Albspirit

Media/News/Publishing

Ballsor Hoxha: RËNË PËRJETË NË “NATËN E MIDISTË” – ROMANI “PASARDHËSI”

 

 

Vdekja, vrasja apo vetëvrasja e personazhit “Pasardhësi” (kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë Komuniste, Mehmet Shehu) është sigurisht një prej enigmave më të mëdha të politikës.

Edhe romani “Pasardhësi” i Ismail Kadaresë është një enigmë më vete. Në ngjarjen e tij ka kalime nga më të çuditshmet dhe më të papritura. Romani nis nga realiteti faktik dhe përfundon në monologun e një shpirti, duke përfshirë edhe përditshmërinë e Prijësit (vetë Enver Hoxhës), gjë e paimgjinueshme në vetvete etj. Pastaj romani ndërtohet në dy mënyra rrëfimi: njëra personale, pra në veten e parë, e arkitektit, e Pasardhësit dhe e mjekut të autopsisë, si dëshmi dhe gjykime gjysmë të çmendura nga tronditja dhe ankthi; dhe në linjën tjetër janë “kujtimet e ëmbla” dhe “rrokullima” e familjes së Pasardhësit në roman.

Këto dy linja, këto dy rrëfime, këto shtresa të shënjimit të totales së tiranisë të Prijësit Enver Hoxha, krijojnë të njëjtin kompleks. Këto ndërthuren dhe krijojnë lavjerrësin e së vërtetës në panumërsi kuptimesh dhe në asnjë kuptim përfundimtar në fund të fundit, por me shpërfaqjen e krimit të totals së tiranisë së Shqipërisë. Këto dy linja shenjojnë të vërtetën e çarë (differance) në papërputhshmëri të përhershme të aktit, momentit, situatës dhe vdekjes së Pasardhësit; këto vazhdimisht hapen dhe luhaten nëpër të vërteta të panumërta.

Ngjarja e romanit është një ‘fiksim’ dhe zgjatim i të pyeturit që del prej tekstit: ç’është duke ndodhur? Romani, duke mos pasur një linjë të rrëfimit, duke e enigmatizuar vetë tekstin që identifikohet me vetë ngjarjen dhe realitetin e krijuar pas vrasjes, krijon shenjën e tij. Pra, derisa romani është një shthurje e tërësishme, në të ka një shenjë: vdekja e Pasardhësit me të cilën fillon romani, dhe shpërhapjen e shënjimit të saj nëpër lavjerrësin e të vërtetave. Prej realitetit të ndodhisë, në vetë shpirtin e Pasardhësit që flet nga bota tjetër.

Ky shënjim krijon marrëdhënien e të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje, prej mjekut të autopsisë, arkitektit të çmendur nga ankthi, e deri tek Prijësi; pastaj të tërë shoqërisë shqiptare në anën tjetër; dhe në fund të historisë si kod i Tiranisë, në të cilin asgjë nuk është e lidhur me shenjën dhe faktin e saj, nuk zgjidhet, derisa e gjithë historia dhe shpërfaqja e universit të kësaj historie, del e qartë dhe e plotë.

 

I

Ka ndodhur vrasja/vetëvrasja, gjë kurrë e paditur saktësisht, e njeriut të dytë të një totaleje të fundme. Dhe teksti i romanit “Pasardhësi” rreket të shpërfaqë të gjitha perspektivat e kaleidoskopit të kësaj njëtrajtshmërie të kësaj totaleje.

Të gjithë janë të pafajshëm, në pjesën dërmuese të librit kjo është vetëvrasje. Në anën tjetër, të gjithë janë vrasës, por vetëm para grave të tyre (si personazhi i arkitektit, personazhi Haso Beu, e vetë Pasardhësi e Prijësi), dhe vetëm në skutat më të fshehta të tyre. Qoftë edhe personazhi Haso Beu, vetë sigurimi shtetëror, nuk e di saktësisht ç’ka ndodhur. As prijësi nuk ka dorë direkte mbi të vetëvrarin/vrasjen dhe as “përshpirtja” dhe dëshmia e shpirtit të Pasardhësit, nuk e di këtë. Dhe, është e parëndësishme në aktin e saj, derisa e tërë totalja e tiranisë është vrasëse masive.

Ky tekst është i disa binarëve të shënjimit të kësaj të vërtete/të pavërtete, të cilët bashkëveprojnë përbrenda tij. Janë realiteti dhe letërsia, imagjinarja. Janë shoqëria që flet e nxë nga çarja e të vërtetës totale, që ka mbretëruar deri në këtë moment. Është arkitekti, i cili në fund të tekstit flet në vetën e parë, si dëshmitar, si vrasës me artin e tij, duke qenë se ka bërë më të bukur shtëpinë e pasardhësit ndaj asaj të Prijësit. Është bartësi i autopsisë, i cili flet se vetë ai e ka vrarë dhe do të vritet po vetë për shkak të po kësaj autopsie. Është Vajza e Pasardhësit, me gjakimin e saj për dashuri; është bashkëshortja e tij; është ministri i Punëve të Brendshme, të gjithë edhe vrasës potencialë (të pafajshëm në aktin e vdekjes!).

Të gjithë këta binarë të shënjimit, nga të gjitha perspektivat e kaleidoskopit të lidhur me këtë vrasje/vetëvrasje, janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, të gjithë janë shtresa në vete, dhe në fund, të gjithë janë aparatura vrasjeje. Qoftë bartësi i autopsisë, arkitekti me artin e tij, e qoftë vajza e tij, duke qenë se në totalen e tiranisë të gjithë janë pjesëmarrës dhe të gjithë janë të dyshuar.

Cila është e vërteta? Teksti përqendrohet në këtë pyetje. Vrasje apo vetëvrasje? Dhe hapje e universit përreth, me këtë akt të ndodhur në realitetin e Shqipërisë.

Sipas teorisë së dekonstruksionit, tërë dinamika e prezentes së njeriut është fshirja e gjurmëve të të kaluarës, origjinares dhe në të bërit të prezentes, të përgjithmonshme.

Dhe është pikërisht kjo, ngjarja, e cila është një fshirje e të vërtetës dhe në paradoksin e kësaj, gjurmëve të vendosjes së të vërtetës nga totalja e tiranisë.

Por sa më e fshirë që është ajo, aq më thellë shpërfaqet e vërteta tjetër, e radhës, e fshirë paraprakisht. Teksti depërton dhe shënjon të vërtetën, që shpërfaqet si gjurmë e të vërtetës së prezentes.

Në fund, tërë teksti kalon në shënjim të tiranisë, në pamundësinë/mundësinë e të sqaruarit të vrasjes/ vetëvrasjes, në pamundësinë/mundësinë e të përkufizuarit të aktit të vrasjes/vetëvrasjes, kalojmë në tërësinë e tiranisë së totales së Shqipërisë së kësaj kohe. E që është e vetmja vrasje. Apo e vetmja shtytje për vetëvrasje. Vrasje masive e një shoqërie të tërë.

Sa më totale e vërteta, aq më e thellë çarja e saj në një të vërtetë tjetër, aq më e pakapshme, më e papërcaktueshme (undecidability), aq më e pavendosur.

Këto janë vetë differance të teorisë së dekonstruksionit, ku çahet e vërteta dhe bashkëjetojnë, refuzojnë dhe përplotësojnë njëra-tjetrën, duke krijuar kështu universin, i cili arrin një totale të pakrahasueshme në kohërat moderne të njerëzimit.

II

“Pasardhësi u gjet i vrarë në dhomën e tij të gjumit, në të gdhirë të 14 dhjetorit…”.

…Çoroditja kishte filluar qysh në mëngjes… njerëzit pasi hapnin zarfin e ftesës, vinin re se nuk kishte kurrfarë kriteri të njohur hierarkik, në caktimin e sallës… daktilografistja e zëvendëskryeministrit e kishte ftesën në teatrin e Operas, ndërsa vetë kryeministri në një sallë teknikumi bujqësor… brenda në sallë, të ftuarit i prisnin të tjera surpriza… kishte vetëm një ndenjëse të vetme, pas një tryeze të thjeshtë katrore sipër së cilës ishte vendosur një magnetofon… nëpunës të thjeshtë, akademikë, shoferë, gra të thinjura… uleshin të heshtur përbri njëri – tjetrit… kishin dëgjuar në magnetofon fjalimin e Prijësit në Byronë Politike…”.

Këta dy paragrafë japin një katastrofë, pasojë biblike, rrënim fatal dhe rrënjësor. Por ku? Është Shqipëria në realitet dhe në letërsi. Është komunizmi i tiranisë së Enver Hoxhës.

Në të vërtetë ky është rrënimi i totales. Por edhe total. Çoroditja e të ftuarit të të gjithë qytetarëve për të dëgjuar fjalimin e Prijësit në salla opere e teknikume bujqësore, është kumti dhe rrënimi që ka ndodhur, hapja e humnerës të së vërtetës. Por sa është e manovrueshme kjo çarje, ky rrënim; sa është i definueshëm, dhe aq më shumë, sa është i manipulueshëm në salla, në tubime, në të dëgjuar të një fjalimi të vetëm, të një zëri të vetëm, të një kumti të vetëm? Ky është kthimi, regresi i tiranisë – totales, në vetëm një mundësi, në vetëm një shenjë, në vetëm një gjë.

Manipulimi është krejtësisht i menduar: tërë aparatura, tërë totalja shndërrohet jo në një person, por në zërin e tij. As i prekshëm dhe as i kapshëm, i dukshëm. Gjë që është përqendrimi i tërë të vërtetës, apo në anën tjetër, krijimi i pamundësisë dhe të vetmes të vërtetë të mundshme. Duke qenë se rrënimi mund edhe të shpërfaqë të vërteta të tjera.

Mirëpo, e vërteta ka çarë prezenten. Prezentja është e çarë në të vërtetën, të vërtetën e asaj që ka ndodhur pikërisht në prezenten, dhe është çarja përbrenda tiranisë së një prezenteje të përgjithmonshme.

Por pikërisht kjo e vërtetë është papërcaktueshmëria, pavendosmëria e kësaj bote, kësaj Shqipërie. Sipas Maurice Blanchot, “kuptimi gjithherë ikën në një kuptim tjetër; kështu që keqkuptimet shërbejnë duke shprehur të vërtetën e të kuptuarit, e cila sundon me atë se, ne kurrë nuk arrijmë tek një kuptim i përhershëm”. Gjë që do të thotë se, kjo e vërtetë e ndodhur në realitet, kurrë nuk arrin të zbulohet dhe asnjëherë nuk zbardhet, por gjithherë kalon në një të vërtetë tjetër. Kështu shfaqet mungesa e të vërtetës, duke sunduar me mungesën e kuptimit.

Në tërë tekstin e romanit “Pasardhësi”, kjo e vërtetë do të kalojë nga një bartës në tjetrin dhe nga një shënjim në tjetrin, për të përfunduar në atë që thotë vetë personazhi i Pasardhësit në fund të romanit:

“Unë jam tjetër, në një tjetër kuptim. Është një tjetërsi e pafund, çdo hallkë e së cilës pjell tjetërsi të re, e kjo, nga ana e saj, pjell tjetër, e kështu me radhë e gjithmonë kështu…”.

Personazhi i vetëvrarë në realitetin e Shqipërisë komuniste për të cilën bën fjalë teksti, dhe në vetë romanin, nuk është cekur me emrin e tij, ai emërtohet Pasardhësi. Kjo duke qenë gjurmë e kompleksimit të origjinares dhe prezentes, “papastërtisë” së prezentes, apo edhe vazhdimësisë së prezentes nga origjinarja, si Shqipëria komuniste në përsëritjen e përhershme të ritualit të Prijësit dhe të pasardhësit të tiranisë.

Pasardhësi, si në tekst, si në konotacion, shënjim, është lavjerrësi i të vërtetës, i cili, në fakt është shënjimi i Prijësit/tiranisë dhe totales së kësaj Shqipërie.

“Pasardhësi” si emër i personazhit, i menduar si gjurmë e kodit të Tiranisë, totales, në tërë historinë e njerëzimit, si përsëritje, dhe po ashtu emërtimi Prijësi, krijojnë shënjimin e Sundimit të totales. Sunduesit dhe Pasardhësit në tiraninë e Enver Hoxhës.

Pasardhësi vetë është kuptim i ardhur dhe i mbirë përbrenda prezentes së totales së tiranisë. Shënjim që është bartur në tërësinë e historisë së njerëzimit, e kështu në pafundësi.

Pasardhësi, i cili në të qenit “ndryshe” ndryn dhe merr me vete në përhershmëri, të vërtetën e prezentes ku ndodh ngjarja e romanit. Mirëpo po e njëjta, në paradoks, është gjithkund në Shqipërinë e totales së tiranisë dhe në të sotshmen, si pasojë e saj.

Ka dy të vërteta që hapen në roman: e vërteta e vetëvrasjes së Pasardhësit; dhe e vërteta e Shqipërisë komuniste. Njëra dhe tjetra, të përplotësueshme në kodin e Prijësit. Njëra dhe tjetra, refuzuese të tjetrës. Kodi i Prijësit në pafundësinë e tij, tiraninë, totalen, krijon të fundmen e Sundimit. Dhe është pikërisht ky sundim që nuk lejon, vret dhe fshin çdo gjurmë të asaj që është pas, Pasardhëse, Pasardhës.

Kjo është një lidhje e vetme, ku Pasardhësi i nënshtrohet Prijësit me tërë atë që ka. Dhe në të vërtetë, e përmbush totalen dhe Prijësin.

Por a ka mundësi të fshihet e vërteta e vrasjes së Pasardhësit (Mehmet Shehut, ish-Kryeministri i Shqipërisë tiranike)? Është mjeshtria në këtë tekst të romanit “Pasardhësi”, që krijon çarjen (differance) e të vërtetës së totales të tiranisë së Shqipërisë komuniste, ku e tëra kodohet dhe mbetet në vetëm një strukturë: tek kodi Prijës – Pasardhës. Totalja e dhënë në paragrafët e fillimit të tekstit, është e tëra e vënë në funksion të fshirjes të asaj që ka ndodhur, e tërë e vërteta e saj ndodh në sytë, në veshët, në jetët dhe në përditshmërinë e tyre. Ky është paradoks (apori), që çan më tutje totalen e tiranisë, dhe e shpërfaq atë si të pavendosur, të papërcaktueshme dhe të paarritshme, apo pa një të përhershme.

III

“Ai mendonte se krimet lëviznin bashkë me njerëzit, gjersa gjenin mure ku nguleshin. Edhe në s’ishin kryer krime brenda mureve të shtëpisë, ato ishin bërë gjetkë. Në male për shembull, gjatë luftës së fundit. E quanin luftë për çlirim, por kishte të tjerë që thoshin se më shumë se e tillë, ka qenë luftë civile, me fjalë të tjera, kacafytje për t’i ngrënë kokën njëri – tjetrit…

Me sa dukej lidhje të tilla ishin të reja dhe të panjohura. Ndryshe nga ato të sekteve, ato shemronin me fisin, ngaqë bazoheshin përsëri te gjaku, por me një ndryshim: jo te gjaku i brendshëm, ai që rridhte në degët e fisit, i pandryshueshëm, një mijë vjet, siç thoshte gjenetika, por te gjaku tjetër, ai i jashtmi. Me fjalë të tjera, te gjaku i të tjerëve, që ata e  derdhnin si të dehur, në emër të doktrinës…

… ishte tjetër gjak ai që ishte derdhur, në tjetër kah e në tjetër formulë. Ashtu si gjiri i nënës ishte tjetër gji. Dhe i ati, dhe nëna e tyre, dhe gjaku i njërit, dhe qumështi i tjetrës, rridhnin sipas ligjesh të tjera. Nëpër festa, nëpër këngë, brohoritnin kudo “dritë partisë”!, “nëna parti”!, kurse së shpejti do të ulërinin “qumështi, gjinjtë, seksi i partisë”!. Në të vërtetë ashtu kishte nisur ajo punë, qysh në grupet e para komuniste, kur militantët burra e gra, flinin ose nuk flinin bashkë, jo sipas kodit martesor, por sipas atij të doktrinës”.

Premtimi i totales së komunizmit është një e vërtetë, një sundim i të vërtetës (vetë kjo thënie, apori në vete) etj.

Në tërë tekstin e romanit Pasardhësi shpërfaqet një pyetje, rrënjësisht gjurmë e asaj që duhet fshirë. E që është pyetja: çka është duke ndodhur?

Çka është duke ndodhur në të vërtetë në Shqipërinë e romanit “Pasardhësi”?

Është duke ndodhur e kundërta e premtimit të tiranisë, përmbysja e të vërtetës së përhershme, të Komunizmit, e cila shkon duke e përforcuar dhe duke e thelluar totalen, pikërisht në këtë pafundësi të vërtete.

Fjalët, shprehjet: Prijësi, Pasardhësi, Parti, “Parti mëmë”, janë shënjim i ndërmjetëm; herë janë shprehje të shoqërisë, e herë të vetë narratorit të tekstit. Ato mjegullojnë, zhdukin dhe mishërojnë realitetin dhe fiksionin në një tekst.

Në fakt, këto shprehje duhet të premtojnë, të udhërrëfejnë një kah drejt potencialit, po ato janë vetëm pafundësia/zhvleftësimi i shenjës në lavjerrësin e të vërtetës. Ato janë shënjime që kanë krisur nga objekti që kanë emërtuar, në pamundësi të së vërtetës së definuar.

Shprehja Pasardhës (lexo: Prijës) nuk është më shenjë, por shënjim i të gjitha konotacioneve të saj. Kjo është çarë në të kundërtën e mishërimit të kësaj shenje, në një kuptim. Gjë që do të thotë se, nënkupton të gjitha fjalët e tjera që mund të marrin këtë shënjim: deri në – mëmë, mëma Parti, për shembull.

Pikërisht ky negacion i mishërimit të shënjuesit Prijës, parti, kumbon në të gjithë zinxhirin e shënjimit të tyre. Pikërisht ky është mekanizmi i të vërtetës, i totales, ajo e tëra shenjon dhe shenjohet nga mungesa e një të vërtete dhe pikërisht kjo e vërtetë bëhet manipulimi i shoqërisë në totale.

Zanafilla e komunizmit në Shqipëri ishte “luftë civile”, “ndryshim gjenetik”, “të tjera ligje mbretëronin aty”, etj. Ishte zinxhir shpartallimi i origjinares dhe, në këtë shpartallim, fshirje e saj. Për të mundësuar kalimin në regjimin e tiranisë, për të mundësuar premtimin e të vërtetës së vetme dhe unike, që nën ankthin e kësaj zanafille lind dhunën, dhe në të dhunshmen e saj, lë gjurmën e kësaj dhune.

Ky shënjim, duke kaluar nën shënjimin e radhës: totale. Fshirja e origjinares, gjurmëve të saj në prezenten, me ankthin për të “vendosur” një “botë të re”, duket e pamundur dhe vazhdon dhunën në totalizim të saj. Prijës, Pasardhës, Parti në të vërtetë çajnë, qoftë në ndërtimin fiksional të tekstit, në shënjimin e tyre të ndërtuar; apo qoftë në gjurmën e origjinares që përmbajnë si shënjime  të kohërave të lëvizjeve biblike, madhështive heroike të antikitetit, përmbajnë tërë korrupsionin e të keqes së origjinares dhe prezentes. Andaj krijojnë dhe ankthin për totalen e tiranisë së fshehur nën emërtimin “botë e re”, e cila shenjon pamundësinë e saj; dhe po ashtu ankthin e zanafillës së kësaj “Bote të re”.

Andaj Partia kalon në “Mëmë” si çarje, shkëputje prej origjinares në “Botën e re” dhe “ndryshim i gjenetikës”.

IV

“Në mbrëmjet e vallëzimit të gjimnazit, çunat e klasës, ata që bëheshin shpuzë tek fërkoheshin me gocat, kur u vinte radha të kërcenin me to, ngrinin si me magji. Faqet iu skuqeshin, duart u dridheshin, veç jo nga epshi… por nga e kundërta… këtë po ia thoshte turbull edhe ai…

Ajo i kishte marrë dorën, ia kishte puthur, ia kishte kaluar sipër gjinjve, pastaj te fundi i barkut. Çlirimi prej trupit ia bënte gjithçka më të lehtë. Mos i hiq sytë, i kishte thënë, me zë të ëmbël. Të duket i zi, kërcënues? Më i frikshëm, më i zi se diktatura e proletariatit? Fol shpirt”.

Në këta paragrafë shtrohet një pyetje, pyetje të cilat vazhdimisht akumulohen si obsesion, si fiksim, gjatë tërë tekstit. A ka rëndësi vrasja/vetëvrasja e Pasardhësit ndaj kësaj që shpërfaqet? A është vrasja/vetëvrasja vetë kjo që ndodh në këta paragrafë, por jo më e individit, porse e tërë shoqërisë? Ky është vetë zbulimi i vetëvrasjes/vrasjes së Pasardhësit. Totalja ka arritur kufirin e saj të fundmë, fundon dhe është e definuar deri në vallëzimet dhe marrëdhëniet seksuale.

Totalja është pikërisht e vërteta, që si lavjerrës, fshin tërë shoqërinë brenda tekstit. Ajo depërton deri në vallëzimet adoleshente dhe marrëdhëniet seksuale, në raportin brenda familjeve, e deri te rikthimi i të vdekurve, siç është personazhi i Hallës së familjes së Pasardhësit.

Ky lavjerrës i të vërtetës është papërcaktueshmëria e Partisë mëmë. Por si? Dhe pse? A është e qëllimtë, apo ankth për të fshirë të kaluarën, në premtimin për “Botën e re”?

Premtimi i tiranisë së Enver Hoxhës/ideologjisë është vetë papërcaktueshmëria e të vërtetës së ideologjisë dhe aktantit/bartësit të saj. Derisa premtohet barazia, liria, atë në thelbin e tyre ndryjnë gjurmën e një të vërtete paradoksale, dhe me këtë, një barazi dhe liri paradoksale.

Derisa e vërteta ideologjizohet si hierarki absolute mbi botën e kaluar, botën e korruptuar, liria si barazi e ideologjizuar, kris në këtë hierarki si papërcaktueshmëri, duke i hapur rrugë dhunës. Është e vërtetë e dhunës. Dhe e vërteta duhet të dhunojë, dhe në këtë të sundojë.

Kjo papërcaktueshmëri arrin në sundim të vetë barazisë së dhunshme dhe të pafundësisë së shënjimit të të vërtetës. Në të vërtetë, humb çfarëdo e vërtete.

V

Pasi e tëra është pastruar, fshirë nga jeta e tiranisë, vjen edhe Haso Beu. Vjen “nata e midistë”, “bisha e zezë”.

Emërtime biblike, emërtime të humnershme, të cilat çajnë kohën në dy kahe, në kah në para-jetës të natës së midistë, dhe pas saj, por Haso Beu nuk bën pjesë në asnjërën, është zhdukur i gjallë dhe ka mbetur shënjim i “të midistës të së vërtetës”.

“Kurse unë gjendesha, ndërkaq, në morg, dhe ata hiqeshin sikur asgjë s’kishte ndodhur, dhe natë të 13 dhjetorit s’kishte pasur, por, në vend të saj, kishte pasur një tjetër njësi kohe, njëfarë dyzimi, njëfarë ngjitjeje të përçudnuar të natës me ditën e nesërme, midis të cilave, koha nuk rridhte. Ose rridhte mbrapsht… ajo bënte pjesë në qenien time, në thelbin dhe në trajtën e saj…

Shumë vonë e kuptova se kisha gabuar. Ai nuk harronte asgjë… kur ora për mua ra, kur mbërriti nata e 13 dhjetorit e pas saj, dita e 14-ës dhe ai e ndali kohën në vend, unë e kapa në cast se me atë kthim mbrapsht të orës, si s’kishte bërë gjë tjetër, veçse kishte vënë në vend radhën e gjërave. Atë radhë që, pas trurit të tij, ishte prishur, ashtu siç rrëfenin gojëdhënat, kur ati dhe i biri ngatërronin vendet”.

Koha e cila përmbyset dhe merr dy kahje, atë kah tirania dhe atë të natyrshmen e saj (gjë që po ashtu sjell në vazhdimin e tiranisë, totales), është pikërisht “e ndërmjetmja e të vërtetës”, e cila çahet nga Prijësi, nga Partia mëmë, dhe nga vetë totalja e tiranisë.

Kjo e vërtetë e ndërmjetme është në të vërtetë mekanizmi i Sundimit të Tiranisë, i krijimit të totales. Me çarjen e saj, me kthimin e saj në “bibliken” e katastrofës që ka kapur shoqërinë dhe tërë tiraninë, ajo krijon mundësinë për sundimin e të vërtetës, për manipulimin e të vërtetës dhe për motivimin e të vërtetës.

Çarja e kohës në këta paragrafë kthen në vend radhën e gjërave, rimerr totalen në tërësinë e saj, duke pas zhdukur edhe kohën, edhe rrjedhën, edhe natyrën, edhe të pasmen e Prijësit. Nuk ka një pas, nuk ka një pasardhje, një pasardhës, sepse pikërisht kjo e zhvleftëson totalen dhe e mundëson rikthimin e të vërtetës/të vërtetave.

Andaj dhe Pasardhësi bën vetëvrasje/vritet, shtyhet Haso Beu në vrasje, të dhëna brenda tekstit, të cilat të gjitha qëndrojnë dhe të gjitha janë fakte. Që do të thotë se, nuk ka më nevojë për vrasje, për urdhra të këtij lloji – totalja rimëkëmb veten e saj, si kërkim i ankthit të vet.

Si rikthim i të vërtetës së përhershme dhe të vërtetës Sunduese të totales. E që është zëri i Prijësit, në fjalimin e ditës pas vetëvrasjes.

Përmbyllje – e vërteta e vrasjes/vetëvrasjes

Prijësi, siç u cek më lart, është pa një pas. Nuk ka një vazhdim, pse? Është pavdekësia – totalja! Totalja është vetë pavdekësia e Prijësit. Jo në shënjim, por në realitet.

Ajo është kumti i këtij teksti, shënjimi i këtij teksti. Derisa e tërë marrëdhënia e njerëzimit është e ndërtuar dhe e ndodhur në raport me vdekjen e individit, dhe të Prijësit, kjo në të vërtetë është ankthi ndaj vdekjes, jo vetëm i individit, por edhe i Prijësit.

“Me dorën që kishte kërkuar qetësi, ai po nxirrte orën e xhepit. Tridhjetë e ca vjet më parë, kështu e kishte prekur zinxhirin e ftohtë, ende pa e pasur të qartë se çfarë gjëje tmerruese po çlironte.

Shokë, meqenëse u bë vonë…

Heshtimi i sallës, me kalimin e viteve, sa vente e bëhej më i thellë. Pa i mbaruar fjalët, ai ndjeu fikjen e njohur, rrënqethja e së cilës i kalonte sallës, për t’iu kthyer përsëri atij. E priti ca çaste derisa i erdhi plotësisht, ishte e pakrahasueshme me asgjë tjetër, ajo shkrehje e pafund. Veç në zona gjumi ditësh të largëta, ndoshta, i gjendej shëmbëllimi.

S’kishte pasur nevojë as për shkabë sqephekurt, as për rrufe zhurmuese. Ajo natë i kishte të dyja. Sulu, sulu, mendoi me dhembshuri, në kohën që po ngrihej për të lënë sallën”.

Është përtej, i tjetërbotshëm, i patjetërsueshëm dhe i pakapshëm. Ka arritur – pavdekësinë. Gjë që do të thotë, është përtej vdekjes dhe përbrenda saj.

Tirania është vetë raporti i saj me vdekjen, ajo ngrihet dhe lind dhe jetësohet, vetëm duke e ndërtuar raportin me vdekjen. Gjë që do të thotë se, njeriu zhvleftësohet deri në atë masë që, vdekja është edhe e dëshirueshme edhe e pavlefshme, jo më një mur, një fund dhe një arritje në fund, vdekja duke qenë e harrueshme. Në nivelin tjetër, atë të Prijësit dhe të Pasardhësit, vdekja ka një kuptim dhe është në një marrëdhënie tjetër me ta. Ajo është e kudondodhshme dhe e manipulueshme.

Këtu totalja ngrihet si ankth ndaj vdekjes. Sa më e përhapur vdekja dhe kërcënimi i saj, aq më të lartë Prijësi dhe Pasardhësi. Aq më të pavdekshëm të dy. Është hierarki, e cila në asgjësimin e vdekjes dhe në përhapjen e saj kudo, në tërë totalen e saj si territor, krijon ngritjen e prijësit si zotërues të vdekjes, dhe pikërisht këtu, në të pavdekshëm.

Pavdekësia është pirgu i vdekjeve, të kryera në emër të së përgjithshmes. Jo vetëm si tirani dhe pushtet, por si ankth i kalimit të gjenetikës, i kalimit të familjes në Parti mëmë, dhe kalimit të kufirit të njerëzores. Që thënë shkurt është: vras për të zotëruar vdekjen.

Pikërisht kjo çahet nga vetëvrasja e një vajze për një riparues biçikletash. Është në raport me pavdekësinë e Prijësit. Ka vetëm një, një Prijës, dhe çdo gjë duhet të  bindet ndaj pavdekësisë së tij, për sa kohë vajza i bindet riparuesit të biçikletave, derisa Haso Beu nuk i bindet Prijësit.

Në fund, e vërteta e Prijësit, e totales, ka zanafillën e saj “në ndryshimin e gjenetikës”, por pasi ajo të jetë ndryshuar një herë, gjithë çfarë ka mbetur është inercioni i dhunës që e ka mundësuar.

(Fragment nga studimi “PAFUNDËSIA E LEXIMEVE TË VEPRËS SË KADARESË”, Botimet UET Press).

Please follow and like us: