Miho Gjini: Mbi librin tim me tregime “Një natë e ndyrë”
Si përkushtim ndaj frrymës së dashurisë së përjetshme të prindërve të mi…”, nisi udhën e vet libri “NJË NATË E NDYRË”, me 16 tregime e tre rrëfime… Që i zgjodha, i ripublikova gjatë vitit të Pandemisë, kur, të bllokuar sikundër ishim, hera-herës flisnim me veten, po edhe me facebukistat, brenda proçesit të përzgjedhjes, me një “tjetër sy” rikrijimi, si të ishim para një “pagëzimi” të ri të fëmijës tënd, që të bëjnë të flasësh edhe me vete. Gjithçka si në ndarjen me një natë të errët, kur dikur flija me minj e flisja me mure të ftohta betoni të nëndheshme e jo me facebookun e sotshëm.
DY FJALË HYRËSE
M’u afrua ky mendim, që të kem edhe një libër me tregime e rrëfime të zgjedhura, kur pashë “thyerjen e moshës”, sikundër e kam përcaktuar edhe një herë tjetër afrimin tim me “limanin e fundit”, që Perëndia të ma shtyjë jetën, përherë e me tutje. Në “stacionin 33” të librit! Qyshkur botova librin e parë në gjininë e vogël, 26 vite më parë, me titullin “Vdekja e Mjellmës”. Qe një sprovë letrare, pas atij ndëshkimi të egër, kur më ishte hequr edhe e drejta e botimit nga regjimi i mëparshëm, me afro 10 libra për artin skenik, filmin e dramaturgjinë, si edhe me libra të karakterit memorialistikë…
Ndërkohë provova jetesën në tokën greke, deri atëherë të anatemuar, bashkë me mua, “armikun e klasës”, që nuk isha aspak i tillë! Por qe kohë e trazuar atëherë. Ndodhi edhe një përmbytje, e cila vuri përpara edhe barangën ku unë banoja, me grua e fëmijë, – ngjarje që do ta pasqyroja edhe në tregimin ngjethës “Shtëpia mbi rrota”, që fitoi çmim të parë në një konkurs letrar të mërgimtarëve të Selanikut. Ata qenë bërë aq shumë atje, saqë kishin nge të merreshin edhe me “anën shpirtërore” të njeriut dhe shpallën “Konkursin e parë letrar”, pasi kishin marrë vesh se, në vendin e tyre, i qe vënë dryni “binasë” së shkrimtarëve! Mirëpo unë bëra të kundërtën: Vendosa të kthehem, pas dy-tri vitesh, në vendin tim, me një tufë dorëshkrimesh letrare e t’u afrohem me drojë, dy miqve të mi shkrimtarë, Koço Kostës e Nasi Lerës. Të dy, asaj kohe, në mos edhe më përpara, ishin bërë shumë të njohur për disa tregime e romane që lakoheshin mirë e bukur, të cilët më dhanë kurajën se tashmë “mund të hyja edhe në hullinë e tyre”. Koçoja, të cilin e kishin dëbuar dikur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe nga Tirana, po për kësi “punësh të shpirtit”, u shpreh me shaka se, tashmë nuk qe më nevoja fare të vente edhe ai në Greqi, sepse, ia paskësha sjellë unë me tregimet e rrëfimet e mia, midis të cilave ndodhej edhe tregimi “Përralla e Mjellmës”… Ndërsa Nasi e miratoi, e redaktoi dhe e botoi librin në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku ende vazhdonte të punonte si redaktor.
Si të thuash, këta shkrimtarë, “më dhanë zemër” për të shkruar edhe letërsi, pa u turpëruar! Librin e dytë me tregime e novela “Adio Xhulja R.” e shkrova kur u riktheva në Greqi dhe e dërgova këtë herë në shtëpinë botuese të sapokrijuar, “Dituria”, të Petrit Ymerit, me redaktim të Jani Malos. Ia dhashë për ta lexuar mikut tim, shkrimtarit Mihallaq Qilleri, emigrant në Athinë, sikur dhe unë, i cili shkroi në “Gazetën e Athinës” të Robert Goros, se “Miho Gjini nuk i prish të mbjellat” në fushën e letërsisë, duke më dhënë kështu sinjalin e një vazhdimi të mëtejshëm. Kaq më duhej, që t’i përkushtohesha edhe letërsisë si gjini, krahas krijimtarisë artistike, me më shumë se 15 libra, deri atëherë, me artikuj e studime kritike për teatrin, dramaturgjinë, estradën dhe filmin, si edhe me disa portrete e monografi për artistët më të shquar të teatrit e të kinematografisë, me një redaktim të mikut tim bregas, prof. dr. Josif Papagjonit. Ndërsa triptiku letrar (me romanin autobiografik “Dëbimi, udha për në Ferr”, bashkë me librat me tregime e novela “Arratisja e Kujtesës” e “Vdekja e Artistit”), do të kishte si redaktor Mihallaq Qillerin, përkushtimi i të cilit ishte serioz e me dinjitetin e një profesionisti, që do më bënin t’ia besoja atij edhe radhën redaktuese të novelës “Vetmia”, të romanit “Letra nga Spanja” dhe të librit me tregime e novela “Acari i Dashurisë”. Megjithatë, kur vjen puna te dëshira e fundme që të botosh edhe një libër si ky, me përzgjedhje të krijimeve më të mira letrare, – sikundër i quan mendja ime paksa e dehur nga “dufi i krijimit letrar”(!), – kushdo shkrimtar të ishte, do t’u rikthehej atyre edhe një herë, në mos me “gërshërë”, të paktën me “limë në duar”! Se, sa herë që hidhet në letër një krijim letrar, aq herë edhe të tundon e të ngjan se nuk e ke shkruar mirë, se duhet edhe ta ndryshosh, ta përsosësh, apo edhe ta grisësh fare! Por edhe kur ke shkruar diçka tërheqëse, shtyhesh vetiu, apo edhe joshesh për të bërë shkurtime, si edhe shtesa, me frymëzimet që lindin befas, kur të rrahurat e zemrës tënde, rrahin po njëlloj edhe me atë të personazheve të tu, si edhe me bëmat e ecurinë e tyre. Se letërsia lind prej teje, por vete deri tek lexuesi, jo vetëm nga fantazia jote krijuese, por edhe nga vuajtjet e tua, nga ëndrrat që edhe lindin, edhe prishen ndërkohë, nga mesazhet që burojnë e që duhen shprehur gjithmonë e më bukur. Letërsia është vuajtje, por edhe dashuri e pathënë, apo e shprehur me zjarrin që e ke ndezur vetë. Po qe se nuk e ke atë që quhet “zjarri yt”, qoftë edhe “plaga jote”, “ëndrra jote”, s’ke pse merresh me këtë punë të mundimshme të shpirtit, që është e mbetet, gjithashtu, më e mira e më e bukura e punëve të tjera të njeriut!
Me ka ndjekur, lexuar, redaktuar e korrektuar hera-herës, edhe miku im, poeti, fabulist e shkrimtari Vasil Gjivogli, i cili nuk lëviz asnjëherë nga fshati, në të 365 ditët e vitit dhe më tha një ditë këto fjalë: “Të më falësh, miku im, po ty të kanë bërë mirë që të futën brenda” dhe, pas habisë sime do të shtonte: “Përndryshe, nuk do të shkruaje kaq mirë sa tani”! Ndruhesha t’i thosha mikut tim se “damari i të shkruarit” më kishte ardhur qysh atëherë, kur në shkollën fillore venim me një pllakëz të zezë, futur në njëfarë çante prej mushamaje dhe më kishte shkrepur të shkruaja rrëfenjën e ngjarë për “dy këpucët e së njëjtës këmbë”(!), që na kishin hedhur nga qielli aeroplanët e UNRRA-s, në vitet e urisë dhe që, nuk kishim ç’t’i bënim dhe shkuam t’i këmbenim në Kalasë, prapa malit, bashkë me nënën, me disa grushta miell misri dhe, duke ikur të lemerisur me pastaj, me vrap, ferrë më ferrë, se mos na kapnin për gënjeshtrën e dytë që bëmë, pas asaj të UNRRA-s… Por ky mësues veteran i gjuhës e i letërsisë shqipe, do të më kritikonte përsëri me rreptësi, që çaloja akoma në drejtshkrimin gjuhësor, – defekt që do ta ndeshnin edhe redaktorët e mi të mëvonshëm si Mihallaq Qilleri, Petrit Ymeri, Grigor Jovani, Fatmir Terziu e Çerçiz Loloçi. Në mënyrë të veçantë, këta dy të fundit, që i kanë ribotuar të gjitha këto tregime e rrëfime në portalet e tyre “FJALA E LIRË” dhe “ALB SPIRIT”. Gjithsesi, nuk do të vija deri këtu, që t’i veçoja e t’i botoja rishtazi këto tregime e rrëfime, pa parë e lexuar për to, reagimet e sinqerta e të ngrohta, nga miqtë e mi, shkrimtarë, poetë, artistë, si edhe personalitete të fushave të tjera të filozofisë, kulturës e të publicistikës. Do të falënderoja kështu, miqtë e mi Faruk Myrtaj, Përparim Kabo, Robert Martiko, Telemak Koça, Thanas Medi, Noke Abilekaj, Dritan Haxhia, Nebi Islami e Shemsi Doda, Natasha e Mevlan Shanaj, Petraq Pali e Aleko Likaj, Sadush Ylli e Bilbil Hereni, Adrina Emanoil-Tabaku e Klejda Plangarica, Eduart Stavri Çala e Urani Borodani, Leonard Bixhili e Pashk Përvathi, Librand Dhrami e Ndue Pepa, Brikena Qama e Mimoza Jaupi, Vangjel Xhani e Sofo Mekshi, Romeo e Leandro Çani, Isak Vlashi e Aristidh Ali, Irina Hysi e Jani Zhonga, Joky Mati e Raimonda Hysi, Marsel Hila e Geldion Stroni, Safete Hysi e Zyra Ahmetaj, Avis Gjyshja e Mentor Serjani, Varvara Guma e Feride Ismaili, Valentina Mustafa e Nexhip Ejupi, Fildeza Bashari e Zeqo Cama, Nora Kashta e Iris Aleksandri, Flutura Zavalani e Ahmet Musta, Dedë Vuklit Luca e Fredi Mërtiri, Mihal Goga e Pëllumb Dervishi, Kostandin Vogli e Pajtim Gjoni, Spiro Kondi e Foro Boçi… E ndonjë tjetër, që është ndalur, i ka lexuar e i ka komentuar këto tregime e rrëfime në facebook, duke merituar kështu edhe respektin tim.
Qortomëni sa të doni, që “bëra listë” e i përmenda të gjithë me emër, por kjo nuk është asgjë tjetër veçse një etikë normale, me përulësi ndaj tyre, kushdo qofshin, që lexojnë akoma tani, kur shumica e njerëzve, thuajse e kanë braktisur e harruar leximin e librave! “Covid 19” që ka rënë mbi njerëzit, sikur ka rënë edhe mbi librat!
Botimi i këtij libri, si edhe i 32 librave të mi, pa asnjë sponsorizim të plotë, është e mbetet si mbërritje diku, në një ndalesë fundore, kur edhe mosha, por edhe Pandemia me kufizimet e saj ekstreme, në kushte “lock down-i”, na bëjnë që të mendojmë e të lëmë, të mbledhura bashkë, krijimet tona më të mira… Me keqardhje se, të pesë librat e mi memorialistikë, për kolosët e artit tonë skenik, si Mihal Popi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Nikolin Xhoja, por edhe librin për Artistin e Merituar Piro Sava (“Një jetë e këputur”) si edhe libri me 10 portretet më të shquara të Teatrit e Kinematografisë Shqiptare si: Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Mihal Stefa, Besim Levonja, Kujtim Spahivogli, Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani etj., nuk mund të përsëriten dot kurrsesi. As ato figura të mëvetshme që na ikën kaq herët, si Bujar Lako, Agim Qirjaqi, Roland Trebicka, Serafin Fanko, Koço Devole, Fatos Sela etj., disa prej të cilëve i kam radhitur në librin tim “Shpirti artistik” e që meritojnë një studim më të gjerë monografik, si brezi ynë më i ri e më i suksesshëm i një arti modern aktrimi… Por, edhe përzgjedhja e publicistikës sime në librin “55 Vjet Publicistikë” e “Teatri dhe Letërsia”, së toku me librin “10 plus 1 – Portrete artistësh” e vëllimin me tregime të zgjedhura, le të jene si një arritje, kënaqësi, jo vetëm e imja, por edhe për fëmijët e mi që i solla në jetë: Majlindën e Kristjanën, Kostandinin e Aleksandrin, si një kujtim për ta, qoftë edhe si një “Dëshmi e thjeshtë”, se ati i tyre nuk jetoi kot, po diçka shpirtërore la për ta e për brezat që vijnë.
Please follow and like us: