Albspirit

Media/News/Publishing

Rreth vëllimit poetik “Shkruaj kohën” të Katjusha Pogaçit

Republika Çulli

Pas disa dekadash nga botimi i vëllimit të parë me poezi “Fjala jonë”, Katjusha Pogaçi  vjen me vëllimin e ri poetik, ”Shkruaj kohën”, një titull emblematik ky për esencën e motiveve dhe të mesazheve të vjershave që përfshihen në të. Në rrafshin makro, në vëllim pasqyrohet një kohë e re, pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ’90, me problematikën përgjithësuese social- filozofike të tranzicionit,  përmes përjetimeve universale  ekzistenciale njerëzore, ndërsa në rrafshin mikro, poezitë shprehin përvojën personale jetësore të poetes. Si rrjedhojë na serviret një pasuri e larmishme në motive e mesazhe poetike, ku ndërthuren natyrshëm kolektivja dhe individualja në simbiozë me njëra- tjetrën, nëpërmjet një pene krijuese mjeshtërore dhe të sprovuar tashmë në përvojën e gjatë krijuese të poetes.

Vëllimi ngrihet mbi një strukturë funksionale poetike përmes grupimit të poezive në cikle mbi bazën e kriterit motivor, si më poshtë:

  1. Kur bota më e mirë të jetë
  2. Gurët kilometrikë
  3. Gjeografia e zemrës
  4. Kohë në filtër
  5. Peizazhe
  6. Në udhëtim

Në 98 poezitë e vëllimit shpaloset një realitet i gjerë jetësor e një  botë e pasur poetike, përmes një larmie poezish meditative, filozofike, lirike, kushtuese, peizazhi, etj.

Poezia përcjell një mozaik shumëngjyrësh zërash poetikë me sensibilitetin femëror dhe angazhimin social njëherësh. Është  gruaja, veprimtarja sociale, gazetarja, bashkëshortja, nëna, gjyshja që aspiron “një  botë  më  të mirë”, “një qiell paqeje”.

Poeten e preokupojnë  problemet  ekzistenciale të qenies në “botën  që këlthet”, “në tokën e shkelur”, në “Kosovën e përgjakur”, etj.

Zëri poetik dimensionohet në  koordinata  universale  e kombëtare, me dëshira e ëndrra shqiptare, ballkanike e globale.

Diskursi i heronjve lirikë realizohet në  përkatësi, vetë e kohë, në  shumës e njëjës  për të  shprehur  korrelacionet   logjike të  përjetimeve ndjesore prej kolektivitetit te uni  individual përgjithësues. Ky  konceptim e bën më  të thukët  dhe më  tronditëse poezinë.

Poetja identifikohet me gurët  kilometrikë, me karakollin, etj.,  dhe shpreh hapur  një disponim të drejtpërdrejtë  filozofik.

Në  problematikën  dhe tonalitetin e lirikës filozofike vihet re nje analogji, por aspak imitim, me lirikën filozofike të Dritëro Agollit, posaçërisht në vëllimin “Pelegrini i vonuar”, si rezultat i refleksioneve ndaj të  njëjtit realitet social-politik të pas viteve ’90. Është  e njëjta  problematikë  ekzistenciale e qenies përballë  këtij realiteti ku:

E vogël është bota/  E vogla botë e madhe/   Këlthet, qan e çirret

Deziluzioni dhe protesta shpërthejnë  fuqishëm në  botën e vështirë:

Veç  zemra ethshëm po këlthet/  Në  shkretëtirat pa oaz,

Vdiq nën rrënoja shpresë e vjetër/   E reja s’di kur rritet prapë.

Klithma e unit poetik  vjen përmes apostrofash therëse:

Përse më  tremb, botë  e vështirë/   Përse më lodh, përse më lodh?!

Përse na qenkërkesh ruajtur ky fat/   Të rrojmë  me të a të ikim bashkë?!

Mendimi poetik realizohet natyrshëm sa në  kuota përgjithësuese filozofike aq edhe në  pasazhe reale të  personalizuara të  poetes, që  shquhen për sinqeritet e komunikim të  drejtpërdrejtë, ku ndihet qartë  profili i gazetares. Kjo veçori spikat në  gjithë  poezinë e saj dhe, në  një  mënyrë  autentike në  poezinë e gjatë: “Ngjarjet e Kosovës 1999 ”,  ku 7 pjesët  përbërëse të saj shpalosin me mjeshtëri  tablo të spikatura të  realitetit tragjik përmes akteve e përjetimeve personale, si p.sh te:  “Në  studion e hapur  në Radio Tirana” , “Ngjarje”,  etj.

Këtë  veçori e gjejmë  edhe te poezitë e ciklit ‘’Gurë kilometrikë’’, përmbajtja thelbësore e të cilave janë  ngjarje nga jeta personale e autores, të cilat trajtohen në suazën e problemeve ekzistenciale njerëzore ,  me një  zë  të identifikuar plotësisht, e shprehur qartë kjo në poezinë “ Më  thërrisni  në emër”.

Heroi lirik dhe uni poetik përjetojnë  dhembjen,  zhgënjimin, vdekjen,  ëndrrat, ikjen, keqkuptimet, virtytin e mëkatin, rënien e ngritjen përsëri, në  një  botë të  trazuar e kaotike. Autorja shkruan:

Të  gjithë  ikin , trazojnë shtigje e rrugë, /  Ajër, tokë e ujë…Unë  jam këtu

Nuk vuaj ikjen, as zgjedhjen e bërë/  por pritjen flu…

Mbetem si fari, ndriçoj e pres/  Hedh dritën mbi dallgë dhe s’dua ta përpijnë,

Trishtohem kur mendoj se dritë më s’do ketë/Jo thjesht për vete, po për të mitë.

Krimbi i dyshimit e gërryen,  dilema dhe mëdyshja e dallojnë unin poetik përballë  një realiteti apokrif :

Ka mjaft raste kur ndihem e mjerë/  Të  iki a të rri vë  në  balancë,

Të  dyja të rënda fytyrëçjerrë/  Të  dyja njësoj si ushtri e përçarë…

Pse është tharë toka, është bërë Saharë /  Mbushur zhapinj, zhaba, hardhuca

Që duan me ta të ecësh zvarrë/  zhgarravitur në  ëndrra të qullëta

Në  ciklin “Gjeografia e zemrës”, poezia lind e zhvillohet në një mjedis përvoje personale e familjare. Tonet zbuten dhe rrjedh një  lirizëm i ngrohtë. Bota” e madhe” rrudhet në botën “e vogël” të  gjenealogjise familjare e krahinore. Pas lodhjes e rrugë  së mundimshme në poezinë e angazhuar filozofikisht, poetja zbret me çlodhjen dhe meditimin personal në  gjirin e nënës , në  rrugën bashkëshortore, pranë   vajzave, nipërve e mbesave, duke i shoqëruar ata në rrugëtimin e jetës dhe përsëri “Hapësirë e tejskajshme”:

Brenda meje dimensionet zgjerohen/  Hapësirat rriten pa fund

Njerëzit, ngjarjet dhe sendet hepohen/  Bien, ngrihen dhe prapë  marrin udhë

Ndiejme në  këtë  poezi butësinë dhe njomështinë e shpirtit femëror të vajzës, gruas, nënës e gjyshes të veshura me mantelin e prindërimit  sa qytetar ashtu edhe rustik krahinor. Ngjyrat idilike të  vendlindjes, Picarit do të zhvillohen më gjerë  në ciklin ‘’Peisazhe”, përmes një  lirike peisazhi të gjallë e të përkryer të  Jugut të  Shqipërisë. Këto janë  përgjithësisht poezi dedikuese për njerëz konkretë, nipër, mbesa, shoqe  ose trevave të ndryshme , si Plesati, luginës së Drinos, Mallakastrës, etj.

Një  variacion i motivit filozofik, ai i  kohës, merr një formësim të ri poetik në ciklin “Koha në filtër” me thyerje të vargëzimit klasik dhe me një ritëm poetik të theksuar në përputhje me mesazhin që përcjell. Leximi i këtyre poezive të rigjallëron ndjesinë e leximit të poezive kozmogonike – filozofike të N.Frashërit dhe L.Poradecit, me motivet e njohura : dita, nata, koha me përfytyrimet kozmogonike të qiellit, diellit, hënës, yjësinë, që  kalojnë nga njëri poet te tjetri si rezultat i formimit kulturor e shpirtëror të tyre si edhe i prirjeve, parapëlqimeve dhe përzgjedhjeve estetike. Një ndikim dhe vazhdimësi e tillë është e njohur edhe për shkrimtarë  të shquar në Letërsinë Botërore.

Në  ciklin e fundit “Në  udhëtim” pasqyrohen poetikisht kronika udhëtimi   përmes lirikave specifike të peisazhit të vendeve të ndryshme, ku shpaloset një vëzhguese e imtë e bukurive natyrore më tepër se transformimet njerëzore në të.

Siç  shihet Katjusha Pogaçi na prezantohet me këtë  vëllim poetik si një penë krijuese e spikatur me stile e shpërfaqje poliedrike poetike që e pasuron më tej me përmbajtje   të  re motivore e filozofike poezinë shqipe të pas viteve ’90.

 

Diana Çuli – shkrimtare

Katjusha Pogaçi nuk është nga ato poete që botojnë paprerë. Ajo shkruan, natyrisht, si të gjithë poetët e lindur poetë dhe të krijon ndjesinë se nuk e mendon botimin, aq sa mediton dhe i jep rëndësi shkrimit në vetvete. Në librin e Katjusha Pogaçit nuk gjejmë përpjekje për të eksperimentuar  mënyra të reja vargjesh, as mund të themi se kemi të bëjmë me post-modernizëm, simbolizëm apo ndonjë rrymë tjetër të sotme a të djeshme. Poezia e saj është nga ato lloj poezish që, pa u menduar, do të shpreheshim: Sa poezi e vërtetë! Pa i vënë emër.

Filloj ta lexoj këtë vëllim të sajin të fundit…..dhe më vjen ndërmend fraza e Emily Dickinson-it se nuk ekziston asgjë e tillë si fantazia e mendjes, ky udhëtim i thellë e i çuditshëm, ku ne jemi ose spektatorë ose protagonistë të një fantazie ireale apo të një ëndrrës sonë personale. Poezia e saj nuk i kundërvihet asnjëherë jetës, që është burim i përhershëm subjektesh, burim dashurie, që zbulohet përmes një stili të vërtetë e të sinqertë.

Por, ajo që   më   bën më shumë  përshtypje në poezinë e Katjusha Pogaçit është mundësia e saj e habitshme për të shprehur jo vetëm mendimin, por edhe ndjenjat e ndjesitë, përfytyrimet dhe emocionet. Do ta mbyll këtë shkrim të shkurtër, që nuk mund të përmbledhë në pak radhë mrekullinë e vargut të poetes, me pak vargje nga poezia Nata: Nata është ëndrra që kurrë s’e kam parë/ Ëndërra që ndoshta kurrë s’do ta shoh/Dhe që më vete do të më marrë/Në mbretërinë e saj kur të shkoj.

_________________________________

Iskra Thoma-Kritike letrare:

Libri “Shkruaj kohën” është ndërtuar bukur, me cikle të menduara mirë, me strukturë që ndihmon lexuesin të kuptojë më mirë mesazhet, idetë e ndjesitë që autorja do të komunikojë. Të bën përshtypje që në mjaft poezi ndihet vrulli, nervi poetik realizuar nëpërmjet figurave artistike e fjalëve të zgjedhura me mençuri e kujdes. Vrull që kontraston me natyrën e qetë të autores ( po ta njohësh ). Librit i shkon shumë titulli, metaforë e gjetur për të zbuluar paksa kredon e autores, problematikën që e shqetëson e që do t’ia u përçojë lexuesve. Një libër që lexohet me shumë kënaqësi e mjaft poezi që të bëjnë t’iu rikthehesh herë pas here.

_______________________________

Engjell Serjani – gazetar, në shkrimin: Katjusha Pogaçi  ““Shkruan” kohën në katër kohë e stinë si Vivaldi”. Antigonea News, 21 korrik 2016:

… Cikli përmbyllës i vëllimit poetik “Shkruaj Kohën”, është një udhëtim poetik që nis nga Bregu i Qeparoit dhe shkon në Lisbonë, nga Saranda në Aleksandri, nga “Përmbi Tepelenë” flutron mbi Zvicër, nga Dropulli e Qafë Bota në vende të tjera të botës së madhe. Më shumë se në pesë ciklet e tjerë, te ky cikël i fundit, titulluar “Në udhëtim”, gazetarja dhe poetja Katjusha Pogaçi ndihet që ka marrë përsipër të “shkruajë” kohën, në katër kohë e stinë si në krijimtarinë e kompozitorit venecian Antonio Vivaldi. Përfundimish, unë personalisht mendoj se me këtë vëllim poetik, Katjusha Pogaçi i bën një autonomi krijimtarisë së saj shumëvjeçare, duke na dëshmuar një vijë të pastër frymëzimi dhe duke sjellë argumentin se ajo përfaqëson diçka të mirë në poezinë dhe letërsinë shqipe.

______________________________________

Çerçiz Loloçi-prozator, publicist, në shkrimin:  « Katjusha Pogaçi rishkruan kohën në vargje poetike », publikuar në portalin Albspirit, 15 dhjetor  2017 :

Përvoja e gjatë në organet letrare të kohës që lamë pas apo puna si gazetare në Radio Tirana e kanë shtyrë autoren që me çdo poezi të kumtojë diç tjetër nga krijuesit e tjerë, madje të bëjë art edhe atje ku nuk shkon një sy i zakonshëm.

… Katjusha Pogaçi preferon rimën në vargjet e saj, çka e bën edhe më komunikuese me lexuesit e gjerë. Filozofia e jetës njerëzore nga lindja e deri në etapat më të mbrame të saj përthyhen në një varg poezish, të cilat lënë gjithsesi një porosi, një amanet apo një sentencë. Kur ke përfundur krejt përmbledhjen poetike të Katjusha Pogaçit të duket sikur gjendesh përpara një procesi katarsisi, ku shumë ndodhi të saj, raportet me nënën, babain, bashkëshortin, fëmijët, nipërit duket se të kanë ngjarë edhe ty, çka tregon se tema thjesht njerëzore marrin një karakter universal që vetëm poezia e bën në mënyrën e vet.

_________________________________________

Luiza Musta – gazetare, 28 maj 2019:

E lexova me kënaqesi librin tënd, mikja ime. Të takova ty siç të kam njohur, shpirtin dhe mendimin tënd lirik por edhe të shqetësuar. Tamam, ke shkruar kohën e brezit tonë. Faleminderit për këtë dhuratë!

________________________________________________

Sevo Tarifa – sociolog, publicist, shkrimtar, nga fjala e hapjes në promovimin e Librit “Shkruaj kohën” në Tiranë, më 15 dhjetor 2017

“Shkruaj kohën”, titull interesant, konciz, dyfjalësh, katërrokësh, por domethënës, fijet e të cilit çojnë te poeti, dramaturgu dhe kritiku anglez, Eliot Thomas, sipas të cilit: “Poeti i madh shkruan kohën”. Sikur ta dinte se një ditë, një poete shqiptare, vajzë Labërie, picarjote do të shkruante një libër me tiull “Shkruaj kohën”!

Ti, Katjusha, je një poete e heshtur, modeste, pa pretendime, jep art përmes alegorisë, similitudave, metaforave e figurave të tjera artistike; s’je e frazës intelektualiste, s’je abstrakte, s’je formaliste; je e qartë, konkrete, e kuptueshme. Vargjet e tua të lira apo me metrikë e rimë, kanë art. Arti yt letrar ka dy pjesë të dallueshme: “vëzhgim dhe shprehje”. “Çdo  njeri i madh ose i vogël mund të jetë poet, në qoftë se në veprimtarinë e tij sheh idealin”. Gëtja thotë: “Çdo   shkrimtar, në një farë mase, paraqet  në veprat e tij vetveten, shpesh edhe kundër vullnetit të vet”. Këto prirje spikatin edhe te ty.  Je poete që rilexohesh. Lexon nga krijimtaria jote letrare dhe nuk të zë gjumi. Lexon dhe reflekton…

Poezitë e këtij libri kanë shtyllë floriri, janë vargje margaritarë, aq tërheqës, me bukuri, me zhdërvjellësi, me pjekuri, me nerv, me stil të këndshëm. Në poezinë e autores gjen fjalën, idenë, gjen veten, gjen gjuhën, “që është arma e poetit, ashtu si pushka, arma e ushtarit”, siç shprehej Gorki.

Ka njerëz të letrave që u ngjajnë këngëve, të cilat mësohen, këndohen dhe ndodh që, pas një kohe, humbasin. Nuk  e teproj të them se poezitë e poetëve e të poeteve si Katjusha Pogaçi, jetojnë gjatë, nuk humbasin, jo vetëm të gëzojnë, të zgjojnë, të përtërijnë dhe mbahen mend, por përmes tyre njeriu militon, jeton në vargje, sheh veten si në pasqyrë, kujton, përfytyron, konkretizon, ilustron.

 

Poezi nga Katjusha Pogaçi

KJO BOTË QË KËLTHET

 

E vogël është bota

E vogla botë e madhe

Këlthet, qan e çirret

Sikur në rrugë të madhe

Ka mbetur jashtë pa strehë

E trembur keq për vdekje

Bërtet, qan e çirret

Vështirë të vijë në vete.

 

E madhe është bota

E madhja botë e vogël

Përse ngandonjëherë

Më ngjan e mjerë si gogël,

Bërtet e qan e çirret

E ka me të vërtetë?!

E di se ç’do t’i ndodhë,

Bën kot, a diçka ndien?

 

Nikozia, Qipro,

E shtunë, 24 tetor 1998

 

 

 

 

 

NGJARJET E KOSOVËS, 1999

(fragment)

 

Kënga VII

Kryeqyteti Tiranë,

fundshekulli XX.

Pas pune të blej bukë shkoj në një dyqan të thjeshtë,

Pas lajmeve të përcjella në Radio Tiranë

Të mundë të lidh refugjatë anë e mbanë…

Hyj në dyqan, po atje ç’më pret?

Ajo qan në telefon

“Ku ku vëllai i vetëm…”

Dhe iki si hamall me një bukë helmi në dorë

Me pamjen e shpinës rënë mbi receptor

Një triko e gjelbër si e thurur me bar

Një dorë që shtrëngon receptorin-varr,

Ca flokë të zinj rënë pa kujdes

E motra nga Zvicra, motrës këtu i përcjell:

“Më erdhi lajmi, motër, vëllai u vra”

Dhe thirrja çan qiellin: “ Ku, kuuu… vëlla”!

Dhe shtrihet dhimbja rrugëve si qilim

Qilim pa lule, por vetëm me brymë. . .

 

Lule që do të çelin kur kjo brymë të shkrijë…

 

E enjte, 16 prill 1999

 

BALLKAN

 

Ballkani ku ne jemi,

Jam unë, je dhe ti

Një emër dhe një folje

Në rrënjë, në histori,

Bashkë me baladat

Luftë edhe mjegull,

Ballë – kanë këta popuj

Të rëndë në shekujt.

 

Ballë – kanë

E,  në ballë

Mendimin stuhi,

Shpresën nëpër erë

Shkëndijat në sy,

Pasion dhe legjenda

Portretin e bukur,

Por shpesh rri mëria

Thellë bishë e strukur.

 

Veç lumenjtë ecin,

Vrapojnë si veri

Vijnë tek unë,

Vijnë dhe te ti,

Si krushq të  rrëmbyer

Vrapin n’arrati,

Nuse Drini i Bardhë,

Dhëndër Drini i Zi.

 

Ballkan me kaq male, ¬

Ballkan me kaq halle,

Pyje e lumenj,

Popuj e kufij,

Gjuhë e liqene

Zjarr edhe shkëndi…

Nëntoka flet,

Mbitoka gjëmon

Njëra rizgjohet

E tjetra përgjon…

 

S’je veç gjeografi,

Je dhe ti një botë,

Ku bien lahuta

E përplasen dallgë,

Brigjeve tragjikë

Maleve tragjikë…

Retë kreshpërohen

Erërat ngatërrohen

E gjuhët këlthasin.

 

Kurse thellë në shpirt

Ti me shpresën  luan.

Shpresa jote e madhe

Bukuri e hajthme,

Në pasqyrë kohësh

Reflekton thesare.

Shikoji, kuptoji

Dhe s’ke për t’i humbur.

Bashkoi gjerdan

Që t’i  kesh përfare…

E martë, 23 janar 2001

 

ANKTH

 

Ishte një film me mot të keq,

Unë kisha ftohtë nga ekrani

Në krah më rrinte dreqi për dreq

Nën shi më lagej fustani.

 

Ca klithma vinin nga s’di se ku

Në gjuhën e përbotshme të klithmës

Dhe shpirti im bënte: Uh!

Nga plaga e keqe e bishës.

 

Ishte një mot i llangosur keq

Si fati i femrës së fikur,

Do ikte, do rrinte, do na bënte lanet,

Kush vallë do ta kishte ditur?!

 

E martë, 23 dhjetor 1997

 

 

 

DREJT JUSH

 

Mirëdita tokë e lashtë, më thuaj

Pse qan për mua, s’kam ikur.

Në viset e tua kam lënë ca tufa

Vargjesh të zjarrta si drita.

 

Herë ngjajnë të dukshme, hërë të padukshme

Por janë, i ke në ajër.

Si vel i hollë do t’i ndiesh mbi supe

Rreth qafës të ngrohta si shalle.

 

Herë do të hyjnë pa u ndierë në derë

Ose në dritare do rrinë,

Nuk janë zogj, as kërcelli i gjelbër

Por vargjet e mia kanë mbirë.

 

Në se një dorë ju vjen nga larg

Dhe lotin ua fshin mbi rrudhë,

Nuk është çudia as magjistari

Por vargu im në udhë.

 

Vargu im që rrugëton drejt jush

Si drejt amanetit të dhënë,

Mirëmëngjes dielli im mbi Picar

Mirëmëngjes e bukura hënë!

 

 

E hënë, 15 shkurt 2010.

Please follow and like us: