Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: FORMAT E PUSHTETEVE (2)

Duke qenë brenda teatrit të pushtetit të Russell, qëllimi i kësaj eseje është të diskutojë pushtetin e njeriut mbi njeriun, jo pushtetin e njeriut mbi natyrën, megjithëse përparimi shoqëror i detyrohet shumë kësaj të fundit. Pushteti mbi njeriun mund të jetë i ndryshëm, në varësi të asaj që duam. Fuqia e drejtpërdrejtë është fuqia fizike, përmes burgimit ose vrasjes; pushteti ushtrohet gjithashtu përmes yshtjes ose ndëshkimit, d.m.th., kur ne i ofrojmë punësim dikujt, ose e kërcënojmë me pushim nga puna; pushteti ushtrohet edhe me formim të opinionit publik, përmes propagandës në kuptimin e saj të gjerë.
Filozofi Russell i ilustron këto forma të pushtetit përmes fabulave ezopiane. Ai merr shembullin e derrit të lidhur me litar për të ilustruar pushtetin e dhunës – pushtetin ushtarake dhe policore; shembullin e gomarit që yshtet që përmes karotës për të vepruar sipas preferecës së pronarit për të ilustruar pushtetin e propagandës; ndërsa shembulli i deleve që hyjnë në anije vetëm kur ogiçi tërhiqet zvarrë drejt anijes i shërben atij për të ilustruar pushtetin përmes “edukimit”. A nuk i kishte përdorur të gjitha këto forma të pushtetit Hitleri, apo Mulloseviqi? A nuk ishte programi nazist propagandë e paskrupullt, apo kampet e përqendrimi mjete që simbolizonin dhunën dhe terrorin? A nuk e simbolizojnë delet turmën që duartrokiti dhe mbështeti verbërisht “fyhrer” -in për gjithë ato vite?
Format e pushtetit mund të jenë shumë të ndryshme, të tilla si sundimi i ligjit – një karakteristikë kryesisht e shoqërive të civilizuara, ajo e traditës, fuqia ushtarake, pushteti revolucionar, pushteti i organizatave politike, organizatave ekonomike, etj. Është interesante pushteti që lidhet me individin. Në shoqëritë aristokratike pushteti trashëgohej. Pushteti përcaktohej nga origjina familjare ose fisnore. Ndërkohë, format e fuqisë individuale në shoqëritë bashkëkohore përcaktohen nga cilësi të tjera, të tilla si ato të bazuara në aftësi intelektuale qofshin ato shkencore apo artistike, ato politike që janë pjesë e një organizate politike (politikanë), ose cilësitë menaxheriale dhe ekzekutive që janë pjesë e një organizate të fuqishme ekonomikisht (shefat ekzekutivë).
Nga këto tre forma të fuqisë individuale, intelektualët konsiderohen “sunduesit” më të pafuqishëm. Russell thotë se njohuritë shkencore dhe artistike, megjithëse të vështira, nuk janë misterioze, ato janë të hapura për të gjithë. Dijet intelektuale bazohet në empirizëm, por njeriu preferon të kapet pas iluzioneve, ndaj ideve magjike për botën. Jo rrallë njerëzit priren t’i besojnë një fallxhori/e, horoskopi ose një idioti fetar që predikon marrëzi, sesa një intelektuali.
Pushteti i një politikani ndryshon shumë nga ajo e një intelektuali. Që politikani të jetë i fuqishëm, ai së pari duhet të fitojë besimin e makinës së tij (partiake), dhe pastaj të elektoratit. Për të arritur të dyja, cilësitë që duhen nuk janë aspak identike. Ka politikanë që fitojnë pushtet në parti por nuk arrijnë të trazojnë imagjinatën e elektoratit. Ndonjëherë, megjithatë, është makina ajo që fiton zgjedhjet, pa ndihmën e udhëheqësit. Në raste të tilla, është makina që mbizotëron politikanin pas zgjedhjes së tij, dhe ai/ajo kurrë nuk arrin pushtetin e vërtetë. Ndonjëherë, përkundrazi, politikani ose udhëheqësi i bën të dyja, arrin të krijojë makinën e tij dhe të fitojë mbi elektoratin – Napoleoni III, Musolini dhe Hitleri janë shembuj më tipikë.
Në një demokraci, suksesi i politikanit varet nga karakteri i kohës. Në kohë të qeta, kërkohen politikanë të qëndrueshëm, me gjykim të shëndoshë; ndërkohë, në kohë të paqëndrueshme kërkohen folës mbresëlënës – jo domosdoshmërisht elokuentë në kuptimin konvencional, sepse siç thonë Russell, Robespierre dhe Lenin nuk ishin elokuentë, por të vendosur, të pasionuar dhe të guximshëm. Pasioni mund të jetë i ftohtë dhe i kontrolluar, por ai duhet të ekzistojë dhe të ndihet. Në kohë trazirash, një politikan i suksesshëm nuk ka nevojë për fuqinë e arsyetimit, ose gjykimin e drejtë. Ajo që ai duhet të ketë është aftësia për të bindur turmën se ajo që ata dëshirojnë me pasion është e arritshme dhe se ai është udhëheqësi i cili përmes vendosmërisë së palëkundur do t’i çojë ata drejt fitores.
Ekziston një formë e pushtetit individual krejt e ndryshme nga ato të diskutuara më sipër. Bëhet fjalë për pushtetin prapa skenave: pushtetin e oborrtarëve, intrigantëve, spiunëve, zuzarëve, kodoshëve dhe “tërheqësve të telit”(wire-pullers). Në çdo organizatë të madhe ku ka pushtet (politikë ose tjetër), ka burra (ose gra) më pak të shquar që fitojnë ndikim mbi udhëheqësit përmes metodave personale. “Tërheqësit e telit” dhe bosët e partisë i përkasin të njëjtit lloj, megjithëse teknikat e pushtetit që ata përdorin janë të ndryshme. Zakonisht bosët e partive vendosin miqtë e tyre në këto pozicione. Ky është lloji i njerëzve që e duan pushtetin më shumë se lavdinë; shpesh ato paraqiten si njerëz të ndrojtur. Ndonjëherë, si eunukët në monarkitë orientale, apo dashnoret e bosave të partive sot, për një arsye ose për një tjetër, këta njerëz përjashtohen nga organizata.
Sidoqoftë, burra dhe gra të tilla ka me bollëk, veçanërisht në organizatat politike.
Please follow and like us: