Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir Ceci: Mirazhi i një poeti që krijon ‘Dielli mbi qytet’

 

 

(In memoriam për poetin dhe eseistin, Vladimir Toroveci)

Një zile celulari si zë gjarpri ogurkobi, një lajm i zi nxin mbi shtyllë drite, pastaj kortezhi si shirit morti lidhet në krahun e djathtë të qytetit, një arkivol zbret me litarë shiu në terrin e dheut dhe befas  një mirazh  me fytyrën e tij  qarkuar nga një aureolë vezulluese ngrihet ngadalë për lart në qiell. E ajgetoja me sy të mjegulluar teksa mirazhi shpalosi portretin e tij përmbi qytet. Une e dija që shpirti i tij rrebel prej gladiatori s’do duronte dot nën dërrasë arkivoli e nën dhé të lagur. E dija dhe që ai s’kish  frikë nga  nata. Nata ishte një nga frymëzimet dhe dashuritë e tij. Ai kish frikë nga vdekja e rëndomtë dhe e pabesë. Me të kishte qenë në konflikt gjithë jetën. Ai ëndërrontë për një vdekje profetike me ringjallje apo dhe një vdekje stinore si lulet, pemët me ripërtëritje, me riardhje.

E shihja mirazhin që voziste mbi krelat e qytetit dhe më dukej sikur po shihja një hy e jo Ladin, shokun tim të mirë që e takoja shpesh çdo mëngjes.

Ishte një njeri i zakonshëm, shtatlartë, fytyrëmbël dhe orator. Në foto bardhë zi i ngjante disi Majakovskit. I  pëlqente të pinte kafen ekspres me shokë “me pak qumësht agimi dhe  disa cicërima zogjsh” –siç thoshte. Kur largohej hynte në vetminë e tij e kalamendej, metamorfozohej, udhëtonte nëpër rrathë qiejsh dhe egzaltohej sidomos  kur qëllonte të takonte muzat. Ai e mbante këtë gjë  sekret, por kuptohej qartas nga tharmi në shkrimet  që ato e kishin caktuar si të preferuarin e tyre në Korçë. I jepnin çdo gjë që i duhej për poezinë si kujtesën, arsyen, shqetësimin, frymëzimin, erosin etj,etj. Duke qenë nën mbrojtjen e tyre ndjehej i sigurtë dhe krenar. Nuk desh të ish i vdekshëm bëhej “enigmë e bruztë e endej i vetmuar nëpër terrin e jetës dhe guxonte të pamundërën”.

Bisedonte me njerëz të mençur në tokë dhe në qiell/ankorohej në limanin e syve të tyre dhe e kuptonte se sa e madhe dhe e pafund është bota. Pinte me shumë eks cigaret slims. Tymi ia ngjyronte flokët e thinjur me një ngjyrë blu onde-onde. Nga frymëmarrja marathonake dukej që diçka nga brenda e bënte të nxitonte. Dua t’i kopsis të gjitha letrat, më tha. E kish fjalën më tepër për një përmbledhje të krijimtarisë. Përzgjedhja, që ishte një rivlerësim i vetvetes e prokuponte së tepërmi. Për këtë lloj pasurie nuk kish as kadastër as bankë që ta depozitojë, kishte merak a kish lënë diçka me vlerë, një trashëgimi që do mund  të kujtohej.

..
Poezitë e tij janë më së shumti ndjesi lirike por dhe frymë epike. Sipas meje ai ka një model autodidakt të krijimit. Niset nga fakti, impresioni qoftë ai çast, shkrepje apo moment përjetimi e përvuajtje. Këtë detaj e fut në ofiçinën e tij e skicon e zhyt në solucion dehidratues e galvanizues, i heq me durim mbeturinat, skoriet e stilizon me ornamente metaforash e epitetesh. Më pas e tipizon deri në simbolikë dhe e ekspozon për publikun në faqe librash për t’u përvetësuar nga lexuesi i kultivuar si paketë diete plot vlera ushqyese ideo-artistike.

Prej grimcave të vogla krijon shkëmbinj, por dhe shkëmbinjtë primitivë, pengues i thyen me rrufetë dhe me ngrica-çngricat e tij, duke i tjetërsuar në rërë deti dhe humus kopshtesh.

-Në një çast frymëzimi e zhveshi këmishën, shkuli një brinjë dhe e rikrijon Evën,/Një mëngjes, në ujra të praruara me shkumë dhe dritë stisi Afrëditën e tij/Herë herë ndjehet gërmadhë ku gëlonin fantazmat/Shpesh bëhet fllad dhe endet sipër luleve/bota dhe shpirti i bëhen të afërt si një magji tronditëse/Ndjen t’i dalin nga brinjet flatra dhe ka dëshirë të fluturojë/Si bir i trishtimit me lot zjarri vajton dashuritë/Mbi delfinë të bardhë në sytë e vajzës së tij  përkun det dhe prehet i lumtur

Ishte i lidhur së tepërmi me vendlindjen, s’u largua prej saj dhe në kohët më të vështira

-Atdhe!Me zinxhirë drite më lidhi pas trupit tënd përjetësisht dielli, Poezitë e mia fluturojnë si turtujt nëpër ara, kërkojnë për fëmijët e tyre ushqim. Kam frikë mos m’i vrasin, i ruaj me sy deri sa të kthehen në foletë që u ngrita në librat e mi.

Duke eksploruar sadopak këtë ekage-poetike vëren se në shpirtin e tij janë bashkë dhe në diversitetet, e zakonshmja dhe jo e zakonshmja, uni dhe universi, kaosi dhe harmonia, mençuria dhe çmenduria.

Shpesh me ne ndodh që absurdi na hedh hi syve, na bën miopë. Sa pranë e kemi njeri-tjetrin dhe nuk e shohim të gjithin. Shohim më teper vogëlsitë:  si sklepat në sy, njollën në këmishe, higjenën e thonjve. Dëgjojmë pa interes ankimet dhe shqetësimet e i lëmë të bien si thërrime në tokë e i shkelim pa kujdes me këmbë. Vëzhgojmë si regjizorë siparin e buzëve, fëshfërimën e qerpikëve, astronominë e syve, rrjetin rrugor në ballë, aritmetikën e thinjave. Shohim çdo ditë tek njeri tjetri sipërfaqen, dukjen, ojnat. E kjo monotoni provinciale na përsëritet pa fund. Na i ha kohën, bukën e jetës. Nuk shohim dot ose nuk duam të shohim aisbergët apo malet thellë në oqeanin plot dallgë. Nuk mund të shohim nga dhjetra dritare që na rijnë hapur në trup (në sy, në gjoks, në brryla, në gjunjë) gjithë larminë e pejsazheve të natyrës së tyre shpirtërore. Vetëm kur largohemi ne ndjejmë dhe shohim më qartë në thellësi të gjërave. Hipnozë e pashpjegueeshme…!?
V. Toroveci nuk pajtohej me këto vogëlima. Gjithmonë në bisedë me shokë ai ftonte dhe miq të tjerë të tij si Ricosin, Kunderën, Xhojsin, Neruden, Witmanin, Majakovskin, Markesin, Danten, Quasimodon, Buzzatin & Co. Tavolina merrte përmasat e hartës së botës, bëhej e larmishme, entusiazte plot ushqim shpirtëror e kulturor. Orët të dukeshin sekonda dhe hallet harroheshin disi. Një ditë i thashë se “kam frikë të vi në takim me ju se do harrohem këtu dhe do të më përzënë nga puna”. Ai nënqeshi e më falenderoi në heshtje. Preokupohej shumë për shëndetin e tij, por dhe të poezisë. Ishte për poezinë cerebrale, me shumë ndjenjë, por nën komandën e mendimit. Pra simpatizonte poezinë e vështirë misionare dhe jo atë qaramane, shurdhmemece, të stolisur me zilka e çfarëdo shkëlqimi të rremë. Këmbëngulte për vargun me këmbana, denoncues, opozitar. I urrente deri në neveri ata poetë servilë, palaço, rushfetxhinj, parveny që gjithë jetën u thurrnin ditirambe, himne, elozhe diktatorëve, pushtetarëve, zotërinjve. Këta e kanë poshtëruar dinjitetin e poezisë, uturinte. Asnjëherë nuk veshi pelerinë senjori/Mbeti gladiator. I vrarë dhe i rivrarë mijëra herë.
-Ishin njerëzit dhe jo Zotat që më çanë kraharorin, kenerat e territ ma sqepuan zemrën, deklamonte me zë antikomformisti në mbrojtje të çfardolloj të përndjekjes shpirtërore. Për hir të poezisë kish filluar negociatat e bashkëpunimit dhe me perënditë. I tronditur prej kaosit që sundonte herë-herë kërkonte ngushëllim në frymën e shenjtë.

…Sot në mëngjes më ndodhi diçka befasuese. Syri instiktivisht harroi gjëmën dhe kërkoi ta shquajë si gjithmonë Ladin, siluetën e tij shtatlartë në pedonale. Por kur vonoi disi. mirazhi i tij (ai i varrezave) u krijua sërish nga dielli e m’u përshfaq lart mbi qyetet, pikërisht atje ku ndodhej shtëpia e tij. Tek e shihja me sy të mjegulluar nga drita më ngjan pak Diogjen, pak Majakovsk, pak Spartak, pak Donkishot i rrethuar me aureolën e vet prej rrezesh në trajte vargjesh. Porte më porte kalon, siç duket kërkon njerëzit, zogjtë, pemët, lulet, fëmijërinë, rininë të lënë kujtim në çdo prag e strehëz. I shfaqet fëmijëria në rrugica dhe erërat e mallit i veshin sytë/Kujton erën e barit, pemëve, kacavjerrjen pas yjeve, grackat e zogjve/ dhe vdekja fshehur në skuta çuditet me guximin e tij. Më duket sikur  mban në dorë librin me poezi të zgjedhura  “Kohë Parvenysh” dhe vargjet më shfaqen në ekranin e qiellit me titra të bardha… -Isha kolibër, Gjerbja vilet e akacjeve, Ndiqja pëllumbat, E prekja qiellin me flatra/ -Bëhesha fllad dhe endesha  sipër  luleve mbi kopshte./-Desha të fluturoja…Honet e njeriut më tërhiqnin më tepër se qiejt e perëndive

Për një çast mirazhi më humbi nga sytë. U ul për të pushuar diku në kodrat. Mbase ai më pa që po e shihja dhe m’u fsheh. I erdhi turp që ish larguar prej nesh.  Ç’qenë ato shenja që na dhe në heshtje me duar mbi gjunjë e me sytë në retë. Dhe kur e pe se dhimbjet po të çanin gjoksin, s’deshe të na shqetësoje u largove e na le vetëm. – Kthehu! Mos u bëj i marrë, hapi ata dy sy. Shenjtriadha nuk është vend për ty. O zot, të lutem! -ktheje në mes të rrugës, mos e lër të na ikë/Mos e lër të vdesë buzëplasur, Pa i shijuar të gjitha dashuritë.

Së fundemi dua t’iu them se ky shkrim u shkrua jo vetëm nga unë, por dhe nga vetë Vladimiri. Fatmirësisht mori pjesë si autor dhe një miku i tij, ustai i mirazheve, Dielli. Unë vetëm sa i rirradhita fjalët, mendimet, vargjet  për kujtim, për homazh.

 

Please follow and like us: