Iliaz Shehu: Burgu i Spaçit bashkoi dhimbjen shqiptare
Dje ishte Dita e Verës, por ne ishim në cepin më të ftohtë dhe më të errët të shekullit të kaluar, aty ku dielli del vetëm dy orë në ditë, kurse jeta duket sikur mbyllet përjetësisht. Ishim në Burgun e Spaçit.
Shkuam me makinë, por nuk është e lehtë ta përfytyrosh se si kanë shkuar familjarët e të burgosurve atje që nga Repsi, shtatë kilometra në këmbë, dhe se si ka pasur nga ato gra, të cilat kur kanë mbërritur për të takuar burrat e tyre, do të duhej të kalonin nëpër dhomat e komandove.
Ajo rrugë dukej si rruga e fundit, pa kthim mbrapa, e aq më tepër kur këtë rrugë e bën me njerëz që e kanë përjetuar torturën e këtij burgu, njerëz si Bedri Blloshmi, vëllai i Vilson Blloshmit, poetit të pushkatuar nga regjimi dhe Ago Nuhaj, poashtu ish-i burgosur në Spaç apo me njerëz të përndjekur, torturuar dhe internuar familjarisht si Lekë Shtija.
Burgu i Spaçit dhe terreni përreth e bënte vendin të dukej si një hinkë, si një gropë thithëse nga ku s’ka shpëtim, por veç zhdukje, kurse muret dëshmonin torturat e të burgosurve.
Ago Nuhaj u shpreh se sapo e sollën ditën e pare aty, ai pa të dilnin nga miniera e Spaçit qenie që ngjanin si njerëz, të cilët dikur duhej të kishin qenë njerëz, por tashmë dukeshin vetëm ca qenie të kërrusura dhe të këputura, ca sy të përpirë mbi një masë pluhuri prej miniere, pa shpresë, por me një dëshirë për të ikur nga ai vend, qoftë edhe duke ikur fare nga jeta.
Kudo ndjeje të gjallë si sadizmin e gardianit, aq edhe privimin në birucën klaustrofobike, vrima për të burgosurin që në verë shkonte edhe mbi 40 gradë celcius, kurse në dimër deri në -20 gradë celcius. Skaje të largëta, por gjithnjë të pandashme, nga shtazëria e pandjeshme për te vuajtja mpirëse.
Ajo çka na ka bashkuar më së shumti në një histori të përbashkët ka qenë dhimbja. Dhimbja e burgut është një nga ato që na e tregon kahjen.
Burgu i Spaçit bashkoi dhimbjen shqiptare, atë të tortures dhe krimit të regjimit enverist, të treguar nga Bedri Blloshmi, Lekë Shtija dhe Ago Nuhaj, me atë të treguar nga Liburn Aliu, dëshminë e burgjeve dhe torturës që shqiptarët kaluan nën regjimin serb.
Vetëm njohja e dhimbjes së përbashkët na shpie përpara. Plaga është rajoni i ndërgjegjes ku prodhohet rigjallërimi i përbashkët, ndërsa harresa e plagës është vetëm mpakje, shkuarje e ngadaltë drejtë shuarjes.
Vetëm plaga jonë mund të na vetëdijësojë se kemi trup, ndërkohë që trupi ynë kombëtar fiton unitet, ndërgjegje të drejtë dhe kthjelltësi.
Bedri Blloshmi u shpreh se sot e kësaj dite janë mbi 6000 trupa të zhdukur të atyre që regjimi i pushkatoi. Fakti që ata janë akoma të zhdukur flet për dështim të mekanizmave të institucionit, kurse fakti që ata janë zhdukur edhe nga e folura publike flet për shuarje të vullnetit për t’i risjellë ata mes nesh, si emra dhe varre, si mësim dhe politikë e pakorruptuar, përfshirë këtu edhe sjelljen e kujtesës së Burgut të Spaçit në formën e një muzeu të kujtesës kolektive.
15 mars 2021.
Please follow and like us: