Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa: Përkthimi i poezisë është (edhe) rikrijim

Të gjitha poezitë e Izet Sarajliqit i kam lexuar në origjinal. Shumë prej tyre i di edhe përmendësh, por vazhdoj të besoj se sado që të njohësh mirë një gjuhë, përkthimi i poezisë nuk mund të bëhet i mirë nëse përkthyesi nuk është poet. Salajdin Salihu duke qenë edhe vetë poet, ia ka dalë që “Përmbledhja Sarajevase e luftës” nga poeti i famshëm boshnjak Izet Sarajliq ta përkthej mjaft mirë. Këto poezi sa herë i lexoj më japin të njëjtën ndjesi si origjinali.
Faleminderit Salajdin.
P.S.
Për ata që nuk e kanë lexuar e rekomandoj për lexim.

 

Nga ibri ‘Lufta e Sarajevës’,1993

 

DUKE ËNDËRRUAR TRI VEZË TË FËRGUARA

Në fillim të pranverës

unë isha —

kur Sarajeva ende komunikonte përmes postës

me gjithë botën —

informuar nga poeti dhe përkthyesi Juan Octavio Prenz,

dhe botuesi i tij  Omar Lara, gjithashtu poet,

se libri im në spanjisht

do të botohej në Kili.

Dhe nëse

disa prej lexuesve kilianë edhe mund të pyesin për autorin:

A mund të dime diçka rreth tij?

Çfarë është bërë me të?

Ai është i ulur në një vendstrehim,

duke mbledhur dru,

duke ndezur zjarrin në ballkon,

duke nisur ditarin e luftës

e duke ëndërruar tri vezë të fërguara.

 

LUFTËRAT NË JETËN TONË

Marko Bašić ka arritur kulmin

me dy luftëra në Ballkan dhe dy botërore.

Kjo është lufta e tij e pestë.

Për mua dhe gjeneratën time – kjo është lufta e dytë.

Edhe për Vladimirin,

18 muajsh,

në këtë moment dikush mund të thotë

se gjysmën e jetës

e kaloi në luftë.

 

ISH-JUGOSLLAVË

Për Mustafa Cengicnek

Ne jemi

ish Jugosllavë

subjekt për zhdukje

nga një tendosje e ish

Ushtrisë jugosllave.

 

TA MBIJETOSH TË GJITHË KËTË

Për Zija Kafedžić

Ta mbijetosh të gjithë këtë—

përveç këtyre vargjeve

dymbëdhjetë, pesëmbëdhjetë njerëz më kanë ndihmuar mua,

njerëzit e zakonshëm,

shenjtorët e Sarajevës,

që para luftës unë gati nuk i njihja.

Shteti gjithashtu tregoi një lloj kuptimi

në mjerimin tim,

por sa herë që i trokisja në derë,

Nuk ishte i gatshëm të më priste—

ishte ose në Gjenevë

ose në New York.

 

NË MUZG

Në fushën e futbollit

një djalë

luan akorde me kitarën e tij;

lart

nga Poljina fluturon një granatë.

A mundej të bëhej ai Bulat Okudžava* i Sarajevës?

Djalosh i dashur,

tani mendo vetëm se si të mbetesh gjallë.

Arti,

i cili për mua një herë ishte gjithçkaja,

arti është,

besomë mua,

absolutisht i parëndësishëm.

Please follow and like us: