Albspirit

Media/News/Publishing

Krenar Zejno: Lavdi librit!

Një portret bibliofil zë fill te tipari fin i një lexuesi ndjesor, më tej dashnor rishtar e ledhator faqesh, e posa përfundon përkëdheljet me to, ia nis sërish nga ledhat në shpinë. Pastaj me rradhë të tjerat tipare, si adhurues ithtar i mbarë botës prej letre, apo idhujtar i ndonjë botimi zanafillor, aty mes botësh imagjinare. Zaptuar, edhe në ëndrra, nga ëndrrat për ëndrra, me xhinde ndër dengje librash e libra mes xhindesh kapicë, si të kallësh figurat tors të ciklit mesjetar “Librari” të Arcimboldit, përbrenda tablove të ndërkryera nga Hieronimus Bosch.
Zakonisht, bibliofili është zëfilli grumbullues i përkorë, mbase edhe një eksplorues, e pastaj, ndoshta koleksionist mirëfilli. Nëmospo, një sistemues rraqesh prej letre dhe kotësie, pafajësisht rrangullator. Paraardhësit e kësaj race të fisme i përbashkon zakoni parak që rrëmon rrëmujën; më vonë, rrëmih në një epistolar; pastaj rrëmben një grafik, edhe një të dytë; mandej del nga rrënoja, shfaqet, e këmben prapë me të parin… a me diç tjetër nga magjepsja që po i zënë sytë. Në fund, kthehet dhe rron tok me pishmanin apo maninë… ka të ngjarë, edhe me qorrollisjen gjer dhe verbërinë.
Nëse doni t’i përftoni imazhin përkatës apo përfaqësues kësaj, afrojani siluetës së përfytyrimit ta cekë atë bishtin e lupës së humbur mu aty nëpër letra… dhe do ta shihnit të ngrijë i përhumbur, me sytë e zgurdulluar mbi një VERB. Fiksojeni imazhin e beftë, ashtu siç po ju shkrep në kokë, dhe lereni të prehet kështu, gjer në mortjen e ndehur ndën një kodik antik. Po, është ai, portretizimi i bibliofilit në aktin dhe gjestin e tij tipik. KLASIK.
Është për këtë uri, pse një specie e kësaj natyre, që gërmon labirintheve të së nëndheshmes dhe gërmëzon errësirën, nuk do vononte të përqasej në botën e gjallë me një buf ose urith.
E mandej, të tjera personifikime e nofka për t’i thënë instiktit, etjes dhe urisë, arsye.
Gjenden gjithandej dëshmitë, në ato portretet nga ku vështrojnë një palë sy të veckël të nëndheshëm, apo ilustrimet me sytë e mëdhenj e të rruzullt prej bufi nate, hapur tej mase; shoqëruar nga epitete përkëdhelëse e qesëndisëse, qëndisur si me gjilpërë për të kategorizuar krijesën që shpupuris e kërkon, sikur gjilpërën në kashtë; mbetur nëpër vizatime, e plot tipizime që vijon t’i mbajë, gjithsesi, ende sot. Tok me njërën nga ato të pakta cilësi, e cila mundet ta veçojë humanoidin nga të tjerat gjallesa, gjer dhe vetë njeriun mes njerëzish: Një tekë!
Gjer dhe si simptom e një patologjie, mes pasioni dhe monomanie, të cilën njeriu i ndjenjës në fjalë, bibliofili, e mbart përgjatë gjithë jetës plot sjellje tekanjoze. Jetë që shpreson t’ia dalë për ta shpërngulur të prehet përfundimisht në një… BIBLIOTEKË..
Dhe ta strehojë mundësisht ndanë raftit ku fle prej shekujsh, tek pret të rizgjohet, ndonjë inkunabul. Ndërsa ai të çapitet dhe ecejaket teksa flet me vete, e ta rigjejë symbyllur, ta cekë sërish e prekë dashurisht për të satën herë, me duart zgjatur sikur një somnambul.
E ndërkaq, nëpër lakoret e tuneleve ku jeton dhe shfaqet e veton vetë bukuria e shkruar, edhe kjo tekë bën devijimet e saj. Dikush e përmbush atë vetëm si lexues dhe falë të qenit qëmtues, ndonëse i llojit të veçantë prej ndjekësi dhe investigatori hetues; një tjetër, thjesht një shkrues kopist; kurse dikush, përshkrues që gjuan si macja dhe vetëm e vetëm për vete; ndryshe nga tjetri tjetër, hulumtues që e gjuan prenë edhe si qeni, pra për të tjerët. Ndonjë tjetër më tutje, shfaqet si belbëzues babelik ose një përkthyes besnik, në shërbim të lexuesit apo, kushedi, mbase vetëm si eunuk haremi i autorit të tij. E dikush tjetër diku, e bën pse kjo marrëdhënie me gjënë prej letre i është kthyer e transformuar besim, e prej këtej, në gjest impulsiv dhe ritual.
Ka dhe nga ata, që duke mos u shkëputur dot nga loja dhe pozicioni i fëmijëve – për të cilët sendet nuk janë ende mallra, dhe nuk vlerësohen sipas cilësisë apo dobisë –, shtyhen sa papandehur, gjithaq natyrshëm, te koleksionimi i librave. Dhe dihet po ashtu se pronësia, si lidhja më e thellë që njeriu mund të ketë me objektet, e bën atë edhe më posesiv. Ama, vetëm në të këtillë konak, mania e makutëria ka të drejtë për veten, dhe ende nxë kuptim. Prandaj, të gjithë këta e kanë hak një prehje shpirti shëlbim.
Qëkurse Adami u lind, për të qenë zotërues e mëkëmbës i Zotit në tokë, tok me të lindi edhe i pari shkrues-kopjues, një epistemolog-staticien. I cili, atëbotë fillese endej poshtë e lartë të regjistronte qeniet, krijesat e gjërat, për t’i emërtuar dhe nxjerrë në pah, e pastaj miratuar tek i zoti. Medemek, një ofiqar i veçantë, nga njëra anë i privilegjuar, kurse nga tjetra, ngarkuar me një barrë për ta përmbushur: një katalog universi vademekum.
Mirëpo, Adami nuk mund të emërtonte edhe vetveten. E meqë nuk e ndrydhim dot tundimin bibliofilik për klasifikime, le të themi se është vetë Adami i pari bibliofil. Zaten, edhe ndër tiparet e këtij të fundit, vetia e zotëruesit dhe e trashëguesit të gjësë është nga më kryesueset. Nga ky pikëvështrim, bibliofili shfaqet si më i afërti adamik.
Të rrahësh për t’i vënë rend gjërave dhe lidhjes me kreatura e dukuri të botës, do të thotë të rrekesh të zbulosh, të dallosh, por dhe të shenjosh e fiksosh diku, në gur, në dru, apo të kompozosh në një fletë a të organizosh në libër, ashtu si dhe të ndash, krahasosh, përngjasosh dhe rishpërndash në rafte…
Me një fjalë, të ngrehësh një bibliotekë, ngrehinë me fjalë. E në rastet fatlume, nga brenda saj të shpërfaqësh jashtë një dijeni, të hartosh apo riformulosh diçka në lidhje me diçka, shkurt një dituri, të madhe apo të vogël, me pak apo më shumë rëndësi, e kësisoj, një univers të ri. Po, po, sepse pas çdocilit zbulim rishtar, korpusi i letrave, ose universi letrar nuk është më ai i përparshmi, pasi tashmë i është ndryrë dhe shtuar edhe një tjetër risi, duke na dhënë për rezultat një univers të ndryshuar, pra, univers të ri.
Harmonia mes njeriut dhe natyrës e historisë ka nevojë për objektet totem. Ndër të cilat, libri, duke pasur për brendi shkrimin e gjuhës njerëzore: mbetet një fuqi totemike me një tёrheqje speciale. Dhe gjithaq harmoni, që e përshkruan edhe vetë këtë, ashtu si dhe tërë kredencat e kompleksitetin e tyre
Kërkesa për paraardhës, mendohet se është në vetë gramatikën e qenies. Po ashtu, kërkimi për paraardhësit arketipalë, dihet, është ajthi i bibliofilisë.
Askund më mirë se në libër, mundet të përcillen jehonat ku shoqëria kërkon të dëgjojë zërin e vet, e të ripërcaktojë distancat dhe fuqinë. Askund tjetër më efektivisht se nëpërmjet librit njeriu mund të shpërfaqë dhe kundrojë simbole dhe profile të vetes. Në libër dhe përmes librit, pra, ku njeriu mbjell, rrit e krasit pemë dhe gjenealogji, prej nga qytetërimi zbret në rrënjët e veta.
Më poshtë po risjell si përshendetje të ditës së librit këtë fragment që e kam shkëputur e përkthyer nga kapitulli “Ledhatimi i librit” i një bibliofili shembullor, Anatole France:
Kam njohur gjatë jetës mjaft bibliofilë, dhe jam bindur se dashuria për librat ca njerëzve ua bën më të përballueshme jetën. Nuk ka dashuri të vërtetë pa një dozë ndjeshmërie. Me librat mundet me qenë i lumtur veç në i do edhe i përkëdhel. Do më mjaftonte vetëm një hedhje syri që ta dalloja një bibliofil të vërtetë, e shoh nga mënyra se si e cek një libër.
Ai që tek e merr në duar ndonjë të çmuar libër të adhurueshëm e të rrallë, a nëmos nga ata të moçmit e përndertë, nuk e ka rrokur me atë kapjen sa të sigurtë edhe të ëmbël, e nuk ia shkon butësisht dorën sa t’ia përshkojë shpinën me ledha mbi syprinën e sheshtë dhe margjinat, e pra ky njeri s’e ka patur kurrë instiktin që i bën të mëdhenj Groslier-të dhe Double-të.
Bën vaki edhe të çirret me të madhe që na i dashuroka librat: nuk i zemë besë. Nëmos ia kthefshim se i do veç që t’i përdorë. Dashuri i thonë kësaj? Vijon, vallë, të dashurohet ende kur s’është në mes ndonjë interes? Sigurisht që jo.[…]
Më kujtohen dy priftërinj të shkuar në moshë, njëri kanonik e tjetri vikar, të dashuruar me librat dhe asgjë tjetër të kësaj bote. Çdo ditë falëzoti, i gjente të dy në trotuaret përpara karrocave të bukinistëve. Synimi i tyre, mbi këtë dhe’, ishte të rrëshqisnin ndër xhepat e veladonit libra të hershëm, pështjellë nën lëkurën me vijëzimet e kuqe. Janë nga ato bëma të thjeshta, e më së miri të përpuqura me jetën kishtare. Do thoja që ka ca më pak rrezik, për një prift, në shfletimin e një libri të ekspozuar buzë rrafteve se sa në soditjen e natyrës në një pyllishtë a fushë. Sido të na e thotë Feneloni, natyra nuk se është lartësonjëse. I mungon ajo cipa, e na cyt për tek përleshja dhe dashuritë. Është ndjellëse, turbulluese e shqisave, me ato mijëra aromat çpuese të saj: bën të ndjehemi të tunduar e përfshirë në puthje dhe psherëtima zjarrmi. Edhe e paqta e saj, është, në realitet, e dyshimtë. Një poet i ndjeshëm ka thënë: “ Shmangiuni thellësive të pyjeve dhe heshtjes së gjerë ndehur në to”
Shfaqja që sytë e tyre rroknin më shpesh, qe ajo e atij gjethi të florinjtë floreal që libralidhësit e shekullit XVIII ua gdhendnin ndër deje e tejëza librave të tyre mbi lëkurën e shpinës. Ishte sigurisht një shfaqje më e pafajshme se ajo e zekthit të fushave, që as punojnë e as ngatërrojnë, por dashurojnë e bëjnë të çmenden fluturat me misterin e krezëz gjitëse të tyre. Dhe ishin aq hareshëm të varfër dhe dëfryeshëm të përulur. E përcillnin edhe në shijen për librat thjeshtësinë e virtytshme të jetës.
Kam pas njohur, asokohe, një biblioman edhe më të habitshëm. Kish zakonin të griste nga librat fletët që s’i pëlqenin, e meqënëse qe pajuar me shije të rafinuar, nuk i kish mbetur tjetër në bibliotekën e vet përveçse kompletit të një vëllimi të vetëm. Koleksionet e tij i përbënin pjesë dhe copëra të prera të cilat mandej ishin rilidhur sërish për mrekulli.
Kam hasur edhe nga ata njerëz që rrahin ta mbyllin gjithësinë në një musëndër. Është kjo ëndrra e çdo koleksionisti. E meqënëse kjo ëndërr është e parealizueshme, koleksionistët e vërtetë, ashtu si dashnorët, kaplohen edhe në lumturi prej një trishtimi të pamatë. E dinë që nuk do mundeshin kurrë ta kyçnin mbyllur botën e tërë. Prej kësaj iu vjen ajo melankoli e thellë.
Lypset pranuar, ama, se nuk ka dashuri pa fetish, ndaj le t’ua njohim të drejtën të dashuruarve të letrës së zverdhur e vjetëruar, pse, siç tërëkund të dashuruarit, edhe këta, nuk janë veçse përnjëmend të marrë.
Please follow and like us: