Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: DY LIBRA BRENDA SHTRËNGESËS SË “LOCK DOWNI”-it!

Eshtë paradosale të mendosh se, kur është shtrëngesa më e madhe, ndodh që, etja për t’u shprehur, lëvizur a bërë diçka të dobishme,- pasioni e frymëzimi i krijimit letrar e artistik, bëhen edhe më të dukshme, për t’u shpërthyer befas e për t’u fiksuar në letër, në skenë a ne ekran! E prisja (e nuk e prisja!) edhe unë këtë 20 mars, brenda e përreth shtëpisë në Koropi, bile edhe atëhere, kur në “Barangën lëvizëse” mbi rrota mblidhja deri 60 miq e shokë, vija edhe ndonje mish në hell, vetëm e vetëm që të mos i ndjeja më ato dhjetë vite vetmi që më kishin pllakosur dikur! Mirëpo, ja ku erdhi përsëri viti i mbrapsht i vetmisë, mbetur pa njerëz, diku në dhe të huaj, bashkë me “Arëzën” time që nuk më braktisi asnjëherë, me pak lëvizje “fshehtazi” nga Miçotaqi e Rama: në Greqi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, me maskë në fytytë, nga marsi në mars, tek i “bëja bisht” Pandemisë me rregulloren e saj strikte!… Realisht, i respektoj parimet, rregullat, sidomos etikën. Po njeriu duhet të jetë vetvetja! T’i dëgjojë edhe më të mëdhnjtë e “Dijes Universale” si,- bie fjale, Ajnshtajnin,-i cili thoshte se: “Ti je Zot i Jetës tënde dhe vendos ti se ç’duhet të bësh…Përballo çdo ditë sikur të ish e fundit për të dashuruar, gëzuar dhe për të bërë gjithçka,-kjo do të ndihmojë të ndihesh më mirë”!… Kështu që, fatlumërisht, tre festivale teatrore i ndoqa, ca miq zemre i takova , disa shkrime e tregime i hodha në internet, si edhe dy libra i krijova dhe i botova! Dhe, arrita që, pa e shpallur ende Fb. ditëlindjen time, të bëjë edhe vaksinën Pfaizer. Kështu që më duket se i’a hodha atij “Qerata Covidit” me numër 19! Pa le të më qërtoj miku im Bregas, Papagjoni që e bëra spektakulare këtë, si të isha Miçoja i këtueshm, Presidenti i Amerikës dhe i Turqisë! Hahahahaha…
E, ja ku i kam tani përpara meje të dyja botimet e mia:”10+1. Portrete Artistësh”, me shënime kritike e memorialistikë njëherësh, si edhe “Një natë e ndyrë”, me Letërsi,-brenda periudhës së shtrëngesës! Edhe kjo, si një natë e tmerrshme dhe e gjatë! “Presa e Fuqishme” e kohës së murtajës, të mbyll brenda, të kufizon lëvizjet, shikimin, ngjyrat, marrëdhëniet, lojrat e grupimet, si edhe vendos rreth teje ca “hekura burgu”, si dikur e njëherë moti, po kësaj rradhe të padukshme, vdekjeprurëse… Nuk e besonim kurrë se do të ishte kështu! Mirëpo truri punon akoma, fantazia bredh, njeriu rrëshqet gjithsesi edhe kundër “rrymës” e “rregullave të ngurta”, po edhe kujtesa qarkullon mrekullisht. Si pasojë, ja tek më erdhën të dyja botimit që munda t’i nxjerrë, jo pa sakrifica të mëdha, me pensionin tim të varfër. I pari,-kushtuar ish studentëve të mi të dikurshëm, të cilët, -sikundër më tha regjisori e ish-drejtori i Teatrit Kombëtar Gëzim Kame, i “kam ndjekur me të njëjtin sy dashurie, qysh kur ishin studentat e mi e deri tani që u mplakën, bashkë me mua edhe ata”, nëpërmjet skenës, ekranit e jetës reale. Dhe i dyti “Një natë e ndyrë”,-libër me tregime e rrëfime të zgjedhura, disa syresh: marrë, ripunuar e rifreskuar, prej pesë librave të mia të mëprshëm me krijime letrare (tregime, novela e romane, prej vitit 1995-2021), si edhe me disa krijime të tjera të mëvonshme e të pabotuara më parë,-kushtuar të dyja proçeseve shoqëroro-politike e individuale, duke vënë kështu edhe “kufirin ndarës” me të djeshmen e hidhur. Simbol i një nate gjysmëshekullore, mbrritur gjallë e mirë, deri në ditët e sotme… “Miho Gjini,-komenton shkrimtari Faruk Myrtaj,-ka luksin e madh që ka shkruar përmes privimeve të jetës dhe ashtu ka zbuluar veten si njeri. Artisti e di që kjo botë nuk ka nge ta verë re atë, por atij i mjafton Natyra, asaj s’ka ç’i bën Njeriu i ri! Artisti ngjiz prej shpirtit në zaval të pafaj, është vetëdija humane e arritur duke dhuruar dashuri. Në këtë rast, këto faqe të pashembëllta…”.
Nuk mund të thuash që, këto dy botime, i solli vetëm Covid 19-ta, në shtrëngesën e mbylljes së Pandemisë, kur je i ndarë me “Botën Tënde” nga “Bota e Madhe”, po edhe i asaj ndihmese bujare e frymëzuese, nga “të ngujuar” të tjerë krijues, miqë të mi që shkruan reçensa, parathënie e pasthënie, si edhe që bënë pa asnjë shpërblim redaktime, korrektime, ilustrime e faqosje, pikërisht në këtë kohë Pandemie të gjatë, ende të pambaruar, kur duket sikur “ta kanë hequr fillin” fare!… Falenderimi e mirënjohja e thellë, kësaj rradhe, u takojne miqëve e kolegëve të mi te nderuar: Filozofit Përparim Kabo, Prof. Dr. Josif Papagjonit, Shkrimtarit e Publiçistit Faruk Myrtaj, Redaktorit Çerçiz Loloçi, Gjuhëtarit e Fabulistit Vasil Gjivogli, piktorëve Leonidha Bullgari e Irina Hysi, Korrektores e Faqosëses Mirela Mihali dhe Sh.B. “ENEA”. Pa harruar të falenderoj edhe mikun tim , gazetarin Artur Bibe, gjithmonë i gatshëm, për të më sjellur deri këtu, kopjet e para të librave, me Linjën e tij të autobuzave “Top Lines” që nga Tirana!Të dyja librat ndodhen tani tek Libraria e Zonjës Arta Zeneli në Tiranë, përbri monumentit të Mbretit të dikurshem, ku janë “takuar” edhe libra të tjerë të mi, me shpresë se do të gjënden akoma lexues e te interesuar, apo të dashuruarit e fundit të librave, si anti-viruse paralele në vetmin e përbashkët! Gjithsesi është edhe “udha e lashtë postare” për t’i siguruar ato,”të dashuruarit e librave”, nëpërmjet telit 0030.6983476456 dhe e mailit mihogjini@gmail.com… Falenderime të pafundme… I juaji Miho Gjini,-person i duruar dhe i vaksinuar.
(I ndodhur përsëri në rethana LOCK DOWNI, në periferi të Athinës, mars 2021).
Please follow and like us: