Albspirit

Media/News/Publishing

Fitnete Gruda: Diktatura ‘ledhatare’ e pushtetit solli fitoren qesharake të së majtës 

 

 

Rezultatet e 25 Prillit habitën të gjithë madje edhe vetë socialistët që fituan. Në veçanti habia bie në sy, gjatë daljes në media, tek ata që kanë fituar mandatet, ku më entuziastë ishin gjatë fushatës, se sa tashmë që kanë fitoren në dorë. Nuk është çudi që numri i madh i votave të marra nga disa kandidatë të ketë habitur edhe vetë ata, duke u ngjarë si diçka e rënë nga qielli. Nën moton – “vullneti i popullit”, fshihet gjithçka. Por shifrat flasin vetë për të kundërtën. Në fakt s’kishte si të ndodhte ndryshe në një vend ku është instaluar një sistem totalitar që kontrollon jetën e çdokujt, nëpërmjet maskarenjve dhe horrave në pushtet apo atyre me pushtet të nëndheshëm; të kërcënon me vendin e punës që ta mbyllësh gojën dhe po nuk e mbylle ta merr edhe vendin e punës. Nuk i plas se mban apo punëson “diplomat” false. Më e keqja është se nuk të lë ta kërkosh të drejtën tek drejtësia nëpëmjet falangave të tij dhe kapjes së sistemit të drejtësisë. Për pjesën që nënshtrohet, frikësohet apo joshet me  privilegje, ndere, përfitime të ndryshme, kjo ndoshta nuk quhet diktaturë, por lë të themi – diktaturë “ledhatuese”, pasi të ledhaton duke të dhënë diçka dhe të merr lirinë e fjalës, të kthen në rob të pushtetit. Pikërisht me këtë diktaturë “ledhatuese” e cila prodhoi votat u rifitua ky pushtet, ose thënë ndryshe – u rrëmbye dhe më pas të tall duke thënë: “Vetë na e dhe votën, me vullnetin tënd”.

Jemi mësuar të reagojnë për zgjedhjet politikanët, analistët dhe kjo është e pritshme si detyrim ndaj publikut. Por harrojmë se edhe ne qytetarët kemi të drejtë dhe detyrë të reagojmë ndaj çdo gjëje të mbrapsht në vend; brenda kësaj edhe ndaj këtyre zgjedhjeve, në respekt të votës së hedhur, fati i së cilës një Zot e di cili ka qenë (!); është numëruar aty ku e ke shënuar ‘ti’, si votues apo ka shkuar në grumbullin e votave të pavlefshme gjersa të tilla kanë rezultuar aq shumë. Në këtë kontekst, sot po reagoj, ndaj fitores qesharake të partisë në pushtet si një qytetare e Republikës së Shqipërisë që ‘patronazhistët’ i ka patur pas, çdo ditë në këto 8-të vite (kur një pjesë e mirë e popullatës u indinjuan  se i patën pas patronazhistët vetëm në fushatë ). Po pse vallë?! Sepse thoshja të vërtetat me argumenta e prova!

Reagoj, si person me profesion mësuese që bëri thirrje opozitës për vëmendje të madhe e kujdesin se mos i rreshtojnë mësuesit për t’i votuar, ashtu siç kanë vepruar për çdo gjë këto 8- vite qeverisje, duke i trajtuar ‘si dele’.

Reagoj, më së shumti, në emër të asaj, të qenit një ‘opozitë’ në arsim, këto 8 -vite (me ngritjen e problematikat në shtyp) duke marrë me vete rriskun e goditjes në vijueshmëri dhe në fund ndëshkimin nga ky pushtet diktatorial – ‘gojëmbyllës’ si askush më parë, ku me teknikën gojëmbyllëse e joshëse arritën në ketë fitore.

Reagoj, në emër të përjashtimit nga çdo e drejtë dhe përbuzjes deri në termat “…kjo e PD -së”,e për rrjedhojë edhe familjarët e mij. Reagoj,edhe ndaj humbjes të së djathtës, si një e djathtë – gjithnjë me shpirt demokrati, me parimin tim udhëheqës – ” të qenit e drejtë”. Reagimi im – indinjatë është, që brezi i të rinjve mbetet nën prangat e një pushteti friksues e poshtërues.

Reagoj, se si opozita në veçanti PD – ja, nuk gjeti një strategji për të ndryshuar gjëndjen e mos ia lënë pushtetin një diktature, ku mbi shpinë do ta vuaj populli jo politikanët opozitarë. Aq më tepër kur kuptohej që populli ishte i lodhur nga kjo qeverisje. Shpesh rëndësinë e fitores dhe mos fitores së një force politike  ia dedikojmë vetëm mënyrës së bërit fushatë. Padyshim edhe kjo ka rëndësinë e vet. Por, unë mendoj që, për të fituar një parti duhet të punojë pak nga pak, përgjatë 4 -vjeçarit, duke qenë në koherencë me zhvillimet në vend.  Flitet për makinacione në funksion të votës gjatë fushatës (blerjes së votës), gjatë procesit zgjedhor dhe provë për këtë janë vet rezultatet. Por, ky pushtet gjatë këtij 4-vjeçari (dhe jo vetëm), nuk ka punuar për popullin – për t’ia ndryshuar jetën.  Vëmendja është fokusuar në joshjen e popullatës në forma të ndryshme – duke u bëre ndere, punësime, privilegje, tolerancë të tejskajshme – deri në rrumpallë në punë, gjeji një gabim punonjësve dhe kërcënoi, shantazhoi. Të gjitha këto, vetëm e vetëm për të marrë vota për të siguruar edhe këtë mandat. Këto i bazoj me bëmat në arsim, e pakta. Madje  në ndonjë shkollë është abuzuar edhe me projektet që shkonin si ndihmesë për mësimdhënien, ShQK apo ato në ndihmesë për fëmijët Romë, duke i përdorur për të ‘ndihmuar’  mësues e prindër të përzgjedhur. Por, më së shumti kanë shërbyer komandimet disa vjeçare të shumë drejtuesve të shkollës apo dhe drejtues arsimi, ku roli i tyre ishte zbato urdhërat – josh dhe ndëshko, sipas orjentimit. Përpos ne kuptojmë, dëgjojmë e shohim se si janë ndihmuar të njohur tanë apo fqinjët (gjitonët) këto vite për këtë votë, natyrisht. Që do të thotë ashtu sikurse patronazhistët na njihkan mirë ne popullin, edhe ne populli i njohim ata si janë ‘llastuar’ nga pushteti. Në fakt patronazhistët kanë ndihmuar partinë, paçka formës së ndihmës. Por më e keqja janë ata që qëndrojnë mbrapa tyre – të kollarisurit e partisë dhe pushtetit. Kësisoj, opozita në veçanti PD-ja, duhet të kishte qëndruar vigjilente përherë nëpërmjet strukturave në bazë. Këto struktura duhet të ruheshin përherë ‘të gjalla’ në funksionet e tyre dhe jo shpesh inekzistente aty – këtu. Në këtë formë do të ishin  denoncuar me kohë makinacionet e dukshme dhe të padukshme në funksion të votës. Dhe këto jo vetëm në media, por edhe tek ndërkombëtarët duke mos i lënë të vazhdojnë më tej. Madje, opozitarizmi i fortë, të qëndruarit më afër mbështetësve, halleve e probleme e të tyre, tërheqja e të pakënaqurve, do të kishte sjell edhe më shumë mbështetës. Në këtë mënyrë forca e opozitarizmit do të kishte qenë mbështetëse e padrejtësive të pushtetit ndaj qytetarëve. Por edhe do të kishte bindur votuesit duke mos i lënë mundësi blerjes masive të votës. Që PS-ja e kishte siguruar fitoren dukej. Kjo pasi takonin qytetarët e Tiranës edhe në rrugicat gropa – gropa, ku jo ne por dhe ata vetë mund të ‘thynin kokën’ duke ecur dhe nuk u bënte përshtypje, sepse e dinin që askush nuk do të guxonte t’ia thoshte. Edhe këtë fakt opozita duhet ta kishte shfytëzuar duke ia hapur më shumë sytë qytetarëve. Gjithsesi,  me vota të  blera apo të bëra të pavlefshme, ata fituan dhe do të qeverisin. Unë mendoj që, nëse opozita merr shpejt frenat e një ‘opozite të fortë’ dhe vigjilente, kjo lloj qeverisje s’do të jetë jetëgjatë. Këto 8-të vite këta (pushtetarët)  u morën me  kundështarët e tyre të kudo ndodhur. Tashmë, mbetet të merren me ‘vota blerësit’ apo militantët e tyre dhe atëhere ata do ta kuptojnë peshën e kësaj diktature. Gjithsesi, unë do të dëshiroja që në këtë mandat të mos goditen ata që punojnë dhe guxojnë të flasin, por ka mjaft abuzues – gati të kthyer në banditë, në institucionet shtetërore të të gjitha niveleve apo ‘të strehuar’ nga partia, që i duhet treguar vendi. Këto tipa krekosen me fuqiplotësinë e gjithanshme, sipas tyre, si të ishin mbi vetë kryeministrin. Nuk duhen lënë jashtë kontrollit edhe firmat apo zyrat private. Kjo mbetet për t’u parë edhe pse shpresat për ndryshim janë të pakta. Sfida i takon Kryeministrit! Në të kundërt, kjo kategori ka për ta rrëzuar.

 

 

 

Please follow and like us: