Albspirit

Media/News/Publishing

Rezarta Reçi: Për Dashkën sy e shpirtbukur me kult jetën aktive

Një zonjë shkoi të pushojë në paqen e amshuar. Shkëputi të gjitha fijëzat konkrete që e lidhnin me jetë konkrete dhe fluturoi në amshim. Nuk është e vetmja! Nuk do jetë e vetmja.
Pse po shkruaj unë?
Sepse shkruaj gjithmonë për ç’ më godet personalisht së brendshmi.
Rrethanat bënë që Dashkën ta takoja në pragverë , stinë pandemie, në një vend të qetë buzëdetit. I shkonte shumë mjedisi familjar i krijuar me duart e saj, i shkonte shumë deti me ngjyrën e syve, nipi me kujdesin e matur kombinoheshin harmonishëm, paqja rrethuese e lulet e kopështit të vogël kombinonin me energjinë rrezatuese që përcillte në çdo lëvizje, në çdo propozim a fragment bisede. Një grua energjike, sybukur, e pamoshë, me lëkurë të bronxtë, me veshje sport që rrezatonte energji, pozitivitet, dashuri. Gjuha e trupit ishte domethënëse për të, e reflektonte paqësisht në çdo moment a situatë. Aty dinte të shndërrohej në zonjën e shtëpisë të cilës pritja-përcjellja e miqve i sillte kënaqësi pafund, aty propozonte ëmbëlsirat e bëra me duart e saj, aty ngrinim dolli me verën a birrën që pëlqente secili, aty bëhej pjesmarrëse me këmbë në tokë në regjistër bisedash të ndryshme, politike a kulturore, të çastit a të të shkuarës, të lajmeve të bukura rozë a të modeleve që e tërhiqnin, të librave a autorëve mbresëlënës. Grua me interesa shumplanëshe me kult dashurinë e harmoninë familjare e miqësore për të cilën nuk i dukej e mundimshme të sakrifikonte, qoftë dhe pa u ndjerë, sepse çmonte misionin e gruas, nënës, gjyshes në familje.
Rrugëtimin profesional e kishte mbyllur prej vitesh me cilësi e përkushtim si koha që e mbrujti, e përgjegjëshme për pozicionin, dijet, eksperiencën, bashkëpunimin. Energjia e saj tashmë zhvendosej kujdesshëm në mbështetje të projekteve konkrete të bashkëshortit dhe dy fëmijëve që plotësonin edhe alteregon e saj. Një Dashkë e përkushtuar për të ardhmen e tyre, për gëzimin e tyre, për arritjet e sfidat e tyre. Pa zhurmë, por e pranishme gjithmonë, aktive maksimalisht, pa vënë asnjëri në pozitë të vështirë.
Stina pandemike 2020 na lejoi takime të qeta e të kujdesshme, me respekt rregullash e me gëzimin e takimeve që sillnin momente të këndshme. Por dhe të pakëndshme. Muajt u rrokullisën me lajmin se Covid-19 diçka kishte goditur në organizmin e saj. Një sfidë e re e priste këtë zonjë të dashuruar me jetën, energjinë e pozitivitetin. E mua skeptike si gjithmonë, m’u duk e padrejtë lodhja e saj e kalvarit të mundimeve që përmbledh e përmban kjo sfidë e shekullit që vazhdon. E tani që kjo Zonjëz e dashur shkëputi lidhjet konkrete me konkretësinë e një jete që ka piketat e saj, historinë, copëza e fragmente gjaku e dashurie të shpërndarë në trashëgimtarë, projekte e historinë e familjes Murati, unë vazhdoj të përsiatem për dashurinë e përkohësinë, për mundimet dhe fatin, për pafatin e rezistencën, për dorëzimin a mosdorëzimin, të drejtën për të jetuar duke luftuar, të drejtën për t’u rebeluar kundra rregullave, të drejtën për të zgjedhur si do jetosh, me ç’mjete do ta bësh luftën për jetën, deri edhe si do ikësh nga kjo jetë, nëse nuk e quan dinjitoze ç’të është ofruar e si.
Një grua – inspiruese dashurie shkoi të pushojë në paqe, rrethuar nga kujdesi e dashuria që megjithatë nuk ia ndryshuan shansin e ikjes.
E ky nuk është rast i vetëm. Çdo ditë ndodhin, do ndodhin. Disa i ndjekim, na dhëmbin, të tjerat nuk është se kemi kohë t’i ndjejmë a përcjellim njëlloj. E ndërsa ruaj vështrimin ngjyrëdeti të syve të Dashkës në kujtesë, shpresoj mos të jetë lodhur ngjyra e syve të saj në atë proces të mundimshëm të luftës për jetën, të mos jetë transformuar qënia, dëshirat e ëndrrat e ai kalim e shndrrim, ndonëse përfundimtar, të mos ketë drobitur në ekstrem një grua me shpirt të dashuruar pas jetës aktive e plot dimension. Të tjerët vendosin për ne ndofta kur nuk duhet e vetë ne ndërrmarrim e japim këshilla për të tjerët kur duhet a nuk duhet. E vazhdon kjo rrokullimë e pandërprerë që zgjat me shekuj e ne, vetëpërsosemi të vonuar, pa ndjerë peshën e jetës tonë tek jetët e të tjerëve. Se stacionet veç zhvendosen dhe ne mbetemi pjesëza modeste të stinëve që ndrrohrn thjeshtësisht, natyrshëm, me vetëpërsosjen përkatëse.
Jo të gjitha vdekjet më trondisin njëlloj. Besoj na ngjan të gjithëve. Por kur tronditja ndodh, më duhet kohë ta rimarr veten e ta shndërroj në të normaltë përjetimin. E këto uljengritje shpirtërore më rishkruajnë veten e perceptimin tim për ç’më rrethon, më prek, më përket.
Please follow and like us: