Albspirit

Media/News/Publishing

Taulant Dedja: PD duhet të unifikohet dhe riorientohet drejt Qendrës

Duke ndjekur si qytetar i lirë dhe pa parti debatin për lidershipin në PD, përshtypja ime është që asnjëri nga 3 kandidatët përballë Bashës, nuk e ka staturën dhe përgatitjen e tij. Kjo nënkupton që asnjëri prej tyre nuk do jetë në gjendje të mundë Ramën në një përballje të ngjashme me 25 Prillin ku liçensa “për të vjedhur me lezet” vinte nga DASH.

Debati se kush është më i mirë si anti-Ramë është rrahje uji në havan. Për mendimin tim, PD duhet t’i shpenzojë energjitë në radhë të parë për unifikim dhe për demaskimin në vazhdimësi të regjimit autokratik të “Rilindjes”. Po kështu, siç e kam shprehur disa herë, të verë kusht mospranimin e Ramës si kryeministër në Shtator. Minimalisht, Rama duhet të paguajë per autoritarizmin dhe zgjedhjet e kontestuara e të “vjedhura me lezet” duke e dorëzuar “timonin” te një kryeministër normal mundësisht teknicien.

Në të njejtën kohë, PD duhet të rikonfigurojë spektrin të cilit i përket dhe të orientohet në një skenar zgjedhjesh të parakohshme si parti e Qendrës. PD duhet sërish të shndërrohet në një front ku bashkohen jo vetëm të persekutuarit dhe të Djathtët (në kuptimin klasik), por edhe të gjithë antikomunistët dhe progresistët, ata që e duan Shqipërinë një shtet ku sundon ligji dhe meritokracia në ndërtimin e administratës dhe ku pushteti dhe posti nuk është mjet përfitimi personal apo ku vota këmbehet me lekë a një vend pune.

E theksoj në mënyrë të veçantë duke mbyllur këtë shënim, antikomunizmi të mos harrojmë, nuk është monopol vetëm i atyre që identifikohen si të Djathtë. Ndaj sa është i domosdoshëm unifikimi për lidershipin në PD, po aq e rëndësishme është dhe hapja pragmatiste ndaj një spektri më të madh qytetarësh, ideali social i të cilëve është progresi i Shqipërisë dhe shndërrimi i saj në një shtet normal që përkujdeset për të gjithë njëlloj e që nuk të përgjon për kë voton. Shkurt, një shtet ku nuk ka dy shtresa qytetarësh si sot, militantët e partive dhe të tjerët./flasshqip.ca

Please follow and like us: