Kuotat gjinore dhe ‘revolucioni’ i grave në jetën politike shqiptare
Xhoi Jakaj
Për gratë, zgjidhja e çështjes së familjes, duhet të jetë njësoj e rëndësishme me arritjet e barazisë politike dhe asaj ekonomike”.
Sa shumë flitet për emancipimin e gruas në mbarë botën…
Po ku jemi në fakt si vend?
Po të hedhim vështrimin në të shkuarën, jemi më pranë zhvillimeve pozitive apo ka pësuar regres emancipimi i gruas?
Në ditët e sotme të flasësh për të drejtat e grave është bërë një mënyrë e përditshme jetese saqë shpeshherë, duket sikur kemi fituar aq shumë imutitet ndaj këtyre teorive dhe nuk po risjellim asgjë të re në këtë aspekt për të mbrojtur gratë realisht.
Në parim, ne po jetojmë një kohë lulëzimi për gruan dhe vajzën pasi janë ato të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë po luftojnë për të drejta, gjithashtu, kanë më shumë rol dhe integrim në jetën sociale, politike e ekonomike.
Përmes kulturës sonë, vetëdijes dhe ekzistencës së pabarazisë gjinore (që na e dëshmon historia) mund të kuptojmë se emancipimi i gruas është i domosdoshëm në të mirën e saj dhe të shoqërisë në tërësi. Gruaja nuk ka qënë në kushte shumë favorizuese në Shqipëri as më parë, e nuk është as në ditët e sotme paçka “make up”-it që ka hedhur mbi të për të mbuluar vrangat e shumta që ka.
Sot, në Shqipëri gruas së zakonshme i duhet të përballet me rritjen e fëmijëve, punës dhe kujdesit të shtëpisë, e i mbetet shumë pak kohë për përpjekje dhe arritje të një karriere të sukseshme. Sigurisht, gra nga familje mbi mesataren ekonomike, mund t’i lejojnë vetes luksin e një gruaje ndihmëse në një stil krejt borgjez për të gatuar a pastruar, por ky nuk është realiteti i masës së gjerë sepse nuk ua mundëson atë kuleta mujore.
Ndaj dhe emancipimi i gruas në Shqipërinë post komuniste, është përqëndruar veçse në një rreth të ngushtë grash, të klasave ekonomikisht më të pasura. Masa duket se është mjaftuar me fitimin asaj pak lirie në të shprehur, veshur, vepruar, e nëse kanë pak fat… edhe mund të marrin vendime për veten e tyre.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve që janë bërë, politikave zbutëse që janë ndërmarrë apo edhe strategjive kombëtare e rekomandimeve ndërkombëtare, fatkeqësisht, debati mbi emancipimin e gruas sot në Shqipëri edhe kur ndodh, mbetet një debat shterpë me tone dhe ngjyra krejtësisht kapitaliste duke qënë se kufizohet në dhënien e të drejtave dhe lirive politike grave të shtresës së mesme që jetojnë në mjedise urbane, duke lënë thuajse krejtësisht jashtë gratë e zonave rurale dhe të shtresave më pak të privilegjuara.
Emancipimi dhe vlerësimi i drejtë i gruas lidhet ngushtë me zhvllimin e shteteve, shkallën e kulturës së popullit, dhe zhvillimit të tij.
E në amullinë e zhvillimit progresiv apo regresiv dhe emancipimit të grave, disa “ia kanë dalë” që të prekin edhe botën e politikës shqiptare. Më tepër kjo arritje është shkak i artikulimit mes prioriteteve të vendosura nga sfondi ndërkombëtar se sa nga vullneti i përbashkët i gjinisë mashkullore në Shqipëri, i cili nuk ngurron ta shprehë haptazi e sapo t’i jepet mundësia se çfarë pozicioni realisht do të donte t’i caktonte femrës në shoqërinë tonë.
Në proçesin e vendimmarrjes, ligjërisht të paktën, duhet që jo më pak se 30% e mundësive të jetë e “rezervuar” për gratë… në fakt ky është interpretimi që masa i bën ligjit, por edhe në këtë rast kush e ka në dorë e lexon atë sipas interesit të tij, realisht ligji mbi barazinë gjinore përcakton se duhet të sigurohet përfaqësimi prej të paktën 30% i secilës gjini në organet e të tre pushteteve. Pse ky 30% i lihet si normë gjinisë femërore? Pse nuk mund të jetë objekt debati për atë mashkullore?
Të mos harrojmë faktin se partitë politike vijojnë të jenë nën këtë normë të përfaqësimit të tyre nga rradhët e grave.
Edhe pse ligjvënësit tanë duket se janë matur shumë në terminologji kur e kanë nxjerrë këtë ligj sërish, pse nuk mund të jetë kjo shifër aq sa është raporti i popullsisë në tërësi?
Mundësitë e barabarta për pjesëmarrje në politikë janë çështje të të drejtave të njeriut dhe nuk mund të jenë të kuotizuara si për të nxjerrë në pah shtresën sociale të marxhinalizuar.
Në historinë e zhvillimit të demokracisë së vendit tonë, veçanërisht gjatë viteve të fundit, ka dëshmuar se prania e tyre në institucionet vendimmarrëse ka përmirësuar cilësinë e qeverisjes ka dëshmuar një konsistencë të fortë politike duke theksuar se pjesëmarrja e barabartë është e rëndësishme për të pasqyruar interesat e grave në mënyrë të qartë e të drejtë në të gjitha nivelet vendimmarrëse.
Gratë në politikë nuk janë përfshirë për “t’u ngritur në revoltë” kundër burrave, e as për t’u përqendruar vetëm në çështjet për gratë e fëmijët. Përkundrazi, kanë treguar qartazi vizionin e tyre e janë pjesë aktive në trajtimin e problemeve të politikës mbarëkombëtare, sigurisë e integrimit duke fituar identitet më të gjerë përfaqësues.
Gratë shqiptare e rrëzojnë shpejt mitin sipas të cilit vetëm burrat kanë mundësitë dhe cilësitë e duhura për përfaqësim, ndaj edhe përfaqësimi i tyre në politikë duhet të lihet në dorën e tyre nëse do të duam që realisht të kemi progres si shoqëri në tërësi apo edhe të krijojmë një tjetër kulturë me qasje më pozitive ndaj asaj çka shoqria vetë prodhon e kërkon.
E nëse shoqëria i atribuon me shumë të drejta, por dhe e vendos ne kushte të barabarta konkurence gruan në këtë vend jo pak maskilist ju siguroj që ato janë të afta të permiresojnë jetën politike me “njëkoqirllëk” ashtu sikurse shumica prej tyre rregullojnë familjen e tyre dhe i lënë gjithnjë gjërat në një rregullsi që është e pamundur të realizohet nga burrat, por për fatin tonë jo të mirë akoma kuotat drejtimi dhe përfshirja në jetën politike dhe akademike varet më se shumti prej burrave, ndaj një apel kam per gratë, jepini me shumë mbështetje njera-tjetrës si dhe edukoni e rrisni djem që respekton motrën, shoqen dhe nesër bashkëshorten e miken në mënyrë të tillë që të shtrojmë ca shina të drejta për një të ardhmen me të mirë të gruas shqiptare.