Fadil Sahiti: KOSOVA DHE AFGANISTANI, A KANË NGJASHMËRI?
Kam hasur në dy ose tre artikuj që krahasojnë shtetin e Kosovës me rënien e shtetit në Afganistan. Më bëri përshtypje postimi i një filozofi kosovar, i cili është edhe profesor universiteti. Në një nga postimet e tij, ky ‘filozof’, ndër të tjera, thotë se korrupsioni është arsyeja kryesore pse ka rënë shteti i Afganistanit! Për një profesor që pretendon se është qendra e mendimit politik në Kosovë, një deklaratë e tillë është naive dhe krejtësisht qesharake.
Është fakt se ka shumë korrupsion në Kosovë. Por, ne nuk jemi shumë të ndryshëm nga vendet e rajonit. Kështu thonë disa institucione prestigjioze ndërkombëtare që merren me këto gjëra. Megjithatë, a mund të thuhet se korrupsioni është treguesi kryesor i cilësisë së një shteti? Është naive të pohosh një gjë të tillë; sepse korrupsioni është një sëmundje kudo dhe si i tillë është vështirë të eliminohet si fenomen.
Stabiliteti i një shteti nuk përcaktohet nga niveli i korrupsionit. Unë personalisht mbështes teorinë se cilësia dhe stabiliteti i shtetit përcaktohet nga sistemi demokratik. Ndërkohë, thelbi i një sistemi demokratik përcaktohet nga funksionimi i institucioneve shoqërore, të cilat mundësojnë kalimin e pushtetit nga një formacion politik në një tjetër. Unë nuk jam duke thënë se kjo shpjegon plotësisht nocionin e një sistemi dhe mjedisi demokratik të një shoqërie. Unë them se është mekanizmi bazë, thelbësor i demokracisë.
Nga sa kemi parë deri më tani, Kosova ka arritur të krijojë institucione që kanë mundësuar një transformim të tillë të pushteteve. Kjo ka ndodhur si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Edhe organizimi i zgjedhjeve, por ajo që është më thelbësore, rezultatet e zgjedhjeve zbatohen pothuajse në mënyrë perfekte.
Ajo që demokracia në Kosovë nuk po arrin të krijojë (e cila është thelbësore në rritjen e mirëqenies së individit) është të prodhojë qeveri kompetente dhe të afta; qeveri që përdor institucionet shtetërore për të mbrojtur liritë dhe interesat e individit, që mbron pronën e tij, që rrit sigurinë në vend, etj.
Por a mund të fajësohen vetëm ata që kanë pushtet politik për këtë situatë në të cilën ndodhemi? Mendoj se është e padrejtë të fajësojmë vetëm mbajtësit e posteve politike për situatën në të cilën ndodhemi. Profili i këtij profesori, si dhe shumë profesorëve të tjerë, të cilët për shumë vite u kanë shërbyer me përkushtim politikanëve të paaftë dhe tani kinse bëjnë lojën e kritikuesit të fenomeneve negative, janë fajtorët më të mëdhenj.
Shoqëria kosovare vuan nga mungesa e dy gjërave themelore: e një elite intelektuale që do të shërbente si ndërgjegje dhe vetëdije morale dhe e një gazetarie profesionale e bazuar në etikë.
Me intelektualë oborrtarë dhe me gazetarë mafiozë që për qëllim kanë vetëm pasurimin material, nuk ka transformim cilësor të asnjë shoqërie.
Por, derisa e kemi shtetin, e kemi dhe shpresën!
Please follow and like us: