Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: Në teatrin e pushtetit të Bertrand Russell (1)

1. PUSHTETI, ARROGANCA, PREPOTENCA…
Në një shkrim kritik për librin e B. Russell Pushteti: Një Analizë e re Shoqërore, George Orwell (1939) mes tjerash thotë: “Adhurimi i arrogancës, prepotencës (bully-worship), i maskuar në mënyra të ndryshme, është bërë një fe universale …”. Ky adhurim për pushtetin, për arrogancën dhe prepotencën, shfaqet edhe sot gjithandej, shfaqet tek liderët politikë, por edhe tek ndihmëtarët e tyre.
Por, adhurimi për pushtetin nga ana e njeriut nuk është e panatyrshme; dëshira për pushtet përbën thelbin e njeriut. Për dallim nga kafshët, kur njeriu përmbush nevojat primare, i dorëzohet përmbushjes së dëshirave, e dëshira themelore është ajo për pushtet, për lavdi dhe famë – thotë Russell.
Russell nuk pajtohet me Marksin dhe marksistët kur thonë se thelbin e organizimit shoqëror e përbën aspekti ekonomik, se dëshira për pasuri materiale është motori (driver) i dinamizmit shoqëror. Ai e mohon këtë. Për të dëshira materiale tek njeriu mund të kufizohet. Janë produktet tjera jomateriale, të cilat nuk kanë fund. Pushteti dhe fama janë të tilla.
Russell e definon pushtetin si përpjekje e individit apo e një organizate për të ushtruar ndikim tek të tjerët dhe për të prodhuar efektet e synuara. Pushteti është dëshirë për supremaci, për primat. Të njëjtën gjë e thonë edhe Platoni, Hobbes, Hegel, e të tjerë. Në librin ‘Republika’ Platoni e tregon debatin e Sokratit me Trasamakun, e ky i fundit këmbëngul që njeriu është i dominuar nga dëshira për pushtet, se pushteti dhe dominimi është gjithçka që i intereson njeriut dhe se pushteti e dallon njeriun e vërtetë, një njeri alfa nga një skllav. Ajo që është e vërtetë për individët është e vërtetë edhe për shtetet, thotë Hegel. Diku tjetër ai thotë se marrëdhëniet midis shteteve bazohen në dëshirën për dominim. Shtetet kërkojnë të krijojnë marrëdhënie me shtetet e tjera me qëllim të dominimit, duke e bërë marrëdhënien e tyre një kusht të luftës së pandërprerë të të gjithëve kundër të gjithëve, do thoshte Hobbes. Në gjuhën e ekonomisë moderne, kjo shpjegohet me teorinë e lojës me shumën zero (zero-sum game theory), në të cilën ka vetëm fitues dhe humbës. Sa më shumë që dikush fiton, aq më shumë humbet tjetri. Edhe drejtësia përbëhet nga ligje të vendosura nga fituesit për të mbrojtur interesat e tyre.
Pushteti, lavdia, fama, tipologjitë e pushtetarëve janë temat që Russell i tajton në librin e tij. Gjatë leximit duket sikur autori e fut lexuesin në një teatër, skena e së cilës është e mbushur përplotë me aktorë që ngarendin pas lavdisë dhe famës. Aty gjenë liderë partie, monarkë, despotë, majtistë, liberalë, kosnervatorë, profesorë, prijës fetarë, gazetarë, ekspertë fushash të ndryshme, pronarë mediash, pronarë kompanie, (ish) këshilltarë politikë e çfarë jo tjetër. Të gjithë i japin vlerë normative pushtetit, sepse e dinë se ai sjellë ndikim, lavdi, famë.
(Kjo është eseja e parë në një seri esesh për pushtetin, format e shfaqjes së tij, si dhe topologjitë e pushtetarëve, të cilat bazohen kryesisht në librin e B. Russell. Në esenë e ardhshme do mundohem të trajtoj format e pushtetit.)
Please follow and like us: