Poetesha italiane Annamaria Guidi vjen në shqip nga poeti Arjan Kallço
Annamaria Guidi
Lindi në Folinjo, një qytet pranë Peruxhës. Ka dy pasione në jetë: të shkruarit dhe fotografinë. Në krijimet e saj shfaqet në versionin e gjuhës italiane dhe dialektore. Ka publikuar artikuj në një revistë të njohur tremujore, ku ishte për disa vjet bashkëdrejtuese e saj. Në krijimtarinë letrare do të dalin në pah traditat, ndjenjat, vlerat, bukuritë e natyrës në aspektet e saj poliedrike dhe magjepsëse. Është fituese e shumë çmimeve të ndryshme në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare letrare dhe të fotografisë. Është anëtare e jurisë së çmimit “Në emrin tënd”, anëtare e Universum Academy me qendër në Lugano, e akademisë Bronzi dhe e shumë shoqatave shoqërore dhe kulturore, duke dhënë një kontribut të vyer qytetar.
Në heshtjen e ullinjve
Eci
mes ullinjve si statuja,
të shtrembër, të zgavërt
në tokën e mjegullt
e pushtuar nga heshtja
me aroma myku.
Ndjek nga pas
mes dritave të hënës
ëndrra të përgjumura
të pafshehura
mes degëve të zbukuruara me gjethe
dhe bërthokla zvarranike.
Fjalë
Në qëndisjet e shpirtit shpërthejnë
në zënkat përmbysin, plagosin
në heshtje lidhen nyjë, mbytin
në zemrat e gurta thyhen
para një shuku me aromë
dalin nga shtrati, vërshojnë
si uji i një lumi mbushur plot e përplot.
Në dashurinë e ndryshkur janë të rrezikuara
të pëshpëritura, të buta, të ngrohta
që këngën tonë ta kompozojmë
nën hijen e arrës
ndërsa ti më vështron i penguar
mëdyshës kur veten zbulon.
Por nëse fjalët janë të pakta
zgjidhe lëmshin, dritaren e zemrës e hap
flokët e mi ledhatoji në erë
rrokmë që t’u japim zë
rrebesheve të emocioneve.
Psherëtima pranvere
Mbi kurorat e bardha
që pikëlojnë me shkëlqim
lëndina e gjelbër
flutura të larme zukatin,
prej diellit verbuar.
Melodi e pafund
që jetën ia gëzon
atij që i përhumbur i kundron.
Syhapët
një hardhucë e flijuar
pranë gurit të nxehtë
shikon me lakmi
zemrën e tyre të verdhë.
Ajo zemër e verdhë
ku rehatohet
emocioni im
ndërsa
psherëtima pranvere çliron.
Mendimet e mia
Janë gjethe lisi
mendimet e mia
të tejshpuara nga era tramuntanë.
Dridhen duke ndjekur pas
frikën e shpirtit.
Janë buçimë resh
që derdhin lotë
i njomin lulet e akacjeve
dhe aromat e blirit.
Janë zëri i lumit
që ëndrrat e mia m’i shoqëron
të gëlltitura nga koha
tash koprace me premtimet.
Janë faqe drite
që m’i hapin krejtësisht
palët e zemrës sime
të qëndisura me fjalë
i dashur dhe bujar
prej atij që pranë meje frymon.
Janë lutje, janë këngë.
E ëmbël një këngë
Shikimi fluturon lirisht
Përtej lisit të madh
tej pamjes dhe zërit
ku në mungesë
të kufinjve dhe meridianëve
shijojmë lirinë e vërtetë
dhe merr kuptim
jeta jonë në tokë.
Mendja e trullosur
e qetë, fantastike
në atë botën e magjisë,
të arpexhios, të harpës
të heshtjes dhe kohëve të përjetshme
një jetë e shpirtit
prej dashurisë tënde rrokjezuar, o Zot.
Një këngë e dashur dhe e ëmbël
prej zemrës ngrihet
duke kremtuar atë festë
me Drita të shkëlqyera,
lezeti i paqes
në buzët e heshtura
me rrathë, me lutje.
Përktheu Arjan Kallço