Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

Ilirisht
Ilirisht
edhe në pikë të verës
Sharrit
plisi i borës i rri
mrekullisht
rreth tij shqiponjat
me flamur
vallëzojnë dorë për dore
ilirisht.
Më priste Nana

 

Më vritnin në mëngjes,
ngrihesha.
Më vritnin kur vinte dreka,
ngrihesha.
Edhe kur binte terri
zbraznin rafalet ,
prapë në këmbë.
Ngrihesha
sepse
më priste Nana,
e forta,
shamibardha.
Dhe erdha
me diellin për dore.
Te porta e shtëpisë
çelën zambakët
bashkë me Nanën.
U rritën
U rritën poezitë e vogla
Zogjtë e çerdheve të verës
Do të marrin fluturimin
Nga degët e shkronjave
Qielli është pa fund
E bota duket e vogël
Sa një top loje
Kur të lodhën
I thërrasin qepallat e dritareve
Qerpikët e shtëpive ua bëjnë me dorë
Shelgut i qeshin kaçurrelat
Tek unë
tek unë
Dhe s’thonë jo, natyrisht
Zbresin
Pushojnë e këndojnë
Si unë, bilbilisht.
Kafazi i takon ujkut
Zogu s’është për kafaz
Atë e pret qielli
Dega me gjethe që pehatet
T’ia falë melodinë
Krejt këngë dhe liri
Është zogu
Kafazi i takon ujkut.
Guaca ia fshinte lotin
Ekuariumi s’është lumë,
as det dhome,
është burg i peshqve.
E kam parë duke qarë
një peshk në xhama.
Në telefon thërriste valët.
Guaca ia fshinte lotin.
Kënga ime
Si zogu në dritare
vjen kënga ime,
e bukura.
Ia qëndis fustanin me rima,
vetullat ia bëj ylberisht,
sytë krejt dashuri,
ëmbëlsi qërshie buzët.
Më shikon pranvershëm,
dhe hap krahët e lumturisë.
Pastaj vjen drejt jush
me një tufë buzëqeshjesh
si për ditëlindje.
E bukura,
kënga ime.
Më intereson vetëm Anila
Nuk më intereson aspak
Me ç’nota dikush i bie mandolinës.
S’më mundon asnjë ditë
Kush llomotitë për mua pas shpinës.
Nuk më hyn në punë
Ç’kërpudha rritën nëpër male.
Është punë dëshire kjo
Pse ti mbath këpucë e jo sandale.
Më intereson vetëm Anila e tetës tetë
Ka ëmbëlsinë e mollëverorës.
Një vjershë e kam shkruar për të
Në faqën e parë të fletorës.
A të kujtohet
Para agut
na vinin te dera
hienat e qelbosura
për një libër nga lokja
për një këmishë kuq e zi
për një këngë atdhetare
trishtonin ditën
a të kujtohet
ne s’kishim frikë
as kur na lidhnin duart
as kur na lëshonin gjarpinjtë
prangat
i këputëm me dhëmbë
te Kosharja e lavdisë
ua dhamë hakun mirë hienave
u qelbej edhe ylli i kuq
a të kujtohet
Please follow and like us: