Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: Koha për alarm dhe aksion kombëtar kundër dhunës ndaj grave

Është koha në limite të skajshme për një alarm kombëtar kundër dhunës ndaj gruas!

Dhuna ndaj gruas në shoqërinë tonë tashmë është një epidemi.

Dhuna është gangrenë që po kalbëzon vlerat e familjes, traditës e shoqërisë sonë!

Trishtim për mua si grua, nënë e mjeke tek shoh e dëgjoj makabritete si kjo ngjarje që ndodhi në Elbasan ku gruaja që po divorcohej vritet me kallashnikov nga bashkëshorti dhe plagoset avokati i saj dhe një kalimtar pikërisht në afërsi të gjykatës.

Çdo ditë vrasje, dhunë e krime në familjet shpiptare që mbushin kronikat e zeza.

Dhunë vrastare ndaj grave e vajzave.

Nuk dua të komentoj dhe as të politizoj këto ngjarje të dhimbshme veçse këto  tregojnë se shteti, ligji, morali në këtë vend po degradon rëndë duke çuar në arrest kardiak vetë principet humaniste që karakterizuan kombin tonë.

As kanuni  nuk lejonte që në asnjë rrethanë të mund të prekej e dhunohej  gruaja.

Ne jemi një komb që në shekuj jemi dominuar nga praktika shumë njerëzore ndaj  grave.

Në kode të shkruar e të pashkruar sanksionohet kudo paprekshmëria e kësaj  kategorie sociale!

Që prej matriarkatit paraardhësit tanë treguan respekt e tolerancë ndaj gruas.

Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë thellë!

Shoqëria jonë po degradon në të gjithe aspektet.

Diktatura e krimit po hap metastazat dhe në familje në celulën më të ndjeshme të shoqërisë.

Është koha për alarm kombëtar se po cenohet vetë thelbi i genit nacional shqiptar.

Është koha për reflektim e përgjegjësi njerëzore e ligjore pa kompromis ndaj fenomeneve të tilla.

Shteti duhet të ndërtojë strategji dhe jo propagandë bajate mbi një realitet gangrenoz.

Kjo është atrofizim total i vlerave me të cilat është përfaqësuar burri shqiptar.

Në një Europë të traumatizuar nga terrorizmi dhe dualiteti i civilizimeve vendi ynë po përshkallëzon rritjen e terrorizmit familjar.

Ndaj apeli është pak dhe konstatimi qaraman nuk vlen.

Është koha në limite të skajshme për një alarm dhe aksion kombëtar e social kundër dhunës ndaj gruas!

Jeta është një e vetëm një.

Është dhurata e shenjtë e Zotit!

Please follow and like us: