Rexhep SHAHU: MESAZHE FISNIKËRIE TË DEPUTETIT FLAMUR HOXHA NË KUKËS
Kryesuesi i listës së deputetëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit, Flamur Hoxha, me kandidatët e tjerë dhe drejtues lokalë të PD, Isuf Çelaj, Arif Rexhmati, Admir Sinamati, Myftar Dauti, Vjollca Vata Omuri, Shyrete Koka, Festim Mazrreku, Sokol Dida, ditën e parë të çeljes zyrtare të fushatës së zgjedhjeve nacionale politike në Kukës, shkuan dhe heshtën pak minuta para bustit të poetit Havzi Nela, i ekzekutuar me varje në litar në Kukës me 10 gusht 1988, pasi kishte bërë mbi dy dekada burg e internim.
Heshtje, nderim e premtim para Havzi Nelës, startim special dhe i bukur i fushatës politike. Tubime, takime elektorale, premtime, përqafime, fjalime bëhën përditë e kudo, por si ky aktivitet e solemnitet te busti i Havzi Nelës bëhën rrallë se gjërat e bukura ndodhin rrallë.
Vështirë të ketë çelje të fushatës elektorale në mënyrë kaq fisnike e domëthënëse sa e bëri deputeti Flamur Hoxha me ekipin e kandidatëve të PD për deputetë në Qarkun e Kukësit që bashkarisht shkuan para bustit të poetit të varur Havzi Nela dhe u përshëndetën me të.
Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo gjë, ky gjest i lartë moral, politik e qytetar njëherësh. Edhe se nuk ka qenë busti por edhe se ka munguar vullneti politik. Tani nuk mungoi vullneti politik.
Deputeti Flamur Hoxha, të cilit regjimi komunist ia ka pushkatuar gjyshin në Kukës, rreth 13 vjet para se ta varnin në mënyrë makabre poetin Havzi Nela dhe kufomën e tij ta varrosnin duke e ngulur në këmbë në një gropë të hapur shtylle elektrike dhe kokën t’ia zhduknin, mbase doli tepër gropës së shtyllës… për shkak të cilësive e ndjeshmërive të larta njerëzore, është ai që ka mbështetur financiarisht botimin për herë të parë të veprës së plotë të poetit martir Havzi Nela me titullin “Shtatë Fletore me 5548 vargje” botim anastatik, në 30-vjetorin e varjes së tij, ka mbështetur librin “Shkrimtarët për Havzi Nelën – shpirti i lirë i Lumës”, ku kanë shkruar ekskluzivisht për të 58 shkrimtarë shqiptarë, ka mbështetur numrin special 14 të “illz, revistë letrare e Tiranës” me 500 faqe, kushtuar Havziut dhe shkrimtarëve martirë të gjithë botës, pjesërisht librin “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” dhe pelegrinazhin e shkrimtarëve në Kollovoz te shtëpia e poetit martir Havzi Nela që e ndërtoi bashkia e Kukësit për shtëpi muze.
Flamur Hoxha është një kontributor i pakonkurueshëm për njohjen e lartësimin e Havzi Nelës poet se ia ka sponsorizuar botimin e veprës dhe ndaj i ka hije qëndrimi pranë Havziut bashkë me kolegë. Por edhe për kontributin e tij të fokusuar për të kujtuar e ndriçuar shkrimtarët e pushkatuar nga regjimi komunist dhe të vdekur në burgjet e diktaturës komuniste.
Si për veprën e Havziut, Flamuri ka sponsorizuar edhe botimin e veprës së Vilson Blloshmit e Genc Lekës, poetë sivëllezër të Havziut nga Librazhdi, të pushkatuar nga partia komuniste por dhe pelegrinazhet e shkrimtareve shqiptarë si tek shtëpia e Havziut në Kollovoz edhe tek shtëpia e poetit të pushkatuar Trifon Xhagjika në Peshtan të Tepelenës, tek shtëpitë e poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi në Berzhestë të Librazhdit, tek rrënoja e shtëpisë së poetit Genc Leka po aty dhe në Fishtë të Lezhës tek shtëpia e Homerit shqiptar, Gjergj Fishta. Veprime e gjeste të rralla humaniteti këto që bëjnë diferencë për deputetin Flamur Hoxha, të cilin me të drejtë shkrimtari i madh Zija Çela e quan “deputet i letërsisë”.
Gjesti apo aktiviteti special ku Flamur Hoxha me bashkëpunëtorë politikë janë përshëndetë me poetin martir, Havzi Nela, është art, është politikë, është qytetari, është gjetje speciale, mençuri, mirënjohje, frymëzim. Drejtuesi politik i Qarkut Kukës, deputeti me bashkëpunëtorë u përshëndetën me të vetmin poet të varur të botës, me antikomunistin më të pandreqshëm shqiptar që si rrallë kush në gjyq guxonte dhe thoshte, nuk ju dua ju, dhe për diktatorin Hoxha thoshte se, ai është e keqja e shqiptarëve.
Çdo qytet a kryeqytet i botës po ta kishte bustin e një poeti të ekzekutuar me varje nga regjimi komunist, do ta kishte nder e privilegj dhe vendndodhjen e bustit të tij do ta shndërronte në vend pelegrinazhi e adresë të veçantë në hartën e tij morale. Kukësi e ka këtë fat që i erdhi nga fatkeqësia.
Pranë bustit të Havzi Nelës kanë kaluar mijëra e mijëra njerëz, përsonalitete e figura të fushave të ndryshme të politikës, artit, shkencës etj etj. Janë përshëndetë ose jo me Havziun. Kanë bërë ose jo foto me Havziun. Shpresoj e besoj se Flamur Hoxha do ta vrasë frikën e ligësinë e njerzve edhe të politikanëve, frikë që ende sillet rrotull Havziut i cili nuk gradon askënd, por të frymëzon dinjitet e trimëri.
Havziu nga atje lart ku është në piedestal na sheh i qetë. Ai nuk ka inate, ai nuk urren, ai na do të gjithëve. Ne në tokë sillemi rreth tij e vetes dhe nuk guxojmë kurrë të bëhemi si ai. Ne e shumta mund të vritemi e theremi me fjalë e thika për një post, mund të shitemi për një karrige, mund të shtiremi se bëjmë politikë më të madhe se Havziu, mund të zemërohemi me tjetrin që është më i zoti se ne pasi nuk e durojmë dot më të zotin.
Por ne nuk jemi të zotët me vdekë për fjalën, për mendimin, për idenë siç ishte i zoti Havziu. Nuk është e lehtë me vdekë me dinjitet siç vdiq ai, nuk është e lehtë me meritue vdekjen dinjitoze. Ndaj Havziu vazhdon e na mëson dhe Flamur Hoxha me bashkëpunëtorë shkuan e heshtën me nderim e mirënjohje para Havziut duke nderuar veten e tyre, ne dhe gjithë të pranishmit.
Please follow and like us: