Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta shpallet kampione e Shqipërisë pas 27 vitesh pritje

Teuta ia doli të shpallet sot kampione e Shqipërisë në futboll pavarësisht faktit se e mbylli kampionatin e Superligës me pikë të barabarta (66) me Vllazninë. “Djemtë e Detit”, të drejtuar nga Eduard Martini, iu falën golavarazhit më të mirë (+26) dhe faktit se ndaj Apolonisë në ndeshjen e fundit të kampionatit fituan thellë 6-1, – kjo diktuar prej daljes me kartonë të kuqë të dy futbollistëve Serjan Repaj dhe Eljon Sota nga ekipi fierak. Për durrsakët realizuan tre herë Dejvi Bregu, dhe nga një herë Lorenco Vila, Renato Arapi dhe Sebino Plaku. Vllaznia e Thomas Brdaric fitoi 2-0 ndaj Laçit, por shkodranëve u duhej një fitore më e thellë për të përmirësuar ndjeshëm golavarazhin (+22) dhe përmbysur Teutën nga kreu, gjë që në fund ata nuk ia dolën ta arrinin. Teuta feston kështu titullin kampion pas 27 vitesh (1994) dhe ky është titulli i dytë në histori për klubin bregdetar. Trofeu i Superligës është i tretë që djemtë e Martinit marrin në dy vitet e fundit pas Kupës së Shqipërisë (2019/20) dhe Superkupës (2020/21). Nga ndeshjet e tjera të fundit të kampionatit, Partizani fitoi 4-2 ndaj Bylisit, Tirana 3-1 ndaj Skënderbeut, dhe Kastrioti 2-1 ndaj Kukësit. Bylisi dhe Apolonia bien nga kategoria ndërsa Kastrioti do të luajë “Play-Off”-in me Tomorin. Zhgënjim i madh te Vllaznia, e cila nuk fiton kampionatin prej vitit 2001. Nëntë herë kampionët e Shqipërisë kryesuan për 23 javë Superligën, mirëpo një rënie e rendimentit në periudhën janar-mars bëri që ajo të humbte një avantazh prej më shumë se 9 pikësh nga skuadrat ndjekëse./euronews albania

Please follow and like us: