Albspirit

Media/News/Publishing

Lartëmadhëria e Mandatit të Tretë nga DaDa, një shkrimtare bashkëkohore

Edmond Kaceli

 “Politikanët e këqinj nuk çojnë dëm asnjë krizë të madhe”.

I frymëzuar nga kësi formulash elitare, Lideri Tiran merr frymë i lehtësuar dhe mirënjohës ndaj zotave që i dërguan pa kursim tërmete e pandemi gjatë sundimit të tij të lavdishëm. “S’kanë parë gjë akoma. Tani do të më njohin mirë këta pabuksat”!
– Dëgjo, shoku Shtëllunga. Urgjent të nxjerrësh tanke, mitraloza dhe ushtarë nëpër rrugë! Që sot fillojmë luftën dhëmbë për dhëmbë me armikun e padukshëm.
– Q’ka po thoni Lartmadhëri?
– Merrja shpirtin të thashë!
– Kujt?
– Kujtdo që del në rrugë. Bjer e bjer se diçka do qëlloni.
– Shpif e shpif se dicka do mbetet. Kështu sikur është ajo fjala, shoku shef.
– Ore ti, alpin, mos më korrigjo mua.
– Ushtarak o shef. Unë jam ushtarak. Isa ma ka mbush mendjen që jam edhe shumë i kënduar. Po nejse, ju e dini më mirë.
“Matufi”- bërbëlit nëpër dhëmbë duke ia mbyllur telefonin në fytyrë.

Ehhh – psherëtin i lodhur dhe i revoltuar. – Ku gabova xhanëm? – por menjëherë sqima prej vizionari të ndritur e zë për gryke dhe, e ndërron aty për aty pyetjen retorike: “Si nuk më kuptuan një herë xhanëm”?! Mirë këta pabuksat e këtushëm, por as ata të huajt që çoç i dija. Ka rënë fare dhe BE-ja, më keq se parlamenti ynë është katandisur. Të paktën këta trutharët tanë vishen firmato, u vetëtijnë makinat dhe rrobat dy orë larg, kurse ata lloshat e Evropës as nga moda as nga tangërlliku s’kanë haber. Si ishin veshur ashtu herën e fundit, shumë vite më parë, krejt përzishëm me ato kostumet serioze dhe këpucët lustrafine të vjetra sa bota! Pfffff! Normal që nuk mund ta pranonin mes tyre një fllad të freskët, një atlet të lindur si unë. Më lanë jashtë fotografisë ‘familjare’. Xhelozët! Më marrshin pleshtat më marrshin. Pleshtat që kisha një herë e një kohë, kur gdhihesha poshtë urave elegante të Parisit. Se tani, vetëm leshtë e mjekrës kam, miqtë e vegjël që më gudulisnin i shoi sapuni. – psherëtin nostalgjik. – Ehhh, Paris, Paris! Të paskësha magjepsur me karizmën time dhe as që e dija. Shyqyr erdhi ajo biba dhe më hapi sytë.

– Shoku Tiran! – një zukamë mize e shkëput beftas nga meditimet e thella kokë më kokë me veten e tij.
– Shoqja Doganë!
– Më duket vetja si prej Anadolli me këtë llagap që më ke ngjitur, o krenaria e kombit, o Skënderbe, o Don Kishot, o figura më romantike e letërsisë shqiptare. – llastohet ajo me një ton anukes.
“Injoranca e saj është orgazmike”- mbyll sytë i kënaqur dhe mbushet thellë me frymë. -“Entuziazmi i saj, eliksir i vërtetë, më drithëron, më përtërin. Një si kjo duhet në stafin e çdo burri shteti me halle të mëdha mbi supe, si Lartmadhëria ime”.
– E ngatërron o brunia ime me zgjuarsi bjondeje. Ai është vëllai Sulltan, ti je xixëllonja Doganë.
– Sot më kishin quajtur edhe Dyqan, Duqin, apo Dulqin… diçka të tillë. Ti e di që unë nuk i mbaj mend shumë këto gjëra, sepse unë nuk merrem me llafe boshe të cmiranjozëve. Unë merrem me thënie e Rahm Emanuel: “Never let a good crisis go to waste” me ide, me mënyra, me platforma, me tryeza pune. E thashë mirë? – përdredh një kaçurrel me gishtat e dorës duke pritur me ankth aprovimin e tij.
– Hmmmm. Tryezat nuk janë aq të rehatshme në fakt…- flet mendueshëm shoku Tiran duke parë me sy kritik mobjliet e tjera rreth e rrotull.
Xixëllonja Doganë lëshon e lehtësuar një buzëqeshje të pafajshme, dita e saj po fillonte mbarë… Por trokitja e derës ia ngriu optimizmin dhe ia shpuri gojën akoma më majtas.
– Ohhh, Edmond Dantesi i kabinës sonë!
– Kabinet moj shoqe, kabinet, – e korrigjon butësisht ai. Falë kësaj butësie kishte arritur deri aty, ndaj nuk e kuptonte pse e krahasonin me një hakmarrës të pashpirt si Konti i Montekristos. Ai fitoi menjeherë zemrat e popullit, por mbi të gjitha atë të të shokut Tiran, me replikën e tij të paharrueshme, aq të butë, aq të moderuar kundrejt kundërshtarëve:
“Ne nuk do vjedhim si ata, ne do vjedhim ndryshe”.

Lartmadhërisë po i bëhej zemra (edhe ca pjesë të tjera në fakt) mal tek shikonte zyrën e tij që po i mbushej me këta gjeni të vegjël të përzgjedhur me kujdes nga vetë ai. I donte pafund. Shikonte herë ata, herë veprat e tij njitur andej – këndej mbi mure si njolla boje dhe nuk vendoste dot cilët donte më shumë. Si për ta vilanosur përfundimisht ëmbëlsinë e kësaj tabloje, dera hapet pakëz fare.

Duken dy zgavra hunde të mëdha që nuhasin majtas-djathtas me kujdes, pastaj dera hapet edhe më shumë dhe ja, hyn ai dora vetë, Tagrambledhësi, shkurt Tigri.
– Na thave sytë, o legjendë.
– Na është tharë buxheti fare shef. – skërmitet Tigri duke çakërdisur sytë andej këndej. – Gjithë ato halle për të mbyllur: udhëtime, hotele, tendera, koncesione. Me lekët tona do i bëjmë këto mo?
– Mos e dhëntë Zoti! – hidhet përpjetë Xixëllonjë Dogana. – Në gur’t e në drut’. – kap llapën e veshit me dorë, pastaj e troket mbi tavolinë.
– Ke ardhur fiks në kohë. Po mendoj që paralelisht me ushtrinë, popullin tonë barktharë ta disiplinoj edhe me gjoba.
– Ohhhh! Ti je një shpëtimtar i vërtetë Lartmadhëri! – shtrëngon Tigri gjithë gëzim grushtet e tij delikatë. – Kjo është, pikërisht kjo është ajo që na duhet tani. Nuk e ke idenë si u janë ngjallur morrat këtyre tanëve. Dëgjojnë lajme se si qeveritë e tjera në Europë po i japin ndihma popullit të tyre dhe, po mprefin dhëmbët edhe këta mosmirënjohësit tanë. Le të shkojnë andej pra, të thyejnë qafën në kurbet dhe të marrin ndihma. Ne nuk po i mbajmë me pahir këtu.
– Syplasur more, çfarë tu thuash. Nuk e shohin që ne po na luten nga ana e anës, deri nga Bangladeshi, për të jetuar nën thundrën tonë. Pffff. Ky popull nuk më meriton. – ul kokën sinqerisht i zhgënjyer.
– Do të vijë edhe ajo ditë e bekuar do të vijë, o Diell, o Skënderbe! Do e ndryshojmë me themel këtë vend, duke filluar nga populli. E keqja e këtij vendi historikisht ka qenë populli, kështu ka thënë edhe historiani i madh Eros Ramazoti.

Fuqia staminale e injorancës së saj e gjallëron sërish, ia ngre lart kokën e përkulur. Ohhh, a nuk është një asset kombëtar kjo vajzë?! Ngatërron Herodotin me Ramazotin, por pikërisht këtu e ka magjinë e saj.
– Pra, Tigër, ç’do bëjmë?
– Do tallim by… më fal, do mbushim buxhetin.
– Ah qerrata, qerrata! – shkrihet nga kënaqësia Lartmadhëria. – Ti më kupton me të parë mua. Po ti përballoje dot, do të ti kisha lënë ty të gjitha ministritë.
– Ohhhh, shef, të falënderoj nga xhepi, më fal, nga zemra. Por mua më mjaftojnë vetëm ministritë që kanë parè. – i shkel syrin gjithë mirënjohje.
Lymi që hyn turravrap në zyrë i shkel padashur skarpinat e shtrenjta xixëllonjë Doganës. Ajo shtrembëron krejt surratin dhe kësisoj goja i duket në rregull.
– Hap sytë more Lym, se na shtype përqindjen femërore.
– Po ku më kanë ngelur më sy në ballë dhe mend në kokë mua shoku Tiran. Gjithë populli i Tiranës ka plasur në zyrat e mia. Duan tapira, deftera për shtëpitë e tyre. Ku të mbytem?
– Po jepua more, ça të duan jepua, hall për tapi e për deftera.
– Po jo more shoku Tiran, se tua jap të gjithëve unë, duhet ti them burgut “Hapu!” pastaj.
– Hmmm, jo, në burg, jo, ai është për burra. – i qan hallin Lartmadhëria. – Po si është puna? Pse nuk ua tapos dot ato shtëpitë e tyre të flamosura?
– Se nuk lejohet o shef. Është kriminale. Sipas ligjit duhet tu vëmë rruspën gjysmës së tyre. Na hëngri goja m… mjalt atëherë kur ishim në opozitë dhe këputëm gjithë ato të trasha, u premtuam që do t’ua legalizonim. Dhe ata skuthat nuk e kanë harruar. Mos t’u japësh një premtim, ashtu nga nijeti i mirë këtyre pabuksave, se ta mbajnë këngë gjatë gjithë mandatit pastaj.
– Edhe tani mo, në mandatin e dytë? Edhe tani nuk e kanë harruar akoma ata?
– Sidomos tani, shoku Tiran. Dynden përditë tufa-tufa para zyrës sime. Jam në hall. Kam ngecur keq, midis ligjit dhe votimeve që kemi tani afër.
– Sakën! Sakën! Asnjë thyerje zemre tani para votimeve, se të ngul me duart e mia si Rozafën brenda atyre shtëpive, more vesh, mora thuaj!
– Ç’të bëj pra?
– Mbaji varur.
– Varur?
– Varur?! – përplas duart xixëllonjë Dogana tepër e ngazëllyer.
– Është metaforë oj xixëllonjë.
– Ahhh, nuk është ide, mënyrë, platformë, tryezë pune? – sprapset në karrige e zhgënjyer.

– Ngrihuni tani dhe shpërndahuni. Por, më parë, që ta fillojmë punën mbarë sot, përsërisni me radhë shtyllat e sundimit tonë!
– Ne do vjedhim ndryshe, nuk do vjedhim si ata.
– Do tallim by… buxhetin.
– Do i mbajmë varur.
– S’keni parë gjë akoma!
– Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne s’ka, 
– zukat xixëllonja shpejt e shpejt, para se në zyrë të mësynin rivalet e tjera, Bela, Gerta, Erjona …
Please follow and like us: