LUFTA E MECOVËS NË MBROJTJE TË AMANETIT TË TROJEVE
(Në kujtim të 800 dëshmorëve të rënë në Luftën e parë në mbrojtje të Vilajetit të Janinës, kushtuar kapedanëve të kësaj luftë e veçanërisht Dëshmorëve të Atdheut të fshatit Fushëbardhë Bajo Kazo (1820-1854) dhe Habil Xhuvani (1824-1854), rënë në betejë si pjesë e krenarisë së luftëtarëve, që i dhanë nder dhe krenari Labërisë me epopenë e trimërisë dhe gjakun e derdhur për liri. Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani janë dy dëshmorët e parë për nga radha e rënies dhe evidentimit të dokumentuar të fshatit Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ata ranë në fushëbetejë në pranverën e vitit 1854 dhe janë në proces për t’u shpallur dëshmorë të Atdheut në zbatim të Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”; Pika “a)” personat, të cilët kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe para datës 28 nëntor 1912).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Situata politike, por sidomos ushtarake në gadishullin Ballkanik, në vitet 1852-1854, ishte tejet e ashpërsuar, ndërkohë që pritej ndryshim dhe rikonceptim i hartës rajonale ballkanike, europiane gjeopolitike e më gjerë. Osmanët ishin dobësuar dhe konsumuar shumë pas shumë luftrash e pushtimesh dhe kishte ardhur koha që të mblidheshin në strofullën e vet. Rusia po punonte fort ta shfrytëzonte këtë situatë nëpërmjet flamurit të ortodoksisë për turbullira që të fitonte terren e të realizonte synimet. Britania kjo “luaneshë e deteve” e njohur për platformën e “interesave të përjetshme” kërkonte të mbronte pozitat e saj në ishujt jonianë dhe të mos lejonte përhapjen e influencës ruse në Ballkan; ndërsa Franca ishte në qëndrim të distancuar neutral. Rusia, ja kishte gjetur “thembrën e Akilit” të tedencës greke për “Vorioepirin”, por edhe për pretendimet e pandalshme për territorin shqiptar deri në Shkumbin, e nxiti Greqinë në jug dhe Malin e Zi në Veri ta fusnin Shqipërinë në “darën” e dy fronteve të luftës, që të falimentonte. Spiro Milo i joshur me flori dhe grada nga grekët u përdor në krye të bandave greke në Himarë dhe prej andej të pushtonte Vlorën. Nga Çamëria, Arta, Peta, Mecova dhe deti ishin nxitur kryengritje me kërkesa vorioepirote. Gazetat dizinformonin se: “Grekët kanë grupe të shumta luftimi në Janinë, në Çamëri, ata kanë arritur deri në Himarë… dhe mund të bashkohen me banditët e Malit të Zi”. Në fund të janarit 1854, Spiridon Karaiskaqi me gradën nëntoger në ushtrinë grekë, por dhe i biri i heroit të pavarësisë greke Jorgo Karaiskaqi, “cveshi shpatën” dhe mbajti në lindje të Artës, në disa fshatra fjalime që u bënte thirrje banorëve kundër osmanëve dhe t’i bashkoheshin Greqisë. Kishte “braktisur”, detyrën dhe ishte kushtuar “orës së lirisë” për pavarësi nga osmanët. Ai mundi të mblidhte 2500 vullnetarë dhe synoi qytetin e Artës. Ndërkohë, gjenerali grek Teodor Griva kishte mbledhur një bandë prej rreth 300 “vullnetarës” ishte afruar Çamërisë së Mesme, deri në fshatin Dhrohomí. Edhe pse osmanët morën “masa” ushtarake e diplomatike, duke sjellë edhe përforcime nga Manastiri, nuk mjaftonin pa vullnetarët e redifët e Labërisë, krahinave të Përmetit e Çamërisë. Oficerë me prejardhje suliote në ushtrinë greke si Nikola Zerva, Noti Boçari, Athanas Kuzonika, Kiço Xhavella, Llambro Ziko, dhanë dorëheqjen nga pozicionet e tyre në ushtrinë dhe u bashkuan kryengritësve.
Por Arta u rrethua nga rreth 5000 trupa ushtarake e vullnetare, por dhe artileria e rëndë. Këtu lufta ishte si provokim nervash. Grekët kryengritës, ku brenda tyre edhe përzierje interesash më 15 mars 1854 kishte rreth 6000 trupa. Ata kishin pushtuar disa fshatra, burgosnin banorët, vidhnin pronat, pasurinë, thesaret e grave dhe i nisnin në Greqi. Sulmi ishte ndaj muslimanëve, por dhe të krishterët. Kryengritësit bënë masakra cnjerëzore në Mecovë me Grivën në krye me vrasje makabre, vjedhjet e djegie. Koha thirri në skenë Çelo Picarin e forcave vullnetare labe: “Ngreu Çelo, bën zananë,/ngjesh pisqoll’e jataganë,/të bëç dufek me Junanë!/Kapetan Griva ka dalë,/mbushi vëndin me andarë,/ Del, ore Çelo Mehmeti,/se këtu u bë gazepi,/dolli Junani nga deti,/na përvëloi laneti!/Kur u derth Çelo Picari,/si purtek’u drroth Junani…”. Osmanët u bësonin më shumë armëve se askërëve të tyre. Besim kishin tek redifët e vullnetarët e Labërisë. Kujtesa e arkivave osmane flet për një betejë dy ditore 25 deri më 27 mars 1954, luftime të shqiptarëve që zgjatën 48 orë. Më 27 Mars 1854 triufator dolën forcat shqiptare të Mahmud bej Vlorës, (i ati i Ismail Qemalit): “Erdhi kartë nga Mecova,/bën dufek Mahmut bej Vlora,/Në male pa tretur bora,/e mblodhi Grivën sa dora…”. Lufta zhvillohej edhe në Thesali, ku shqiptarët drejtoheshin nga nga Abaz Lalioti. Bandat andarte greke në tokën jugore shqiptare kryen sulme të rrezikshme dhe krime monstruoze të përgjakshme. Kjo i detyroi strukturat prejtuese politike, ushtarake dhe administrative të pushtimit osman të mobilizonin forcat osmane të pamjaftueshme dhe të thërrisnin për ndihmë emergjente me premtime edhe redifë e vullnetarë shqiptarë. Për të mënjanimin copëtimin e truallit arbëror, bijtë e krahinave jugore shqiptare morën përsipër mbrojtjen e integritetit tokësor jugor të vendit, për rrjedhojë të vilajetit.
Kapedanë dhe luftëtarë që të merrnin gjak në vetull u rreshtuan për mbrojtjen e truallit të të parëve që ishte në rrezik. Burrat që kishin ardhur të parët në xhephanen e fushëbetejës në Mecovë ishin: Mahmud bej Vlora, Selim pashë Vlora, Halit bej Frashëri (babai i frashëllinjëve të mëdhenj), Çelo Picari dhe Kalem Hadëri nga Picari i Kurveleshit, Bajo Kazo e Habil Xhuvani nga Fushëbardha, Ibrahim Sino nga Gjirokastra, Ahmet Çapari nga Luarat i Margëlliçit, Selam Hasani nga Velça e Vlorës, Hasan Çako nga Kaparjeli, Shako Xhaka nga Tërbaçi i Vlorës, etj. Shumica e këtyre prijësve e luftëtarëve që ishin komandantë me kordhë në dorë, kishin qenë organizatorë, udhëheqës e luftëtarë në vijën e parë në kryengritjen e madhe fshatare edhe më parë dhe ishin liruar nga internimi që osmanët u kishin bërë në vitet antitanzimat 1847-1848. Krahas kapedanëve dhe luftëtarëve të ardhur u rreshtuan edhe Mulla Qemal Bejtashi (rënë në betejë), Hamit bej Çapari, Zejnel Husa etj. Arta dhe rajonet malore të Epirit u shndruan në vatra të kryengitjeve masive. Kapedanit të Labërisë Mahmud bej Vlorës, që sprapsi grekët, ju thur menjëherë kënga: “Mahmud bej me tre milë (mijë)/Duall mileti i prinë/Nuk e mbanin dot gëzimë/Kur murzikat po i bijnë,…”. Edhe pse kanë kaluar mbi një shekull e gjysëm nga zhvillimi i kësaj lufte si dhe rrethanat historike kanë ndryshuar shumë, historia ngelet, kujtohet e nuk harrohet. Sakrificat, gjaku i tyre, këngët e gjalla, të paharruara këndohen si një thirrje për të ardhmen paqësore bashkëjetuese në një organizëm të përbashkët madhor të sigurisë së kombeve. Është fakt se banorët e krahinave të Rrëzomës, Kardhiqit, Kurveleshit, Lumit të Vlorës e të gjithë Labërisë, edhe sot ta kujtojnë luftën e Mahmud bej Vlorës me shokë në Mecovë. Kjo besohet edhe nga këngët e shumta që u ngritën, që kujtohen e përkujtohen por mbi të gjitha që përcillen gojë më gojë në popull. Është historia e një populli të tërë, që mbahet mend e tregohet edhe sakrifica që bëri Mahmud bej Vlora para dhe pas përfundimit të luftës që “shiti në Vlorë dhe në Berat shtatë çifiligje, sikurse shkruan Eqrem bej Vlora në kujtimet e veta, për të shpërblyer çetarët (jo pak por rreth dy tabure), që morën pjesë në luftë e që ngeli edhe fukara, duke ua përcjellë atë bijve të vet”. Ka qenë një lavdi e shkruar me vullnetarizëm, por mbi të gjitha me shumë gjak të derdhur.
Në vitin 1854 Greqia sulmon pjesë të truallit shqiptar për qëllime shoveniste, dhe synonte të merrte Vilajetin e jugut (Shqipërinë e Jugut). Grekët me revolucionin grek të 25 marsit 1821, që në fakt e zhvilluan shqiptarët në masën 90% shumë shpejt do të hidhnin shikimin mbi trojet e fqinjëve të nxitur edhe nga miqtë e tyre rusë. Britanikët, francëzët dhe rusët, tre ish-fuqi të mëdha i ndihmuan dikur grekët me fitoren e tyre mbi flotën osmano-egjiptiane në Navarino në tetor 1827 në rrugën drejt lirisë së tyre të dëshiruar dhe në fakt shumëkush betejën detare të Navarinos e konsideron fillimi i fundit të sulltanatit Osman. Greqisë si shteti i parë i pavarur në Ballkan ju shtua oreksi edhe nën orkestracionin e fuqive të mëdha, për interesa të tyre gjeopolitike. Nën këto qëllime të “gatuara” kryesisht në kryeqenrat euroaziatike të kohës bënë që banditët të vërshonin mbi trojet shqiptare, që “mbroheshin” gjithë frikë nga osmanët që kishin filluar të ndjenin të dridhurat e një rregjimi që nuk qëndronte dot mbi këmbët e veta, por që lypte borxhe për të mbijetuar. Bandat e andartëve grekë vërshuan dhe tronditën Vilajetin jugor shqiptar.
Rregjimi osman i kalbur dhe i degraduar nuk ishte në gjendje të mbronte trojet shqiptare të pushtuara që prej shekullit të XV-të. Në këto kushte, krerët shqiptarë i thirri më shumë ndërgjegjia kombëtare se sa sulltanatit, që i luftonte dhe syrgjynoste krerët e Labërisë herë pas here. Kështu më 1852 Zenel Gjoleka organizoi një fushatë të madhe mbrojtëse të territoreve në very të vendit, ku ngeli përjetësisht në kujtesën e kombit. Të tjerë burra kërkonte sërish lufta në një tjetër xhephane lufte. Shqipëria ishte në darën e rrethimit malazez dhe grek të sponsorizuar nga Rusia në këtë periudhë. Si gjithmonë në kushtrim luftrash të parët ishin prijësat Çelo Picari, Mahmud bej Vlora, Halit bej Frashëri, Selim pashë Vlora, Ibrahim Sino, Ahmet Çapari, Selim Hasan Velça, Hasan Çako Kaparieli e shumë luftëtarë të tjerë të dëgjuar dhe trima, ish-udhëheqës në kryengritjen e vitit 1847, të cilët ishin liruar nga internimi. Porta e Lartë u dha një favor duke lejuar udhëheqësit e ndaluar të ishin në krye të komandimit në këtë përballje, që ishte në interes të Turqisë së kërcënuar në Vilajetin e Janinës. Për këtë arsye në masën më të madhe kundërpërgjigjen ndaj grekërve më 3 mars 1854 e la në dorë të shqiptarëve si redifë, ku fillim isht ishin rreth dy tabure që u rritën në tre, u hodhën në Çamëri, u pajisën me armatim të plotë në qytetin e Nartës.
Nga Narta u ndanë në disa drejtime. Një drejtim shkoi drejt fshatit “Peta”, që kryesimin e bënte Çelo Picari. Ai me një pjesë të mirë luftëtarësh, me vete kishte dhe nipin e tij, Kalem Hadëri (Seferi), vijojnë të mbajnë nismën duke çliruar Artën, Prevezën dhe skelën e Salahorës. Ndërsa në drejtim të Mecovës shkoi Mahmut bej Vlora. Kishin hyrë në veprim komandantë e luftëtarë të sprovuar. Shqiptarët ishin në profesionin e tyre dhe e njihnin mirë “teatrin e veprimeve luftarake”. Fakt ishte se jo vetëm krerët e kapedanët e Labërisë, dhe krahinave të tjera, por edhe gjithë orduja (ushtria) e luftëtarëve të të gjitha niveleve kishin një përgatitje perfekte luftarake, kishin njëherazi eksperiencë në luftë, të njohur për trimërinë nëpër beteja sepse “luftën e kishin për traditë e zakon” dhe ky zakon trashëgohej brezave. Grekët u shpartalluan me përfundimin e pranverës së vitit 1854, por meritat i mori hykimeti (qeveria) e Sulltanatit, ndërkohë që gjakun e derdhën pa kursim lebërit në mbrojtje të truallit arbëror. Edhe pas këtyre betejave kënga la dëshminë e saj: Burra ju shtoftë oxhaku,/Shehitë kërkon sanxhaku/Bëni djem prag pas pragu,/Hasmit t’i vijnë hakut…”. Forcat e Dangëllisë dhe Dëshnicës që drejtoheshin nga Halit Bej Frashëri, ishin përballur me bandat greke të udhëhequra nga gjeneral Theodhor Griva së bashku me djalin e tij, oficerin madhor Dhimitër Griva. Këta dy banditë të greqizuar kishin dhunuar popullsinë shqiptare, me vrasje, masakrime, djegie e tjera. Ata ishin të dërguarit kryesorë të qeverisë greke në Epirin shqiptar për të realizuar pushtimin e trojeve shqiptare. Zbarkimi i Grivës fshehtazi në brigjet e Nartës e Prevezës, marshoi në Çamërinë Lindore, ku ishin fshatrat çame me popullsi myslimane me djegje e shfarrosje arritën deri në lumin Kalama, Muzinë e Butrint, me moton: “Përpara, me kryqin në njërën dorë dhe në dorën tjetër thikën!” Dhe e gjithë kjo në emër të Greqisë dhe të kryqit…! Por kur e panë që nuk ja dolën ata dogjën 183 shtëpi të shqiptarëve në Mecovë dhe u shkaktua një gjakderdhje e madhe, ku grekët patën disfatën e parë dhe shqiptarët dmth osmanët fitoren e parë ndaj një shteti njëzetvjecar të Greqisë të uritur për troje në dëm të vëllazërisë gadishullore.
Por në këto luftime në rrethinat e Mecovës u vranë edhe dy bij trima të fshatit Fushëbardhë, Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani, të cilët edhe pse u varrosën “ku i zinte balta”, atje në Mecovë ngelën përjetësisht në memorie të kombit si “dëshmorë të rënë për truallin arbërorë”, sepse ata kishin lindur në një djep lufte, në Fushëbardhën e bardhë të këngës, të trimërisë, të mencurisë. Prandaj edhe populli i shkroi në këngë që të mos harroheshin kurrë: “Mecovë e bukur në pllajë,/Mos mbaj zi për kordhëtarë,/(Kordhë- shpatë e kthyer pak në majë; këllëç, shpata, palla, sëpat, jatagani),/Për djemtë e Labërisë,/Korjuxhu (koruyucu) të sinorisë,/(ruajtësit e kufirit),/Tepelenas e Vlonjatë,/Që rrojnë me bukë thatë,/Me mish të pjekur në napë,/Ja bënë fora atë natë,/Për truall, për tokën tënë,/Dushman nuk do lëmë në këmbë,/Luftë në truallin ilir,/E lanë me gjak lirinë,/Lebër trima xhevahirë…”. Trimat e saj fshati Fushëbardhë i kishte nisur për luftë për truallin e të parëve dhe ishin trima të “zgjedhur me dorë”: Bajo Kazo, Habil Xhuvani dhe luftëtarë të tjerë nga fiset: Yzeiri, Bineri, Çarçani, Golemi, Veliu, Onjea, Shalari, Shkurti, Kazo, Xhuvani, Poçi, Shehu, etj., rreth tridhjetë luftëtarë, trima që “luftën ua hante syri”.
Që të gjithë dalloheshin për burra të fortë, trima, të mënçur prej natyre, të përbashkuar në front lufte ishin tepër të fuqishëm, të zotë dhe mjaft të aftë dhe si prijës ushtarak beteje, burra që mundjen burrërishte e kishin një ndër “lojrat” e ushtrimeve luftarake, që dinin të godisnin në shënjë, që vargjet e këngës, i ngrinin nëpër beteja dhe po në beteja i këndonin. Në fshat nuk erdhën të rënët por më parë erdhi kënga e tyre, më e madhja e shekujve: “Mecova larë me gjak, /Luftojnë bijtë nën një bajrak, …/Bëjnë harb(luftë) me junanë,/ Flakë e ndezën vatanë,/ U vranë ca trima të rrallë,/Labëri ç׳i bëre lotë,/I derdha për ca luanë,/..,/Për Bajon (Kazo) dhe për Xhuvanë (Habil Xhuvani)…”. Kënga tjetër flet më shkurt, më prerë dhe më luftarake: “Në Fushëbardhë dy nishanë,/ Bënë harb me junanë,/Xhanin dhanë për vatanë,/Habili(Xhuvani) me Bajo Kazë, (Kazo)/…”. Më 6 qershor 1854, tre grupime kryesore forcash të Mahmut bej Vlorës, të Çelo Picariit dhe të Halit Bej Frashërit vijuan triumfin, sikurse në Nartë, Petë, Kallabak, Mecovë etj. Në fakt fitorja në betejën e Mecovës bëri që të dështonin plotësisht tentativat e qeverisë shovene greke për pushtimin e trojeve të Shqipërisë së Jugut gjatë vitit 1854. Prandaj për këtë arsye poeti popullor këndonte: “Arbëri, kështjellë e fortë,/Kalaja që nuk merret dot,/As me lajka, as me top,/Trimat se ctë dalin zot,/…Lebër zorgjedh levendë,/Tetëqind në betejë mbenë,/na nderuan Vilajenë…”. Në betejat për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës, numri i të rënëve, vetëm në Mecovë dhe rrethinat e saj përllogaritet në rreth tetëqind të rënë dëshmorë për amanetin e të parëve, për truallin e lënë trashëgim, tetëqind të ngelur në këngë. Në ndihmë të forcave shqiptare, që luftonin në front shkuam edhe qindra luftëtarë (mendohet rreth dhjetëmijë luftëtarë të tjerë nga Labëria, por e pavërtetuar plotësisht me dokumente). që u pozicionuan për mbrojtjen e Mecovës e Artës. Në Betejën e përgjakshme të Mecovës, ku e drejtonte grekët Griva u vra dhe komandanti velçjot trimi Selam Hasani. Kënga u këndua në mbarë Labërinë: “Kush u hodh proto Mecovë,/Selami vetullahollë,/Forra me pallë në dorë,/Gremisi katër taborrë../Selam, bajraku që s’jepe,/Shtatë plagë e nuk u stepe…”. Një ndër betejat më të përmendura në luftën e vitit 1854 është beteja e 13 Prillit 1854, ku 6000 trupa osmane dhe sidomos vullnetare të mbështetura nga artileria në Peta, në lindje të Artës, ku pas një beteje të ashpër e të përgjakshme pas humbjesh të mëdha, Kiço Xhavella me njerëzit e tij u tërhoq në jug, në kufijtë shtetit grek. Redifë vullnetarë të tjerë shkuan më në veri për të asgjësuar çdo lëvizje përreth qytetit të Janinës. Pati edhe luftime ku osmanët u tërhoqën dhe shqiptarët u mbrojtën dhe sulmuan deri të vetëm duke pasur edhe humbje të rënda. Nisur nga pikëpamja diplomatike dhe marrëdhëniet e osmanëve me flotën anglo-franceze e detyruan atë që të bllokonte portin e Pireut dhe disa porte të tjerë, duke penguar furnizimin e kryengritësve duke ushtruar presion mbi qeverinë greke të tërhiqte oficerët e saj. Pas shumë betejave të pranverës së vitit 1854, përfshi edhe ato në Vulgarel, Skulikarë, Kleidi më 12 Maj 1854 kryengritja andarte u shtyp. Trupat andarte greke u tërhoqën brenda kufijve grekë, edhe pse në mënyrë sporadike vazhduan të kishin probleme banditeske të veçuara. Vera e vitit 1854 i gjeti trojet jugore shqiptare të çliruara nga pushtuesit greko-rusë, por me shumë gjak shqiptari të derdhur për këto troje. Pushtuesi osman kësaj here është pushtuesi i tokës shqiptare që u shpëtua nga vetë shqiptarët, që në fakt mbronin tokën e tyre të pushtuar. Betejat e kapedanëve të Labërisë duke i analizuar më gjerë, flasin qartësisht se shqiptarët gjithmonë kanë ruajtur me fanatizëm trojet duke sakrifikuar dhe jetën e tyre për t’i mbrojtur ato. Gjithë qëllimet dhe orekset shovene ndaj trojeve dhe shqiptarëve kanë gjetur gatishmëri kundërpërgjigje dhe kjo është një përvoja historike reale, që nuk mban asnjë lloj shtrëmbërimi të asnjë lloj “historiografie” të paguar, ndërkohë që trimnërinë shqiptare e kanë njohur miq dhe armiq dhe ky është mësim historik që nuk ka nevojë për “sofistikim” të kohëve moderne edhe kur jemi në një organizatë madhore sigurie, edhe kur synojmë të jemi bashkë në një organizëm gjigand të përbashkuar ekonomik. Çdo përballje luftarake ka trimat, kapedanët, të rënët, idealin atdhetar. Janë me qindra e mijëra trimat e kryengritjeve popullore të kombit shqiptar, që gjakun e kanë derdhur në fushëbeteja shekujve, sepse nuk duronin robërinë e shekujve dhe kjo jo vetëm në Labëri por në mbarë truallin arbëror, që historinë e shkruan me gjak dhe me këngë, si element solid i komunikimit të brezave dhe që kompenson realisht historiografinë e pamundur nën pushtim, që të bënte detyrën morale ndaj kombit.