Albspirit

Media/News/Publishing

Mirash MARTINOVIQ: Lexojeni Lulzim Tafën, porosi për lexuesin malazez

Librin “Këngët e Përgjërimit” e përbëjnë gjashtë tërësi të nivelizuara poetike, të cilat korrespondojnë mes vete dhe shkrihen në një titull të përbashkët, e që janë: Ke fjetur nën hënë, Këngët e trishta, Kaçakët, Paroditë e zeza, Vetë me vete dhe Ekspozita e ëndrrave. Poezitë e Tafës janë amanetlënëse, të gërmuara me thonj dhe gjuhë (ashtu siç poezitë e veta i ka mihur poeti i madh grek Jergos Seferis) nga jeta, nga toka e  Kosovës, por që vlejnë për të gjitha vendet dhe popujt. Ato janë metafora shndritëse, të cilat dërgojnë porosi universale. Prandaj, edhe mund të  artikulohen përmes të gjitha gjuhëve, të jenë të kuptueshme për secilin njeri. Janë thadruar në gnosa, të përmbushura me  përvojë dhe me vet fatin. Me fatin e njeriut, por edhe me fatin e secilës qenie të gjallë, të kalit në shi dhe të luftëtarit para aksionit dhe luftës.

 

Mirash Martinoviq

Lirika e dashurisë nga fillimi i kësaj përzgjedhjeje, së shpejti shndërrohet në këngë trishtimi, me klithma të cilat jehojnë nëpër Kosovë dhe nëpër tërë planetin, duke gjetur shtëpinë e vet në zemrën e njeriut.

Në tokën e Kosovës, në të cilën Tafa është lindur, është i pranishëm misioni i OKB-UNMIK-u, i cili sjell me vete poashtu një regjim të veçantë jetese. Deshe apo nuk deshe, regjimi i tillë, stili i tillë i importuar, ekuilibron traditën e popullit që jeton në Kosovë, konkretisht traditën e popullit shqiptar, derisa tradita e tillë e ka mbajtur gjallë, gjatë historisë. Por, si thuhet zori i ndërron ligjet.

Faktori i jashtëm, sjellë risi, të cilat debalancojnë traditën dhe pastërtinë e saj, për të cilën Tafa thekson me poezitë e tija. Si ilustrim po marr poezinë ‘Zhgënjimi’ nga cikli Parodi e zezë, ku thuhet:

DËSHPRIM

Çika potureshë shkurtu’

i ka flokët

dhe tani e keqe

shkon te kroni

kurrë s’iu terën aty sy

qysh kur i tha një mik

Hasan Aga është bërë Gay

ka një të dashur në UNMIK 

Sipas pastërtisë së shpirtit të tij e të popullit të vet, kjo poezi është shkruar me dorëshkrim të pastër nga i cili rrezaton shkëlqimi yjësor.

Ajo është  dëshmi autentike për kohën  në të cilën realizohet, por edhe një glosar metafizik që i jep një dimension të veçantë. Tafa le gjurmë në kohë. Shenja të veçanta dhe karakteristika autentike, që është detyrë e secilit poet.

Në poezitë e Lulzim Tafës flet liria e  errësuar, gejzeri i fuqishëm nga zemra e poetit. Këto poezi janë kushtrimtare nga hapësira e thellë në të cilën jeton ajo që është arketipe, iskone. Ato janë ruajtës besnik e të sigurt të akteve iskone, të cilat Tafa i bartë në kohën e vet.

Ato janë të pikëllueshme, nganjëherë të trishta, ashtu si mban titullin një cikël në këtë përmbledhje, me atë tingëllimin Ovidian të këngëve të vajtimit, por që nga ai pikëllim, nga gjendja e përgjithshme–shndërrohen në metafora të fuqishme të cilat ndriçojnë errësirën e Kosovës dhe terrin e njeriut, i cili jetoj aty. Pra, kanë lindur nga tërë thellësitë, nga zemra e tokës dhe e njeriut.

Edhepse në shikim të parë edhe të trishta, ashtu siç është pagëzuar një cikël i kësaj përzgjedhjeje, esencialisht edhe të  buta edhe të ngrohta, me porosi humane, me synimin  që nga trishtimi të dilet i fisnikëruar. Poezitë e Tafës fisnikërojnë. Cilido që i lexon, pastrohet, me porosi dashurie e të qëllimeve të mira. Si shembull, nga cikli ‘Këngë të trishta’, po përmend poezinë

VJEDHËSIT E LULËKUQEVE

Jo pse u derdh gjaku

Jo pse fëmijëve

Mollët gjyle në faqe.

Po pse gjaku

Rrodhi

E njeriun

Lulëkuq

E këputi dikush.

Cilido që kalon nëpër ferrin e urrejtjes, te luftës e të trishtimit dhe mbetet njeri, e ka dhënë provimin para historisë, etikës e poezisë (para kësaj sidomos!), nuk mund që ata kujtojnë atmosferën në Kosovë të cilën ekliptikisht dhe bindshëm e përmbledh poezia:

ATMOSFERË LUFTE

Në  Kosovë atë ditë

U shtrenjtua buka

Vaji

Mielli

Sall jetës i ra

Çmimi

Vdekje

kishte me bollëk.

 (1998)

Kjo poezi edhe sipas shpirtit është e ngjashme me poezinë e Ungaretit, sipas konciozitetit të shprehjes, në bazë të klithmave dhe dhimbjes, vuajtjes e cila rritet, shndërrohet në fisnikëri. Nga metali i çmuar i jetës është shkrirë metali i fisnikëruar, ari i pastër i poezisë.

Këtë poet italian, e ka dashur shumë edhe miku ynë i përbashkët Ali Podrimja, prandaj është ky një rast i mirë që t’i përmend të dy këto figura madhore. Poezinë e Ungaretit, ‘Pelegrini’, vargjet e tij dhe atë, Unomo di pena, njeriun e vuajtjes, nga e cila siç ka thënë edhe vet, e ka bartur shpirtin e sfilitur, me vurrata (vrragë), por, me kthjelltësi të dhimbshme të të vuajturit dhe vargjet e shkruara në copëza fletësh, kartolina, mbështjellëse për municion, të gjitha ato që i ka punuar si luftëtar e poet nga ferri i luftës, ka lindur poezia:

Ungareti

Njeri i vuajtjes 

Të mjafton iluzioni 

e të bëhesh trim 

Tafa ka mbetur njeri dhe poet, kur nuk ishte lehtë të ishte i tillë. Besnik, në kohët e errëta që shfaqen në histori, e të cilat pikërisht si të tilla i ka diagnostifikuar filozofja e njohur, nxënësja e Hajdegerit Hana Arent, në librin ‘Njerëzit në kohët e errëta’. Duke pyetur se si do të mbijetonin pa këto flakadane të rralla por aq të domosdoshme? Dhe çfarë do të bënim ne pa to në kohët e territ?

Nga kohët e tilla, ka lindur si një lule më e bukura, poezia shndritëse, e pastër, pikërisht si ajo Ajkuna për të cilën ajo këndon në ciklin Kaçakët.

Lulet Bodleriane të së keqes janë rritur në Lule të Tafës të së Mirës. Nga vuajta është lindur urtësia. E vërteta e vjetër, e cila është vërtetuar, përmes kësaj poezie.

Nga pashpresa është lindur shpresa. Ky poet, predikues i shpresës, bart diellin mes për mes errësirave të kohës. Ashtu e kam parë, duke e lexuar poezinë e tij.

Nga koha e ngatërruar, e hutuar –ka rrjedhe burimi i kthjelltë, ka lindur poeti autentik. Tafa bën pjesë në grupin e poetëve të shquar të gjuhës shqipe, çfarë është Ali Podrimja, korife i kësaj poezie dhe Azem Shkreli, të cilit në ciklin ‘Ekspozita e ëndrrave’  ia dedikon poezinë LAMNET, e cila në mënyrën më të mirë e artikulon misionin e Tafës, vizionin dhe fatin e poetit:

LAMENT

(Azem Shkrelit)

Poeti s’i vinte kurrë

Pikë vargut

Por kur u mbush

Mall mërgimtarësh një ditë

Ajo pikë i ra në zemër.

U ngut

Se desh me vdekjen

të ateronte

Në Kosovë

Dhe nga sot

Vdekja u bë

Lirikë e bukur

Poeti nuk vdiq

Veçse i ra pika

E vargjeve në zemër.

Pas këtyre vargjeve jam i sigurt se nuk kanë vdekur as Podrimja, as Shkreli, as Din Mehmeti, miqtë e mi dhe miqtë tanë, poetët tanë të dashur e të adhuruar. As Anton Pashku, Xhojsi shqiptar, mik nga ditët e mia kosovare.

Podrimja Tafën e ka pagëzuar pasardhës të vet. Është ky një kompliment për secilin poet.

Poezia jeton, përkundër vdekjes. Ajo dëshmohet në kalueshmërinë e saj .

Vargjet e Tafës lindin nga dheu i Kosovës, ngjashëm me lulet më të bukura, ata janë të groposur thellë  dhe kjo thellësi  iu jep një shpërthim, një  lulëzim  të begatshëm dhe me një shkëlqim të veçantë.

Për titull  libri nuk e mora rastësisht titullin e librit të Tafës, botuar në vitin 2015 në Prishtinë. Duke lexuar vargjet që e përbëjnë  këtë përzgjedhje, i kam gjetur edhe brenda vetes, në zemrat e lexuesve të ardhshëm, në kohët e ardhshme. Me devizën ‘Shtini n’dhe këto fjalë’ – jeton kjo poezi të cilën ngrohtësisht e rekomandoj. Jam i lumtur që kam pasur privilegjin ta lexoj dhe që m’ është bërë nderimi ta shkruaj fjalën hyrëse për botimin në gjuhën malazeze të poezisë së tij, ndërkaq jam i bindur se kjo urë fjalësh do të jetë edhe një lidhje e bukur e përhershme në mes të popujve dhe letërsive shqiptare dhe malazeze, në rastin konkret.

Këso privilegjesh dhe nderimesh nuk ndodhin aq shpesh. Kjo fjalë imja hyrëse është një dhuratë modeste për Tafën, për poezinë e tij dhe të gjithëmbarshme shqiptare, e cila, jam i sigurt se do të jetë zbulim i madh evropian dhe botëror./lajmi. net

Lulzim Tafa, “Këngët e Përgjerimit” (Zavjetne Pjesme), poezi në gjuhën malazeze, botim i shtëpisë Botuese “Dignitas”, Cetinje 2016, fq 111

Herceg Novi, Mars, 2016,  Mirash Martinoviq

(Nga gjuha malazeze e përktheu: Smajl Smaka)

Please follow and like us: