Prof. Fedhon Meksi dhe libri i dytë i trilogjisë ‘Yjet e Mjekësisë Shqiptare’
Libri që po lexoni është vëllimi i dytë i trilogjisë Yjet e Mjekësisë Shqiptare, kushtuar mjekëve të shquar shqiptarë, që kanë shërbyer në vendin tonë gjatë shek XX. Burimi i materialeve lidhur me aktivitetin klinik, pedagogjik dhe shkencor të pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë, është libri i botuar nga Dekanati me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Fakultetit të Mjekësisë (1952-2002). Në këtë libër gjetëm materiale të sakta, pjesa më madhe e tyre të shkuara nga vetë shefat e Shërbimeve Universitare.
Përsa i përket dr. Osman Jonuzit (1879-1966) nga Gjirokastra, dr. Frederik Shiroka, falë talentit, humanizmit, saktësisë dhe shpejtësisë në kryerjen e operacioneve sa do të vështira të ishin, e quajti “Babai i kirurgjisë Shqiptare”. Sidoqoftë, libri shterues me autor Prof. Flamur Tartarin, i titulluar ”Dr. Osman Jonuzi dhe bashkëpunëtorët e tij”- Tiranë 2016, jep fakte dhe argumente të mjaftueshme, në të cilat u bazova për përpilimin e kapitullit përkatës.
Falë intelektualitetit të tij të spikatur, dr. Sabri Tefiku (1886-1954) ishte internist i një niveli të lartë, kurse falë edhe manualitetit të tij, ai vendosi të kryente një specializim 1 vjeçar në Paris. Kur u kthye, kreu i pari në Shqipëri pneumotoraksin kurativ dhe ekzaminimin anatomo – patologjik (autopsia), të domosdoshme në përditshmërinë e aktivitetit të çdo spitali modern. Dr.Tefiku ishte prej 5 vitesh edhe Drejtor i Spitalit civil të Tiranës, por pas vitit 1944 e larguan nga spitali dhe e dërguan në njërën nga ambulancat e Tiranës, duke e zëvendësur me një mjek tjetër, që dihet se ishte i mbështetur nga forcat e reja në pushtet. Kjo lëvizje është e kuptueshme, në qoftë se pranohet që posti i drejtorit dhe i kryeinternistit të spitalit të vetëm të kryeqytetit, në ato kohë konsiderohej post kryesisht politik dhe pastaj profesional.
Burimet e informacionit për të shkruar kapitullin e dr. S. Tefikut ishin të shumta, por unë zgjodha dëshmitë e dr. Qazim Bakallit, dr. Koçi Moisiut, Prof. Pandeli Çinës, Doc. Hamdi Sulçebeut dhe të të birit, ing. Mirgjind Tefikut.
Prof. Kadri Kërçiku (1907-1972), për mendimin tim, duhet konsideruar si mjeku, pedagogu, shkencëtari dhe intelektuali më i madh shqiptar i shek. XX.
Veprimtaria më tepër se 40 vjeçare e Prof. Kadri Kërçikut, puna e tij klinike, pedagogjike e shkencore, veçanërisht kërkimet e tij për historinë e mjekësisë shqiptare dhe shkollës shqipe, janë kontribute të vlefshme të cilat provojnë dashurinë e tij pa kufij për vendin dhe zellin e tij të madh për mjekësinë dhe historinë e popullit shqiptar. Sukseset e mëdha në fushën e mposhtjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme të përhapura në gjithë vendin, lidhen në radhë të parë me aktivitetin e tij si organizator i palodhur dhe i aftë.
Energjia, guximi dhe optimizmi i Prof. Kadri Kërçikut, do të jenë për studentët dhe mjekët e rinj, një shëmbull i shkëlqyer në zgjidhjen me sukses të detyrave të tyre mjekësore dhe shkencore.
Nga dokumentet e shumta që gjenden në arshivën e prof. Kërçikut, të cilat më shërbyen për të shkruar kapitullin përkatës, e bija, Znj. Eva Kërçiku Karagjozi, më tregoi gjithashtu edhe dorëshkrimin e një artikulli të pabotuar të vitit 1950, me titull “Historiku i Sifilizit, përhapja dhe mjekimi i tij para çlirimit, në rrethin e Matit”. Në këtë artikull, që duhet botuar si historikisht i vlefshëm, ai dëshmon për herë të parë për Sifilizin ekstragjenital tek foshnjat.
Emri i Prof. Kristo Kristidhit (1902- 1979), që lidhet ngushtë me ndarjen e okulistikës si degë e veçantë e mjekësisë shqiptare, duhet të vendoset pranë emrave të dr. J. Bashos, dr. F. Shirokës, dr. J. Theodhosit etj., që patën edhe ata propozime të shumta për të punuar në spitale të ndryshme të Europës dhe Amerikës dhe zgjodhën Shqipërinë. Emri i tij duhet të vendoset edhe pranë emrave të Prof. K. Kërçikut, Dr. Sh. Bashës dhe Prof. M. Nakuçit që zhdukën sifilizin dhe leprën, ndër kohë që edhe ai zhduku trakomën. Veçse, përsa i përket finesës dhe sjelljes fisnike dhe miqësore me kolegët, të sëmurët dhe familjarët e tyre, Prof. K. Kristidhi ishte i vetmi.
Kurse, lidhur me informacionet për jetën dhe veprën e Prof. K.Kristidhit, ato vijnë nga dy burime të sigurta, nga e bija, Znj. Margarita Kristidhi-Milkani dhe nga stafi i kolegëve okulistë të QSUT, të mbledhur për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së Profesorit. Dhe mendoj se janë të mjaftueshme.
Për Prof. Shefqet Ndoqin (1914-2001), një nga pneumologët më të shquar në vendin tonë, burimi i informacionit është vetëm një, por plotësisht i mjaftueshëm. Ai është libri autobiografik i titulluar “Një jetë për jetën”.
Kurse për dr. e shkencave mjekësore Dhimitër Lito (1915- 1986), edhe ai ftiziolog, do dëshmojmë në këtë libër ne të dy. Unë, nipi i tij dhe kolegu, inspektori i Ministrisë së Shëndetësisë për luftën kundër TBC dhe drejtori i Sanatoriumit të Tiranës, dr. Kanan Jakupi.
Të shkruash për kolegen dr. Rushen Golemi, studentja me diplomë “Shkëlqyeshëm” në Fakultet të Mjekësisë, me të cilën kam punuar në të njëjtin pavion për 20 vjet me rradhë, dhe për shoqen time të paharruar, Rushen, jam bazuar edhe te libri biografik i vajzës së Rushenit, shkrimtares Inis Kazanxhi Jorgo me titull “Rushen Golemi, ky testament shpirti”, ku spikat një “delikatesë stilistikore në të shkruar dhe një realizëm besnik në përbajtje”. Kjo prozë biografike është një himn për gruan inteligjente, për shefen e klinikës kirurgjikale dhe për kirurgen e talentuar, e cila la një shëmbull të përkryer për vajzat, gratë dhe për gjithë mjekët kudo që punojnë.
Prof.dr. Pëllumb Karagjozi, studenti me diplomë “Shkëlqyeshëm” në Fakultetin e Mjekësisë, nuk e ka të mjaftueshme të quhet vetëm kirurg i talentuar, derisa ai është autor edhe i disa teknikave e operacioneve origjinale ortopedike të njohura ndërkombtarisht. Ai, si intelektual i përpiktë dhe transparent që është, duke më paraqitur disa nga artikujt e tij të botuara në revista prestigjoze ortopedike të Europës dhe të Amerikës së Veriut, ka lehtësuar edhe punën time në përgatitjen e kapitullit përkatës. Nën drejtimin e tij (1993-2004), me përkushtimin dhe kontributin e tij të veçantë, ortopedia shqiptare, tashmë e shtrirë në gjithë vendin, vazhdoi rrugën e zhvillimit si specialitet i rëndësishëm në shërbim të të sëmurëve.
Dr. i shkencave Albert Zhuzhuni, drejtues i Qëndrës së Transfuzionit të gjakut në Tiranë, ka realizuar shumicën e analizave dhe provave të gjakut, përfshirë edhe shpërndarjen e antigeneve eritrocitare, karakteristike për popullsinë e vendit tonë. Kështu, ai ka përvijuar një nga tiparet antropologjike të popullit shqiptar, duke e veçuar atë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Europës dhe duke treguar se ai ka mundur të ruaj në shekuj veçoritë e veta biologjike. Konkluzionet e studimeve të dr. të shkencave Albert Zhuzhuni plotësojnë vetitë etnike të popullit tonë, krahas studimeve të tjera në fushën e historisë, albanologjisë, arkeologjisë etj.
Kurse, jetën e dr. Albertit, larg mikroskopeve dhe laboratorit, e përshkruan shkëlqyeshëm, e bija, dr. Elona Dado.
***
Mësimi i mangët nga tekstet e historisë, kulturës, arteve etj. të popullit shqiptar në shkollat e mesme, është një krim patriotik dhe një nga faktorët kryesorë të ftohjes së të rinjve shqiptarë me atdheun dhe të parët e tyre, dhe si pasojë me emigrimin masiv që po rritet në mënyrë progresive. Në këto kushte tekstet e historisë duhet që të përmirësohen dhe të plotësohen, dhe bashkë me to të botohen edhe tekste suplementarë për nxënësit e ciklit parauniversitar, për figura të shquara shqiptarësh me veprimtari të veçanta në fusha të ndyshme të aktivitetit njerëzor. Unë mora përsipër të shkruaja një trilogji për “Yjet e mjekësisë shqiptare”. Të tjerët le të shkruajnë për yjet e inxhinerisë, bujqësisë, ekonomisë, arsimit, arteve, sporteve etj.
Duke njohur figurat e mëdha të popullit shqiptar, të rinjtë do të jenë krenar për ato që shqiptarët e shquar kanë realizuar në shekullin e XX.
Qershor 2021.