Albspirit

Media/News/Publishing

Cikel poetik nga Sokrat Habilaj

DY GJYSMA DASHURISH

Asgjë s’mund të jetë siç ishte më parë,
Sepse kemi brenda vetes diçka tepër.
Një gjysmë dashurie, nga ty e vrarë,
Dhe atë që ruaj unë, gjysma tjetër.

Por sot të ndara janë ato, veç e veç,
Ashtu siç jemi të ndarë unë dhe ti.
Tek njeri rri ajo që nuk di të vdesë,
Dhe e vdekura pa një varr tek tjetri rri.

Ndodh që të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, a dhe me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.

 

ETYD SHIU

Nuk do ta vrisja mendjen për këtë shi,
Ndërsa po pikon mbi qerpikë pemësh.
Po ç’të bëj ty, që s’të tundoi njeri,
Që do dalësh, me shiun do ma dredhësh.

Ashtu e vetme, do humbasësh tutje,
Si ke humbur me mua, sa e sa herë.
Pastaj ti, që dikur më kërkoje puthje,
Atij vagabondi, do i lutesh të bjerë.

Kur bulëzat të të rrëshqasin në mjekër,
Për to, pak e nga pak, do bëhesh grua.
Unë do kuptoj se je me një tjetër,
Po ti, nuk do kujtohesh më për mua.

Shiut do t’i thuash:-Më zhvish!Më zhvish,
Po dhe rrobat e tua do të bëhen ujore.
Puthjet e shiut do ndjesh thellë në mish,
Mos më kundërshto, të njoh në çdo pore!

Po unë, çfarë duhet të bëj, ja më thuaj,
Ndërsa shikoj ty si puthesh gjithë gaz?
Ta dish, si i çartur do nis e të gjuaj,
Pikat e shiut me plumba do t’i vras!

Nëse do mundem që t’i vras të gjitha,
E qielli më pas, s’do hedh më rrebesh.
Do vij vetë mbi ty, derdhur pika-pika,
Ty në vend të shiut, unë do të zhvesh.

E pra harroje shiun dhe më prit atje,
Më prit dhe beso se, e ndryshoj motin.
Sytë e mi për ty, do t’i mbush me re,
Ma drodhe me shiun!?Harbo me lotin!

 

TI, HËNËZË E GRIMCUAR

Sipër hëna, e kafshuar nga unë dhe ti,
Në tavolinë, dy gota që mbetën bosh.
Tani mund të bëj dhe të tjera marrëzi,
Po një varg për ty, më shumë më josh.

Ndërsa së pari, të bëjmë një kontratë,
Të mos qeshesh, a tallesh pas çdo fjale.
Në varg për ty, e kthej gjithë këtë natë,
Po druhem se mos, të ndaj në kristale.

Ti nëpër vjersha, s’hyn kurrë e plotë,
Se mbeten diku edhe gjëra të pa thëna.
Ja si bulëzat e verës, tek fundi, në gotë,
A thërrimet e bukës, ende të pangrëna.

Dhe në ato grimca, që vargu si merr,
Mbeten ndoshta, pjesë nga qenia jote.
Që më zemërohen dhe ikin nëpër terr,
Se krejt pa dashje, i lashë jashtë porte.

Le të ikin grimcat, që s’më duhen më,
Dhe që më kujtojnë, ca çaste të trishta.
Po kur nëpër grimca, që vargu si nxë,
Si t’ia bëj kur ti, më mbetesh e gjitha!?

Mos më lër të shkruaj, se flas kuturu,
Duke rrezikuar, ndonjë grimcë tënden.
Më mirë brenda gotës, hidhi sytë e tu,
T’i pi dhe të dehem, si ata që çmenden!

 

BALADË BIJËS QË S’E KISHA

Mundet që në jetë, i djegur nga malli,
Të ndjekësh veç një grua në çdo skaj.
E skalitësh në sy, si t’u shfaq së pari,
Imazhin e gështenjtë, të flokëve të saj.

Kur thinjet një fije, dy, a ca më tepër,
E nëna nis bëhet një grumbull resh.
Të vjen dhembshurisht një grua tjetër,
Kreshtën e hirtë nga thinjat e zhvesh.

Ndërsa u fryn flokëve që të bëjnë zë,
Kur bashkë me to të shtrihet në brinjë.
Ti fillon e i numëron fijet, një nga një,
Ashtu të bukur, të bukur pa një thinjë.

Ndoshta nuk e kupton se pak nga pak,
Ajo pllajë e butë bëhet bokërimë hëne.
Dhimbjes së ikjes i shtohet një shkak,
Kujt t’ia lë flokët që kisha në mendje?

Dhe atje ku të jem, i djegur nga malli,
Një grua do ndjek sa të thinjet e gjitha.
Por flokët do shfaqen si i pashë së pari,
Tek ty është gruaja e bija që s’e kisha!

 

TRISHTIM HËNOR

Të mirat gra, që kur doni një burrë,
Fisnikërisht, e ktheni atë në baba.
Ndodh që dhe u godasin me gurë,
Ju godasin, burrat që keni në krah.

Të mirat gra që zbrisni yjet poshtë,
T’i ndizni në shtrat kur jepni veten.
Ndodh t’ju tundin në dorë si gotë,
E pastaj ju flakin, sa shuajnë etjen.

Të mirat gra, që vraponi me ngut,
Kur pritja ju drithërohet në mjekër.
Ndodh që u përdhosin:-Prostitutë,
Prisje mua në portë, apo një tjetër!?

Të mirat gra që lini pas dhe mëritë,
E prapë jepeni duke mbytur inatin.
Ndodh që dhe në shtrat zënë pritë,
Pasi zgërlaqen, me plumb u vrasin.

 

HESHTJA JOTE

Unë mburrem se thur vargje me zjarr,
Ti hesht, por ti dashuron më bukur.
Të matesh me mua, nuk është garë,
Po gara me ty është garë e humbur.

Unë shkruaj germa pa fund në letër,
Ti rimon shenja dhëmbësh në mish.
Unë them, sa ty nuk dua asnjë tjetër,
Ti qesh a tallesh me mua, ku ta dish!

Unë bëhem llafazan, si gjithë poetët,
E ti kthehesh në heshtje, si vetëm ti.
Unë rrëmbej ca yje të të ndrijë netët,
Ti bëhesh si hënë e më merr në gji.

Unë flas kaq shumë, se s’hesht dot,
Ti hesht, se ti di të flasësh më bukur.
Të matesh me mua, është garë e kotë,
Gara me ty, më shumë se e puthur.

Të mira nëna, mos harroni, së pari,
Kur të shihni djalin që u burrërua.
T’i thoni se do ngriheni nga varri,
Që ta pështyni, nëse vret një grua.

 

LETRA E DIKURSHME

Unë po të shkruaj tani në mesnatë,
Nesër eja fiks në orën tetë e pesë.
Nuk pres asnjë sekondë më gjatë,
Kam ankth dhe dua ta ndaj në mes.

Ndaje edhe ti ankthin, me të tjerë,
S’mbahen për vete gjërat e mëdha.
Telefonoi nënës:-Nesër më merrë,
Kam parandjenjë do ndodhë diçka.

Vish fustanin që rri shumë mbi gju,
Pak i zbërthyer, thuajse pa shkak.
E buzët pa të kuq, le të jenë ashtu,
Se lenë shenjë në një qafë, a jakë.

Edhe nëse ke lenë takim me dikē,
Anuloje e thuaji se ke shumë punë.
Më ke premtuar se s’lidhe me asnjë,
Pa e marrë më parë, lejen nga unë.

Është kaq serioze që flas me ngutje,
Eja me çdo kusht, eja që në mëngjes.
Leri auditorët dhe librat flaki tutje,
Nëse ke provim?! Lere për vjeshtë!

Kur të shfaqem sillu e shkujdesur,
Mos thuaj ç’i shkrepi këtij të marri?
Ma ruaj guximin, aq sa ka mbetur,
Mos bëjë pyetje, lemë të flas i pari.

Kështu më ndodhi atë kohë të largët,
Mua që fjalimin e bëra me shkrim.
Fole vetëm ti, dhe unë i grisa fjalët,
-Seriozisht do bëhesh burri im!?

 

TI DHE VJESHTA

Kur them se gjethet e rëna në vjeshtë,
Mbi flokët e grave kthehen në thinja.
E shumta do zhgarravisja një vjershë,
Po ty kurrë s’do të njihja!

Një çast do ndihesha keq, për më tepër.
Do flisja për bukuri që veniten përdhe.
Ti që ishe e bukur në një kohë tjetër,
Sot je më e bukur se dje!

Kaq e bukur do jesh, tutje mes vitesh,
Dhe pas një shekulli s’do kesh të dytë.
Një prag vjeshte, nga frika se thinjesh,
Do zhdukem nga sytë!

Po sa herë të ndryshosh rimel,a grim,
Të frymosh flokët, a të bësh një ojnë.
Do të nis një varg, a një pëshpërimë,
Moj e bukura biskonjë!

Ndoshta do kthehem ca shekuj më pas,
Nëse gjethet e thinjin bukurinë tënde.
Do vij të të ribëj nga e para, si të lash,
Si të kam në mendje!

 

SHFAQU DHE SI MUNGESË!

Shpesh duket gjithçka bosh, kaq bosh,
Ja këtu ku ti, je e shpërndarë në grimca.
Po dhe sikur në një grimcë të mungosh,
Ta dish më mungon e gjitha! E gjitha!

Doje të bëheshe unë, doje me patjetër,
Dhe tani që s’je përballë, ndihem në faj.
Sa nisem të kërkoj të humbas më tepër,
Harruar në veten tim, diku në një skaj.

Zgjohem me ty, e në frymën tënde fle,
Po në çast unë brof në portë të të pres.
E që ta kuptoj se ndodhë që dhe nuk je,
M’u shfaq ndonjëherë edhe si mungesë!

Please follow and like us: