Formacioni më i madh luftarak në kufi me Kinën, mesazhi i anglo-amerikanëve për Kinën
Tre aeroplanmbajtëse, që mbajnë në bord dy modele të fundit të avionëve të pakapshëm nga radarët, F-35 janë mbledhur si rrallëherë më parë pranë ujërave të Okinawas, në Japoni. Grupi i luftëanijeve, amerikane e britanike është formacioni më i fuqishëm luftarak që lundron në këto ujëra prej shumë kohësh dhe pyetja që po ngrihet është se përse pikërisht tani?
USS America ishte aeroplanmbajtësja e parë amerikane që u bashkua me Queen Elizabeth. Ajo është në gjendje që gjithashtu të mbajë dy skuadrilje F-35B. Prej vitesh, kjo aeroplanmbajtëse lundron në ujërat japoneze e shoqëruar nga shkatërruesit dhe anijet e tjera amfive nga Flota 7 e SHBA.
“America” dhe “Queen Elizabeth” kaluan javën e kaluar duke furnizuar me karburant F-35 të njëri-tjetrit në një të ashtuquajtur stërvitje “kryq”. “Ky ndërveprim tregoi se sa shpejt dhe pa probleme SHBA dhe Britania e Madhe mund të mbledhin së bashku fuqinë ajrore të kombinuar dhe të kryejnë operacione fluturimi shumë të ndërlikuara dhe të qëndrueshme me efekt shkatërrues vdekjeprurës”, tha kapiteni i “America”, Ken Ward.
Super-transportuesi USS Carl Vinson, në gjendje të transportojë armë bërthamore dhe një skuadrilje F-35C iu bashkua “America” dhe “Queen Elizabeth” ditën e mërkurë, duke udhëtuar përmes Paqësorit, nga lindja.
Së bashku, tre transportuesit dhe shoqëruesit e tyre posedojnë më shumë fuqi zjarri sesa fuqia totale e flotave të shumicës së vendeve në botë. Marina kineze aktualisht ka vetëm dy aeroplanmbajtëse dhe të dyja të ngjashme me “Queen Elizabeth” në madhësi dhe aftësi.
“Queen Elizabeth” ka 16 F-35B në bord. Një skuadron F-35B ndodhet në bazat amerikane në Japoni, ndërsa është e paqartë se sa avionë të tillë ka në bord “America”. Ndërkohë, “USS Carl Vinson” është e para nga 10 super aeroplanmbajtëset e Marinës amerikane që lundroi me një skuadron F-35C, 10 avionët më të fundit të pakapshëm nga radarët. Kjo aeroplanmbajtëse është në gjendje gjithashtu që të mbajë 36 avionë të tjerë F/A-18E/F dhe gjashtë dronë të modelit EA-18G.
Në total pranë Kinës sot janë tre aeroplanmbajtëset ndër më të mëdhatë në botë, që në bord kanë një flotë ajrore me të paktën 80 avionë, më shumë se gjysma e të cilëve fjala e fundit e teknologjisë. Kësaj force u shtohen edhe dhjetra anijet luftarake “Corvette” shkatërruese, disa nëndetëse dhe potencialisht një gamë e gjerë raketash me rreze të mesme e të gjatë veprimi.
Marina kineze këtë verë ka përshkallëzuar stërvitjet e saj për një sulm të mundshëm në ngushticën e Tajvanit. Më alarmante, marina ka mobilizuar disa nga anijet e transportit civil nga të cilat do të varej ushtria kineze për të transportuar potencialisht qindra-mijëra trupa pushtuese. Nëse sinjali nga Kina nuk merret, duket se SHBA dhe Perëndimi e kanë marrë sinjalin kinez në lidhje me Tajvanin dhe ishulli është në rrezik.
Burimi Forbes. Përktheu Gazeta Shqip