Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Fatos Arapi rivjen para lexuesve me monografinë e Bardhosh Gaçes

Një monografi mbi “botën poetike të Fatos Arapit dhe hapësirat universale të saj”
Pa kaluar dy vjet nga vdekja e poetit Fatos Arapi, prof dr Bardhosh Gaçe vjen me monografinë me titull “Bota poetike e Fatos Arapit dhe hapësirat universale të saj”, monografi që synon ta rrokë gjithë opusin poetik të Arapit, ta sjellë atë nën një vështrim të ri pranë ndjekësve të poezisë, ta thërrasë atë në qendër të vëmendjes së studimit, të mendimit shkencor.
Fatos Arapi hyri në letrat shqipe në vitet ‘60 të shekullit që shkoi. Që në fillim ai u shfaq si një temperament poetik shpërthyes, me një gjuhë të freskët dhe shumë pranë verbit poetik modern, poet i një poezie me nivel të lartë estetik. Prej atëherë dhe deri më sot Fatos Arapi përherë ka qenë në qendër të vëmendjes së mendimit kritik; është përfaqësuar pothuaj në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të kohës, është i studiuar në universitetet shqiptare, i përkthyer dhe i botuar jashtë Shqipërisë, i vlerësuar gjithmonë si një zë poetik madhor dhe shumë origjinal.
Poeti jetoi gjatë dhe shkroi poezi deri në pleqërinë e thellë. Për të mund të thuash: qe një poet që vdiq me penë në dorë. Poezia e tij deri në fund e ruajti interesin për jetën, për fatet, për kohët, e ruajti cilësinë estetike duke thelluar thekset dramatike e tragjike në përshtatje me rrjedhat e përditshmërive shqiptare: me zhgënjimin prej komunizmit, rënien e tij, pasuar nga agonia e gjatë e tranzicionit.
Nga fundi i jetës ai e zgjodhi dhe e përmblodhi krijimtarinë e vet poetike në disa vëllime.
Këtu, te botimi i plotë, i zgjedhur i veprës së poetit, e nis punën studiuesi i letërsisë Bardhosh Gaçe. Kur themi këtu, në përfundim të një jete dhe të një vepre, sikur e ngushtojmë pikëvështrimin. Studiuesi dhe poeti kanë qenë nga i njëjti qytet, nga Vlora, dhe kanë qenë miq. Si më i ri, studiuesi e ka lexuar libër pas libri Fatos Arapin. Bardhosh Gaçja, duke pasur dhe një profil prej antropologu e historiani, njeh me rrënjë mjedisin, djepin dhe epokën ku u ngjiz poezia e Arapit, njeh nga afër historinë e familjes Arapi, veprimtarinë prej rilindasi të Tol Arapit, atit të poetit, vendlindjen e poetit, fshatin dhe kishën e Zvërnecit, fatkeqësitë dhe arritjet e fëmijve të Tol Arapit, njohje këto që i shërbejnë shtratit mbi të cilat ngrihet një studimi të tillë i plotë, integral, studim mbi “botën poetike universale’, mbi veprën monumentale të poetit.
Mund ta kishte shkruar edhe më parë këtë monografi, por ikja nga jeta e një autori gjithmonë shërben si korrniza për një portret. Vepra tashë është kryer dhe kjo lejon të fokusohesh mbi të, ta rrokësh fumd e majë atë, ta studiuosh në tërësinë e saj.
Monografia që kemi përpara, është konceptuar në dy krerë. Në të parin, studiohet poezia e Arapit sipas motiveve dhe kronologjisë së botimeve. Në kreun e dytë me titull “Mendimi kritik dhe letrar mbi poezinë e F. Arapit” bëhet një përmbledhje e thukët e gjithë shkrimeve kryesore të studiuesve me emër që janë ndalur mbi poezinë e Arapit.
Autori ka bërë një punë të imët në hetimin e rrugës krijuese të Arapit që nga fillimet e tij. Ai e vendos poezinë e Arapit në shtratin e poezisë shqipe, por dhe në paralelet e saj me poezinë europiane të kohës. Në përgjithësimet e tij Bardhosh Gaçe shpalos idetë si më poshtë:
Duke qenë që në krye të herës një poet modern në konceptimin e botës përmes poezisë, modern në mjetet shprehëse, në ndjesi e në mendim, Fatos Arapi erdhi në fushën e letrave shqipe si emancipues i fjalës, i gjuhës poetike, i poezisë. Ai e pati të vështirë të jetë vetja, të mbetet një zë original në kushtet kur kishte çensurë, kishte programe mbi çfarë do të shkruaje dhe mbi atë sesi do ta shkruaje poezinë. Por Fatos Arapi ia arriti të mbetet vetëvetja, të shkruajë poezinë që ishte substancë e origjinalitetit të tij, dhe ta shkruajë atë në një gjuhë të freskët, në strukturat e atij moderniteti që në Shqipëri shihej shtrembër. Fatos Arapi e mbrojti me fuqitë e veta të paepura shpirtërore nderin e shkrimtarit: shkroi poezinë e tij, me stilin e tij dhe në një kohë kur këto paguheshin shtrenjtë.
Bashkohem me këto ide të studiuesit Gaçe dhe me atë që çfarë kemi humbur nga ky poet, se siç parashtrohet në këtë monografi, poeti Fatos Arapi në liri shkroi e botoi poezi të bukura dhe disa herë më të shumta në sasi sesa ato që shkroi në 40 vjetët në paliri.
Në sythat e kësaj monografie Gaçe ndalet mbi poezinë e vendlindjes, të detit, të motiveve mesdhetare. Fatos Arapi ashtu si Lasgushi me Liqenin e Pogradecit i sjell një topos tjetër letrar poezisë shqipe: sjell Zvërnecin. Është një fshat në një vend e klimë piktoreske dhe poezia e Arapit e vesh, e pikturon e rikrijon në poezi, i shpirtëzon pejsazhet, detin, ullinjtë, pelikanin, qiparizat, dritat e stërkalat e ujërave të Jonit.
Veç kësaj ky topos bëhet dhe vend dashurie, vend meditimi mbi jetën, mbi vdekjen, mbi detin e pashterrshëm në rendjen e tij që thyhet në breg e prapë nuk ndalet. Aty janë varret e gjyshes të atit, të nënës.
Magjike është qasja ndaj kësaj vendlindjeje të bukur, magjike mbetet mënyra sesi një poet modern gjen një çelës të tijin, gjen mjete të freskëta të poezisë dhe arrin ta bëjë të dashur edhe për ne të tjerët një kënd intim të jetës së tij. Është cilësia e lartë e poezisë, e gjetjeve poetike befasuese në thjeshtësinë e tyre.
Poezia e luftrave shqiptare vjen me poemat “Drashovica”, “Alarmet e përgjakura”, me ciklin e poezive mbi dëshmorët e Vlorës. Në vështrimin e Gaçes del veçantia e Arapit në realizimet e tij mbi këtë temë. Po ashtu originale, epike dheplot mendim vjen poezia e ciklit të Skënderbeut, e poezive mbi Motin e Madh. Në këto cikle gjuha poetike vjen me tingujt e tunxhit, me shkëlqimin e armëve të luftrave.
Një nga kulmet e kësaj monografie shënohet me vështrimin mbi ciklin e poezive për Vllasin. Kushdo (si unë) që e ka njohur në vitet ’70 të shekullit që shkoi, Fatos Arapin elegant e të gjallë që i shoqëronte me gjeste ekspresive fjalët, do ketë vërejtur sesi ndonjëherë ai fare pa lidhje me bisedën, ndalej, zymtohej dhe mbytej në lotë. Kjo ndodhte rrallë dhe mbetej një enigmë (përse ndodhte?) për ne që e shoqëronim atë Fatosin e atëhershëm me sytë e shkruar dhe të qeshur.
Cikli për Vllasin, për të vëllain, mbase jep një shpjegim për atë brengë të ndrydhur, të fshehur që poeti e vuante përbrenda vetes. Vllasi, komandant partizan, u revoltua nga dhuna revolucionare e partizanëve ndaj kundërshtarëve dhe vihet në konflikt për vdekje me shefat e tij. Këtë do ta paguante me kokë. Shokët e tij eliminojnë si armik dhe nuk ka as varr. Në lirinë e pasviteve 90-të, mbas një gjysmë shekulli, poeti e çkyçi gojën e mbyllur tragjikisht: shkroi poezi mbi fatin tragjik të Vllasit. Nëse për të dhe për familjen e tij kjo ka qenë gjëmë, fatkeqësi, poezisë shqipe kjo ngjarje i ka dhuruar një cikël poetik me forcë të madhe emocionale dhe me lartësi poetike të pashoqe. Ndryshe nga ciklet e mëparshme poeti këtu ka mobilizuar figura dhe struktura gjuhësore të mistikës kristiane dhe të mitologjisë së lashtë. Poetit I dhemb në mënyrë të veccantë mos ritualizimi i vdekjes së vëllait. Mbetja e tij, pa varr, pa vajtim, pa qiri mbi varr.
Studiuesi ndalet mbi poezinë meditative të Arapit. Meditimi ka qenë një tipar i pandarë i kësaj poezie Në poezinë e shkruar në vitet e fundit një vend të veçantë zënë motivet mbi fatet personale, mbi fatin e një epoke, mbi fatin kolektiv të vendit të tij. Në këto poezi ka shumë revoltë, dallgë me zhgënjim dhe trishtim të pangushëlluar. Rendja në filozofi, në mitologji nuk i zbusin ankthet e poetit. Herë-herë ai shpërthen ashpër. Liria pa kufizime çon në anarki dhe anarkia në fatkeqësi. Kjo e trondit autorin. Këtu veta e parë njëjës e poezisë lirike meditative shndërrohet e vetën e parë shumës. “Ne…ne jemi humbës”.
Fatos Arapi mbeti deri në fund poet i kohës së tij, i përdishmërive tragjike nëpër të cilat jetoi, poet i njeriut dhe i fateve të vendit të tij.
Monografia rrok të gjitha problemet kyçe të kësaj poezie, probleme që me kohë kanë shqetësuar studiuesit e saj. Autori kalon nga analiza e blloqeve të mëdha motivore, te zhytja në strukturat më të imta të kësaj poezie. Ai ndalet në interpretimin e hollësishëm të disa prej kryeveprave poetike të Arapit, ndalet në strofa, në vargje, në figura të papërsëritshme për nga bukuria. Kështu bashkë me monografinë kthehemi të lexojmë dhe një herë poetin, kthehemi te emocionet dhe befasitë e artit të tij.
U ndala në disa nga vlerat më të spikatura të kësaj monografie të shkruar me shumë profesionalizëm dhe me pasionin e një studiuesi që asnjëherë nuk e ndan angazhimin e tij studimor, rreptësisht shkencor, nga dashuria për kulturën dhe për personalitetet e saj.
Kjo monografi e gjerë vjen edhe si një homazh për Fatos Arapin, për njërin nga poetët më të shquar të gjuhës shqipe.
28 dhjetor 2020.

 

Please follow and like us: