Dr. Irena Myzeqari: Vepra e Kadaresë, shtegu i kërkimit të universales brenda individit
Mbi librin “Leximet e pafundme të Kadaresë” të autorit Ballsor Hoxha, botimet Uetpress 2021
Për të disatën herë, po shkruhet për Kadarenë. Jo pse ai është shkrimtari më i madh i letrave shqipe, por sepse kanoni i tij letrar ndërton një paradë estetikisht shteruese dhe sfiduese të kulturës dhe identitetit shqiptar. Është pikërisht kjo veçanti e veprës së Kadaresë që ka bërë për vete shumë studiues, të cilët njëlloj si studiuesi i letërsisë, Ballsor Hoxha, tentojnë të ofrojnë lexime alternative të teksteve të tij.
I konceptuar në 7 kapituj, punimi i studiuesit Hoxha ndalet tek temat më identifikuese të universit Kadarean, të cilat shërbejnë si harta njohëse të botës njerëzore në tërësi dhe të shqiptarit si entitet kulturor, në veçanti. Vetë studiuesi pohon se teksti Kadarean është një mundësi e individit për t’u venë në kontakt me pandjeshmërinë e tij, të vihet në raport me kaosin e gjithë njerëzimit, pamundësisë dhe asgjësë universale.
Kapitulli i parë i studimit fokusohet tek një nga temat më të abstrakte dhe më të vështirat për t’u kuptuar e analizuar tek vepra e Kadaresë. Titulluar “Urëzimi”, ky kapitull fjalëson gjendjen më të jashtëzakonshme të personazheve dhe realiteteve që krijon autori, gjendjen e ndërmjetësisë, gjendjen e një procesi që nuk anon nga asnjë ekstrem, por nuk është në vetvete as balancë. Përkundrazi, është një gjendje e vazhdueshme e papërcaktueshmërisë, gjendje e cila kthehet në fatin përfundimtar të personazheve. Për studiuesen Edlira Birko, vlera e Ismail Kadaresë qëndron pikërisht tek dhënia jetë e kësaj gjendjeje të ndërmjetme, e cila është gjendje natyrore e vetë njerëzores.
Urëzimi që përmend studiuesi Hoxha, është kalimi dhe zhvillimi i ngjarjes midis të skajmeve dhe zgjatimi identitar i personazheve për të zgjatur limitet identitare të tyre. Gjuha e vetmisë është gjuha e gjendjes së ndërmjetme sepse, ndërkohë që universi kërkon një rend simbolik që ndjek normalen, personazhet Kadareane tentojnë t’i ikin, të zhbëjnë dhe si protestë, vendosin të jetojnë në urë, në ndërmjetësi. Ndaj edhe për studiuesin Hoxha, “realitetet/konvencionet e rendeve simbolike shtrihen, shtjellohen brenda pushteteve, duke krijuar rrëfimin mbarënjerëzor; rrëfimi është reflektim i lirisë së njeriut që del nga rendi simbolik”.
Kjo dy botësi dhe gjendje e midistë, tek Kadareja shfaqet pothuaj në të gjithë karakteret që ai ndërton, por romani “Ura me tre harqe” dhe “Kush e solli Doruntinën”, paraqesin tek lexuesi formën më të lartë të përshkrimit të kësaj gjendjeje. Kadare merr simbolikën mitologjike dhe e hedh në një fushë përtej të mirës dhe të keqes; ai nuk gjykon, ai vetëm lejon karakteret të lundrojnë në papërcaktushmërinë. Para urës dhe pas urës, Murrash Zenibisha pret fatin e tij prej të muruari, ndërsa midis dy botëve, asaj të vdekjes dhe të jetës, ikën dhe vjen Doruntina, dhe qenia dhe mosqenia e saj i tregojnë lexuesit të vërtetat e ngjarjes. Vetë studiuesi Hoxha pohon se “sipas të gjitha fakteve brenda këtyre dy romaneve, “Kush e solli Doruntinën” ndodh para “Ura me tri Harqe” dhe janë historikisht në vazhdimësi, e para në të dytën. Por, lënë të veçanta shënjojnë përpjekjen e këtij kolektivi në dy kontekste të ndryshme, për të arritur në një pikë përfundimtare, një shtrirje, arritje, të këtij kolektivi”.
Nëse te kapitulli i dytë, studiuesi Hoxha ndalet shkurtazi të ballafaqojë tragjedinë e veprës me tragjedinë individuale, kapitulli i tretë bën një kthesë të befasishme dhe zhytet në grand narrativën e gjithë veprës së Kadaresë, letërsisë dhe religjionit. Shumë studiues, të cilët kanë qëmtuar tematikat edhe identitetet tek kanoni i tij, kanë venë re një këmbëngulje të Kadarësë për të ligjëruar dhe legjitimuar religjionin ndër shqiptarë, si element thelbësor identitar. Ithtar i tezës se, Lindja, kur na arriti, solli vetëm të këqijat e saj, Kadareja ngulmon të krijojë një identitet kombëtar të pastër prej “prekjeve” Lindore, të cilat i parashtron si devijime përmbajtësore të shtyllës identitare shqiptare. Nëse për shumë personazhe, ndërmjetësia është bekim dhe zhvillim, personazhet historike kombëtare nuk mundet të jetojnë në ndërmjetësi në religjon, si një dimension eksplorimi, por janë të destinuar të shfaqin haptazi besimet e tyre, si një formë e qëndresës ndaj tjetrit.
Analiza që i bën studiuesi tregimit “Lamtumira e së keqes”, është një tregues i gjithë elementeve Lindorë, të cilët pasi u instaluan në vendin tonë i dhanë jetë pjellave të këqija politike e estetike, rrënjët e të cilave nuk janë shkëputur edhe sot. Do të ishte e volitshme në ketë pjesë që, vetë studiesi të fokusohej edhe në kritika që i janë bërë kësaj këmbëngulje të Kadaresë për të anatemuar çdo gjë Lindore, një pjesë e mirë e të cilës është, ka lindur dhe është zhvilluar në Kosovë, si një përpjekje për të parë në mënyrë më gjithëpërfshirëse ndikimin që Lindja ka pasur në zhvillimet identitare në hapësirat tona kulturore. Qëndrimi i studiuesit Hoxha, duket të puthet më së miri me qëndrimin e vetë Kadaresë “se brenda religjionit rri fuqishëm epshi për pushtet i njeriut. Se cilido Islam, para modernizmit apo pas, dhe qoftë në post-modernizëm, bartet nga njeriu e njeriu bartës formësohet dhe rron në epshin për pushtet”.
Duke dashur të ngacmoj lexuesin, por pa vrarë kureshtjen e tij, ndalesa e fundit e imja në këtë lexim është thyerja e magjishme midis dy botëve te një nga romanet më të arrirë të Ismail Kadaresë, “Prilli i thyer”. Goditës për nga gdhendja estetike e personazheve, “Prilli i thyer” është një përballje titanësh midis vdekjes dhe jetës, të resë dhe zakonores, një përballje finale midis fatit të individit për humbje dhe shpresës për jetë. “Prilli i thyer” është një Hyzun Pamukian jo fatalist, por pranues dhe vënia përballë e Gjogut me Dianën, është ndërmjetësia, e midisshmja që ndodh midis dy skajeve të jetës. Kulla është vendi ku ndodh ky rrotullim i kësaj gjendjeje; njërin e nis drejt jetës dhe tjetrin drejt vdekjes, të tjetërsuar, sepse Gjogju vdiq ndryshe nga ç’kish për të vdekur, e Diana vazhdoi të jetonte, ndryshe nga ç’kish jetuar.
Studiuesi Hoxha e sheh “Prillin e thyer” si një terren ku Kadareja përthyen dy narrativat botërore, atë individuale dhe atë botërore. Për të, narrativa e parë na vjen në formën e fatalitetit të Gjogut, kur autori thotë se “Motivimi i njeriut brenda fatit, apo në përshkallëzim të të drejtës nëpër shtresat e rendit shoqëror, janë një përvijim i jetës brenda fatalitetit të të jetuarit nën zonën e vdekjes. Por në një qëmtim aq të thellë, njeriu del i pandashëm nga njeriu tjetër, qoftë përmes përvijimit (metanarrativit) religjioz, qoftë përmes përvijimit (metanarrativit) psikanalitik, njeriu arrin në pandashmëri, pakufishmëri qeniesimi, duke mos arritur të ndajë vrasësin nga i vrari, dhe murana bashkon gurët në një krijesë bindjeje ndaj vdekjes”. Ndërkaq, grand narrativi na vjen me Dianën apolitike, me Dianën e ngjashme me Orët, Artemisën që mbetet dhe qëndron mbi botën, sepse Diana është mistikja, është shpirti. Vetë Hoxha thotë se “në metanarrativin para – postmodernist, kërkimi i kufirit, apo zonës ku ndodhet Diana e romanit “Prilli i Thyer”, pas momentit të takimit me aktantin e vdekjes, i takojnë mistikes dhe spiritizmit. Ato klasifikohen në imagjinatë të pastër, që nuk kanë për bazë realitetin. Por tretja e Dianës është një hije që thërret, e përjashtuar nga jashtë këtij sistemi, për të përshkënditur vërtetësinë e vdekjes në mesin e të gjallëve brenda këtij sistemi”.
E bukura e autorëve të mëdhenj qëndron tek dinamika e pakohësisë. Kadareja ka shkruar në një kohë duke dashur të jetë i asaj kohe, por duke i shpëtuar përkufizimit të saj. Ndaj, tematikat ose personazhet që do gjejmë tek ai, sot e nesër, do t’i flasin përjetësisë, sepse drama e Tokës është kaosi ku përballet Universi dhe individi. Siç do të thoshte Stefan Crane, i pari nuk ndjen asnjë obligim ndaj të dytit, ndërsa i dyti gënjen veten se është krijuar për të qëndruar, duke harruar se i vetmi fat i tij është të jetuarit midis skajeve të të parit./liberale.al
Ballsor Hoxha: RËNË PËRJETË NË “NATËN E MIDISTË” – ROMANI “PASARDHËSI”