Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: DASHURIA PA KUSHTE E ANJËS

Shënime për romanin “Anja” të Ahmet Prençit

Kanë kaluar dy vjet nga dalja në dritë e romanit “Anja” të Ahmet Prençit dhe romani lexohet edhe më shumë se dy vjet më parë dhe ndoshta do të ketë lexues në të gjitha kohërat.

Ahmet Prençi nuk do të mbahet mend për detyrat e larta shtetërore në Policinë e Shtetit sepse drejtorët e përgjithshëm janë harruar dhe nuk i mban kush mend, por romani “Anja” zor se do të harrohet. Kështu Ahmeti  “bëri mirë” që zgjoi ëndrrën dhe pasionin e tij të kahershëm, dashurinë për letërsinë, poezinë dhe prozën e tij, kaq të dashur dhe efikase.

Në fillim të romanit, në epilog të tij autori shkruan:”Nga atje buzë liqenit të Drinasit, ku ndezi puthja e parë, më vjen një zë thellësie, një pyetje qiellore: dashuri pa martesë apo martesë pa dashuri? Nga atje, nga Fauburg Saint – Antoine , nr 184, Paris më vjen pyetja e Anjës: një dashuri e shkurtër me vuajtje të gjatë apo një martesë e gjatë pa vuajtje dashurie?

Unë pas leximit të këtij romani tejet tërheqës do të thosha: dashuria pa kushte e Anjës. Rrallë gjen dashuri pa kushte në kohën dhe vendin që jetojmë, por një vajzë e re, e shkolluar në Francë, e bukur dhe mendjehapur si Anja dhuron dashuri pa kushte, dashuri njerëzore ashtu si vetëm perënditë mund ta dhurojnë.

Në qendër të romanit është një mesoburrë që ka vendosur të mos lidhet me femrat, pasi është zhgënjyer prej tyre, të mos martohet, një inxhinjer nga më profesionistët, me origjinë nga Veriu i Shqipërisë, Antoni.  Nga origjina që trashëgonte, Antoni duhej të martohej dhe trashëgonte fëmijë, përndryshe ndërpritej lidhja e gjakut të tij ndër breza, por jeta e kisht ezhgënjyer kaq shumë Antonin sa kishte vendosur të mos martohej më. Ah, sikur të ishin gratë si nëna ime. Babai im kaq enë me fat që është lidhur me nënë time, thoshte Antoni.

Dhe paralel me Antonin është një vajzë nga Jugu i Shqipërisë që ka emigruar në Francë, është shkolluar atje, është edukuar si franceze dhe që ka ardhur të vizitojë për dy javë qytetin e lindjes së nënës së saj.

Antoni dhe Anja, por autori ka preferuar ta titullojë romanin e tij vetëm Anja. Përsa i përket kohës dhe vendit të ngarjeve të romanit, Antoni zë pjesën kryesore, por Anja me të veçantën e saj, krenarinë, bukurinë shpirtërore, modernitetin, jetësoren, thjeshtësinë, lirshmërinë, gëzimin, shkëlqimin e syve që shprehin vetëm dashuri, e meriton të jetë ajo në krye të titullit të romanit.

Ata u njohën rastësisht në qytetin jugor. Ajo nuk i kërkoi as numrin e telefonit, siç bëjnë rëndom vajzat e sotme që “gjuajnë” meshkuj me lek e me pasuri , por erdhi përsëri në vendin e njohjes së parë me bindjen që zemrat e kanë lënë vetë orën dhe vendin e takimit. Vendi i takimit nuk mund të ndryshonte assesi.

Po kështu ndodhi edhe me Antonin. Një ndjenjë e brendshme që ai edhe i ndruhej e pruri përsëri në vendin e takimit. Dhe më pas takimet e tyre u shpeshtuan sepse edhe ditët e qëndrimit të Anjës ishin të përcaktuara.

Anja iu dorëzua dashurisë, kësaj ndjenje  mijëvjeçare që ka sunduar që kur është lindur njerëzimi. Po kështu bëri edhe Antoni, pasi te Anja ai njohu dashurinë që i kishte munduar në vite të tëra.

Në ditën e caktuar Anja udhëtoi për në Francë. Nuk i kërkoi Antonit që ta dërgonte në aeroport, nuk i dha adresë dhe numër telefoni. Antoni e dinte se Anja do të udhëtonte një ditë më vonë, ndërsa në fakt Anja kishte udhëtuar një ditë më herët.

Anja  i dhuroi dashuri pa kushte Antonit. Dhe kjo ndodh rrallë  në jetët tona, aq më tepër në jetën konservatore shqiptare prej nga e kishte origjinën Antoni. Ajo e kishte falenderuar  Antonin për kohën dhe dashurinë që i dhuroi në këto ditë dhe ishte larguar  për në Paris.

Në jetën tonë të përditshme, kur hasim edhe skena  krimi, për detyrim martesor me dhunë, dashuria pa kushte e Anjës është një mesazh qiellor qëi thotë shoqërisë sonë: njerëz, dashuroni pa kushte, në të kundërt do të vdisni për së gjalli. Ju mund të ju duket se jetoni, por në fakt vegjetoni si pemë të thara.

E kërkoi  Antoni,  Anjën e tij të dashur me vite e vite, me ditë e netë të panumërta, por në Parisin disa milionësh kjo gjë ishte e pamundur. I mungonte, ishte pjesë e trupit dhe e jetës së tij. Diçka  i ishte  këputur  nga trupi dhe vuante pafundësisht.

E kërkonte Anja, Antonin e saj të dashur, por njëkohësisht kishte vendosur që të mos i tregonte  dhe të mos i jepte përgjegjësi. Anja kishte mbetur shtatzanë gjatë lidhjes me Antonin dhe pas nëntë muajsh i lindi një djalë. I shkruajti Anja, Antonit dhjetra letra, por nuk ja postoi kurrë, ja arkivoi në valixhen e saj të atij udhëtimi të paharruar në jetë të jetëve.

E kërkoi djali, babain e tij, ndërsa Anja i thoshte se ke një baba shumë të mirë, inxhinjer të zot në një vend të Ballkanit të Jugut dhe se i ke ngjarë kopje atij.

U rrit djali dhe u bë 20 vjeç dhe vendosi të shkonte të takonte babanë në qytetin e Jugut të Shqipërisë, me një adresë të parafërt që ja kishte dhënë e jëma, por Antoni tashmë i plakur dhe i sëmurë  kishte dhënë shpirt vetëm tre ditë para se djali të arrinte në Shqipëri. Një testament  pasurie dhe një testament nderi i kishte lënë Antoni, Anjës dhe djalit të tyre që ai e kishte parandjerë se egzistonte. Në valixhen e djalit ishin dhjetra letra të shkruara dhe papostuara nga Anja për Antonin.

U ndala  pak gjatë në linjën e dashurisë së Antonit me Anjën, ndërsa romani ka edhe disa linja të tjera dhe trasmeton edhe disa mesazhe të tjera për jetën në Shqipëri, por mua më tërhoqi dashuria pa kushte e Anjës.

Sa shumë do të na duhet ta arrijmë atë!

Një roman që nuk duhet lënë pa lexuar dhe që duhet të jetë në bibiliotekën e çdo shqiptari dhe institucioni shqiptar .

Please follow and like us: