Mustafa V. Spahiu: PARA PORTAVA QIELLORE – ENIGMË
PËLLUMBI I PAQES
Qiellit dakol, n’rreze oreol, i paqes simbol:
I butësisë, i pastërtisë, me syt’e lumturisë
Gugat n’kaltëri, me mjeshtëri, bukuri çdo agshol,
Tërë jetën, s’don tjetër, për t’vërtetën – këngëtar i lirisë…
Shtëpi më shtëpi, nga çdo kuvli gjakon lartësi!
Përtrit bulimin, zgjon blerimin, këndell trimin…
Shlodhet n’qetësi, ruan n’fshehtë, një dashuri:
Për pëllumbeshën, urteshën, trimëreshën – ndez gëzimin! –
Gëzimin shprush, fushë më fushë, n’çdo gëmushë,
Pëllumbi i shkruar, me sy t’praruar, duke kënduar,
Ndër mote, larg çdo sqote t’kësaj bote – hare mbush! –
Në këto troje, pa droje, nëpër kroje – zogu i
uruar…
PRANVERA S’KA MBARIM…
Paravera zbukuruese, kalikuse, mikluese, sikur nuse;
Ballëlartë – duarartë – sjell dhuratë me kartë:
Mijëra gëzime, vijnë me agime, ç’dëshirime-
Dolën n’ara, lulet lara-lara, te Lugu i Gjatë.
Paravera e bukur, belkëputur, pashkëputur
Me afsh mbretëron, brufullon, faqeve galdon.
Thërret dasmorët, dashnorët me këngëtorët,
Kush më trim, pa përtim, shëmbëllim kur vallëzon.
Sytë kaltërojnë, vigjëlojnë sa dashurojnë,
Buzëgjuha lëpinë gushë, prapa n’ gëmushë- syçka vogëlushë,
Rrotull-dritë, nga shëtit, plot jetë – rritë…
Zemërmirë, n’hapësirë, xhevahir me gjerdanushë…
Blerim – erë, përherë, dhuron derë më derë,
Lehtë trokiti, fëmijë rriti, kështu fjalë porositi:
– N’zemrën time eni, shende gjeni, përqafime keni,
Në lëndina, me okarina dhe violina vallen seliti…
ZOGËZA E SHIUT
Fugon luginave, shevarinave, rrafshinave,e
Paraverë mbjell, barin këndell, shiun shjell,
Shtigjeve t’reja, zdritë hareja, byçet qemaneja,
Breg më breg, shteg më shteg – rritën ndjell…
Në fshehtësi, ngjitesh në kaltërsi, në lartësi;
Zogëzëmirë – xhanin me hir – t’i sqepgjuhëdëlirë,
Si përherë, rève ua merr – shiun që ka vlerë,
E – freskon, s’vonon, brufullon fusha – shevahir…
Futesh n’valle, krenare, me zamare e dyjare,
Me furi fluturon, miqësi forcon, t’fala dërgon,
Gjatë-gjatë, përmbi çdo shpat, fshat më fshat,
Çdo mëngjes, pa përtesë, uratë – shpresë këndon.
Qosh më qosh, ku të këndosh, qofsg shëndosh,
Nga rafsh, t’i mos u vrafsh – t’uroj me afsh,
Çdo vend mbushe me gazmend, jetë e shend,
Zogëz-o jetofsh, u shtofsh, në fole me mëndafsh!…
SI NDILLET SHIU
Me qemanera, kambanera dhe fanfarera,
Zemërbardhë, radhë-radhë – këndojnë fëmija,
Ndjellin shiun, babashiun, pikëz vlerëfloriun,
Me klarineta, me basklarineta dhe trompeta.
Me të aguar, pa pushuar, fusha e eçtuar, e
Lulet përditë, të lashtat t’i rritë, me gaz – dritë;
Ooo!, pakëz ujë, këlthasin me bujë, bëjnë bujë:
Në pranverë – verë, çdoherë të joshin bukuritë.
Dhe vijnë rètë, lehtë-lehtë me shiun si det,
Me porosi, në gosti, erdhi përsëri – begaton;
Ktheu gjallërinë, freskinë, hire hijeshinë,
Shiu ligëron, dot s’pushon, ngado gjelbëron…
SHIU I VERËS
Rètë përkunden, tunden, shkunden…
Shiu i verës vesëveson, pikon, rigon;
Bie me nxitim, sixhim, nëpër gjelbërim,
Luadhet i freskon, zbukuron, sakaq galdon.
Pa shkëputur, krahëbukur, del një flutur
Shiun lajmëron, dashuron, hidhet e vallëzon,
Te lulja për gosti, me stoli, biçim nazeli,
Ditëlindjen shkon, ia uron dhe e përqafon.
Këngës sonë – seç ia thonë – brohori jehonë,
Bëhen gardh, i vogël e i madh, n’valle bardhë,
Uron fshati, buzagaz monopati, lulon fati –
Për të mira, begatira, qeshet fytyra – smarag…
Në qerre t’dritës, pika e ditës, n’shè të rritës,
Rrezet në galdim, sa gëzim, qëndisur shqim
Lahet natyra, ngjyra-ngjyra, në duar dëshira:
Në fushë, një vajzyshë, gjethe bari shprush…
GJYSHËRIT E URTË
Këmbëkryq, pleqërisht, burrërisht, trimërisht,
Gjyshërisht fjalëmirë, zemërmëshirë, fare mirë
Kuvendonin njerëzisht, logjikisht, krenarisht
Besën – dëshirë, plot hir, e peshonin me xhevahirë.
Jetuan t’etshëm, të pavdekshëm, të përhetshëm
Në tel të sharkisë, të rapsodisë, të bujarisë…
Të ndershëm, të vlershëm, e të sjellshëm,
Ruanin nderin e shtëpisë, gjitonisë, të miqësisë.
Ashtu të kalitur, të uritur, duarkrahëngritur,
Shtigjeve sulmonin, fitore gëzonin, këndonin,
Të çapitur, maleve ngjitur – duke pritur, dhe
Ngadi shkonin, burime zbulonin, vatra ndërtonin…
URATË
Maleve lashtësinë, lartësinë, krenarinë,
Fushave plleshmërinë, vlagështinë, hardhinë,
Deteve thellësinë, gjerësinë, madhështinë;
Njerëzve mirësinë, bujarinë, sofërtrimërinë.
Lumenjve pashtershmërinë, kaltërinë, lavdinë,
Gurrave të bardha amësinë, magjinë, freskinë,
Rrugëve pastërtinë, drejtësinë, pathyeshmërinë,
Nënave lindjeshmërinë, dashurinë, trashëgiminë…
Fëmijëve ardhmërinë, çiltërinë, diell-diturinë,
Poetëve poezinë, lirinë, artpërjetësinë…
Vashave bukurinë, stolinë, gëzimlumturinë,
Trollit qëndrueshmërinë, papërkulshmërinë, patundshmërinë…
MOS MË LENI ME LOT NË SY…
Dua të futem në plantacionet e fëmijëve, të
Njëjësohem me ngjyrën e tyre t’gjelbërimit!
Kanë shikime të ndritura si të purpur florinjve,
Me lojën e begatë i derdhin muret e trishtimit.
Dua të futem në plantacione thellë e më thellë,
Jam vjershëtar, në gazin e tyre të marr pjesë!
Dhe njê bilonjë t’brishtë si bujk e kam mbjellë,
Natyrisht fëmijët më hapin zemër e shpresë…
Dua të futem në plantacionet e fushës joshëse –
Dhe mos më leni me lot në sy, as buzëplasur,
Kam mallë të bëj një piknik luginës mahnitëse,
Se mbi veten time fëmijët i kam dashur!…
Strugë, korrik-gusht, Anamoravë, shtator 1993.