Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Dëshnica: Xha Avdyli

 Tregim

 

Qyteti,  ku jetonte Xha Avdyli. struket nën muret e kullat e Kalasë me pamje nga Tomori festebardhë dhe Shpiragu i përgjumur në hije.

Historia e këtij qyteti të bardhë mijëvjeçar, nuk njeh as ditën e as vitin e saktë të themelimit. Festat e tragjeditë heshtin nën pluhur rrënojash qysh nga kohët e zhdukura tok me këngët e zerat e gëzuar. Ndërkohë lumi mbledh ujërat që bien nga malet dhe i ngjesh në ngushticat e thikta shkëmbore. Më tej tatëpjetë, ditën e natën, derdhet në pellgje, herë-herë të përgjakur pas krismave, Me uturimë e në heshtje, turbull apo i kulluar, kalon përmes qytetit e nën urën me shtatë harqe, ku valët dëgjojnë legjendat për ndodhi të dhimbshme. Më tutje shtyhet drejt diges e pak më tej nën urën e rëndë prej betoni, që bashkon veriun me jugun. Pastaj sërish hapet drejt kodrave të bleruara e maleve në muzg. Atje merr djathtas e takohet me lumin ujëplotë që zbret nga liqenet përmes maleve. Së fundi të dy tok ikin me diellin, zhyten në detin kaltërosh, treten ndër dallgë dhe mërgojnë larg.

Në qytetin e bardhë, me disa emra, portat, sokakët, muret, çatitë, dritaret, ullinjtë e lashtë e hijet, flasin me larminë e ngjyrave, ndërsa tempujt e faljeve me shkrimet e shenjta. Dikur rrugët e sheshet, gjallëronin nga ardhja dhe ikja e karvanëve me kuaj të ngarkuar me mallra ose udhëtarë. Papritur gjëmonin armët vrastare nga bedenat e frëngjitë e Kalasë dhe mbi urë dukej tek vraponte vargu i ushtarëve të huaj.

Ndryshe nga çdo qytet, për shkak të vjetërisë që humbet në terrin e shekujve, nuk është gjetur e vërteta e emrit e këtij vendbanimi të çuditshën me shtëpi, sup mbi sup, të kapura fort në shkëmbinj humnerash. Thonë, se ai është krijim mjeshtrash, artistësh e piktorësh të panjohur, i sunduar e i grabitur nga perandorët, mbretërit, priceshat e pashallarët. Ndaj mendimtarët e lirisë me penë dhe kapedanët me armë dhe me flamurin kuq e zi, punuan  e luftuan për liri e pavarësi. Dijetarët kërkojnë kuptimin e emrit të qytetit, lumit e maleve përqark. Mendimet përplasen njeri me tjetrin. Shumë syresh ngulin këmbë, se vetëm emri ilirian me ato zanore kumbuese, Partha, i gdhendur në gurët e zbuluar nën tokë, ngjan me emrat Bardha e Berat, për të cilin mijëra të ikur për shkaqe nga më të ndryshmet, kanë mall, edhe për gurët e sokakut. Por jeta, rrjedh si lumi me valë, ditën nën diell, kur ngriheshin themelee çati, ndërsa natën me hënë, kur shembeshin mure e harqe portash. Legjendat e rrëfenjat e frikshme dëgjohen edhe sot në qytetin e dritareve-yje, me ato pamje mahnitëse, apo nën retë e zymta, i njohur prej shumë vitesh për  këngët qytetare, për kishat e xhamitë, teqetë e tyrbetë, kambanoret e minarete, sahatët e pazaret, hanet, parqet, e bahçetë pranë lumit, me remën e çikrikët e vaditjes. Kujtesa ringjall emra poetik të harruar, si Bishti i Urës, Felbani Austro-Hungarez, Hani i Fëshfërimës, Hani i Nushit, Shkëmbi Çek Beni, Shpella e Memecit, Ku dridhen qerret, Sarajet e Pashallarëve, Lëmi i Shamatasë, Lëmi i Plygut, Zarizana, Te trarët etj. Edhe pse, gjatë viteve të diktaturës, qyteti u dëmtua dhimbshëm, sot kush ka fatin ta kalojë natën në ato shtëpi plot ajër e murmurima ujrash, as fjetur e as zgjuar, ndihet sikur prehet në qiell. Nga vatrat e atyre shtëpive, kanë dalë burra e gra, me shkollë ose me pak shkollë, të pasur e të varfër, mësues të përkushtuar, shkrimtarë e poetë të fymëzuar,  zejtarë-artista të palodhur, guximtarë në tregti. Të gjithë i bashkonte shpirti romantik dhe dashuria për qytetin. Shumica nderonte çdo fe, kurse në politikë e ftohtë.

Në krahun e lumit  nga bie dielli mbi Shpirag ndodhej mahalla e Sarajeve-rrënoja të pashait, të rrafshura nga një zjarr i madh. Edhe vetë emri Saraje, seç fshihte diçka të frikshme. Një mur i  ultë me gurë, zgjatej më kot dhe e ndante truallin e shkretë, gjithashtu më kot nga sokaku e shtëpitë përbri. Porta e zymtë me hark të lartë, as hapej e as mbyllej. Pluhuri i tre shekujve mbulonte oborrin. Në bahçenë e madhe, pranë lumit, asnjë lis, kumbull a fik, nuk hidhte hije. Asnjë shpend fluturak nuk ulej kund. Gjjarpërinj të rrezikshëm lëvrinin nën ferra e shkurre e barin e egër. Nuk ndihej asnjë cicërimë, as xhi-xhia e gjinkallave. Në shtëpitë pranë gratë e moshura rrëfenin me pëshpërimë, se natën në Saraje dukeshin xhindet- vajza të bukura me veshje të bardha tek vallzonin pa këngë e pa saze. Nuk dihej nga vinin. Vallë mos dilnin nga valët e lumit apo uleshin  nga qielli?

 

* * *

Nga banorët e mahallës së Sarajeve, pranë lumit, më i urti, qe xha Avdyli. Plaks htatshkurt, zeshkan, i qethur zero, me takien e bardhë në kokë në çdo stinë, këmishën po me atë ngjyrë, kur moti ngrohej e pelerinën e zëzë në mbarim te tetorit.

Çunat e mahallës udhës epërshëndesnin:

-Mirëmëngjes, pep Dydyl!

Xha Avdyli, s‘ua dinte emrat, njihte vetëm prindët e tyre, ndaj u përgjigjej shkurt:

-Mirëmëngjes, trimat e Dylit! – dhe ecte tutje sokakut.

Avdyli jetonte me plakën e mirë, xho Gjylen në shtëpinë me portën e ulët përbri atyre me hark të lartë guri me dy sofate. I biri punonte vozaxhi në pazar. Në çastet, kur hapej porta e vogël, dukej shtëpia e bardhë përdhese, oborri me pus, kova e shtëmba për ujë, shporta e kosha, litarë e rrjeta për peshkim.

Rrëfenin se Xha Adyli, pat ndërruar, siç thuhej në atë qytet parak, tre zanate, nga kovaç në nallban, së fundi e mbylli vozaxhi. Sapo u largua nga punishtet, nisi të merrej  me punë  nga më të ndryshmet. Në shkurret e zallit të lumit priste me sëpatë e nagaçe degë të njoma. Pastaj në shtëpi i gdhendte hollë e hollë për thupra. Deri në orët e vona me to thurte kosha për ngjala dhe shporta për peshk. Me spango liri e litarë sajonte rrjetat e lidhte grepat. Në çastet, kur dëgjonte uturimën e lumit linte çdo punë e nxitonte për në breg. Atje, futej gjer në bel në rrymën e turbulluar e kapte me shportë peshqit gojëhapur që dihasnin sipër ujit. E shihnin xha Avdylin mbi shkëmb tek hidhte grepat në pellgjet e thella. E shihnin tek hapte krahët e hidhte rrjetën mbi valë.

Avdyli ishte edhe druvar i shkathët. Ai nuk shkonte për dru në asnjë pyll. Miku i tij bujar, lumi, kur vinte i egërsuar nga grykat e maleve, mbulonte kumsallën me gurë, drurë e shkarpa. Xha Avdyli përgjonte ditë e natë ushtimën e rrymës së vrullshme. Aty nga ora katër e mëngjesit, merrte karrocën e dorës me tri rrota gome, ecte duke e shtyre mbi gurët e sokakut, kalonte urën e vogël  më tej Teqesë së Rufaijve, ku kryhej riti i faljes me shisha apo shtiza e thika dhe hynte në kumsallë. Sapo vinte re, se lumi qe tërhequr në shtratin e vet, ecte nëpër zallishten e mbuluar me degë e trungje të këputur nga pyjet. Mandej posi djalë i fuqishëm i mblidhte poshtë e lartë, i priste me sëpatë e nagaçe. Ndërsa punonte ia merrte këngës: “O këndo moj qyqe se povjen behari”!…  Emrin ‘behari’ e zgjaste me afsh:  “beejaari”. Së fundi ngarkonte karron trirrotake. Fqinjët e donin Xha Avdylin,ndaj e ftonin ne dasma. Atje, me zërin paksa të ngjirur, si më të qarë këndonte me def në duar.

Gjatë luftës për ca kohë u trondit nga bombat e ajrorëve englezë dhe mitrolozët gjermanë nga Kalaja. Në kohën e paqes këshilltarët e Frontit nisën t’i binin më qafë: “Ti shoku Avdyl, -e qortonin- ke filluar t’u ngjash agallarëve“! Ai vinte buzën në gaz e punonte si më parë.

Xha Avdylit, i mësuar me peshk e ngjala, një ditë iu shkrep të kapte mbi ujë, nën gurë, edhe nëpërka! Ashtu siç qenë, i mbështillte në disa shami të bardha, i fuste në xhepat e këmishës e xhaketës dhe ecte udhës. Një ditë tek kthehej nga peshkimi, me shportën në dorë, çunat e rrethuan dhe iu lutën të shihnim se ç‘kishte zënë. Ai u ndal, nxori një shami nga xhepi i këmishës dhe e hapi mengadalë. Ç’të shihnin! Një nëpërkë e frikshme u ngrit mbi pëllëmbën e tij me ca sy të ndritur, duke lëvizur kokën djathtas e majtas. Trupi i saj i ajthëm, ngjyra ngjyra, dridhej e përdridhej. U zbrapsën të tmerruar, krisën e ikëm në pikë të vrapit.

Tri gra të mëhallës tek fshinin para portave, flisnin edhe për punët e fshehta të Avdylit.

-Mirë, peshqit e ngjalat i zë dhe i nxjerr në pazar, po nëpërkat kujt ia shet?- tha e para.

– Ku i dihet, beqma i çon në spital- ia ktheu e dyta.

-Unë them- pëshpëriti e treta- ia çon një plake në Palikësht, që merret me magjira…

Qysh atëhere, atë njeri me nëpërka në shami e xhepa, kur e hasnin udhës kalonin me dridhmë anash, por nuk harronin përshëndetjen:

-Mirëmëngjes, pep Dydyl!

Ai u përgjigjej buzagaz:

-Mirëmëngjes, trimat  e Dylit!

Një ditë u përhap një lajm i hidhur, se Xha Avdylin e pat pickuar keqas një nëpërkë jeshile. Thanë se Xha Avdyli  kishte shkuar në botën tjetër. Që nga ajo ditë  e trishtuar, nuk u pa më të dilte në breg të lumit, as në zall, as mbi shkëmb. Nuk e dëgjuan më këngën e tij aq të dashur: “O këndo moj qyqe, se po vjen behari”!

Please follow and like us: