por, në terren, në Kosovë, shkatërrimet e luftës jo vetëm që vazhduan, por ato edhe u intensifikuan.

Masakra në Reçak shënoi kthesën në luftë, pasiqë komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat agresive të Millosheviçit dhe mori vendimin për interevenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës në Ballkan. Diplomati amerikan Richard Hollbuk u takua për herë të fundit me Millosheviçin në mars të viti 1999, ku i ofroi shansin e fundit që të pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, sipas të cilës, Kosovës do t’i rikthehej autonomia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) do të çarmatosej dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s do të vendoseshin në Kosovë. Millosheviçi refuzoi kushtet, gjë e cila çoi në bombardimin e NATO-s ndaj FRJ-së.

NATO fillimisht sulmoi caqet përrreth Beogradit.Një nga caqet kryesore të sulmeve të ashpra të forcave të NATO-s ishte aeroporti i Beogradit në Batajnicë, si dhe caqet ushtarake në komunat Vozhdac, Gorcka, Pançevë dhe fabrika e avionëve Utva si dhe zonat Kovina dhe Kaçareva. Raketat e NATO-s më 23 prill goditën ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), dhe për 24 orë u ndërpre transmetimi i programit. Me këtë rast humbën jetën 16 punonjës të RTS-së. Po ashtu më 7 maj raketat e NATO-s goditën ndërtesën e ambasadës kineze në Beograd, ku jetën humbën tre gazetarë kinezë, gjë që shkaktoi protestën e Pekinit. NATO kërkoi falje, duke theksuar se për çdo gjë fajin e ka harta e vjetër e qytetit të Beogradit dhe se ambasada nuk është qëlluar qëllimisht.

Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kanë realizuar 38.000 fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish dhe Novi Sad. Avionët e NATO-s kanë bombarduar edhe disa caqe ushtarake në Mal të Zi, duke sulmuar aeroportin ushtarak në Podgoricë dhe një objekt ushtarak në Danilovgrad si dhe disa caqe ushtarke midis Tivarit dhe Ulqinit dhe midis Budvës dhe Sutomores.

Në ditët e para të bombardimit të NATO-s në Kosovë u dëgjuan 15 shpërthime, në veri të Prishtinës, si dhe dy shpërthime në Mitrovicë. Po ashtu u godit edhe kazerma në Ferizaj. NATO çdo ditë sulmonte caqet ushtarake në të gjithë ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, duke hedhur raketa ndaj aeroporteve, kazermave dhe qendrave të mbrojtjes kundërajrore. Ndërsa vazhdonin bombardimet e NATO-s mbi caqet në RFJ, në të njëjtën kohë, ushtria e ish-Jugosllavisë përshkallëzoi sulmet e saj në Kosovë. Kështu, më 25 mars 1999 ndodhi masakra në Krushën e Madhe, në të cilën u masakruan 44 civilë shqiptarë ndërsa një ditë më vonë, më 26 mars ndodhi masakra në Suharekë ku u vranë 48 civilë shqiptarë.

Masakra në Izbicë, në të cilën u masakruan 120 shqiptarë ndodhi më 28 mars ndërsa më 27 prill ndodhi ndoshta masakra më e madhe në Mejë, ku u vranë mbi 200 shqiptarë. Presidenti i atëhershëm malazez Gjukanoviç, që në ditën e parë të bombardimve të ish RFJ-së kritikoi “politikën e konfliktit me mbarë botën” të cilën e udhëhiqte presidenti i atëhershëm i ish-Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç. Gjukanoviç kërkoi nga Millosheviçi t’i jepte fund politikës që shkakton viktima të pafajshme dhe kërcënon ekzistimin e shtetit të përbashkët RFJ. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përmbahet nga sulmet e mëtejshme në Jugosllavi, sepse ai pretendoi se problemi i Kosovës nuk mund të zgjidhet me anë të forcës.

Një nga përpjekjet më të çuditshme të Millosheviçit për të dalë nga kriza ndodhi më 12 prill, kur parlamenti jugosllav miratoi vendimin e qeverisë për pranimin e Beogradit në Unionin e Rusisë dhe Bjellorusisë. Në të njëjtën kohë, Millosheviçi i dërgoi një letër presidentit të atëhershëm të Rusisë, Boris Jelcin.Në letër kërkohej zyrtarisht pranimi i RFJ-së në Federatën e Rusisë dhe Bjellorusisë.Megjithatë, Moska nuk u pajtua me idenë, duke theksuar se “së pari duhet zgjidhur situata në Kosovë”. Edhe pse ushtarët e ish RFJ-së vendosën maketa mbi tanke për të mashtruar NATO-n, dëmet megjithatë ishin gjithnjë e në rritje ndërsa nga fundi filluan të bombardojnë edhe stacionet e energjisë në Beograd, ndërsa Millosheviçi më në fund pranoi kushtet e tërheqjes së ushtrisë jugosllave dhe hyrjes së KFOR-it në Kosovë. Kjo njëherësh shënon përfundimin e fushatës së NATO-s më 11 qershor 1999.Rreth 750 mijë shqiptarët e dëbuar u kthyen në Kosovë, por rreth 100 mijë serbë nga frika u larguan nga Kosova.

Me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, Ushtria Jugosllave u tërhoq nga Kosova.

 

  1. Fushata ajrore e NATO-s pa asnjë viktimë

 

Marrë me shkurtime nga IKKZHP

 

Fushata ajrore e NATO-s kundër Jugosllavisë u zhvillua në periudhën 24 Marsi-10 Qershor 1999 ku aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s bënë 38.400 fluturime, mes të cilave në 10.484 fluturime u hodhën gjithsej 26.614 bomba. Kjo fushatë ishte një operacion kompleks, i cili përsosej pandërprerë. Vendimmarrja gjatë fushatës ishte nën ndikimin e vlerësimeve politike të disa prej të shteteve që ishin anëtare të NATO-s. Nevoja për konsensus midis 19 shteteve anëtare të Aleancës, duke i përfshirë edhe anëtaret të reja (Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria) si dhe të ndonjë shtete si Greqia, që historikisht ishte e lidhura me Serbinë, kërkonte përpjekje plotësuese gjatë procesit të vendimmarrjes ushtarake. Kohezioni politik i Aleancës u ruajt gjatë tërë kohës së fushatës, me gjithë disa mosmarrëveshje serioze ndërmjet disa vendeve. Në këtë fushatë, SHBA kreu mbi 60% nga numri i tërësishëm i fluturimeve dhe mbi 80% nga numri i tërësishëm i goditjeve. SHBA po ashtu e kishin rolin kryesor në realizimin e aspekteve më moderne të fushatës ajrore. NATO-ja filloi fushatën ajrore duke llogaritur që qeveria jugosllave pas disa ditësh do të propozonte armëpushim dhe rifillim të negociatave. Si pasojë e kësaj pikënisjeje të gabuar, në mënyrë të pashmangshme pasuan dy probleme të mëdha. Gjatë ditëve të para të fushatës ajrore goditeshin vendqëndrime ushtarake, duke i përfshirë forcat ajrore, mbrojtjen kundërajrore dhe instalimet komunikuese. Ndonëse bombardimet patën sukses që forcat ajrore jugosllave t’i mbajnë të lidhura për tokë, ato nuk arritën ta shkatërrojnë në tërësi mbrojtjen e saj kundërajrore. Pilotët e NATO-s e kishin urdhrin për të fluturuar në mbi 5000 metra për të shmangur kërcënimin e vazhdueshëm nga sistemi i mbrojtjes kundërajrore jugosllave. Pas katër javë bombardimesh, udhëheqja jugosllave ende nuk po jepte asnjë shenjë të gatishmërisë për bisedime. Në samitin e NATO-s në Uashington, 23 prill 1999, udhëheqësit e NATO-s vendosën të vazhdojnë edhe më tutje me fushatën ajrore me intensitet të shtuar, duke e zgjeruar tani numrin e pikave të përcaktuara për t’u goditur edhe në infrastrukturën ushtarake-industriale, si dhenë mjedise të tjera brenda Serbisë. Nga bombardimet u shkatërruan 59 ura (7 vetëm mbi Danub), 9 autostrada (ndër të cilat edhe ajo Beograd-Nish dhe Beograd-Zagreb) si dhe 7 aeroporte. Shumica e transmetuesve kryesorë të telekominikimit udëmtuan, ndërkaq dy të tretat e komplekseve industriale u shkatërruan pothuaja në tërësi. Nga sulmet u arrit të paralizoheshin 70% të kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike dhe 80% të rafinerive të naftës. Në këtë luftë numri i viktimave ushtarake ishte fare i vogël. NATO-ja nuk pati fare viktima nga radhët e veta dhe ky është rasti i parë i shënuar në historinë e luftrave. Në bazë të burimevetë RFJ-së, në luftë kanë vdekur të paktën 600 ushtarë të RFJ-së, nga të cilët 300 janë vrarë në luftë me UÇK-në. Ndërkaq numri i ushtarëve të vrarë të UÇK-së nuk dihet.

 

  1. Marrëveshja e Kumanovës dhe territori i Kosovës ai i vitit 1974

 

Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë i dha fund dhunës serbe në Kosovë, gjatë të cilës mbi 15 mijë njerëz janë vrarë dhe mbi një milion janë zhvendosur, si një parakusht për ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi objektet strategjike serbe. Marrëveshja u nënshkrua më 9 qershor 1999 dhe hyri në fuqi dy ditë më pas; atë e firmosën kreu i KFOR-it Michael Jackson dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq. Pas kësa marrëveshje përcaktohej largimi nga Kosova i të gjitha arsenalit ushtarak e njerëzor, vendosja e një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës dhe e një zone tjetër prej 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk lejonte armatime të rënda dhe ushtri, përveç ushtarëve kufitarë.

Më 12 qershor 1999 në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Solana, më 10 qershor 1999 lëshoi urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, ku në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë vendoset edhe misioni i përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Marrëveshjes dhe rezolutësi parapriu aprovimi i procesit nga Grupi G-8 për paqe në Kosovë ku pëcaktohej: Zyrtarët jugosllavë dhe NATO nënshkruajnë marrëveshje ushtarake-teknike për tërheqjen e forcave serbe; forcat serbe fillojnë tërheqjen me verifikimin e NATO-s dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it hyjnë në Kosovë; NATO pezullon sulmet ajrore dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rezolutën përkatëse.

 

Përcaktimi i territorit të Kosovës

Territori i Kosovës është i përcaktuar me Kushtetutën e RSF Jugosllavisë dhe në kushtetutën esaj të vitit 1974 dhe i paraqitur si vijë administrative në hartë me përpjesë të madhe, të quajtura harta kadastrale. Këto harta janë përpiluara me matje gjeodezike të sakta në të cilën janë kufijtë e parcelave, kufijtë e zonave kadastrale, kufijtë administrativë të komunave dhe kufiri-vija administrative e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të 1974-ës, neni 3, shkruhet se “territorin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e përbëjnë territoret e komunave të tanishme. Territori i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Kuvendit Krahinor”. Shtrirja e territorit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSA Kosovës) shihet në hartën zyrtare të vitit 1974 e cila është edhe tani në zbatim në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës.

 

10.Ibrahim Rugova, njeriu i paqes

 

Nuk ka asnjë dyshim se figura më e konsiderueshme politike në hapësirën e natyrshme shqiptare është Ibrahim Rugova, president i Kosovës, fitues i disa titujve ‘Honoris Causa’ në universitete perëndimore, mbajtës i çmimit ‘Saharov’, senator nderi i Europës dhe një prej figurave më të rëndësishme rajonale që kontribuonte në mënyrë kostante për paqen.

Rugova ka qenë dhe është ideator dhe drejtues i lëvizjes paqësore në Kosovë (president i padiskutueshëm në një votim plebishitar të paradokohshëm dhe kryetar shteti në një proces demokratik), ky personalitet ka bërë përshtypje për orientimin e pandryshueshëm properëndimor dhe për një përpjekje maksimale për të pasur marrëdhënie sa më të ngushta veçanërisht me SHBA, me selinë e Shenjtë të Vatikanit, Izraelin dhe me kancelaritë perëndimore në Bon (më vonë Berlin), Paris, Bruksel etj.

Shkrimtar dhe sidomos studiues i klasit të parë, Ibrahim Rugova do të organizonte të parën lëvizje moderne politike në Prishtinë në 1989, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila u bë e vetmja zëdhënëse e aspiratave kosovare dhe që do të kulmonte në evenimente të rëndësishme me organizimin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese 1990, me përgatitjen e Kushtetutës së Kaçanikut 1990, me organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës më 1991, me zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Republikës së Kosovës 1992 e 1998. I ardhur nga një familje nacionaliste (komunistët jugosllavë i kanë pushkatuar njëheri gjyshin dhe babanë), Rugova do të studionte për albanologji në fakultetin e Prishtinës, ndërsa do të kryente në Francë edhe një vit studime pasuniversitare në fushën e kritikës letrare.

Pas vitit 1994 vërehet një veprimtari e dendur e zotit Rugova: në po këtë vit është doktor i letërsisë në Prishtinë, autor i dhjetra librave dhe shkrimeve publicistike, anëtar i akademisë së shkencave në Kosovë, redaktor në ‘Bota e re’ dhe ‘Dituria’, kryeredaktor në revistën shkencore ‘Gjurmime albanologjike’, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe shumë veprimtari të tjera të sferës intelektuale. LDK, herë si lëvizje dhe herë si front, falë Rugovës arriti të shndërrohej në një parti moderne europiane duke qenë forca kryesore më e votuar në Kosovë dhe që analistët e shohin si favoriten kryesore edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Natyrë koniciane në vështrimin e historisë së hershme dhe të re të shqiptarëve, jo shumë entuziast, me një dukje indiferente deri në mërzi, por përherë i vëmendshëm, Rugova është edhe një prej personazheve politikë më të kërkuar të shtypit më të zëshëm perëndimor. Siç ngjet rëndom në mjediset shqiptare për “të hedhur gurin marran në pus”, pavarësisht se është politikani më i votuar në strukturat e LDK-së dhe në popullin e Kosovës, Rugova jo pak herë ka qenë në qendër të trillimeve dhe të fakteve të pavërteta, të cilat po vetë dhe me indiferencë i ka flakur tutje.

Vlen të përmendet takimi i përfolur me Millosheviçin në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd, kur ai spjegoi në një takim me shqiptaro-amerikanët se gjithçka sa ishin thënë justifikoheshin me gënjeshtërsinë e një prillit, pra se një datë dhe një takim i kryer nën pushtim ishte shumë pak përballë përcaktimit të tij disavjeçar anti-pushtim dhe anti-Milosheviç.

Në një dimension të besueshëm dhe domethënës doli përsëri Ibrahim Rugova në përballjen e drejtpërdrejtë me Sllobodan Milosheviçin në gjyqin e Hagës, siç ishte edhe tepër befasues në një intervistë të para pak kohe në ‘Corriere dela Sera’ ku rrëzoi besueshëm një propagandë që e cilësonte Kosovën si djep të ekstremistëve islamikë.

13 shkurt 2004.

 

Please follow and like us: