Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Jorgji Kote: Libër dëshmi e dështimit të diplomacisë së detit!

Si gjithmonë, çdo libër i ri nga Mjeshtri i Madh i diplomacisë, gazetari dhe analisti i mirënjohur Shaban Murati përbën ngjarje me jehonë publike. “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” plotëson, përforcon, zgjeron, përditëson dhe konfirmon tematikën përvëluese të diplomacisë sonë të detit dhe dështimit të saj, të cilën e ka shtjelluar dhe më 2018 te “Çështja e  paqenë e detit”. Dhe në këtë botim të ri cilësor, Shaban Murati  e  “çimenton” me fakte/argumenta tërësore nga fusha ekonomike, sociale, politike, ushtarake dhe diplomatike përvojën e pasur “në terren”, si ish-ambasador dhe drejtor i rëndësishëm në MPJ dhe për një periudhë gati 50 vjeçare si gazetar i fushës. Ndaj, dhe kur mund të kesh rezerva, hezitime, apo dhe ndonjë kundërshtim për ndonjë ide ose përfundim, probleemi është se nuk ke si ia bën me realitetet “kokëforta” që ai përshkruan me vërtetësi, pa tabu, drojë dhe paragjykim.

Me theks të veçantë evidentohet dhe këtu shqetësimi i dokumentuar mbi  anashkalimin e Protokollit të Parisit më 1926 për kufijtë detarë me Greqinë dhe sidomos “yryshit” diplomatik në dekadën e parë të vitit 2000, duke ndryshuar dhe emërtimin e Marrëveshjes me Greqinë e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 2010. Autori bën mirë që i përsërit, sidomos  për ata që nuk e dijnë dhe si kujtesë për qeverinë pas vitit 2013, që të nxirrte mësimet nga pësimet. Për fat të keq, dhe Detit Jon, ajo “në vend t’i  vinte vetullat, i nxorri sytë”.

Në libër kalojnë si në lupë bisedimet e bujshme në Kretë dhe në Korçë, ngut i habitshëm i qeverisë sonë për ta nënshkruar marrëveshjen e re që demek do të ishte më e mirë se ajo e vitit 2009 me rastin e Pashkëve 2018 në Korçë! Fati dhe aleatët ndihmuan që të shmangej ajo ndodhi e turpshme.

Libri konstaton me shqetësim të madh se dhe negociatat gjatë periudhës 2017- 2018, gjithsesi tejet të vonuara praktikisht shkonin në të njëjtat linja me ato të Marrëveshjes 2009, ndonëse të kamufluara dhe të retushuara me makiazh diplomatik. Koha përgënjeshtroi gabimin trashanik të diplomacisë sonë, e cila i “futi të gjitha vezët në një shportë” me “Pakon” tërësore dypalëshe; me synim utopik zgjidhjen e problematikës komplekse ulëritëse me “metodën e aksionit” por që vetëm në diplomaci nuk ecën. Për pasojë, ne nuk siguruam pothuajse asgjë thelbësore nga  diplomacia “toptan pazar” siç e etiketon autori, por vetëm “fjalë të mira dhe gurë në trastë”. Sa për njohjen e lejeve të drejtimit dhe të vulës apostilje, këto teknikalitete janë realizuar me kohë dhe nga vende të tjera më të largëta e jo më me Greqinë fqinje!

Po heqja e gjendjes së luftës? Po çështja Çame që nga “prapa liste”  u hoq fare nga “defteri diplomatik”. Ndërsa Greqia “ka marrë pjesën e Luanit” – varrezat, të drejtën e “vetëvendosjes” së pakicave, çështjen e pronave të tyre, etj. Madje, këto të fundit u shtuan si dy kushte dhe për çeljen e negociatave; ato do të na ndjekin si hije dhe kur me shpresë të ketë përfunduar “Odiseja e detit”.

Vetëm  kur zgjedhjet e 25 Prillit po trokitnin te porta dhe kur “ nuk mbante më ujë pilafi”, qeveria u  dorëzua dhe ra dakord për ta dërguar dosjen e detit në Hagë. Veçse pa informim publik paraprak, pa konsultim me Presidentin, me Komisionin e Jashtëm të Parlamentit, ekspertët, etj. Me të drejtë autori e quan dështim diplomatik kur nuk gjen dot rrugëdaljeje dhe zgjidhje politiko-diplomatike me një vend fqinj, aleat në NATO e në BE si Greqia dhe e transferon atë në  arbitrazhin ndërkombëtar. Edhe pse dihet se diplomacia është kanali i fundit për zgjidhjen e një problemi, përpara drejtësisë dhe luftës në formate të ndryshme.

Në vijim, nuk do shumë mend për të kuptuar se Haga, si “ kryeqyteti i drejtësisë” botërore nuk është një  “fjalë goje”Përkundrazi, ajo bart shumë të panjohura dhe pikëpyetje delikate, pa “dhimbje koke” dhe përgjigje të sigurta. Sepse kurrkush nuk thotë dot sa vite duhen që ajo të japë vendimin e vet, ca më tepër kur ende nuk dihet se kur do të çohet dosja atje. Veç kësaj, Haga nuk mund të kompensojë dhe zëvendësojë ndjeshmëritë, vullnetin, debatet dhe kundërshtitë politike, publike dhe akademike në të dy vendet tona; ajo vetëm do gjykojë se cila palë ka të drejtë dhe për cilat aspekte konkrete të diskutueshme. Të dyja palët do të  parashtrojnë në dokumentin e përbashkët ankesat dhe kundërshtitë përkatëse, duke shpjeguar përse nuk u bë e mundur zgjidhja e tyre me mirëkuptim dhe me mjete të tjera të brendshme juridike. Le të rikujtojmë me këtë rast se normalisht, në Hagë do të duhej të ankohej njera ose tjetra palë mbi një marrëveshje konkrete të përfunduar; si bie fjala po të ishte dërguar Marrëveshja e vitit 2009.

Ndërsa tani do të kemi një dokument “sui generis” me konsensusin e të dyja palëve, pasojë kjo e paaftësisë për t’i zgjidhur me mirëkuptim dhe me instrumentat dypalëshe politike dhe juridike. Veç kësaj, përpara Hagës, ky dokument do të  duhet të kalojë në të gjitha etapat e brendshme ligjore. Mirëpo, a ka një projekt marrëveshje ose dokument të tillë juridik? Nëse po, kur dhe si do të paraqitet në Hagë? Po Kuvendi dhe Presidenti, a do thonë fjalën e tyre? Deri tani askush, veç dikujt në qeveri nuk ka dijeni për një draft të tillë, çka e bën çështjen dhe më enigmatike.

“Katalogu” i të panjohurave për këtë dokument vazhdon me pikpyetje të tjera jo më pak shqetësuese – cilat pika të mosmarrëveshjeve do të çohen në Hagë? Si dhe pse u arrit deri aty? Po sikur, të ndodhë që pala greke të këmbëngulë për të përfshirë aty dhe aspekte të Marrëveshjes së anulluar të vitit 2009 si do veprohet? Më tej, veç çështjeve ku ndahen, po pikat e tjera ku ka dakordësi midis palëve dhe si u shkua deri atje dhe kush do të thotë fjalën e fundit, përpara Hagës? A nuk duhet sërish një diskutim me ekspertë, akademikë, etj përpara se të thonë  fjalën e fundit Kuvendi dhe Presidenti i Republikës?

Ja pse, përpara  Hagës “do të rrjedhin shumë ujra”; ndaj, kjo dosje do “qepur dhe kopsitur” në Tiranë dhe në Athinë, sipas të gjitha procedurave politike, diplomatike dhe juridike. Mirëpo kjo kërkon kohë, punë dhe demarshe të shumta në të gjitha anët dhe nga të dyja palët, sidomos nga ne, për shkak të ndjeshmërisë së madhe publike dhe mungesës totale të konsensusit. Ndoshta kjo e ka nervozuar Kryeministrin Rama që Tetorin e kaluar thumboi  “patriotët e detit” në prani të homologut grek. Në fakt, këta të fundit nuk ka përse stigmatizohen, por vetëm të përgëzohen dhe inkurajohen me konsulencën, oponencën dhe  mbështetjen e tyre. Ishin këta “patriotë deti” ku bën pjesë dhe autori i librit  që kundërshtuan dhe nxitën dërgimin e Marrëveshjes së vitit 2009 në Gjykatën Kushtetuese; ata janë ekspertë, profesorë, gazetarë, akademikë, aktivistë shoqërorë dhe qytetarë që e duan po aq, madje dhe më shumë  vendin e tyre.

Së fundi, çdo analizë objektive e problematikave dhe pikpyetjeve të lartpërmendura i japin të drejtë Ambasadorit Shaban Murati, i cili ka kundërshtuar  fort  referimin e  “Detit Jon” në “Detin e Veriut” në Hagë. Sepse, nisur nga përvoja e saj e gjatë me këto “mesele gjyqësore”, kjo ka shumë të ngjarë të “çojë ujë në mullirin grek” duke zhvleftësuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese 2010 e duke na hapur telashe të tjera të mëdha.

Ja pse, dosja e nxehtë e detit mbetet një  “zile e fortë zgjimi” për politikën dhe qeverinë e re pas 25 Prillit, për të çbërë ose të paktën për të shmangur efektet e dështimit të diplomacisë sonë të Detit Jon gjatë këtyre 8 viteve të fundit./gazeta dita

Libri i ri i Shaban Muratit “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, një enciklopedi për diplomacinë shqiptare dhe jo vetëm

Please follow and like us: