Ramiz LUSHAJ: FESTA E MADHE E SHIPSHANIT
8 gushti 2021, tashma, hyri në kalendarin e Shipshanit dhe të Malësisë së Gjakovës, të Rrafshit të Dukagjinit, të Qarkut të Kukësit, të Kohës e të Kombit, si “Festa e Madhe e Shipshanit”.
Se gjithkush e gjithçka e ka një ditë të parë, një hap të parë.
Kështu, kësisoj, kësaj here, krejt mirësisht e mrekullisht, edhe kjo “Festë…” në Padesh. Ta gëzojmë për vete e brezat, me miq e dashamirë, me të gjithë-për të gjithë.
1.
Po, pse u pagëzue kaq herët me mbiemnin “e Madhe” kjo ”Festa e Shipshanit”?! Se kjo “Festë e Shipshanit”, për nga origjina e misioni, mënyra, veprimtarimi, (e shumçka tjetër) lindi thjesht e tillë: “e Madhe”.
Lindi thjesht e natyrshëm, nga mbarsja e mendimi tek veprimi i lidhjes e prerjes së kthizës, nga vet Grupi(mi) publik, krejt shoqëror e gjithëkrahinor: “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” bash në FaceBook. E, jena dëshmitarë kohorë se çka bajnë këto rrjete sociale, këto inovacioneri e aksionime, kjo botë digjitale në këtë kohë globale, kur gurra e udha e tyne shkon andej e atje ku e si duhet; bajnë revolucione si “Pranvera Arabe” e shumçka tjetër, edhe në Shqipërinë e sotme, edhe nëpër 6 kontinentet tokësore të Globit.
Ideja për Festen e Shipshanit nuk lindi as nga “Pushteti i Shtetit”, as nga “Pushteti i Xhepit”, as me firmë e as me vulë, por nga mendja e zemra (kryesisht) e djemëve e vajzave të Shipshanit.
Pra, ishte diçka e gjithçka trupnore e vizionare nga vet genet, gjaku, palca, ashti, hapi e takati…i Shipshanit, nistue e sipërmarrës nga një Grup(im) i tillë publik e shoqëror, sa përfaqësues edhe përbashkues i Shipshanit, nga dëshira e madhe për ma të miren e ma të bukuren e mundshme, për mrekullimin e lumturimin e pritshëm të 8 gushtit 2021.
2.
Ne po ecim drejt një Bote Tjetër, po përjetojmë një Kohë Ndryshe, e cila po na provon, së cilës duhet t’i besojmë, prej së cilës duhet të mësojmë, nga e cila nuk duhet të ndahemi e as të ndalemi në asnji çast, në asnji hap, nga askush e prej asgjëje.
Grup(imi) “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” në FaceBook ka vetëm 1.700 antarë, të cilët me postimet, shikimet, komentet në vargni shumëfishohen praktikisht e jehonshëm gjithandej e gjithkund, në ekranin e vogël të celularit dhe në globin e madh të botës. Edhe në “Festa e Madhe e Shipshanit” numri i të pranishmëve do të jetë i madh, edhe ma i madh se numri i antarëve të këtij Grupimi të Shipshanit në rrjetin social botëror “FaceBook”.
Ideja për aktivitetin madhor “Festa e Madhe e Shipshanit” i përket këtij Grupimi, paçka se nuk është origjin-ale e tyre, sepse jam kanë i pranishëm në të tilla festa, të mirëorganizuara në male të Nju Jorkit të Amerikës nga Fondacioni Plavë-Guci apo në Malin e Dajtit nga Shoqata Bytyçi, Tiranë-Prizren etj. Origjinaliteti i tyre bashkëkohor qëndron tek fakti se nuk janë as shoqatë e as fondacion, nuk kanë miratim në Gjykatë e as në QKB, por nji Grupim Publik-Social-Mediatik, por janë aksionarë e misionarë të kësaj veprimtarie të 8 Gushtit 2021, të cilët u mirëpriten në ide, mendime e veprime, nga bashkëvendasit e tyre krahinor të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës, nga bota akademike dhe e biznesit, nga njerëzit e letrave e të skenës e ekraneve të kësaj ane Shipshjane (krahinë, fis, bajrak) dhe nga nipërit e mbesat, nga miqë e dashamirë të tyre të kudo-ndodhun në të dy shtetet shqiptare në Ballkan deri në Europë e Amerikë.
Ky Grupim i Shipshanit, tuj-e pa se ideja e veprimi i tyre mori udhë e krahë ia nisën me caktue Këshill Organizator, edhe Komisionet përkatëse në disa fusha, Kordinatorët në fshatra e lagje të Shipshanit, etj. tuj punue si ekip, edhe si misionar publik.
Këta, prirë nga një drejtuese e mirëpranuar masivisht prej tyne, nga Ermira Nezaj, trokitën në Bashkinë e Tropojës dhe e gjetën derën të hapur në disa takime dhe iu ofrue atyre ndihma e saj për disa rregullime të rrugës nga Buçaj në Padesh, për sigurimin përforcues logjistik të Festës (me foni/zerimi, etj.), për prani bashkiake në këtë aktivitet nga Përshendetja deri tek Siguria e Mbarëvajtjes të saj. Iu drejtuan edhe Prefekturës së Kukësit, ku gjetën mbështetjen e tyre. Pra, kësisoj, në këtë mënyrë, “Festa e Madhe e Shipshanit” mori miratim zyrtar, përkrahje zyrtare, ndihmë bashkiake disaplanëshe. Bashkia e Tropojës, ndonëse nuk është organizatore apo ndryshe: bashkëorganizatore, ajo u kthye në bashkëmisionare për “Festa e Madhe e Shipshanit”, festë e cila pritet që të kthehet në një traditë, të jetë e përvitshme në tokën e mes njerëzve të Shipshanit.
Grupimi misionar “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” (që ndoshta në të ardhmen do të kthehet juridikisht në Shoqata e Shipshanit) trokiti edhe në Komisariatin e Policisë së Tropojës, ku iu kërkoi ndihmë e gjetën mbështetje nga titullari (edhe me një trupë të caktuar policore) për Sigurinë e Qetësinë në “Festa e Madhe e Malësisë së Gjakovës”, çka, edhe kjo, përban një randësi të veçantë e Policia e Shtetit (prej nga polici i thjeshtë e deri tek Ministri), brenda detyrës së vet shtetërore, kësisoj, edhe kësi rasti, merr një përgjegjësi të lartë shtetërore, mbi vete, për vete.
3.
Organizatorët, pasi e caktuan datën, vendimuan edhe për vendin e organizimit: në Padeshin gjeostrategjik e historik, një vendbanim shipshjan i njoftun nga të gjitha angjensitë e lajmeve të botës përgjatë Kohës së Luftës së fundit të Kosovës (1998-1999), pasi përveç të tjerave, aty, ishte dislokuar asokohe Shtabi i Përgjithshëm i Brigadës “Agim Ramadani”, apo ndryshe: Shtabi i Luftës historike të Koshares; i kësaj lufte monumentale të Kosovës; betejë, për Ne-Shqiptarët, ma e madhe se “Beteja e Termopileve”; beteja ma e pastër e Luftës së Kosovës (FARK-UÇK); beteja me ma shumë heronj në historinë shqiptare (me të shpallur 114 “Heronj të Kosovës”); beteja nga ma legjendaret në historinë pellazgo-iliro-arbnore-shqiptare.
4.
Padeshi, me lartësi mbidetare 1213 metra, e lidhun vrri-bjeshkë me Ujezën, me kulla alpine, ndodhet mes gjelbërimit të livadheve e pyjeve, pranë burimeve ujore, etj. është dhe një vend turistik, një nga vendet turistike ma të bukura të Shqipërisë e të Botës. Ka disa dekada në këta dy shkeujt e fundit që e përjetoj-më legjenden e pambaruar të ngritjes së një Spitali të madh në Padesh, herë nga shteti ynë apo të huajt, një spital kurativ, diçka ma shumë e ma mirë se Senatoriumi i Tiranës. E, kur të asfaltohen rrugët, segmenti i mbetun nga Buçajt e Shipshanit deri në Padesh të Shipshanit, atëhere ky vend do të ketë bujtinat e veta, do të ketë turistë të shumtë prej gjithkahit. Se, atëherit, Padeshi, do të lidhet edhe me rrugën e asfaltuar që ka mbrri deri në Kosharen fqinje, e do të ngrihet unaza e turizmit, një tjetër unazë turizmi Malësi e Gjakovës-Rrafshi i Dukagjinit (e prej rrugës së re të Deçanit do të mundena me shkue edhe deri në krahinën historike-kulturore-turistiek të Plavë-Gucisë.
“Festa e Madhe e Shipshanit”, e 8 Gushtit 2021, e ka ndër objektivat e saj, edhe promovimin e turizmit alpin (vrri-bjeshkë) në këtë bukuri e madhështi të Alpeve Shqiptare, në Padeshin historik-kulturor-turistik. Ndaj iu them (e iu duhet thanë) organizatorëve “Misionarë”!, misionarë të mirë të një kohe të vështirë.
Kjo – “Festa e Madhe e Shipshanit”, e promovon turizmin alpin në Shipshan, në krejt krahinën etno-historike të Shipshanit, duke nistue nga Grand Klaus Hotel & Bar-Kafe-Restorant (në Kasaj, sapo kalon PKK e P. Doganore në Qafë Morinë) dhe deri tek Kalaja e Komit – “Monument Historie e Kulture” (te Mullinjtë e Gradit), në Qeli, Grykës së lumit të Shipshanit (që buron nga bjeshka e Sylbicës); nga Tyrbja e Dervish Rexhep Bel Boshnjaku – “Nderi i Kombit”, një Saadi-Harabati) në Buçaj e deri tek Kisha e Marashit-“Monument Kulture”- andaj kah bjeshka e Pojanës; nga Shpella e Ali Ibër Nezaj – “Monument Historik”(aty strehohej dhe Sylejman Vokshi) dhe Shar Ahmeti- në shpate lindore të lumës së Shipshanit, në thellësi të Grykës së Sylbicës, kah Ara e Osos deri tek Shpella e Hasan Prishtinës (ish Shpella e Pushkëve) (“Monument Historik”) në Papaj; nga Kulla (vend-pelegrinazhi) e Sali Berishës në Viçidol (ku, në këtë territor, kanë pasë vendbanime të mahershme dhe Hasan Prishtina i Pavarësisë dhe të parët e ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga etj) dhe deri tek Kullla e Adem Demaj – “Monument Kulture” në Papaj; nga Mështenka e Lugut të Zi – “Monument Natyre” deri tek “liqeni i vogël” artificial- përndryshe Rezervuari i Kasaje (ku po ngrihen kullat e reja të sotme të Bajrakut të Shipshanit); nga Përmendorja e Brigadës XXV-S (Monument Historik) në Tropojë dhe qendra administrative e sotme e Shipshanit (Tropojë e vjetër/Astë); kulla e Ali Ibër Nezaj (Kullat e Nezajve) në Buçaj; “Rruga e Lirisë” (Tropojë-Buçaj-Gegaj/ deri në Padesh e Koshare); Tyrbja e Dervish Sokolit në Gegaj dhe e Halil Muzli Selimit në Kasaj; Shtëpia e poetit Hamit Aliaj – Mjeshtër i madh në Kasaj, e shumë e shumka të tjera, dekterit tek “Varrezat e Heronjve në Koshare” të Kosovës.
5.
Organizatorët e këtij eventi goldian “Festa e Madhe e Shipshanit”, 8 Gusht 2021, në Padesh, bash tek Kroni i Çertezit, aty kah ora 10.00 e paradites, e kanë mirëmendue edhe hapjen e një “Panairi i Shipshanit”, nga biznese e individë të krahinës, me prodhime artizanale, produkte tradicionale të kuzhinës, kopshitjeve, pemëve frutore etj. të zonës e rrethinave, etj. duke e gjallnue dhe biznesin, ekonominë e ardhmërinë e krejt krahinës së Shipshanit.
Aty, në Padesh, të gjithësa vijnë në këtë Festë të Madhe do të gjejnë dhe blejnë edhe në këtë “Panair të Shipshanit”, do të kenë çka të hanë (për të ngrënë) për vete, edhe çka të blejnë që ta marrin me vehte.
6.
“Festa e Madhe e Shipshanit” është vërtetë e madhe, pasi jepë mundësira të mira e të mëdha që njerëzit të njihen ma nga afër e ma shumë me njëri-tjetrin, se shumkush, nder ta edhe unë, jena larguar prej dekadash nga Shipshani ynë dhe nuk i njohim nga afër shipshjanët e atyshëm trojenik në Shipshan të Malësisë së Gjakovës dhe ata të shpërndarë në Ballkan e në Europë. Shumkujt ia kemi dëgjue zanin po nuk ia keni dhanë dorën. E dimë se jetojnë në Shipshan po nuk i kena takue ndonjëherë. E dijmë se shumë shipshjanë jetojnë në afri të krahinës së Shipshanit, në Gjakovë, Junik e Deçan (edhe me lagje e fshatra të veçanta), edhe në rajone të tjera të Kosovës e deri në Shkup në Maqedoninë Veriore, edhe në Tiranë e Durrës, gjithandej, gjithkund. Po shumë prej tyre, ndoshta asnjerin prej tyre, nuk i kena pa kurrë e dona me u takue me tanë një ditë si kjo e 8 Gushtit 2021.
Mos me ndodh sikur e thotë shprehja e moçme “Ra ky mort e u pamë”, po djemtë e vajzat e Shipshanit, këta të jashtëzakonshëm në unitete e aktivitete, këta të jashtëzakonshëm si misionarë, na e mundësuan ma së merit këtë “Festë të Madhe të Shipshanit”, edhe sipas shprehjes tjetër, të perifrazuar ndryshe: “Erdhi kjo Festë e Madhe e Shipshanit dhe u pamë ndërveti”!
Shipshan, Malësi e Gjakovës, 4-5 gusht 2021.