Geron Kamberi: PAK HISTORI MBI VAKSINAT NË KËTË KOHË VAKSINIMI
Në këtë periudhë fjala vaksinë është fjala më e përmendur, më e përdorur dhe mbase më e klikuara në internet… Emrat të tillë si Pfizer, Astrazeneca, Moderna, Sinovac, Sputnik etj kanë zëvendësuar gjatë kësaj kohe në ligjërimin e njerëzve markat e famshme të rrobave, makinave apo celularëve. Ndoshta pak histori sesi njerëzimi erdhi tek kjo fjalë do të na bënte të kuptonim atë më mirë…
CILI ËSHTË KUPTIMI I EMRI “VAKSINË” DHE KUSH E SHPIKU?
Vaksinimi është procesi i bërjes së një vaksine, kryesisht përmes injeksionit, në mënyrë që të ndihmojë sistemin imunitar të njeriut që të zhvillojë mbrojtje nga një sëmundje infektive. Imunizimi u quajt vaksinim sepse fjala vaksinë kur doli fillimisht ishte e lidhur me virusin e lisë që prekte lopët (nga fjala latine: vacca ‘lopë’). Epidemia e lisë ishte një sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse që transmetohej nga kafshët (kryesisht gjedhët si lopët) duke shkaktuar vdekjen e 20-60% të të rriturve dhe mbi 80% të fëmijëve që infektoheshin nga ky virus. Vaksina e lisë, që nxorri për herë të parë në fjalor termin vaksinë, u shpik në 14 Maj 1796 nga mjeku anglez Edward Jenner, (17 Maj 1749 – 26 Janar 1823) që ishte një mjek dhe shkencëtar anglez. Termat vaksinë dhe vaksinim rrjedhin nga Variolae vaccinae (lija e lopës), një termi që u propozua nga Jenner për të treguar linë e lopës. Ai e përdori për herë atë në 1798 në një titull të gjatë të quajtur ‘Analiza e lisë së lopës’ ( anglisht: Inquiry into the Variolae vaccinae known as Cow Pox), në të cilën përshkroi efektin mbrojtës të lisë së lopës kundër lisë së vogël që shfaqej tek njerëzit. Mjeku dhe shkencëtari angleze Eduart Jenner (17 Maj 1749 – 26 Janar 1823) shpesh quhet babai i imunologjisë dhe puna shkencore e tij thuhet se ka shpëtuar më shumë jetë njerëzish sesa puna e çdo njeriu tjetër. Në kohën e Jenner, epidemia e lisë vrau rreth 10% të popullsisë apo arriti edhe deri në 20% në qytetet e mëdha ku infeksioni përhapej më lehtë. Në vitin 1821 ai u emërua mjek pranë oborrit mbretëror të mbretit anglez George IV (12 Gusht 1762- 26 Qershor 1830) dhe gjithashtu u bë kryetari i Bashkisë së Berkeley në rajonin e Gloucestshire në Angli. Si shkencëtar, mjek dhe zoolog ai ishte anëtar i Shoqatës Mbretërore( Royal Society), apo siç njihej Shoqata Mbretërore e Londrës për Përmirësimin e Njohurive Natyrore (The Royal Society of London for Improving Natural Knowledge), u themelua më 28 Nëntor 1660 dhe është një shoqatë shkencëtarësh në rolin e Akademisë Kombëtare të Shkencave të Mbretërisë së Bashkuar (UK). Ajo konsiderohet si institucioni më i vjetër shkencor kombëtar në botë. Në vitin 2002, mjeku dhe shkencëtari anglez qe shpiku vaksinen e parë Eduart Jenner (17 Maj 1749 – 26 Janar 1823)u listua në bazë të një ankete të BBC-së si një nga 100 Britanikët më të Mëdhenj (100 Greatest Britons) në historinë e Anglisë.
SI U ZHVILLUAN DHE U KRIJUAN PROGRAMET E VAKSINIMIT?
Për të eleminuar rrezikun e shpërthimit të disa sëmundjeve, në kohë të ndryshme qeveritë dhe institucionet e tjera kanë përdorur politika që kërkojnë vaksinim për të gjithë njerëzit. Pas eksperimentit të tij me vaksinën e lisë në vitin 1798 , mjeku anglez Eduart Jenner botoi një artikull me titull ‘Analize mbi shkaqet dhe efektet e vaksinave” (Inquiry into the Variolae vaccinae known as Cow Pox) që ngjalli një interes të gjerë. Pavarsisht polemikave brenda rrethit të mjekëve që kundërshtuan fillimishr apo edhe kundërshttimeve nga aspekti fetar, pasi po përdorte një material nga një kafshë për ta futur në trupin e njeriut, studimi i tij deri në vitin 1801 u përkthye në gjashtë gjuhë të ndryshme dhe deri në atë kohë u vaksinuan mbi 100,000 njerëz . Termi vaksinim u krijua në vitin 1800 nga kirurgu amerikan Richard Dunning (04 Prill 1772-22 Qershor 1853) përmes botimit të librit të tij ‘Disa vëzhgime mbi vaksinimin’, (Some observations on vaccination), ndërkohë që ai ishte edhe themeluesi i Bibliotekës Mjekësore të Bostonit (Boston Medicial Library).
Pas vaksinës së lisë mjeku anglez Eduart Jenner, Britania filloi një fushatë të gjerë vaksinimi, veçanërisht në kolonitë e saj ku ky virus ishte përhapur në mënyrë të madhe siç ishin fushatat e vaksinimit në vitin 1802 në Bombei të Indisë nga mjeku skocez Helenus Scott (12 Qershor 1760- 07 Tetor 1821) që i shkruante kryeredaktori të gazetës Bombay Courier, se “tani e kemi fuqinë tonë t’u pohojmë të gjithëve përfitimet e këtij zbulimi të rëndësishëm në çdo pjesë të Indisë, ndoshta Kinës apo dhe gjithë botës lindore”. Deri në vitin 1807 britanikët kishin vaksinuar më shumë se një milion indianë dhe të Sri Lankës kundër virusit të lisë. Pas një epidemie të lisë në vitin 1816, edhe Mbretëria e Nepalit urdhëroi vaksinimin e popullsisë me vaksinën e lisë duke kërkuar nga veterineri anglez William Moorcroft (24 Mars 1767-27 Gusht 1825) i Kompanisë se Indive Lindore, të ndihmonte në fillimin e një fushate vaksinimi. Si rrjedhojë e kësaj fushate vaksinimi kundër lisë edhe në shumë vende të tjera europiane filluan të miratohen ligje të posaçme për të nxitur vaksinimin e popullisisë e veçanërisht të fëmijëve siç ishte Prusia (1810), Suedia( 1816) Hanoveri( 1820).
Pas një epidemie të lisë në vitin 1837 që shkaktoi 40,000 të vdekur, qeveria britanike filloi një politikë të përqendruar të vaksinimit, duke filluar me miratimin e Ligjit apo Aktin e Vaksinimit të vitit 1840, i cili parashikonte vaksinimin universal dhe që u pasua me një sërë ligjesh të tjera të miruatuara përgjatë gjithë kësaj periudhe ku përfshiheshin Ligjet për Vaksinat të vitit 1853, 1867 e 1898, ndërkohë që për herë të parë në vitin 1852 Britania e bëri vaksinimin të detyrueshëm. Edhe Akti i Vaksinimit 1853 e bëri të detyrueshëm vaksinimin kundër virusit të lisë në Angli dhe Uells, çka ishte rrjedhojë e shpërthimit të një pandemie të rëndë të virusit të lisë në Britani gjatë viteve 1851 dhe 1852. Megjithë rezistencën që ka patur në SHBA kundër vaksinimit të detyruar në fillimet e tij por edhe më pas, në vitin 1905 Gjykata e Lartë e SHBA në çështjen Jacobson kundër shtetit të Massachusetts vendosi që ligjet e miratuara nga shtete të ndryshme në SHBA mund të kërkojnë vaksinim të detyruar për të mbrojtur publikun nga sëmundjet e rrezikshme ngjitëse. Megjithëse Shtetet e Bashkuara kishin nivelin më të ulët të vaksinimit midis kombeve të industrializuara në fillimin e shekullit të 20-të, në këtë vend ligjet e vaksinimit të detyrueshëm filluan të zbatohen pas Luftës së Dytë Botërore. Një nga nismat që nxiti vaksinimin masiv në të gjithë botën ishte krijimi dhe më pas iniciativa e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1959 që bëri thirrje për zhdukjen e lisë në të gjithë botën, duke qenë se virusi i lisë ishte akoma i pranishëm në 33 vende. Sipas OBSH-së në vitin 1966 ende kishte rreth 100 milionë raste të infektuara me virusin e lisë në të gjithë botën, duke shkaktuar afërsisht dy milionë vdekje në vit. Në vitin 1977 OBSH regjistroi rastin e fundit të infeksionit me virusin e lisë dhe falë këtij procesi të gjatë e masiv vaksinimi në vitin 1980 OBSH shpalli zyrtarisht fundin e epidemisë së lisë në të gjithë botën.
Nga ana tjetër në vitin 1974 OBSH pohoi objektivin për të realizuar deri në vitin 1990 një process vaksinimi universal për të mbrojtur fëmijët nga gjashtë sëmundje infektive të parandalueshme, siç ishin fruthi, poliomieliti, difteria, kolla e mirë, tetanozi dhe tuberkulozi. Në bazë të statistikave të OBSH në vitet 1980 vetëm 20 deri në 40 për qind e fëmijëve në vendet në zhvillim ishin vaksinuar kundër këtyre gjashtë sëmundjeve. Ndërkohë fruthi duke qenë një virus shumë ngjitës kishte nevojë për një normë vaksinimi prej 100 për qind për të kontrolluar sëmundjen. Nga ana tjetër, OBSH theksonte se pavarësisht dekadave të vaksinimit në masë të poliomelitit, ai mbetet ende një virus kërcënues në vende të tilla si India, Nigeria, Somalai, Nigeri, Afganistani, Bangladeshi dhe Indonezia dhe çrrënjosja e tij ishte e mundur vetëm nëse përmirësohej gjithashtu furnizimi me ujë të pijshëm dhe higjiena në vendet e varfëra. Në këtë kuadër të politikave të vaksinimit masiv pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1950 një përparim i madh në fushën e shëndetit publik u konsiderua vendosja e një vaksine të kombinuar të quajtur vaksina e DPT-Difterisë, Pertusis (kollës së mirë) Tetanoz. Por gjatë fushatave të vaksinimit që zgjatën me dekada, vaksinat e DPT u shoqëruan me raste të shumta të efekteve anësore. Pavarësisht vaksinave të përmirësuara të DPT që dolën në treg në vitet 1990, ato u vendosën në qendër fushatave anti-vaksinë në vendet e pasura. duke shkurajuar vaksinimin nga individë të ndryshëm. Por politikat e vaksinimit masiv për të parandaluar epidemitë ende kanë një vëmendje të madhe në ditët e sotme.
SI LINDËN DEBATET PËR EFEKTET E VAKSINAVE?
Megjithëse vaksinat konsiderohen si një nga mënyrat më të efetshme për të na mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme, ka patur raste që është vënë në dyshim efektiviteti i tyre dhe vecanërisht efektet e tyre anësore duke u dhënë shkas teorive të ndryshme konspirative. Një nga rastet më të njohura ka qenë ideja e një lidhje shkak-pasojë midis vaksinave dhe autizmit që filloi me botimin e një artikulli në 28 Shkurtit 1998 në revistën e mirënjohur shkencore ‘The Lancet’ ku autori kryesor i këtij artikulli ishte mjeku britaniak Andrew Wakefield (27 Mars 1957-). Revista shkencore e mirënjohur e fushës së mjekësisë ‘The Lancet’ (Bisturia) ka një reputacion të njohur ndërkombëtar dhe është një revistë e përgjithshme mjekësore që botohet në mënyrë të përjavshme. Ajo është ndër revistat më të vjetra dhe më të njohura të mjekësisë në botë dhe u themelua në vitin 1823 nga Thomas Wakley (11 Korrik 1795-16 Maj 1862), një kirurg anglez i cili e quajti atë sipas instrumentit bazë të kirurgjisë që është bisturia, siç quhet ky instrument në gjuhën angleze ‘The Lancet’. Revista boton artikuj origjinalë në fushën e studimeve mjekësore, recensione librash apo artikuj shkencore, njoftime e lajme të ndryshme nga shkenca e mjekësisë. Që nga viti 1991 revista ‘The Lancet’ është në pronësi të grupit botues të revistave shkencore ‘Elsevier’ dhe ka zyrat e saj në Londër, Nju Jork dhe Pekin. Studimi i realizuar nga mjeku britanik Andrew Wakefield arrinte në përfundimin se 8 nga 12 pacientë të moshës 03-10 vjeç kishin zhvilluar simptoma të sjelljes autike, pasi ishin vaksinuar me vaksinën MMR, (akronimi në anglisht për vaksinën e fruthit, shytave e rubeolës – Measles, Mumps &Rubella (MMR). Artikulli shkaktoi një jehonë të madhe në qarqet shkencore të kohës dhe u kritikua gjerësisht për mungesë të rigorozitetit shkencor. Veçanërisht studimi u kundërshtua nga gazetari britanik Brian Deer, Ai është një reporter britanik investigativ i gazetës ‘The Sunday Times’, i mirënjohur për shkrimet e tij investigative në industrinë e ilaçeve, mjekësi dhe çështjet sociale. Në një hetim gazetaresk që ai botoi më 22 Shkurt 2004 në gazetën ‘The Sunday Times’, me titull “Zbulohet skandali i studimit mbi MMR” ( Revealed MMR research scandal) ai identifikoi aspekte të konfliktit të interesit dhe të lidhura edhe me interesa financiare nga ana e mjekut Andreë Wakefield, çka e kishte çuar atë të shtrembëronte e keqinterpretonte qëllimisht të dhënat e studimit të tij. Seria e e këtyre shkrimeve investigative nga ana e gazetarit Deer u botua përreth 6 vjet nga viti 2004-2010. Ndërkohë më 18 Nëntor 2004, Seria e Emisioneve Dispatches e Kanalit 4 të Mbretërisë së Bashkuar transmetoi dokumentarin televiziv mbështetur në investigimin e Deer “MMR: Çfarë nuk të thanë” (MMR: What they didn’t tell you). Për t’iu kundërvënë fakteve të dokumentarit, mjeku anglez Wakefield e paditi për shpifje në gjykatë për fyerje gazetarin Deer por çështja u pushua nga gjykata. Si rrjedhojë e këtyre fakteve, shumica e bashkautorëve në artikullin e Wakefield e tërhoqën mbështetjen e tyre për këtë studim dhe nga ana e Këshillit të Përgjithshëm Mjekësor Britanik (British General Medical Council -GMC) u zhvillua një nga hetimet më të gjata që ishte bërë ndonjëherë prej 6 vitesh (2004-2010) lidhur me sjelljen jo etike dhe jo profesionale të mjekut anglez. Pas këtij hetimi të gjatë në 26 Janar 2010, GMC arriti në përfundimin se Wakefield kishte demostruar sjellje jo etike e jo profesionale dhe më 24 Maj 2010 i hoqi licensën e mjekut duke e cregjistruar atë nga regjistri i mjekëve të Mbretërisë së Bashkuar (UK), çka e detyroi atë të largohej nga Anglia drejt SHBA duke u vendosur në shtetin e Teksasit.Ndërkohë revista shkencore ‘The Lancet’ (Bisturia) duke reaguar ndaj gjetjeve të gazetarit investigativ Bryan Deer në 28 Shkurt 2004 e tërhoqi përkohësisht studimin e Wakefield, ndërsa më 18 Shkurt 2010 e tërhoqi atë plotësisht nga revista pas konkluzioneve të Këshillit të Përgjithshëm Mjekësor Britanik (British General Medical Council -GMC). Nga ana tjetër në 6 Janar 2011, gazetari britanik Deer i publikoi gjetjet e tij edhe në Revistën Mjekësore Britanike (British Medical Journal – BMJ) nën titullin “Si u sajua rasti kundër vaksinës MMR” (“How the case against the MMR vaccine was fixed – BMJ , Year 2011, Nr 342 , 06.01.2011) dhe më vonë BMJ e quajti studimin e Wakefield për efektin e vaksinës MMR si “një mashtrim i përpunuar”. Megjithëse në Janar 2012, Wakefield paditi gazetarin Bryan Deer dhe revistën britanike British Medical Journal (BMJ), këtë herë në Teksas ku banonte, padia e tij u hodh poshtë nga gjykata e shkallës së parë dhe apelit. Pavarisht këtyre vendimeve mjeku britanik Andrew Wakefield vendosi të bëhej nismëtar dhe mbështetës i lëvizjes anti-vaksinë. Ndërkohë në Shtator 2020 Shtëpia Botuese e e Universitetit Johns Hopkins ne SHBA (Johns Hopkins University Press) botoi hetimin e Brian Deer për mjekun Andrew Wakefield dhe origjinën e Lëvizjes Anti-Vaksinë përmes librit të tij “Doktori që mashtroi botën; Shkenca, Përbuzja dhe Lufta mbi Vaksinat” (The Doctor Who Fooled the World: Science, Deception, and the War on Vaccines).
GAVI- LËVIZJA GLOBALE PRO VAKSINAVE, CEPI DHE COVAX
Në botën e sotme janë krijuar shumë lëvizje që mbështesin dhe nxisin politikat e vaksinimit. Një nga ato është GAVI apo Aleanca Globale e Vaksinimit dhe Imunizimit (Global Alliance of Vaccination and Immunzation- GAVI) që është krijuar në vitin 2000 si pasardhëse e Iniciativës për Vaksinimin e Fëmijëve (Childrens Vaccination Initiative – CVI), një formë e partneritet global me qëllimin për të rritur mundësinë e imunizimit në vendet e varfra apo ato me të ardhura të pakta. GAVI bashkon qeveritë e vendeve në zhvillim dhe donatorët, Organizatën Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNICEF, Banka Botërore, përfaqësures të industrisë së prodhimit të vaksinave në vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim, agjencitë kërkimore – shkencore, shoqërinë civile, Fondacionin Bill & Melinda Gates si edhe filantropë të tjerë privatë. GAVI ka statusin e vëzhguesit në Asamblenë Botërore të Shëndetit (World Health Assambley – WHA) që është forumi përmes të cilit Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) qeveriset nga 194 vendet e saj anëtare duke qenë organi më i lartë në botë për përcaktimin e politikave shëndetësore dhe që përbëhet nga ministrat e shëndetësisë të vendeve anëtare. Së bashku me Nismen Globale të Shëndetit (Global Health Initiative- GHI) GAVI është përshkruar si një strukturë inovative, efektive dhe më pak burokratike sesa institucionet qeveritare shumëpalëshe si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Aktualisht GAVI mbështet imunizimin e vaksinimin e pothuajse gjysmës së fëmijëve në botë, duke patur fuqi për të negociuar çmime më të mira të vaksinave për vendet më të varfra të botës dhe duke shmanguar rreziqet tregtare me të cilat përballen kompanitë prodhuese. Përmes GAVI-t gjithashtu sigurohen fonde për të forcuar sistemet shëndetësore dhe për të trajnuar punonjësit shëndetësorë në të gjithë shtetet e botës që konsiderohen vende në zhvillim. Deri më sot Gavi ka ndihmuar në vaksinimin e mbi 760 milionë fëmijëve, duke theksuar se kanë parandaluar mbi 13 milionë vdekje në të gjithë botën. Gjatë kësaj periudhe GAVI ka ndihmuar vende të ndryshme që të kenë mundësinë të sigurojnë vaksinat e DPT (Difteriti, Pesterius(Kolla e mirë), Tetanozi) dhe nëse në vitin 2000 ndihmoi rreth 59 % të vendeve që kishin nevojë, në vitin 2019 kjo shifër arriti në në 81% të vendeve duke kontribuar në përgjysmimin e vdekshmërisë së fëmijëve. Por nga ana tjetër GAVI është kritikuar se i ka dhënë shumë peshë donatorëve privatë si psh Fondacioni Bill & Melinda Gates që të vendosin mbi objektivat globale të shëndetit. Këto kritika janë të lidhur me faktin se fondacione të ndryshme janë përqëndruar tek krijimi vaksinave të reja që janë më të shtrenjta, ndërkohë që kanë dhënë më pak para për të zgjeruar mbulimin me vaksinat tradicionale dhe në këtë mënyrë kanë shpenzuar shumë para për subvencione ndaj disa kompanive të mëdha, ndërkohë që janë shfaqur raste të konfliktit të interesit kur prodhues të këtyre vaksinave kanë qenë në bordin e fondacione të tilla. GAVI ështe perpjekur të reagojë ndaj këtyre kritikave duke u orientuar drejt biznesit dhe teknologjisë së prodhimit të vaksinave përmes rezultateve të matshme. Ky model, i quajtur “Qasja e Gates” është në kontrast me qasjen që ndjek OBSH sipas Deklaratës së Alma Ata (Kazakistan) të 12 Qershorit 1978 për Kujdes Parësor Shëndetësor (WHO Alma Ata Declaration on Primary Health Care), e cila përqendrohet në efektet e sistemeve politike, shoqërore dhe kulturore në shëndet. GAVI funksionin përmes cikleve pesëvjeçare të financimit që i mundëson asaj të negociojë marrëveshje afatgjata me prodhuesit, duke qenë të sigurtë se fondet do të jenë në dispozicion. Pas Samitit Global të Vaksinave (Global Vaccine Summit) në 5-6 Qershor 2020 që u organizua nga qeveria britanike u grumbulluan 8.8 miliardë dollarë (USD) fonde për ciklin e financimit të GAVI-t ( 2021 -2025) duke tejkaluar objektivin fillestar për të grumbulluar një fond prej 7.4 miliardë dollarësh. Sipas GAV-it përmes këtij financimi do të bëhej e mundur që deri në fund të vitit 2025 të bëhet vaksinimi i rreth 300 milionë fëmijëve të tjerë në vendet me të ardhura më të ulta, përfshirë vaksinimin për fruthin, poliomielitin dhe difterinë. Për më tepër, këto fonde do të mbështesin sistemet shëndetësore të vendeve të ndryshme që t’i rezistojnë pasojave të Covid-19 dhe të ruajnë infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të bëjnë të mundur në një të ardhme të afërt të vaksinohet popullsia, përmes nje vaksine universale kundër virusit Covid-19. Ndërkohë më 5 Janar 2017 në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit u formalizua edhe krijimi i Koalicionit për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (The Coalition for Epidemic Preparedness Innovations -CEPI) që është një rrjet organizatash publike, filantropike e të shoqërisë civile që synonte që brenda perudhës 2017-2021 të grumbullonte 1 miliard dollarë që do të ndihmonin për zhvillimin e vaksinave me kosto sa më të ulët për të paktën 11 sëmundje infektive . Në 17 Tetor 2018 Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (The Coalition for Epidemic Preparedness Innovations -CEPI) botoi në revistën e mirënjohur shkencore ‘The Lancet’ studimin me titull “Vlerësimi i kostos të zhvillimit të vaksinës kundër sëmundjeve infektive epidemike: një studim për minimizimin e kostos” (Estimating the cost of vaccine development against epidemic infectious diseases: a cost minimisation study). Ata u përqendruan në 11 sëmundje të cilat shkaktojnë vdekje dhe kryesisht godasin të varfrit duke i theksuar si rreziqe pandemike, të tilla si:
1)Ethet Hemorragjike të Krimesë –Kongo (Crimean Congo Hemorrhagic Fever-CCHF),
2) Virusi Chikungunya (Chikungunya- CHIKV),
3)Virusi i Sëmundjes Ebola (Ebola Virus Disease ( EVD) ,
4)Ethet Hemorragjike Lassa (Lassa Hemorrhagic Fever- LHF) ,
5)Sëmundja e Virusit Marburg (Marburg Virus Disease- MVD) ,
6)Sindromi Respirator Koronavirus i Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome – MERS Cov)
7) Infeksioni i Virusit Nipah (Nipah Virus Infection- NVI)
8)Ethet e Luginës së Riftit (Rift Valley Fever- RVF)
9)Sindromi i Rëndë Akut i Frymëmarrjes (Severe Acute Respiratory Syndrome -SARS)
10)Temperatura e Rëndë me Sindromën e Trombocitopenisë (Severe Fever with Thrombocytopenia Syndrome -SFTS)
11)Ethet e Virusit Zika (Zika Fever Virus- ZFV ).
Në këtë drejtim është edhe Iniciativa Aksesi Global në Vaksinat Covid-19 (Covid 19 Vaksinat Global Access,) e njohur si COVAX, që është një iniciativë globale e cila synon që vende të ndryshme të kenë qasje të barabartë në vaksinat Covid-19 .Kjo iniciativë drejtohet UNICEF, GAVI (Aleanca e Vaksinave- Global Alliance for Vaccines and Immuniuzatiop) ish Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, ose GAVI), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (The Coalition for Epidemic Preparedness Innovations -CEPI) dhe të tjerë. Kjo iniciativë ishte një një nga tre shtyllat e Aksesit për Përshpejtuesin e Mjeteve ndaj Covid-19, (Access to Covid-19 Tools Accelerator,) një iniciativë që u krijua në 24 Prill 2020 nga OBSH, Komisioni Evropian dhe qeveria e Francës si përgjigje ndaj pandemisë Covid-19. Aksesi në Përshpejtuesin e Mjeteve ndaj Covid-19 (ACT Accelerator), ose Bashkëpunimi Global për të Përshpejtuar Zhvillimin, Prodhimin dhe Qasjen e Barabartë në Diagnostikimet, Terapeutikët dhe Vaksinat e reja AntiCovid-19, është një iniciativë e vendeve të G20 që u shpall në 24 Prill 20102 nga Kryetari i përkohshëm i G20, Ministri i Ekonomisë së Arabisë Saudoye Mohammed al- Jadaan. Një thirrje për veprim u botua njëkohësisht edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 24 Prill. Më 10 Shtator 2020, Organizata e Kombeve të Bashkura dhe Bashkimi Evropian bashkëpunuan në Takimin Inaugurues të Këshillit për Lehtësimin e Përshpejtuesit ACT (Inaugural Meeting of the Facilitation Council of the ACT-Accelerator), i cili arriti të grumbullonte 2.7 miliardë dollarë nga 35 miliardë dollarë që duheshin për të siguruar 2 miliardë doza vaksine Covid-19, 245 milionë trajtime me ilaçe anticovid dhe 500 milionë teste anticovid që kjo iniciativë i konsideroi të nevojshme për të reduktuar pandeminë dhe për të përshpejtuar rimëkëmbjen globale ekonomike. Sir Andrew Witty, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë britanike farmaceutike ‘Glaxosmith’ dhe Dr. Ngozi Okonjo-Iweala, ekonomistja nigeriano–amerikane që është Drejtore e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) janë zgjedhur në pozicionin si të Dërguar Specialë nga OBSH lidhur me iniciativën e Aksesit për Përshpejtuesin e Mjeteve Covid-19, (Access to COVID-19 Tools Accelerator). Megjithëse administrata Trump e Shteteve të Bashkuara e tërhoqi mbështetjen e saj financiare për OBSH dhe ‘ACT Accelerator’ në vitin 2020, Shtetet e Bashkuara e ripohuan mbështetjen e tyre për OBSH dhe COVAX më 21 janar 2021 pas zgjedhjes të Presidentit Joe Biden. Përshpejtuesi ACT është një strukturë mbështetëse me karakter ndër-disiplinor që u bën të mundur partnerëve të kësaj iniciative të ndajnë burimet financiare dhe njohuritë shkencore mbi këtë epidemi. Kjo iniciativë përmban katër shtylla bashkëpunimi dhe secila administrohet nga dy deri në tre partnerë që bashkëpunojnë me njeri-tjetrin:
1)Vaksinat anticovid (të quajtura edhe “COVAX”)
2)Diagnostifikimi
3) Terapitë anticoviod
4)Lidhja mes Sistemeve Shëndetësore.
Deri në Dhjetor 2020 ishin porositur paraprakisht nga vendet e pasura, më shumë se 10 miliardë doza vaksina anticovid nga ato që ishin ende në zhvillim. Prodhuesit e tre vaksinave anticovid me karakter global – Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca – parashikuan një kapacitet prodhues prej 5.3 miliardë dozash deri në vitin 2021, të cilat mund të përdoreshin për të vaksinuar rreth 3 miliardë njerëz (pasi vaksinat kërkojnë dy doza për një efekt mbrojtës ndaj Covid-19). Për shkak të kërkesës së lartë të porosisë nga vendet e pasura për vitin 2021, njerëzit në vendet me zhvillim me të ardhura të ulëta mund të mos marrin vaksina nga këta prodhues deri në vitin 2023 ose 2024, duke e parë iniciativën COVAX si një mundësi për tu furnizuar në mënyrë të barabartë me vaksina anticovid. Duke theksuar nevojën që të ketë një shpërndarje të gjerë të vaksinave të sigurta dhe efektive kundër Covid-19, veçanërisht në të gjithë vendet në zhvillim, GAVI përdor slloganin: “Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”. (No one is safe until everyone is safe). Der tani me më shumë se 170 vende – që përfaqësojnë 60% të popullsisë njerëzore – janë bashkuar me COVAX, ndërkohë një tërësi prej 92 vendesh me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë të drejtë të marrin vaksinat Covid-19 përmes instrumentit të financimit të COVAX që quhet ‘Angazhimi për Avancimin e Tregut të Vaksinave’, (Vaccines Advance Market Commitment (AMC). COVAX AMC financohet nga kontributet e donatorëve dhe financon Facility COVAX, që është platformë e prokurimit të vaksinave. Më 3 Shkurt 2021, GAVI, OBSH dhe UNICEF publikuan parashikimet për shpërndarjen sipas çdo vendi të vaksinave Pfizer – BioNTech dhe Oxford – AstraZeneca për gjysmën e parë të vitit 2021. Parashikimi i hershëm përfshinte shpërndarjen e 1.2 milionë dozave të vaksinës Pfizer–BioNTech në tremujorin e I-rë të viti 2021 dhe 336 milionë doza të vaksinës Oxford – AstraZeneca në gjysmën e parë të vitit 2021 për rreth 145 vende pjesëmarrës në këtë iniciativë. Sipas këtyre parashikimeve të COVAX punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe personat më të prekshëm do të marrin dozat e para, të cilat parashikohet të arrijnë afërsisht 3.3% të popullsisë totale të secilit vend pjesëmarrës deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2021.
Please follow and like us: