Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Bardi i madh i polifonisë së Labërisë, Lefter Çipa!
Pas 18 shkurtit 2021, të gjithëve do të na mungojë poeti dhe bardi i madh i polifonisë labe, Lefter Çipa, ashtu siç do të na mungojë përditësia e këngëve që këndohen në Pilur dhe në të gjithë fshatrat e Bregut, në Himarë, të Lumit të Vlorës, Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet e gjetkë. Lefter Çipa nuk do të jetë mes nesh dhe neve do të na mungojnë shumë gjëra të një shpirti të shkëlqyer që ai na i ka dhënë pa kursim gjatë gjithë jetës, gjëra që janë shndërruar në kënaqësi shpirtërore, në vlera, në kulturë dhe edukatë për brezat. Vargu i tij brilant popullor është kthyer në art, në kujtesë, në komunikimin mes brezave.
Shpirti i Lefter Çipës i përkiste historisë, traditës folklorike,i përkiste njeriut të thjeshtë, njeriut të guximit dhe dijes, i përkiste shpirtit të pavdekshëm të polifonisë së Labërisë, i përkiste gëzimit dhe dhimbjes së njerëzve që e njohën dhe ata që i dëgjuan këngët që thuri ai.
Ikja e Lefter Çipës i ka pikëlluar të gjithë, këdo që e ka dëgjuar dhe e dëgjon polifoninë labe, cilido që e ka dëgjuar dhe e ka takuar atë, pasi ai e bëri kaq të ndjeshëm, kaq madhështor, kaq të dëgjuar dhe të komunikueshëm shpirtin e Bregut dhe të labëve. Lefter Çipa e zbuloi mjeshtërisht dhe me një finesë të përkryer lidhjen e fortë që njeriu i Labërisë dhe i Bregut kishte me këngën labe, këtë krijesë hyjnore të mishëruar në një fisnikëri historike për të cilën kanë shkruar dhe kanë folur të gjithë kronikat e kohës.
Me vargjet e tij në polifoninë labe zbuloi marrëdhënien e jetës me sakrificën historike, zbuloi me një zë të kumbueshëm lidhjen e fortë të njeriut me natyrën, të anë-bregdetasve me detin dhe simfoninë e valëve, të cilat ngjajnë me një refren të përjetshëm në këngën polifonike të Bregut. Ai zbuloi heroizmin, qëndresën, motivet burrërore dhe timbrin baritor të kohëve, zbuloi fytyra dhe karaktere luftëtarësh të paepur, të cilët i kanë dhënë emër dhe histori gjithë trevës së Labërisë, Himarës dhe Vlorës.
Ashtu si bardët e mëdhenj të këngës Labe: Selim Hasani, Mato Hasani, Xhebro Gjika, Tartar Zeka, Ali Dino, Qazim Ademi apo Maliq Lila, Muhamet Tartari, Kujtim Mici, Dule Havari, Hamdi Pulo, Feti Brahimi, Meleq Kapllani, Zaho Balili etj., edhe Lefter Çipa gati gjysmë shekulli, shtegtoi nëpër viset e Labërisë dhe të Atdheut, me këngën e tij polifonike, duke i dhënë asaj përmasa dhe horizonte të reja në zhvillimin dhe kultivimin e saj.
Lefter Çipa ka lënë një trashëgimi jashtëzakonisht të madhe dhe të rëndësishme si poet dhe si bardi më i rëndësishëm i polifonisë labe. Në jetën e tij ka pasur një mori ngjarjesh dhe zhvillimesh personale dhe shoqërore, të cilat ai i shndërroi në perla, në poezi dhe në visare të shkëlqyera, të cilat do të vazhdojnë të shkëlqejnë për jetë dhe mot. Dhimbjet e njerëzve që ai njohu i ktheu në dhimbje të tij, një dhimbje valorizuese dhe kombëtare.
Lefter Çipa ka botuar librat:”Bejkë e bardhë”- 1976, “Shqipëri moj ballëhapur”- 1980, “Dheun tim përsipër mbaj”, 1989, “Bilbilat e vendit tim”- 1990, librin “Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë”-1994. “Për Kosovën prapë do ngrihem”- 1999, tre vëllime me poezi titulluar “Këngët e Akroqeranit”- 2002, “Kënga që tret lotin”- 2002, “Këngët e Ruzanës”- 2004, libri “Flet Princi i polifonisë Leftet Çipa”- 2007, “Engjëj të polifonisë”- 2009, “Princi i dashurisë”- 2010, “Vij nga drita”-2014, “Ëndrra nëpër duar”-2017. Një vend të veçantë në jetën dhe krijimtarinë e tij zë edhe libri rrëfyes gjerësisht për polifoninë dhe burimet që e kanë ushqyer frymëzimin e Lefter Çipës, të titulluar “Ju dua si malli i zemrës”: (vjershërim shpirtëror për polifonët dhe vendin tim, Pilur”) – 2018 dhe botime të tjera, të cilët në vetvete përbëjnë universin poetik dhe vjershëtor të Lefter Çipës si edhe enciklopedinë e shpirtit lirik dhe njerëzor, jo vetëm të poetit Çipa, por dhe të njerëzve që ai ka njohur dhe motivet që e kanë ushqyer këtë krijmtari të gjerësishme.
Lefter Çipa është nderuar “Nderi i Himarës”, por në të vërtetë ai ka qenë dhe mbetet nderi i kulturës, këngës dhe autenticiteti i këngës shqiptare në përgjithësi, ai ishte dhe mbetet nderi i grupeve polifonike të Himarës, Bënçës, Pilurit, Dukatit, Tërbaçit, Vranishtit, Tragjasit, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Kosovës, Maqedonisë, të cilët kanë përfshirë në repertorët e tyre krijimtarinë poetike të Lefter Çipës. Brenda zërit të tij poetik gurgullon edhe zëri i këngëtarëve të shquar: Ermioni Merkuri, Qirjako Bala, Katina Muço, Katina Bejleri.
Bardi i njohur shqiptar, poeti i Bregut thënë ndryshe, ishte dhe mbetet shpirti i anëve të tij ku ai lindi, u rrit dhe u edukua. Poeti Dritëro Agolli, një personalitte i njohur, i cili kishte një lidhje të fortë shpirtërore dhe vlerësuese për Lefter Çipës, ndër të tjera ka shkruar: “Në atë breg shqiptar gurin e lëmuar të detit mund ta quash edhe Lefter Çipa”, ndërsa poeti tjetër i njohur Xhevahir Spahiu, ndër të tjera shkruan: “Në brigjet himariote, rron dhe këndon bardi popullor Lefter Çipa, më i madhi ndër të gjallët dhe ndoshta i fundit me hove dhe shkëndijime të reja të ligjërimit popullor…”. Vlerësime për Lefter Çipën kanë dhënë edhe personalitete të tjera të dijes dhe kulturës shqiptare si: Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Sadik Bejko, Aleksandër Zoto, Anastas Kondo, Afërdita Onuzi, Petro Marko, Fatos Arapi, Beniamin Kruta, Çesk Zadeja, Barjam Lapi, Petrit Ruka, Irini Qirjako, studiues dhe njohës të shumtë të polifonisë dhe krijimtarisë poetike të poezisë së tij, këngëtarë, estetë dhe solistë të polifonisë dhe këngës.
Lefter Çipa, ndryshe është quajtur dhe njihet si “princi i polifonisë”, duke qenë nismëtari i trios së njohur vlonjate, nën firmën, fuqinë artistike dhe shpirtërore të talentit të të cilit, sot fondi i polifonisë dhe këngës popullore në përgjithësi janë kënduar dhe jehojnë në skena, radio, grupe dhe ansamble kombëtare dhe lokale. Nga shpirti, mendja dhe talenti i pashtershëm dhe i padiskutueshëm i Lefter Çipës, ne sot kemi 1250 këngë, një pasuri e jashtëzakonshme, një univers dhe enciklopedi e shpirtit, e cila u është bërë dhuratë brezave dhe trashëgimisë sonë polifonike.
Në panteonin e këngës polifonike dhe atë kombëtare shqiptare, poeti Lefter Çipa ka sjellë poezitë dhe këngët e njohura si : “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “ Këngët e atdheut tim”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito pëllumbesha”, “Hënën e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gurë jeshile”, “N’sokak të ngushtë”, “Shokë, vdeksha nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, “Zonjë e bukurisë”, të cilat përbëjnë një përfaqësim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe fondamental historik, lirik, social, kulturor, lirikë familjare, këngë dashurie, kurbeti, trimërie dhe heroizmi përmes të cilave shpaloset dhe afrohet një komunikim jashtëzakonisht njerëzor dhe social, sikur po lexon historinë, shpirtin dhe jetën e njerëzve të Bregut dhe Labërisë.
Pas kësaj Lefter Çipa nuk do të jetë mes nesh. Uragani i shpirtit njerëzor është ndërprerë, por duke mbetur një meteor në qiellin e polifonisë, duke mbetur një libër i hapur dhe i pambaruar në komunikim, që një poet dhe vjershëtor krijon me njerëzit me të cilët kanë jetuar, duke mbetur një shpirt i madh, brenda të cilit gjetën veten dhimbja dhe gëzimi, liria dhe revolta, dasmat dhe vdekjet, malet dhe deti, emigrantët dhe pulëbardhat, delet dhe tufat, çobanët dhe çobaneshat, vajzat dhe djemtë, nënat dhe burrat, fëmijët dhe etërit, lulet dhe shkëmbinjtë etj.
Lefter Çipa, askush më shumë se një si ai e ka lënë veten mes nesh dhe të ardhmes. Emri i tij është diell dhe dritë në kulturën tonë kombëtare, ndaj bardi ynë i madh “Nderi i Kombit”, do të mbetet i përjetshëm në shpirtin e polifonisë dhe shpirtin e lirë lab. Nën frymën poetike të Naimit dhe De Radës, ai e pasuroi artin polifonik të Neço Mukës, duke e ngjitur polifoninë e Bregut të Detit në skenat e artit evropian. Bardi i madh Lefter Çipa i ngriti një monument madhështor polifonisë labe, ndaj labërit dhe himariotët duhet të ngrenë përmendoren e tij në brigjet e Himarës dhe të Vlorës.
Pilur, 19 shkurt 2021./albspirit.com
http://www.gazetadita.al/bardi-i-polifonise-se-laberise-lefter-cipa/